GJEKË GJONAJ: KINEMATË E VDEKURA TË ULQINIT!

Ulqin, 16 qershor 2017: Në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë të shekullit të kaluar kinematë kanë qenë pikë qëndrore në jetën kulturore të Ulqinit. Ato kanë përfaqësuar kujtesën e përbashkët dhe identitetin kulturor të banorëve të këtij qyteti, respektivisht kanë qenë dhe kanë mbetur pjesë e kujtesës kolektive të qytetarëve të tij. Me një fjalë ishin simbol krenarie të këtij qyteti. Në ato vite të shekullit të kaluar, në këto objekte ishte e vështirë të gjendej një biletë nga interesimi i madh që mbretëronte për të parë vepra të rëndësishme kinematografike nga vendi, rajoni dhe bota, meqë kinemaja është univers, përtej flamujve dhe kufijve. Nostalgjikët, që mendojnë se kinemaja nuk duhet të vdesë, me mall e kujtojnë grimcimin e farave të bardha apo të lulediellit para dyerve të kinemave.
Për fat të keq të gjitha kinematë e këtushme, në qytet dhe në fshat në Katërkollë tashmë janë degraduar. Këto pasuri të përbashkëta kulturore që ekzistonin dhe frekuentoheshin nga popullata vendase dhe vizitorët në kohën e monizmit, pas demokratizimit të vendit u mbyllën, për të mos u hapur deri në ditët e sotme. Shkatërrimin e kinemave artistët e qytetit e cilësojnë një bjerrje të kulturës. Një ngërç të madh kulturor. Një shenjë të humbjes së identitetit kulturor mbase janë të vetëdijshëm se ky segment i kulturës është shpirti që i jep frymë dhe identitetit.

Objektet e ish- kinemave të Ulqinit janë në gjendje të mjerueshme. Pamjet e tyre (rrënojat) tregojnë momente të trishta. Panoramat e gjendjes trishtuese të kinemave të vdekura të Ulqinit shqetësojnë dhe trondisin të gjithë kulturëdashësit e këtushëm, të cilët shprehen se është për të ardhur keq që në këtë epokë të zhvillimit teknologjik vizioni i autoriteteve vendore dhe qëndrore të jetë kaq primitiv, duke mos e kuptuar se kultura nuk është luks, por domosdoshmëri.
Dashamirët e këtushëm të kulturës janë të një mendimi se mungojnë politikat e zhvillimit të kinemasë. Sipas tyre qeverisja lokale në periudhën e tranzicionit gjithnjë është treguar indiferente, e paaftë dhe e painteresuar të stimulojë kulturën në këtë qytet, i cili bartë në vetvete kulturat dhe historinë e mijëra viteve civilizim dhe i cili pretendon të hyjë në listën e trashëgimimisë kulturore të UNESKO-së. Ngecja në zhvillimin e kulturës justifikohet me mungesën e mjeteve buxhetore. Ky fakt qëndron. Por, ka edhe vështirësi të tjera të cilat kanë bërë që kultura në këtë qytet të ketë ngelur në margjina. Shkakun e ngecjeve në fushën e kulturës duhet ta kërkojmë në mungesën e një strategjie për zhvillimin e kulturës në këtë qytet, të cilën është dashur ta kenë që moti autoritetet vendore dhe ato të Minsitrisë së Kulturës. Normalisht, kur mungon strategjia, atëherë mungon edhe zhvillimi. Pa sajimin e një strategjie për kulturën çdo gjë tjetër është e padobishme. Ky është hapi i parë i ndryshimit të politikave dhe qasjes ndaj institucioneve kulturore në këtë qytet. Në këtë rrafsh institucionet vendore dhe qëndrore duhet të punojnë më shumë nëse mendojnë ta ndryshojnë fotografinë e përgjthshme të zymtë të kulturës, përfshirë këtu edhe kinematografinë.
Është për të ardhur keq që, në mungesë të kinemasë e teatrit, vakumi i aktiviteteve kulturore është mbushur me kafenetë, lojërat e fatit dhe lotot sportive, të cilat jo vetëm nuk kontribuojnë në emancipimin qytetar, por hapin plagë edhe më të thella sociale, për të gjtha shtresat e shoqërisë dhe godasin sidomos rinininë. Më shumë se kurrë të rinjtë kanë nevojë të ulen pranë njëri-tjetrit, të flasin dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin, ndërsa kinemaja është mediumi më i mirë për të arritur këtë. Prandaj do të ishte mirë që Ulqini të ketë kinema ku do të shfaqeshin dokumentarë edukativë, kulturorë e të tjerë, nga të cilët të rinjtë do të përfitonin më shumë se sa nga kafenetë dhe rrjetet sociale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura