Tiranë, 19. 06. 2016: Komisioni i Demarkacionit e ka afruar kaq shumë vetëplagimin, në dëm të Kosovës, me një trazim shqetësues gjithëshqiptar. Kryefjala e këtij komisionit ndarës, e njësisë që vrojtoi dhe humbi, orientoi dhe mjegulloi, shënjoi dhe fshiu, para sesa Thaçi i pushkës të firmoste këtë hartografi të ndarjes së kufirit, të cilën ne duhet që ta ndalim. Kryefjala e veprës vjen së fundi në një deklaratë të rëndë: “Komisioni nuk e ka pasur mandatin që të ndryshojë kufijtë!” Atëherë ç’ka bërë, vallë? Vetëm për të firmosur dokumente, të cilat ia servirin të tjerët? Një hartograf, në krye të kësaj negociate duhet të dorëhiqej, mbasi nuk ka qenë hapur asnjë dritare për hulumtesën e tij.
Vetëm kjo do të duhej që procesi të ndalej, që hapa të më- tutjeshëm të maturoheshin në mënyrë që ne shqiptarët të mos e hamë turpin me bukë. Tani na duhet të qëndrojmë varur në atë litarin që lëkundet përgjatë një shekulli e më shumë dhe që e ka një degë ku është lidhur: “Kushtetuta e vitit 1974… kufijtë administrativë të Krahinës Autonome… dhe fantazma e Jugosllavisë ende duke diktuar, dhe Europa ende e dëgjon, dërgon instruksion për shndërrimin e kufijve të prerë të kombit shqiptar. Komisioni i ngjirur, paska edhe një kumt tjetër: “Kufiri Kosovë-Mali Zi pas vitit 1945 është kryesisht i njëjtë “ (marrë nga njoftimi i Komisionit )” “Kryesisht = më e shumta”.
Pra, më e shumta e hartave apo e burimeve të gjeoinformacionit që e rrëfejnë atë kufi se është i njëjtë. Atëherë lind një pyetje shumë e thjeshtë: Po atë pjesën tjetër të hartave dhe dokumenteve arkivore që ju nuk i citoni, por i deklaroni se ekzistojnë, pse nuk e paraqitni? Pra ju e pranoni se hartografia tragjike e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi ka pjesën tjetër të saj në arkiv, por që ju nuk e keni përdorur. Në praktikën e negociatave midis shteteve për ndarjet kufitare në të mirë të tejdukshmërisë dhe të procedurave shënjohen edhe paraqitja e dokumenteve të të dy palëve, e burimeve të ndryshme, historike, enciklopedike, gjeografike, kadastrale, hidrografike, turistike, ushtarake, të cilat duhet të kenë edhe gjurmë protokollare në proces, çka mund të kërkohet dhe hulumtohet.
Dhe kjo normë e negocimeve, e diskutimeve dhe e shkoqitjes, nuk ekziston, pra është fshehur, është mohuar. Dhe së fundi një kumt tjetër: “…pas hulumtimeve profesionale e shkencore ju njoftojmë se hartat topografike, ushtarake, pedologjike, etnike, pyjore, historike etj. nuk mund të shërbejnë për shënjim të kufirit shtetëror, sepse në dispozicion janë gjeoinformacioni, hartat dhe dokumentacioni zyrtar i Kosovës…”.
Tani hartografët mund të pyesin: Ku e keni gjetur gjeoinfrmacionin dhe hartat zyrtare, se Kosova asnjëherë nuk e ka bërë hartën e saj? ? Ia keni marrë Serbisë? Ju mohoni çdo lloj harte tjetër, dhe bëni bisht të përmendni se keni përdorur hartat kadastrale, të vetmet ato, që zyrtarizojnë zaptimin e hapë- sirave të Kosovës në vite. Rrallë në botë mund të ndodhë që të përdoren hartat kadastrale, aq më tepër në zonën bjeshkore, kullosore dhe pyjore, ku nuk ka toka bujqësore të punueshme. Ju nuk e shfrytëzoni përvojën ndërkombëtare për ndarjet kufitare, kur të parat harta që përdoren janë ato topografike zyrtare në shkallë sa më të madhe, të shoqëruara edhe me rilevime të sakta dhe përshkrime topografike të formave gjeografike të vijëkalimit kufitar. Ky është një kushtëzim fatal dhe i papranueshëm.
Pse është zgjedhur “kadastra” që të diktojë?
Tërësia e hartave topografike (planeve, rilevimeve etj.) në të cilën mund të lëviznin dhe të hidhnin çapat e ekuilibrit, për pelivanët e Demarkacionit, kanë qenë dy buronja: (i) Hartat topografike ushtarake që në shumë shtete, nisur që nga luftërat botërore, e kanë pasur të drejtën ekskluzive, shtetërore për pasqyrim kufijve, mbasi ato harta përfshijnë brenda tyre si burim informacioni edhe hartat kadastrale.
(ii) Hartat kadastrale, pronësore në llojshmëri të tyre (si një plotësim gjeoinformativ për hartën topografike). Përse vallë negociatorët teknikë, të palës kosovare, kanë zgjedhur ”Kadastrin”, çka ka qenë shumë e vlershme edhe për palën malazeze? Tani që është gatuar “demarkacioni teknik dhe është firmosur në mënyrë paraprake edhe politikisht, nuk mund t’u shkosh për vizitë, as t’u thërresësh Bjeshkëve, të cilat në hapësirën kohore të pushtimit janë shndërruar, duke shndërruar edhe kufirin natyror, historik. Kosova e pushtuar dhe e prerë në historinë e djeshme, po edhe në të sotmen e saj, s’gjen dot prehje, nga ndërfutja e ardhësve pushtues, në shekuj, ku përbërësi sllav ka lënë gjurmë. Ndaj, edhe në këtë rast, është thirrur kadastra e diktuar e gjeohapësirës së Bjeshkës që duhet përvetësuar. Pushtuesi i dikurshëm vijon të diktojë edhe në të sotmen. Kjo është përshtatje tolerante për Serbinë dhe Malin e Zi, që ende vënë dhe shkulin piketa sipas oreksit të tyre.
Dëshmitë historike vijnë në kujtesë: (citoj prof. Cërabregu: “Okupimi i Bjeshkëve qysh nga viti 1981 nga grupe të armatosura të sigurimit malazez shkaktoi pasoja të rënda ekonomike te dukagjinasit. Kullosat bjeshkore mbetën të shkreta, të zbrazëta nga barinjtë dhe bagëtitë”). Çakorri dhe Belluha ishin prona me tapi të Kuqishtasve, të dy familjeve të mëdha kulake të Zek Haxhisë dhe Sali Turkajve në prona të tyre të ligjshme. Po të ndiqet “Kadastri” edhe për shqiptarët të cilët kanë pronat në të kaptë të Qafës së Diellit dhe të Çakorrit dhe Kullës, duhet të kish pasur një ndarje, që s’do t’i jepej kurrë zgjidhje për kompleksitetin e saj. Ndërkaq, dihet se demarkacioni i kufirit të Kosovës me Maqedoninë nuk është bërë sipas Kadastrës, por sipas gjeomorfologjisë topografike të ujërrjedhave. Pse u dashkan vallë dy standarde të ndryshme?
Hartat topografike të institutit gjeografik ushtarak të Jugosllavisë
Hartat topografike ushtarake që vijnë nga Instituti Gjeografik Ushtarak Jugosllav në vite të historisë së pushtimit, janë grumbulluar për t’u pasur si konsultative nga Komisioni, dhe në dosjen e hartave, ato janë të pranishme vetëm për një fakt të vetëm: ”se pasqyrojnë me përpikëri Demarkacionin midis të dy shteteve”. Mirëpo botime të veçanta të këtij Instituti e kanë këtë vijë kufiri, me saktësi e qartësi teknike. Ndryshimet kanë ndodhur më vonë. Kundërshtia del sërish në pah.
Hartat origjinë janë dëshmi që nuk mund të rrëzohen dot, sepse ato janë rrënjë dhe themele hartografike. Ajo që e shton edhe më shumë shformimin e gjeoinformacionit dhe largon përqasjen shkencore është harresa dhe shmangia e shumë hartave topografike e po të njëjtit Institut jugosllav, që pasqyron gjendje dhe hollësi shënjore kufitare. Hartat janë të viteve 1945, 1946 dhe 1958. Prej këtu, çka mund të quhet një vit kthese, kur mesa duket “Kadastri” jugosllav i ka lënë dorë të lirë Republikës së Malit të Zi të pushtojë pak nga pak një pjesë të Bjeshkës, të zaptojë prona, ndërkaq të shpërngulen kulakët antikomunistë që kishin prona në Bjelluhë e Çakorr, në kohë kur braktisja bënte punën e saj. Kështu duhet të ketë ndodhur mbasi asnjë fjalë nuk gjendet e shkruar se ku kalon kufiri midis Republikës së Malit të Zi dhe Krahinës Autonome, harrohen harta e botime të mëparshme dhe puthitet mashtrimi i sotëm.
Portreti i kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi është tani më sureal se cilado kohë që shkoi. Askund në botë askush nuk mund të pranojë të shohë e të ligjësojë një pamje të tillë të prerjes së ujërrjedhës, duke e rrëfyer zaptimin nga Kadastri pushtues, tanimë në dorë të përfaqësuesve ekspertë të Republikës së Kosovës. …Një hartë ushtarake gjermane e vitit 1943, e sjell kufirin administrativ në ujëndarjen dhe ujërrjedhën historike. Kjo hartë është e botuar nga “Geographic Section General Staf No. 4396 …published by War Office, 1943 … Second edition, 1946). Aty, aq qartë duken shenjat e përkalimit të vijës NDARËSE administrative, ku janë të pranishme të shënuara lartësitë më të epërme të kreshtit ndarës të Bjeshkës, në vijëkthesën e lartësisë 1806, një kthim për në veri, duke hipur në kuotën 2006 metra, ndërkaq Kulla duket e shkruar në hartë, kurse vija ecën drejt lindjes. Gjithësia konturore dhe lartësore në këtë hartë është ushtarake, në kulm të Luftës së Dytë Botërore. Harta të të njëjtit Institut të vitit 1927, 1940, 1946, 1949, të cilat rrojnë, janë dëshmi koordinatave, që janë në favor të Republikës së Kosovës. Vijnë kësilloj dy pamje, të cilat janë “demaskuese” në planin hartografik, sepse duhet të ketë pasur një urdhër, një kapje politike dhe një realitet i shformuar pronësor nga Jugosllavia.
E themi këtë se harta, ndër më të mirat e të gjitha botimeve të tjera, ka një cilësi të lartë topografike në paraqitje të sistemit të izoipseve, rrjetit të ujoreve që rrjedhin në të dy krahët (Mal i Zi dhe Kosovë), të toponimeve, të rrjetit rrugor, kreshtit ujëndarës, është botim i Institutit Gjeografik Ushtarak i Jugosllavisë (shiko: Izdanie Vojnogeografskog Instituta 1958 god ). Viti 1958, viti i ndryshimit të vijës kufitare, nuk mund të ketë qenë rastësor, kur specialistët gjeotopografë të Jugosllavisë, me një urdhër që s’gjendet, kanë bërë zhvendosjen e shenjave të kreshtave ujëndarës.
A ka, vallë një urdhër, a ka një instruksion hartografik,që ruhet në arkivat e tyre? Me Kosovën Krahinë në atë kohë mund të bëje ç’të dojë, e të shënojë kufij të pazakontë në atë hartë zyrtare topografike dhe në atë kadastër pushtuese. Kudo në botë, sot e kësaj dite, në të gjitha ndarjet kufitare, të cilat shpesh bëhen “sherr” në shekuj, u drejtohen hartave të origjinës, rrjedhës së kalimit të gjeoinformacionit nga një botim harte te tjetri, në përtëritje të tyre. Ndërkaq, pala malazeze ka shumë harta në botime enciklopedike, të cilat nuk i nxjerr, mbasi dëshmitë e mashtrimit dalin sheshit.
Epilog që s’mbaron
Epilogu e ka një kadastër të saktë. E ka edhe një hartë të vërtetë. Atë e fundojnë njerëz dhe shpresa njerëzore të lirisë për të cilën luftojmë. Hartografët janë orientues dhe pararojë, hullitë dhe hapat që hedhin nuk i çojnë bashkësitë e tyre në tymnajë. Kosova vjen vërdallë me lirinë e saj që s’është e lirë, ajo i ka njerëzit e saj në dilema të mëdha, sepse askush nuk po i pyet, për fjalët, kujtesën, Bjeshkën e Namum, kullosat dhe kreshtat ujëndarës, pozicionet që ruanin Krahinën e Rugovës, Lumbadhin dhe Komunën e Pejës, se këto të gjitha janë koordinata që nuk fshihen dot.
Kadastri që e thamë në fillim, ka bërë një shiritndarës të pavërtetë. Ne duhet ta shkulim atë, dhe ai ashtu natyrshëm do të ngjitet përsipër në Çakorr e Kullë, atje ku e prêt (të paktën) ajo rrënja e mëkëtejme e historisë. * Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës. Oponent i marrëveshjes detare midis Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 2009-2010.