Dr.SADRI FETIU: KUJTIME PËR ATDHETARIN, HASAN BILALLI (2 PRILL 1918 – 24 QERSHOR 1987)

Prishtinë, 13 janar 2020: Që në moshën time të rinisë pata fatin ta njoh një njeri shumë të mirë; një burrë tëe rallë, idealist të madh, atdhetar të kulluar, optimist të papërmirësuar, humanist, njeri përherë të këndshëm për ndeja e për bashkëbisedime…
Edhe me pamje të jashtme, me atë fytyrë përherë të buzëqeshur, me ata sy që shkëlqenin me një ngjyrë të kaltër të butë, me tenin e fytyrës ngjyrëgruri, madje edhe me ecje përherë energjike, shpëndante kudo pozitivitet… Fliste në mënyrë të qetë me një zë kumbues, duke theksuar mirë çdo rrokje të fjalëve. Kishte durim ta dëgjonte deri në fund bashkëbiseduesin. I gatshëm kurdoherë për debate i respektonte mendimet e tjetrit edhe kur nuk pajtohej me të…
Ky ishte Hasan Bilalli me prejardhje nga fshati Sllovi, që kishte lindur më 2 prill 1918 në Prishtinë, por kishte jetuar pothuajse gjatë gjithë jetës në Shkup.

Hasan Bilalli, themelues i Sh. F. LIRIA-Shkup
Të gjithë ne në Prishtinë, që kishim njohje apo lidhje familjare e shoqërore me të, e njihnim me emrin Zotni Hasani. Dhe ai ishte një zotëri i vërtetë me plot kuptimin e kësaj fjale. Ishte i njerëzishëm, i arsimuar, i edukuar me sjellje dhe manire të një njeriu që zotnillëkun e kishte të lindur. Ishte njeri që komunkonte me të gjithë, me fëmijë dhe me të rritur, me një gjuhë të qartë dhe të saktë. I fliste disa gjuhë: shqip e turqisht që nga mosha e fëmijërisë, lexonte Kur’anin dhe e kuptonte edhe arabishten, mbase kishte njohuri edhe nga persishtja… Më vonë e kishte mësuar edhe maqedonishten e serbokroatishten. Por e fliste mirë edhe frëngjishten, pastaj italishten e ngapak edhe gjermanisht. Në disa nga këto gjuhë kishte hartuar edhe vjersha me motive të dashurisë ndaj atdheut dhe me motive thjesht erotike. Shumë nga ato i dinte përmendsh dhe nuk pritonte t’i deklamonte sa herë që ishte i disponuar, sidomos kur bisedonim për poezinë…
Pra, Zotni Hasani ishte njeri mjaft i kompletuar si intelektual i kohës së vet. Ishte me bindje të plotë politike antikomunist. Kishte vepruar në vijën kombëtare si demokrat i vërtetë brenda lëvizjes së organizuar në Shkup – Nacional Demokratike Shqiptare – NDSH.
Zotni Hasanin unë e kam njohur që në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Ai ishte burri Besimesë, i tezës së bashkëshortes sime, Fetijes, të cilën e donte si ta kishte vajzë të veten, prandaj sa herë që vinte në Prishtinë gjithmonë vinte për vizitë te ne. Më çmonte edhe mua dhe për një kohë shumë të gjatë kemi qenë miq e shokë, që kemi biseduar për shumë çështje shoqërore, politike, jetësore…
Ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë që Zotni Hasani e bën jetën e amshueshme, kujtimet për të janë gjithnjë të gjalla, emocionuese, që e trazojnë shpirtin e njeriut dhe e provokojnë mallin për të kaluarën, e cila e ka kuptimin e vakët dhe bukurinë saj mahnitëse…
Duke rikujtuar hollësi të ndryshme të bisedave të shumta me Zotni Hasanin do të përpiqëm ta portretizoj jetën e tij, duke i treguar disa nga epizodet për të cilat kemi biseduar dhe ai vetë më ka treguar në moment të ndryshme relaksuese, duke evokuar të kaluarën e tij…
Së pari duhet thënë se ai ishte një fëmijë shumë i shkathët. Nga ato që më ka treguar e parafytyroj si një djalë trupshkurtër, fort të dobët në pamje, me veshje jo shumë të re dhe të ruajtur, që në rrugët e Bit Pazarit, në sheshin e Urës së Madhe mbi Vardar, në rrugicat kah Kalaja, në afërsi të kafiterive dhe të xhamiave, duke bërë akrobacione të ndryshme, sidomos duke ecur në duar, duke bërë rrotullime në ajër e duke rënë përsëri pupthi në këmbë… I mahniste njerëzit që e shikonin me kureshtje. Nga bujaria e tyre, nga keqardhja për dukjen e tij, shume prej tyre edhe i dhuronin para. Kështu Hasan Bilalli, fëmijë, e siguronte bukën për veti dhe për familje. Me paratë e fituara nga këto akrobacione ai i blente edhe librat e shkollës dhe tekstet e tjera me të cilat i mësonte gjuhët, e lexonte edhe tekste letrare – artistike. Mu për këtë që në moshë të re bënte prova për të shkruar poezi dhe bashkë me aftësitë për akrobacione e shprehte edhe talentin e aktrimit. Krahas shkollës së rregullt ai e mësonte në medrese alfabetin arab, lexonte Kur’anin në këtë gjuhë dhe i merrte njohuritë e para për fenë islame.
Zotni Hasani ishte besimtar i devotshëm gjatë gjithë jetës, por nuk pati kushte qe t’i kryente të gjitha obligimet fetare. Më dukej se anonte kah tarikatet, mbase ishte pjesëtar i kaderive të Prishtinës, qysh nga koha kur ishte nxënës në kursin e mësuesisë në Gjimnazin “Sami Frashëri”…
Për kohën sa ishte në gjimnaz, me kishte treguar se në ato vite në entuziazmin nacionalist të kosovarëve të liruar nga sundimi serb vepronin dy grupe të të rinjve, nacionalistët dhe ata që, siç thonte ai, “ishin infaktuar me mikrobin e komunizmit”.
Pothuajse gjithnjë e shprehte ndjenjën e keqardhjes për Zenel Salihun dhe shokët e tij që ishin sakrifikuar për këto ide, që ai i konsideronte shumë të dëmshme për popullin shqiptar…
Në atë kohë bashkë me një numër të rinjsh, nxënës, që përgatiteshin për mësues të shkollave shqipe të posahapura në Kosovë, ishte aktivizuar në jetën shoqërore e politike në vijën nacionaliste. Pas kryerjes së maturës kishte filluar të punonte mësues në Llap, ku si intelektual i edukuar në frymën atdhetare dhe si njeri shumë i sjellshëm kishte fituar besimin e shumë njerëzve dhe çmohej, sidomos nga njerëzit elitarë të asaj kohe. Mu për këtë njeri nga burrat më të popullarizuar ne Prishtine, Bajram Ajvazi, kishte vendosur që t’ia jepte për grua, vajzën e tij, Besimen. Pra, Hasan Bilalli nga Shkupi ishte i fejuari i Besimes dhe dhëndri i ardhshëm i Bajram Ajvazit, që ishte në zë për ndershmërinë dhe për pasurinë e familjes së tij.
Pos punës shumë të përkushtuar sidomos në themelimin e shkollës së parë shqipe “Liria” të Shkupit, ai në atë kohë ishte aktivist i dalluar, një nga organizatorët kryesor, i organizatës NDSH-së, ku, pos detyrave të tjera, në kushtet e ndjekjes së veçantë të pushtetit të komunistëve, në konspiracion të plotë duhej t’i mbante edhe lidhjet midis organizatës së Shkupit dhe të Prishtinës…

Nga e majta i treti, Hasan Bilalli…

Gjatë bisedave lidhur me ngjarjet e kësaj kohe Zotni Hasani, një nga udhëheqësit kryesor të Komitetit të NDSH-së së Shkupit, më ka treguar në hollësi për një udhëtim të tij të vështirë nga Shkupi në Prishtinë, kur kishin filluar arrestimet e aktivistëve të NDSH-së dhe ai ishte një nga personat më të kërkuar nga OZN-a e asaj kohe. Disa herë më kishte treguar për ngjarjet rreth përgatitjes së Kongresit të NDSH-së të mbajtur në Blinajë (Lipovicë) në korrik të visit 1946, ku ai kishte marrë pjesë si delagat i Komitetit Qendror të organizatës që vepronte në Shkup. Sa herë më fliste për këtë kohë nuk e lente pa e përmendur rastin e një spiuni jugosllav, që kishte depërtuar në radhët e kësaj organizate, i cili mu në ditën e mbajtjes së Kongresit ishte zbuluar dhe ishte likuiduar aty për aty në prani të pjesëmarrësve të këtij tubimi politik. Ishte kjo një situatë dramatike për të cilën Zotni Hasani me fliste me shqetësim të veçantë.
Drama të vërteta ishin tregimet për shpartallimin e njësive ushtarake nacionaliste diku në afërsi të Prizrenit, pastaj për një udhëtim klandestin të gjatë nëpër shumë vise të Shqipërisë për më shumë se 20 ditë bashkë me një shok ushtar me moshë më të re se ai, nga Pazari i Ri (Sanxhaku).
Më tregonte episode se si kishin mbetur të zbathur dhe ishin detyruar që t’ia marrnin me forcë një bariu shqiptar opingat e gomës. Kishin udhëtuar kryesisht natën, kurse gjatë ditës ishin strehuar nëpër pyje dhe kaçuba… Ishin ushqyer me çka kishin gjetur në fushë, me fruta të egra të mbetur nëpër male, me barishta të pazier fare që kishin gjetur në fusha dhe me bukë që ua kishin marrë barinjve shqiptarë.

Hasan Bilalli – në ilegalitet
Pas gjithë kësaj odisejade, pas të gjitha rreziqeve që të kapeshin të gjallë apo të vriteshin nga ushtria dhe policia e Shqipërisë, më në fund kishin arritur në Greqi, duke menduar se tashmë kishin shpëtuar nga të gjitha të këqijat e kësaj jete…
Kur fliste për këtë Zotni Hasani merrte frymë thellë, më dukej se i ndërronte edhe pamja e fytyrës, sidomos me shkëlqimin e syve të kaltër dhe vazhdonte të tregonte se mu këtu fillonte drama e tij më e vështirë jetësore…
Në Greqi ata ishin dorëzuar te forcat e njësive komuniste që ende vepronin në veri të Greqisë pranë kufirit me Shqipërinë dhe Jugosllavinë. Komunistët grekë pasi që i kishin hetuar imtësisht dhe i kishin maltretuar psikikisht dhe fizikisht kishin vendosur që dy të arratisurit t’ua dorëzonin organeve të Shqipërisë…
Zotni Hasani më tregonte pastaj se si të dërrmuar nga lodhja dhe uria kishin arritur si të burgosur të përcjellë me roje të veçanta në Korçë. Në burgun e këtij qyteti kishin qënderuar disa ditë nën vëzhgim të vazhdueshëm e pastaj ishin marrë ne pyetje nga një ushtarak i lartë shqiptar. Zotni Hasani mendonte se ai kishte qenë vetë Koçi Xoxe, siç thoshte ai, “monstrumi sllavo-grek”, i cili në fillim të bisedës ia kishte dhënë një shpullë të fortë, sa ai pohonte, se i duket se edhe sot e kësaj dite ka dhimbje në faqen e djathtë. Pastaj për bindjet e tij nacionaliste – kundërkomuniste – hetuesit e tjerë e kishin rrahur për vdekje, saqë disa ditë ishte përpëlitur në mes të jetës dhe vdekjes…
Në anën tjetër vdekja e ndiqte edhe në Jugosllavi, pasi që gjykata e Shkupit mund ta dënonte me vdekje, në momentin kur pasi kishte filluar gjykimi, ai më 21 janar 1947 ishte burgosur nga organet jugosllave, i ekstraduar nga Shqipëria… …
Gjykata e shkupit e kishte dënuar me 20 vjet burg.
Zotni Hasani kishte vuajtur në burg, prandaj nuk kishte dëshirë të fliste për këto vite të jetës së tij. Një rast më tregoi se Fetijen e donte, sepse në burg e kishte dëgjuar zërin e saj në rastin kur ajo si fëmijë e kishte vizituar bashkë me babain e saj, Shabanin Lepajen, ne Burgun e Idizovës. E thoshte se ate zë të fëmijës e kishte ruajtur në kujtesë pothuajse gjatë gjithë jetës së burgut…

Në Burgun e Idrizovës
Sa më kujtohet ai thoshte se në burg kishte qenë diku kah 9 vjet e pastaj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore e kishin liruar me kusht që të mos largohet nga vendbanimi pa leje të veçantë policore për afatin kohor deri më 1962. Në të vërtetë Zotni Hasani ishte përcjellë nga policia e fshetë jugosllave si nacionalist i papërmirësueshëm gjatë gjithë jetës së tij…
Nga burgu kishte dalë krejtësisht i dërrmuar, por shpejt e kishte marrë veten dhe kishte përjetuar gëzimet e para jetësore: ishte martuar me Besimen, e cila e kishte pritur duke ndejtur “nën unazë”, siç thuhej për 10 vjet me radhë.
Me gjithë vështirësitë e shumta të jetës, që i përballonin – Zotni Hasani kishte punuar për një kohë si aktor në Teatrin “e Pakicave” të Shkupit, i cili pas pak kohe ishte shdnërruar në teatër amator dhe i kishte përjashtuar nga puna të gjithë të punësuarit me pagë. Pastaj ai e kishte siguruar ekzistencën duke punuar si punëtor i thjeshtë fizik në Hekuranën e Shkupit, kurse nusja e tij, Bisimeja, duke punuar shumë si në shtëpi, ashtu edhe duke i larë në ujërat e ftohta të Vardarit shamijat – mafesat e shtamposur, që kunati i saj, Ismaili, i shiste në një duqan të vogël në Bit Pazar të Shkupit.
Me gjithë vështirësitë e mëdha ata i përjetuan edhe gëzimet e para jetësore, sepse u lindi djali i parë, Naseri e pastaj dy vjet më vonë edhe i dyti, Muhameti. Familja me katër anëtarët e vet e përjetoi edhe një gëzim, sepse me kohë u vendos në një banesë të vogël njëdhomëshe në Karposh, që e kishte blerë me kredi.
Aty, në atë banesë në Karposh, Zotni Hasani jetoi deri në fund të jetës. Aty u rritën edhe djemtë, që u detyruan të shkollohen në gjuhën maqedone, pasi që e vetmja shkolle fillore shqipe ishte shumë larg nga Karposhi… Por, djemtë morën një edukatë të shëndoshë nga prindërit dhe qysh si fëmijë filluan të punojnë për të mirën e familjes, duke u angazhuar që në orët e hershme të mëngjesit si shpërndarës të gazetave ditore.
Ata mësuan jashtë bankave të shkollës jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe shumë gjuhë të tjera, madje edhe botërore… Më kanë thënë se Muhameti është një poliglot i vërtetë dhe sot i flet rrjedhshëm dymbëdhjetë gjuhë…
Zotni Hasani dhe familja e tij ishte me fat pasi që ndërtesa në të cilën ishte banesa e tyre, fort e vogël, u dëmtua bukur rëndë, por nuk u rrënuar krejtësisht ne tërmetin e madh të Shkupit…
Kur u krijuan kushtet e favorshme politike, pas Plenumit te Brioneve më 1966, Zotni Hasani, tani i lodhur fizikisht nga sëmundja, mosha, vuajtjet e burgut dhe puna e rëndë në Hekuranën e Shkupit, përjetoi edhe një kënaqësi të veçantë, sepse iu kthye punës për të cilën ishte shkolluar dhe kishte ëndërruar që në moshën e rinisë. Me një entuziazem gati të ripërtërirë ai filloi të punojë në fillim mësues e pastaj edhe arsimtar i gjuhës frënge dhe i artit figurativ në fshatin Studeniçan, në rrethinat e Shkupit. Kishte dëshirë të madhe që shkollën ta vijonin edhe vajzat e fshatit, por shpesh nuk haste në mirëkuptim të prindërve me botëkuptime të kufizuara, që nuk e çmonin sa duhet arsimin e nuk dëshironin që të emancipohen, sidomos vajzat. Shpesh ankohej për vështirësitë e ndryshme gjatë punës së tij në arsim…
Aty punoi derisa u pensionua më 1978… Ai vinte shpesh në Prishtinë. Në ndonjë rast sa për t’i mbuluar shpenzimet e rrugën, pos dhuratave për të miq e shokë, sillet edhe prime të hershme të Shkupit për t’i shitur në Prishtinë…
Zotni Hasani shkruante vjersha shqip, turqisht dhe frëngjisht dhe pohonte se brenda simbolikës erotike është dashuria ideale, si dashuri e mirëfilltë ndaj atdheut. Në një rast ma kishte lexuar edhe një fragment të një drame të shkruar ndoshta në moshë të re kur kishte qenë nxënës i Gjimnazit “Sami Frashëri”. Këtë përshtypje e kam, sepse letra e fletores në të cilën ishte shkruar drama ishte mjaft e vjetër. Sa më kujtohet përmbajtja e dramës ishte me motive historiko-fetare, të ngjashme me “Qerbelanë” e Naim Frashërit.
Ai që nga mosha e rinisë kishte shfaqur prirje edhe për pikturë e pastaj edhe për aktrim dhe vallëzim. Edhe pse në moshë dhe mjaft i lodhur në rast e të ndryshme për t’ua bërë qejfin më të rinjve nuk pritonte ta demonstronte edhe vallen e njohur ruse “kazaçok”, e cila kërkon mjaft shkathtësi për t’u luajtur ashtu si duhet…
Mund të thuhet se Zotni Hasani ishte aktor i mrekullueshem… Në një rast kur si en-de-she-ist ushtonte me tren prej Shkupit për të ardhur në Prishtinë, në momentin kur policia jugosllave, që e kërkonte për ta arrestuar pikërisht atë, ai filloi ta luajë rolin e një të dehuri. Dhe luajti aq bukur, aq bindshëm, sa ata menduan se vërtet është njëfarë “pianeci” dhe e lanë të lirë dhe nuk ia kërkuan as dokumentet identifikuese të udhëtimit…
Sa herë që e kujtoj Zotni Hasanin me del përpara fytyra e tij e buzëqeshur, pamja e tij burrërore, vullneti i tij për jetën, dashuria e ndaj të gjithë njerëzve… E paharueshme mbetet edhe sjellja e tij adhuruese ndaj gruas së tij, Besimes, me të cilën i kishte ndarë kënaqësitë dhe vështirësitë e shumta të jetës…
Kam përshtypje që pas vdekjes se Besimes, ai e kishte humbur një pjesë të vullnetit për të jetuar dhe disi ishte mbyllur ne vetvete…
Besimeja kishte vdekur në Prishtinë dhe sipas dëshirës së saj, si bijë e denjë e Lapit, ishte varrosur me nderime te veçanta nga gjithë farefisi i shumtë dhe bashkëvendasit e saj, në vendlindje – Peran të Podujevës…
Zotni Hasani ka jetuar edhe disa vjet në Shkup në përkujdesjen shumë të mirë të familjes, sidomos të nuses së Naserit, Nerminit…
Ai ka vdekur më 24 qershor 1987 dhe është varrosur në Shkup. Më kujtohet mirë ajo ditë e pikëllueshme, sepse në varrimin e tij kanë marrë pjesë shumë njerëz nga Prishtina, pothuajse të gjithë ata që Zotni Hasani i vizitonte sa herë që vinte në këtë qytet.
Ai nuk është më, ka kaluar në jetën e amshueshme… Por, Zotni Hasani jeton në kujtimet e të gjithe atyre që e kanë njohur, që kanë pasur rast qoftë edhe vetëm një herë të rrinë e të bisedojnë me të…Ai ka lënë një pasuri të madhe shpirtërore; çiltërinë e njeriut që shkon deri në kufijtë e pastër shpirtbardhësisë fëmijërore, dashurinë e ngrohtë për njerëzit, shembullin e një dashurie të pakufishme ndaj popullit të tij dhe të qëndresës së pathyeshme ndaj dhunës së robëruesve të atdheut…
Por, duhet ta pohojmë më në fund, se ai e ka lënë një familje të shëndoshë atdhetare; i ka lënë djemtë, Naserin e Muhametin dhe plot mbesa e nipa, si në Shkup, ashtu edhe në Zvicër, që duke qenë krenarë për gjyshin e tyre, po i përmbushin me punë dhe ndershmëri idealet e tij…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura