DR.SADRI RAMABAJA: GJYKATA SPECIALE SI VIS MAJORIS (II)

Prishtinë, 25 dhjetor 2020: Cili ishte misioni i ndërprerë i Hashim Thaçit?
Misioni i ndërprerë i Hashim Thaçit, që si duket kishte për objektiv ndarjen e Kosovës në emër të përcaktimit, respektivisht përkufizimit (razgraniqenies) mes shqiptarëve dhe serbëve, siç shprehej më shqeto presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Por, nëse për Vuçiqin ky objektiv ishte i qartë, e që ndërlidhej me përforcimin e pozicionit gjeostrategjik të Serbisë në Europën Juglindore dhe rikthimin e Rusisë në rajon, cili ishte përfitimi i Thaçit në këtë mes?! Aq i bën kryeolhokratit tonë, se me këtë akt, de fakto, ai konsumon aktin e tradhtisë, që është i sanksionuar në Kushtetutën e Republikës dhe në Kodin Penal si vepra më e rëndë penale! Duket se në shestimet më të thella, kjo dyshe, Thaçi-Vuçiq, dhe mentorët e tyre, përllogarisnin se, me këtë akt, do të kontribuonin në çarjen e BE-së, meqë në këtë marrëveshje duket se ka qenë e përfshirë edhe joshja e Hungarisë për dalje nga BE-ja. Prandaj ky mision, çuditërisht, ka diçka të përbashkët me atë të Bartolomeo Brutit dhe rolit të tij në raportet mes Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Spanjës në gjysmën e dytë të shekullit XVI (1577), që ndërlidhej me përçarjen “në një mënyrë të pashmangshme dhe të guximshme [6] të paqes në mbarë Mesdheun.

Megjithatë, objektivat qendrorë të kësaj marrëveshjeje mbeten:
1. arritja e paqes së qëndrueshme ose hyrja në një fazë të çarjes së thellë të BE-së përmes ritrazimit të Europës Juglindore, meqë kjo marrëveshje supozohet se kishte të bënte edhe me krijimin e garancive të bashkimit të Republikës Sërbska (Bosnjë), që ishte thjesht produkt i gjenocidit serb gjatë luftës atje, me amën e saj: Serbinë;
2. krijimi i një zone ekonomike amerikane në rajonin e Mitrovicës dhe Novi Pazarit, që do të shërbente edhe si zonë tampon (pengesë e natyrshme) për shtrirjen e ndikimit turk më tej drejt Bosnjës;
3. përfshirja në marrëveshje e Veriut të Kosovës bashkë me Trepçën dhe Ujmanin, që Serbia dhe fuqitë garantuese do ta merrnin në konsideratë për dhënien e garancisë që liron Hashim Thaçin nga çfarëdo përndjekje e mundshme nga Gjykata Speciale.
Në të kundërtën, çfarëdo shmangieje nga ky skenar, pavarësisht faktorëve, Thaçin do ta priste fati tragjik që kanë të gjitha marionetat. Sidoqoftë, edhe nëse dështon ky skenar, siç ka gjasa të mira, sidomos tashti pas publikimit të njoftimit të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për ekzistencën e aktakuzës që ngarkon Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për vepra të rënda penale – vrasje të civilëve e të kundërshtarëve politikë etj., ai do të shfrytëzohet tutje nga Serbia, qoftë për dëmtimin e Kosovës në rrafshin diplomatik, por edhe të vetë pozicionit gjeostrategjik, ndërkaq imazhi që kishte UÇK-ja si guerilja më e suksesshme e shek. XX, do ta pësojë keq.

Hashim Thaçi duke u matur me hijen e mëngjesit edhe në raport me fuqitë europiane në ngritje, ndërkohë do të shndërrohej në pjesë rezervë e ingranazhit të makinerisë së rëndë, por shpejt do të shtypej si ata guralecët nga cilindrat e përmasave super të rëndë, që shërbejnë si makineri e përzgjedhur për ngritjen e autostradave moderne që po ngre gjeopolitika. Prirja për ta gënjyer veten, se duke sakrifikuar pjesë nga Atdheu, madje edhe duke provokuar shkërmoqjen e ingranazheve të Perëndimit, do t’ia dilte t’i shmangej fundit tragjik të natyrshëm prej marionete, kur koha duket se ka lënë prapa vrapin e natyrshëm të Mesjetës feudale dhe sot bën hapa gjigantë brenda ditës, ai, duke pirë birra të freskëta Peje, e humb kohën kot në Presidencën e uzurpuar, dhe nga 24 qershori, de fakto, sytë i ka tek orët boshe të zallit që rrjedh tutje. Rikthimi në fëmijërinë e Burojës, megjithatë, atij do t’i mundësohet, kur do t’i lejohet nga zyrtarët e burgut të Shevingenit që t’i ftojë “vëllezërit e gjakut të luftës” aty në guvën e tij për të luajtur domino e “shti rruaza në pe tok”, meqë do ta kenë kohën e qenieve që shteti modern i strehon në “Parajsën e mekanizuar”, që ka emrin e trishtë: burg.
Republika e Kosovës është produkt, në radhë të parë, i përplasjeve dhe kompromiseve të dy politikave globale që dominuan në shek. XX. Por, nëse në vitin 1999 ishte SHBA-ja që zëvendësoi tri fuqitë e kohës (Rusinë, Austro-Hungarinë dhe Turqinë), që për këtë hapësirë gjeopolitike me shumë interes kishin thyer shpatat gjatë gjithë shek. XIX, madje edhe gjatë Luftës së Parë Botërore e më tej, duke ngritur protektorate, siç shprehet H. Kisinxher, ndërkohë rikthimi i drejtpërdrejtë i fuqive në fjalë, qoftë në përpjekje për t’i shfrytëzuar shtetet e veçanta si vasalë klasikë, qoftë nën petkun e neootomanizmit, reflektohet në intencat e dekadave të fundit për hapjen e të ashtuquajturave autostrada gjeopolitike të reja. Në këtë megaprojekt duket se marionetat aktuale nuk i kryejnë dot punë askujt. Por, sidoqoftë, këto marioneta po shfrytëzohen në maksimum, kësaj radhe duke shërbyer si dëm kolateral historik, që do të dëmtojë kryeveprën politike kosovare të idealistëve të disa brezave: UÇK-në. Mbrojtja e UÇK-së nuk bëhet dot duke mbrojtur marionetat që asaj iu imponuan në gjysmën e dytë të vitit 1998. Nëse atëbotë kryesia e LPK-së kalkuloi në dobi të luftës për liri, duke u angazhuar që brenda atij kaosi drejtues të ruante kohezionin e brendshëm luftarak dhe unitetin e kombit, sado i dëmtuar që ishte, vetëm e vetëm që të përmbyllet lufta duke larguar okupatorin serb, ia doli të shmangte fraksionimet shtesë, madje arriti që edhe ato pak forca të qeverisë në ekzil t’i inkorporojë disi brenda trupit të UÇK-së e nën emblemën e saj, ndërkohë është çasti i duhur që historinë e lavdishme të UÇK-së së vegjëlisë ta çlirojmë nga ish-puçistët, që nuk kishin si të mos prodhonin, edhe në kohë lufte e paqeje, hallkat e krimit. Vetëm atëherë do të arrijmë që të futemi në autostradën e duhur të gjeopolitikës që po inauguron Europa dhe Perëndimi, familja jonë politike, për këtë pjesë të kontinentit të vjetër.
Misioni i ndërprerë i Thaçit, si duket, kishte disa objektiva, që i theksuam më lart:
I pari – ai që mëtonte të tumirte planin serb për ndarjen e Kosovës në emër të përkufizimit (razgraniqenies) etnik që trumbetonte Aleksandar Vuçiqi.
I dyti, me këtë akt, t’i hapte rrugë pozicionimit të Rusisë në brigjet e Ibrit, në Mitrovicë, me çka garantohej rikthimi i plotë i Rusisë në Ballkan.
I treti, si rrjedhojë e objektivit të dytë, të cenoheshin rëndë interesat e BE-së, para së gjithash të Gjermanisë, edhe me çmimin që shkaktonte thellimin drejt çarjes së BE-së, meqë në këtë kuadër përflitej edhe joshja e Hungarisë për dalje nga BE-ja.
Ky mision i Hashim Thaçit duket se ka një bazë historike, megjithëse rezulton të jetë karikaturë e modelit. Fjalën e kam për Bartolomeo Brutit dhe rolin e tij në raportet mes Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit në pjesën e dytë të shek. XVI (1577), që ndërlidhej me garantimin ose përçarjen “në një mënyrë të pazakonshme dhe të guximshme” [7] të paqes në mbarë Mesdheun.
Arritja e paqes së qëndrueshme ose hyrja në një fazë të përçarjes së thellë me shtrirje në të gjithë Europën Juglindore, meqë ky veprim, pra “përkufizimi etnik mes shqiptarëve dhe serbëve”, ndërlidhet edhe me të drejtën, që automatikisht duhet ta gëzojë Republika Sërbska që t’i bashkohet amës së saj , Serbisë, e shoqëruar kjo me krijimin e një të ashtuquajture “Zonë ekonomike”, që do të përfshinte Mitrovicën dhe Veriun e Kosovës tok me Novi Pazarin. Kjo do të shërbente më tej në dekadat në vijim si tampo-zonë për ndërprerjen e shtrirjes së “rripit të gjelbër” (ndikimit turk) drejt Bosnjës, duke përfshirë edhe garantimin e mbetjes në zotërim të Serbisë së dy kuotave më strategjike të Veriut të Kosovës: Maja e Pançiqit dhe Liqeni i Ujmanit, që duket të jetë çmimi që do t’ia garantonte Hashim Thaçit amnistimin nga Gjykata Speciale. Në të kundërtën, çfarëdo shmangieje nga ky skenar, i vullnetshëm apo i imponuar nga rrethana objektive, siç ndodhi de fakto, Thaçin e priste fati tragjik që kanë të gjitha marionetat: ai do të shfrytëzohej sërish nga Serbia, por kësaj radhe për ta dëmtuar rëndë UÇK-në, imazhin e saj, e me këtë, edhe historinë tonë.
Sidoqoftë, para se të hiqej nga skena politike, ai do t’i bëjë edhe një dëm të madh Republikës. Tok me Fushenë tonë, Isa Mustafën, do të rrëzojë qeverinë “Kurti”. Le të jetë ky dëmi i fundit që ai mund t’i bëjë Republikës. Por, nëse kalemxhinjtë e tij të paguar me buxhetin e Republikës pretendojnë ta portretizojnë si martir, shtypi i lirë e cilëson atë, ashtu siç ishte edhe de fakto: pengmbajtës i Republikës. Më 25 qershor 2020, e përditshmja vjeneze “Der Standard” në një raport të saj me një titull shumë sinjifikativ “Akuzat kundër Thaçit: shuplakë për mbështetësit e Trampit”, pohohet katërçipërisht dhe pa ekuivokë, se “ish-komandanti i UÇK-së mban vendin peng për vite të tëra, për shkak të krimeve gjatë luftës. Me qëllim që të mos dalë para Gjykatës, ai është madje i gatshëm, që t’ia japë Veriun e Kosovës shtetit serb – një hap ky antikushtetues – e me këtë të ndahet nga ideja për një shtet multietnik. Thaçi ka kohë që i ka tradhtuar shqiptarët. [8] Prandaj Gjykata Speciale në thelb na shndërrohet në një Vis Majoris; ajo, duke hequr qafe kryekuislingun që iu imponua UÇK-së dhe Kosovës për mbi njëzet vjet, i hap rrugë Shtetit të së Drejtës, e bënë 24 qershorin të na rezultojë, de fakto, në prologun e lirisë së gjakuar.
Dehumanizimi i politikës përballë heronjve të demokracisë
Në letërsinë moderne, shkruan Ernesto Sabato, e bukura, ana fisnike dhe humania, nuk e ka bukurinë si qëllim. Madje, “që prej Dostojevskit, ne po mësoheshim me kontradiktën dhe me pisllëkun që e karakterizon gjendjen njerëzore: tashmë e dimë se pas paraqitjeve më fisnike, mund të fshihen pasionet më të neveritshme, se heroi dhe frikacaku janë shpesh i njëjti person, si shenjtori, ashtu dhe mëkatari. [9] Në politikë, kaherë, qëllimi arsyeton mjetin. Makiaveli te traktati i tij vetëm e ka theksuar këtë fakt. Ndërkaq, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, shteti modern, që shquhet për posedim të strukturave të tëra, që kanë të bëjnë me selitjen e humanes si qëllim politik, veçmas shteti social, në këtë epokë të rrëshqitjes së demokracisë neoliberale në terrenin e fashizmit, ai, pra shteti social, po pëson dehumanizmin abstrakt. Në këtë kudër, fjalimet e akëcilit politikan me orientime të theksuar sociale e humane, janë gjithnjë e më të rralla, madje edhe kur ndodhin, kanë tendenca të shënjohen si “përjashtim”. Parulla e utilitaristëve fashistë të epokës pas Luftës së Dytë Botërore, se “të gjithë jemi fajtorë, të gjithë jemi hajna”, sërish nxjerr kokë. Po të njëjtit, kur iu duhet UÇK-ja për të mbuluar turpin e tyre, tundin flamurin e saj dhe parullën “Të gjithë jemi UÇK!”
Për 20 vite me radhë, pasi e kanë zhvatur shtetin, pasi e kanë shndërruar Republikën në peng personal, pasi e shndërruan gjykatën në instrument personal, duke e shfrytëzuar atë si fasadë legale për luftimin e oponentëve politikë, në çastin kur Dhomat e Specializuara (natyrisht falë kursit të ri të gjeopolitikës) i thanë “STOP” kësaj maskarade të keqpërdorimit të shtetit e pushtetit, sërish përdorin stemën e UÇK-së, emrin e saj, si gjethe fiku për t’u fshehur pas saj! Kjo sjellje e solli politikën në terrenin e dehumanizmit me përmasa absurdi. Shteti shkoi buzë dështimit. Ndërkaq, rikthimi i mundshëm në normalitet shihet si ringjallje. Ajo, pra Gjykata Speciale, disi ngjashëm me intervenimin e NATO-s (1999), erdhi si Vis Majoris. Si e tillë, sidomos pas mocionit të 24 qershorit, ajo shihet edhe si një lloj deus ex machina, që pritet t’i hapë rrugë rilindjes së Republikës, shpresës e jetës së re. Reagimi i një brezi të tërë, në raport me abuzimin ndërkohë me UÇK-në dhe me Shtetin, ka diçka disi të përbashkët me atë reagimin historik të të rinjve gjithandej në Europën Perëndimore në vitet ‘60-të, te filozofia e atyre protestave masive, megjithëse në Kosovë, kësaj radhe, ai erdhi si uragan kryesisht i shprehur në rrjetet sociale, ndërsa në ambientet publike ishte i matur, konform gjendjes që krijoi virusi “Covid-19” (dritat dhe zhaurima në tarraca e ballkone ishin maja e ajsbergut) të këtij revolucioni të heshtur me vetveten, me ndërgjegjen.
Në Europën e viteve ‘60-të revolta e të rinjve kishte cak botën e rinovuar të kapitalizmit të egër, administratën që ishte po ajo që u kishte shërbyer pushtetarëve fashistë, para LDB-së, ndërsa në Kosovë revolta ka adresë klasën politike zhvatëse, olhokratët tanë që kanë kapur Shtetin dhe kanë vrarë shpresën. Ky reagim vjen, megjithatë i përmbajtur, me kulturë urbane; ai në thelb shpreh gjakimin për Shtetin e së Drejtës; është reflektim i nacionalizmit progresiv, që si objektiv ka demokracinë deliberative, zhvillimin dhe drejtësinë sociale. Prandaj ata, aktivistët e kësaj lëvizjeje politike, na vijnë si heronj të rinj, heronj të demokracisë. Ata ia kanë kundërvënë arsyen dogmatizmit, ndërsa idealin për demokraci deliberative, autentike, siç do të thoshte Ukshin Hoti, fashizmit modern. Prandaj aktivizimi i tyre ka diçka të madhërishme në embrionin e tij: ai po vë botën e të rinjve në lëvizje, po merr përmasat që përcakton e ndan epoka, meqë duket si agsholi në lindje, si dita kur i kundërvihet natës, si liria përballë robërisë.
Ky çast historik na bën të reflektojmë thellë e të kujtojmë vitin historik, agsholin e lirisë: qershorin e 1999-ës. Atëbotë nuk mjaftoi vetëm liria, çlirimi nga Serbia, dekolonizimi si akt i vonuar, që ne ta ndërtojmë Republikën. Prandaj u dëshmua se shteti dhe liria kanë nevojë për qytetarë aktivë, idealistë të papërkulur, heronj të demokracisë.
Akti i lirisë na rezulton se do të duhej të ishte edhe çasti kur fillon ngritja e shtetit dhe e demokracisë njëkohësisht. Në të kundërtën, mungesa e demokracisë e shndërron shtetin në diktaturë.
Gjyqi i turpit
Gjykata Speciale dhe proceset që do të fillojnë shpejt ndaj pjesës më të madhe të “kumandantave” të saj është barrë e rëndë për Republikën. UÇK-ja dhe Kombi në tërësi nuk ia kishte askujt borxh këtë Gjyq të Turpit, që më ngjan disi me Kamaren e turpit të Kadaresë. Por, nëse përmes “Kamares së turpit” aplikohej reagimi i shtetit totalitar, që qytetarët të merrnin “mësimin nga mynxyra”, Gjyqi i Turpit që do të aplikohet përmes Gjykatës Speciale, do të jetë, para së gjithash, një leksion për marionetat e tipit H. Thaçi e Kadri Veseli me shokë, ndërkaq indirekt edhe për lëvizjet revolucionare të popujve të shtypur, që do të marrin guximin për kryengritje e çlirim.
Historia e dokumentuar e Gjyqit të Turpit do të duhej ekspozuar në të ardhmen në Muzeun e Luftës së UÇK-së, që do të duhej të ngrihej në Prekaz. Aty, ajo “kamare turpi” e marionetave dhe injorancës së shndërruar në olhokratë në vitet e lirisë, do të shihej nga miliona vizitorë, e krahas dokumentarit për Adem Jasharin (këtë Timote të epokës sonë) dhe atë të UÇK-së së vegjëlisë, do ta shohin edhe atë për “Gjarprin” alias Hashim Thaçin, ashtu si ishte – si njëri nga marionetat më atipike të epokës sonë.
Gjyqin e Turpit që iu imponua Kosovës, sidoqoftë, duhet shfrytëzuar edhe në rrafshin pozitiv. Aty, në muzeun në fjalë, në dokumentarin për këtë gjyq sui generis, brezat që vijnë, do të mësojnë se, në dallim nga atdhemohuesit klasikë, që mbartin vulën e tradhtisë përjetësisht, marionetat, gjatë historisë sonë, meqë si duket i kishin në numër më të madh, jo rrallë janë lënë në harresë. Madje, në shumë raste, ka ndodhur edhe më keq: ata janë rehabilituar (Ahmet Zogu, Mithat Frashëri, Muharrem Bajraktari, Xhafer Deva, Azem Vllasi…). Në shoqëri të papjekura politike, si vazhdon të jetë kjo jona, jo rrallë ata, pra ndonjë nga soji i marionetave, është promovuar edhe si reformator politik! Ky yni, aktuali, “Gjarpri”, alias Hashim Thaçi, ndërkohë, po ndërron lëkurën e radhës, duke veshur atë të martirit!
Çmimi i lirisë dhe ai që ne po paguajmë për ruajtjen e dinjitetit individual dhe interesit kombëtar, duket se do të jetë edhe më i lartë nga sa e merrnim me mend në fundin e qershorit 1999 apo më 17 Shkurt 2008. Por, me gjithë këtë padrejtësi historike që po i bëhet Kosovës, një gjë duhet t’u bëhet e qartë të gjithëve: kushdo që cenon Lirinë, por edhe luftën për liri, duhet ta dijë se ne jemi vetë feniksi – tok ringjallemi dhe jemi vertikalisht këtu, sa herë e kërkojë nevoja!
Historia vazhdon. Shoqëria jonë, siç e dëshmoi 6 tetori 2019, ka ndryshuar shumë. Ajo nuk është e krahasueshme assesi me atë të fillimit të këtij shekulli, por as si ajo e epokës së luftës së UÇK-së dhe, aq më pak, të mund të krahasohet me atë që po lëmë pas: ajo që mund të cilësohet edhe si dekada e mashtrimit të madh, e komplotistëve të LPK/UÇK-së. Një brez i ri po hyn në skenën politike. Ky brez po vjen në kohën e duhur dhe me guximin që nuk i mungon. Koha e heronjve të demokracisë po vjen. Gjykatën Speciale jam i prirë ta shoh jo thjesht vetëm si Vis Majoris, por edhe fat në fatkeqësi. Fati ndihmon trimat.

 – F U N D –
_______________________
Fusnota/Shënime
1. Shih më gjerësisht: https://sq. wikipedia. org/wiki/SS_Sk%C3%ABnderbeu
2. Noel Malkom, Agjentë perandorakë, Tiranë. 2016, f. 318.
3. Ernesto Sabato, Njerëzit dhe ingranazhet, Prishtinë 2017, f. 16.
4. Simon Sebag Montefiore, Stalini – Në oborrin e Carit të Kuq, Tiranë 2010, f. 562.
5. Po aty, f. 562.
6. Noel Malkolm, Agjentë Perandorakë, Tiranë 2016, f. 241.
7. Po aty, f. 241.
8. Der Standard, 25 qershor 2020.
9. Ernesto Sabato, po aty, f. 139 – 40

______________________________

DR.SADRI RAMABAJA: GJYKATA SPECIALE SI VIS MAJORIS (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10721

DR.SADRI RAMABAJA: GJYKATA SPECIALE SI VIS MAJORIS (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10722

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura