DR.SADRI RAMABAJA: KUR FASHISTËT TALLEN ME THYMOS’in DHE REPUBLIKËN

Prishtinë, 10 shtator 2020:
Hyrje
Dy ngjarje me konsekuenca të parashikueshme të vitit 2016 tronditën Demokracinë liberale si sistem politik dhe përgjithësisht rendin ndërkombëtar:
1) Ardhja në krye të SHBA-ve e Donald Trump-it dhe
2) Rezultati i referendumit për BREX-itin në Britanin e Madhe.

Këto dy ngjarje kanë dëmtuar raportet e partnerëve strategjik- SHBA-ve dhe Evropës Perendimore sa asnjë zhvillim tjetër për shtatë dekada të ekzistencës së NATO-s, që ishte, fundja, produkt i atyre marrëdhënieve. Përveç kësaj tronditje të raporteve transatlantike, ato ngjarje kanë përmbysur mendimin teoriko-politik dhe investimin shumëvjeçarë të perendimit në instuticionet moderne politike. Për rrjedhojë, është trandur edhe besimi i qytetarëve te këto institucione dhe përgjegjësia që kanë ato për ruajtjen e balancit të ndikimit mbi njëra-tjetrën.
Vite para se të zgjidhej Trump-i presidenti i SHBA-ve, Francin Fokuyama, njëri nga teoricienët më të njohur të mendimit politik në botë sot, i njohur edhe si ideologu i të djathtës republikane (amerikane) të maturuar, kishte paralajmruar se ,,institucionet e SHBA-ve janë kapur tashmë dhe se ato janë duke u shtrënguar të shndërrohen në struktura të ngurta, të cilat nuk mund të riformohen”. (F,Fokuyama: 2019)

Dr.Sadri Ramabaja

Drita e munguar “në luginat e hirta” të shoqërive liberale
Fenomeni i kapjes së shtetit nga formacionet politike që koketojnë me biznesin, i ka përfshirë një pjesë të ndjeshme të shteteve me demokraci të etabluar. M.Albrite në librin e saj ,,Fashizmi-një paralajmrim” (2019), me të drejtë atë e trajton si produkt të mendësisë fashiste. Ajo nuk i përjashton me këtë rast, si të përfshira nga ky fenomen, as SHBA-të, që ishin model i demokracisë së ekujlibruar, ku ndarja e pushteteve dhe Gjykata e lartë, ishin objekt studimi gjithandej në botën akademike. Ky virus i përqëndrimit të pushtetit në duar të një grushti njerëzish, ose të një personi autoritar, ndërkohë ka mbërthyr Hungarinë, Turqinë, Poloninë etj. Në këtë listë shtetesh të kapura, fare lehtë mund të futen edhe pjesa dërmuese e shteteve të Evropës Juglindore, përfshirë edhe dy republikat shqiptare.
Gjithandej, në këtë lagje shtetesh, ku fashistët e epokës sonë po vijnë në pushtet, hallkat më të dobëta të sistemit u dëshmuan partitë e etabluara të qendrës, ato që alternoheshin në krye të shtetit për kohë të gjatë.
Rrëshqitja e shoqërive me orjentim demokratik, respektivisht e demokracive përfaqësuese të etabluara në kurthin e autaritarizmit dhe fashizmit modern, do të duhej të hidhte dritë ,,në luginat e hirta” të shoqërive liberale, që po pengojnë seriozisht ndërtimin e shtetit modern. Këtë proces Fokuyama e ka cilësuar si ,,Rruga për Danimarkë”.
Shih për këtë, qytetarët fillojnë të ndjehen të tjetërsuar dhe gradualisht ta humbasin besimin në politikë. Në këto rrethana, fashistët modern, fillimisht nën petkun e populizmit, dalin si shpëtimtar në skenën politike. Ata prezentojnë platformat e tyre të njohura, duke e cilësuar ardhjen në pushtet si nevojë imediate, madje duke ndërlidhur fatin e tyre personal dhe të partisë që drejtojnë me fatin e kombit. Në skenën politike ata hyjnë triumfalisht, duke shmangur të ashtuquajturin proces të ,,vetokracisë”, natyrisht në emër të mbrojtjes së interesave të grupeve të veçanta, kryesisht të oligarkëve, dhe duke ,,bllokuar veprimin kolektiv”. (F. Fukuyama: 2019).
Merimanga e krimit dhe kapja e Shtetit
Dështimi i turpshëm i forcave politike legale në Kosovën e viteve 1989-1999, para së gjithash i LDK-së, që më shumë ishte si një lëvizje politike, por mbi të gjitha puçi brenda LPK / UÇK-së në maj 1998, kishte krijuar hapësirë të lirë për veprimtari subverzive për një grusht individësh tërsisht të papërgjegjshëm e me mendësi fashiste. Ky grupim, fill pas luftës (qershor1999), të strukturuar në një institucion tejet të rëndësishëm të sigurisë, siç do të duhej të ishte Shërbimi Informativ Kombëtar, për shumëkë edhe i mistifikuar nën siglën SHIK, hodhën marimangën e krimit dhe kapën Shtetin. Ata, duke shmangur veprimin kolektiv, fillimisht manipuluan me pjesën më të madhe të ish të burgosurve politik dhe pastaj me një popull të tërë. Duke i inkorporuar brenda kësaj strukture më shumë si operativ, se sa si drejtues, fillimisht një numër të madhë ish të burgosurish politik, pastaj duke zgjeruar këtë shërbim edhe me një shtresë të intelektualëve më të afërt me ilegalen, por pa informimin e duhur për puçin brenda LPK/UÇK-së, e në fund, pas talljes me popullin protestues që marshoi drejt Mitrovicës, meqë po e ndjente rrezikun e ndarjes dhe aneksimit të veriut, ia arritën të etablohen mirë në gjithë strukturat e shtetit. Fare në fund, duke u thirrë në interesin e Kosovës dhe Kombit, gradualisht futën nën kontroll çdo segment të jetës publike.
****
Janë dy faktorë historik që kanë shkaktuar vonesën historike të çlirimit të Kosovës:
1) Pushtimi afatgjatë osman dhe serb dhe
2) Konvertimi masiv i shqiptarëve në islam gjatë shekujve XVII-XVIII’të
Samuel Huntingjon është njeri nga të paktë mendimtar politik të kohës sonë që në librin e tij të njohur: Who Are We? me guxim shtroi pyetjen si më poshtë: ,, A do ishte Amerika kështu si është, nëse në shekujt 17 e 18 nuk do të ishte banuar nga protestantët britanik, por nga katolikët spanjoll, francez apo portugez?” Dhe përgjigjjet vetë: ,,JO. Rezultati nuk do të ishte ky që kemi, pra kjo Amerikë, por Qubebec-u, Meksika a Brazili”, (Samuel P. Hungtinton: 2004)
Sigurisht që po mos të ishte pushtuar Novobërda më 1454, tutje po të mos përfundonin ashtu shpejt principatat shqiptare të kohës (sidomos ajo e Balshajve, si më e madhja, pastaj ato të Dugagjinasëve, e Arianitëve…) si përfunduan; po mos të kishim konvertimin masiv në islam, sidomos në rendin Hanefi (Synit), që do të kulmojë në shekujt 17 e 18-të, Shqipria sot do të mund të ishte fare lehtë Zvicra e Evropës Juglindore, respektivisht shteti dominant në këtë pjesë të kontinentit të vjetër.
Vonesa njëshekullore e lirisë në Kosovë, edhe pas pavarësisë së shtetit Shqiptar (1912), nëse venerohet me kujdesë beteja politike mes parisë që ndodhej në krye të kryengritësve shqiptarë për çlirimin e Shkupit (korrik – gusht 1912), i dedikohet elementeve konservator islam në krye me Isa Boletinin e Bajram Daklanin, që ju kundervunë pikëpamjeve të Hasan Prishtinës për shpalljen e pavarsisë. Ky rezonim i konservatorëve tanë politik ishte produkt i kulturës politike që kishte për bazë parimet e kultures së orientit. Atë qëndrim pro Sulltan Hamitit tek konsevatorët tanë, sikur e ushqente edhe përplasja në heshtje e interesave gjeopolitike të fuqive evropiane dhe Rusisë për dominim në këtë krah të Evropës Juglindore.
Atbotë (1910-1912), rol të dorës së parë kishin edhe ndjesitë politike me elemente raciste nga ana e diplomacisë europiane, që ushtronte presion ndaj shqiptarëve që të mos shpallnin pavarsinë, meqë nuk do ta njihnin prishjen e status quosë dhe i druheshin depërtimit të kulturës së islamit politik tek shtresa e klerit sunit kosovar.
Historia thuhet se nuk përsëritet në trajtën e njejtë asnjëherë. Por nëse venerojmë pozicionin e konservatorëve politik në skenën tonë të përimtuar politike sot dhe qëndrimin e tyre në raport me fashistët modern, madje edhe me D.Trampin, por edhe me sjelljet e diplomacisë europiane, ajo, pra historia, sërish na vije e ricikluar, por në një trajtë më të moderuar!
Me këtë konkluzion timin jam i vetëdishëm se mund t’i nënshtrohem paragjykimit për gjoja islamofobi etj., ngjajshëm siç qe paragjykuar Huntigton si pararendës i Donald Trump-it edhe si racist i llojit të vetë!
Vazhdimsia e identitetit dhe unitetit kulturor kristiano-perendimor, do të reflektonte në përshpejtimin e procesit të pavarsisë së Shqipërisë, nëse jo më herët se tek popujt tjerë të Evropës Juglindore (grekët-1822, serbët-1878, bullgarët-1895), atëherë po në atë fazë. Ndërkaq në epokën e zhvillimit të mëvonshëm të vendit, ai unitet kulturor kristiano-perendimor, do të ndikonte në selitjen dhe prosperimin demokratik, duke qenë sot, si Kroacia e Greqia, pjesë e BE-së, pra pjesë e respektuar e familjes së popujve të lirë e me mirëqenie sociale.
***
Dështimi i LDK-së në prag të luftës së UÇK-së, ndodhi atëherë kur një bërthamë e Kombit nuk pranoi të luaj deri në fund lojën e pritjes së Hapiend-it mistik, nuk pranoi pacifikimin e heshtur, pozitën e të nënshtruarit, keqtrajtimet e përditëshme, rrënimin e moralit kombëtar, transformimin e shqipëtarëve në krijesa groteske, zvetnimin e të gjitha standardeve kombëtare dhe reagoi si reagohet zakonisht kundër një okupimi klasik. (Arbën Xhaferi:2004)
Në mars të vitit 1998, në epopenë e jasharajve, në Prekaz, ishte varrosur eksperimenti me partitë politike legale në Kosovë; kuptimi i tyre në skenën politike të Kosovës kishte humbur tërësisht. Shih për këtë, mbajtja e zgjedhjeve për të rikonfirmuar fuqinë e lidershipit të Rugovës vetëm tri javë pas epopesë së Jasharajve, merr premisat e një grotesku politik sui generis.
Partitë politike në demokracitë liberale egzistojnë dhe konkurojnë për pushtet. Iluzionet se do të kthehej statusi i autonomisë dhe se LDK-ja do të udhëhiqte me institucionet politike të saj, gjithashtu kishin vdekur. Derisa nuk egzistonte pushteti pa Shtet, atëherë ishte e qartë se duhej të bëhej fillimisht Shteti që të luftohet pastaj për pushtet. Vetëm konferenca e Rambujesë po ngjallte shpresa për shtetin real. Ndërkaq në Rambuje UÇK-ja, respektivisht Drejtoria e saj politike që ju imponua LPK/UÇK-së, që vepronte si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pas puçit të majit 1998, tashmë e kishte fjalën kryesore, respektivisht ishte shndërruar në transmetues të urdhërave që i vinin nga qendrat vendimëmarrëse interesi gjeopolitik i të cilave jo rrallë, ishte në shpërputhje me interesin tonë Kombëtar! Megjithatë, ajo konferencë do t`i hapë rrugë ndërhyrjes së NATO-s dhe me këtë edhe largimit të ushtrisë serbe nga Kosova.
Pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s, insistimi i LDK-së për t’mos bashkëvepruar në kuadër të Qeverisë së Përkohshme, i hapi rrugë anarkisë dhe, më tej, ,, qeverisjes” paralele të SHIK-ut tok me administratën e UNMIK-ut. Kjo strukturë (SHIKU) ndërkohë vuri në veprim tërë destruktivitetin e tij në raport me oponencën politike, dëmtoi keq imazhin e UÇK-së dhe kapi Shtetin që në lindje të tij.
LPK-ja kishte ardhur në jetë pas një “lindjeje të përgjakur” (17 janar 1982), ndërkaq Republika në themelet e së cilës janë heronjtë e dëshmorët e shumtë, po lindëte e kapur dhe e paralizuar!
***
Njohja e historisë politike të Evropës na sjell në konkluzionin logjik sa, fashizmin, ta vlersojmë më pak si ideologji politike e më shumë si ,,mjet për marrjen dhe mbrojtjen e pushtetit”. (Madeleine Albright: 2018) Ndërkaq për historianin e njohur Robert Paxton ,,Fashizmi ishte inovacioni më domethënës, më i njohur i shek.20 dhe shkaktari i shumë vuajtjeve “. (Robert Paxton:2014)
Sidoqoftë, ngritja e fashistëve në forcë politike me peshë ishte produkt i kundërthënieve të pastra ideologjike të kohës. Në Itali psh., fill pas Luftës së Parë Botërore, kur Partia Socialiste po përjetonte një bum të mirëfilltë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit1919 ajo arriti të marrë aq vota, sa të gjitha forcat politike marrë së bashku. Italia ishte shndërruar në një shtet pothuajse të dështuar. ,,Parlamenti për vetë anëtarët e tij, vlente si një pazar i korruptuar”. (M. Albright: 2018)
Në këtëo rrethana ngritja e Musolinit në piramidën e pushtetit erdhi ,,si shpëtimtar” i dërguar nga vetë zoti!
Më 23 mars 1919, në një mëngjes me shi e diell, ishin mbledhur një dyzinë burrash anëtarë të një shoqate industriale ,,ALEANCA” në një hapsirë tek Sheshi Piazza SanSepolcro. Pas disa orësh debati, ata ngriten në këmbë, lidhen dorë për dorë dhe betohen se do të jenë të gatshëm ta mbrojnë Italinë nga të gjithë armiqtë e saj, që ,,të vrasin dhe të vdesin”. Për ta vënë në pah bashkimin e tyre, e përzgjedhin si emblemë një FASCES, tufë prej lulëkuqeve (Ulmenruten).
Në Romën e vjetër FASLES ishte simbol i fuqisë së një konzulli. Manifesti nënshkruhet nga 54 veta, ndërkaq pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet që do të pasojnë në vjeshtë, nuk do të bie fare në sy. Sidoqoftë, brenda vetëm dy vjetëve, Lëvizja Fashiste kishte shënjuar prezencën e vet gjithandej Italisë me më shumë se 2000 degë dhe lideri i saj Benito Musolini ishte shëndërruar në udhëheqës tejet karizmatik, i gatshëm për ta marrë pushtetin. Madje për një pjesë të elitës industriale e klerikale, kjo lëvizje, më pas e shëndrruar në parti, tashmë ishte shndërruar e akceptuar edhe si ,,një instrument për shpëtimin e kapitalizmit dhe katolicizmit romak nga hordhitë leniniste; nga të tjerët ajo shihet si mbrojtsia e traditave dhe monarkisë”. (M.Albright: 2018)
Më 31 tetor 1922 Musolini hyri triumfalisht në Romë. Ky marsh i trupave të tij me të drejtë cilësohet më shumë si një paradë e fitores se sa si PUÇ. (Thomas Edison:1974).
***
Një dekadë më vonë, në mëngjesin e 23 marsit 1933, portën e Branderburgut e kishte mbuluar një flamur mbidimenzional, në mesin e të cilit ishte gjithashtu një kryq i madh i thyer (Hakenkreuz), simboli i nazizmit. (Kryqin e thyer nazistët e kishin përzgjedhur si simbol të tyre që në vitin 1920. Origjina e tij ndërlidhet me kulturën indoevropiane tek e cila vlente si simbol i fatit, fatsjellës.)
Në vjeshtën e vitit 1919 në Bajern (Bayern), Hitleri aderon në Partinë e Punëtorëve Gjerman, një grupim i nacionalistëve që menjëherë e përzgjedhin atë si lider. Pavarësisht se ai ishte anëtari i 55-të, në librezë potencohet si ,, anëtarë me Nr.555”, natyrisht në funksion e shërbim të propagandës. Fillimisht ishte i ngarkuar për propagandë dhe agjitacion të partisë, në sektorin që ai do ta shndërrojë në armë të mirëfilltë të tij. Për përfitimin dhe zgjerimin e radhëve menjëherë fillon me propagimin e programit të partisë, që në themel kishte kërkesën për pezullimin e marrëveshjes së Versajes, bashkimin e Gjermanisë, marrjen e shtetsisë qytetarëve gjerman me prejardhje hebreje dhe masat që do të ndërrmerreshin ndaj kujtëdo që do t’i dilte në rrugë krijimit të Rajhut të tretë.
Me qëllim që ta bënte partinë sa më tërëheqëse edhe për lëvizjet e majta të kohës që parapëlqeheshin nga lëvizjet sindikalite dhe masat e gjëra, ia ndërron emrin partisë, duke e shëndërruar në një lëvizje të mirëfilltë me emrin: Partia Nacionaliste Gjermane e Punëtorëve (NSDAP). Ndërkaq aprovimi i ligjit ,, Gesetz zur behebung der Not von Volk und Reich”( Ligji për pezullimin e gjendjes së jashtzakonshme për popullin dhe Rajhun), ia hap portat për marrjen nën kontroll të plotë të institucioneve të shtetit.
Të gjitha forcat politike të Bundestag-ut: katolikët, konverzatorët dhe partitë e qendrës – njëra pas tjetrës, do të shprehen në dobi të kërkesës së Hitlerit që kishte të bënte me këtë ligj. Vetëm një folës, kryetari i socialdemokratëve, kundërshton duke u shprehur se ,,atyre mund t’ua merrnin lirin dhe jetën, por jo edhe nderin”. (M Albright:2018).
Rrjedha e historisë tutje dihet.
Historia e ngritjes së fashistëve të fundshekullit 20-të si ajo e S. Millosheviqit e C0, por edhe ajo e fashistëve modern (V.Orban, T.R.Erdogan…) është edhe më e njohur e më e qartë.
***
Për opinionin shqiptar dhe jo vetëm atë, tutje mbetet enigmë historia e ngritjes së Hashim Thaçit në piramidën politike të Kosovës. Në shërbim të së vërtetës historike, gjithësesi do të ishte zbardhja e plotë, respektivisht publikimi i dokumenteve dhe kujtimeve të pjesëmarrësve të dy mbledhjeve konsultative të Këshillit të Përgjithshëm të LPK’së – asaj në Ujmir (3/4 tetor 1991) dhe sidomos të dytës në Kollare (Kërcovë), të dyja të mbajtura në vitin 1993, por edhe të mbledhjes së fillimmajit 1998, mbajtur në Gjermani.
Mbledhja konsultative e Kollares ishte me rëndësi të veçantë për të ardhmen dhe zhvillimin e bërthamave të njësive guerileve, që vepronin në kuadër të Këshillave popullor (struktura bazë e LPK-së) ose edhe jashtë kësaj strukture, siç ishte rasti me grupin militant ku vepronte fillimisht Ilir Konushevci – Mërgimi. Por, raportet mes dy fraksioneve që vepronin brenda LPK-së, e që do të përkeqësoheshin sidomos pas puçit brenda UÇK-së (maj 1998), mbesin elementi krucial për studjuesit e kësaj periudhe. (1)
Ngritja e H.Thaçit nuk është vetëm produkt i karakterit dhe angazhimit të tij të hershëm në strukturat e LPK-së; para së gjithash kjo ngritje ka të bëjë me faktorin e jashtëm dhe metodave të sofistikuara që u vunë në jetë për katapultimin e tij në krye të UÇK-së. Përmbysja e sindromit esadist, për të cilin fenomen flet Ukshin Hoti derisa shkruan për raportet e kreut të LDK-së me Tiranën, nga i cili sindrom vuante udhëheqja e LDK-së gjatë gjithë dekadës së fundit të shek.20, që ishte dizajnuar duket nga kreu i ShISH-it, Fatos Klosi, është faktori qendror që e solli Hashim Thaçin në krye të UÇK-së e më pas në krye të PDK-së. Një mik imi, ekspert në fushën e sigurisë, aktiv atbotë e sot në Tiranë, në pyetjen time të drejtpërdrejtë se, pse dhe si i eliminoi ShISH-i idealistët dhe strukturat drejtuese të LPK-së nga drejtimi i UÇK-së, duke imponuar e inaguruar H. Thaçin në krye të delegacionit në Konferencën e Rambujesë, qe përgjegjur fare shkurt: ,,Të tjerët, jo Beogradi drejtpërdrejt, ia imponuan atë Tiranës, ndërkaq F.Klosi ia imponoi LPK-së!” Në pyetjen pasuese, që ishte rrjedhojë e përgjegjes në pyetjen e parë, se ,, A ishit të vetëdishëm se kështu po e linit UÇK pa kokë politike?!” përgjegjia ishte plotësisht në përputhje me sindromin esadist të kthyer me kokë mbrapsht!
Me këtë akt, partia socialiste, kjo e ,,majtë e djathtë”, siç e cilëson me të drejtë sociologu ynë Artan Fuga, duke pretenduar ta fuste plotësisht nën kontroll UÇK, natyrisht duke u thirrë në emër të interesave të Kombit, i bënë dëm të madh luftës dhe sidomos epokës së ndërtimit të Republikës, por edhe Kombit në tërësi.
***
LPK-ja ishte projekt politik i intelektualëve atdhetarë, që bënin jetë aktive në ilegalen tonë si formësues të kriptoelitës, që nga vitet e para pas luftës së dytë botërore e deri në Mbledhjen e saj Themeluese (Korrik 1987). Ata ishin idealistë në rrafshin nacional e social; të brymosur me idetë e lirisë dhe të frymëzuar nga fryma e Rilindjes sonë kombëtare dhe modeli i intelektualëve veprimtarë që promovoi ajo. Në masë të madhe, siç e kishte vënë re Prof. Ukshin Hoti, ata ishin pa formimin e duhur teorik e ideologjik mbi shtetin dhe qeverisjen. Sidoqoftë, ata e kishin kuptuar mirë, siç do ta dëshmojë koha, se ndryshimet në Kosovë do të vinin, jo si rezultat i reformave në sistem, për çka shpresonin e angazhoheshin autonomistët lojal brenda pushtetit e sistemit titist, por vetëm si rezultat i ideve radikale që do të përplasen dhe do t’i përmbysin idetë egzistuese, natyrisht në përballje me idenë e LIRISË.
Ky konstatim i shëndoshë e vizionar i pararendësve dhe themeluesve të LPK-së, do ta imponojë nga fundi i viteve 1990-të të shek.20-të ndërrimin e paradigmave politike që dukeshin se ishin konsoliduar. Ky ndryshim konceptesh do të imponohet nga elementë radikal që ishin brymosur me vullnetin politik të Thymos-ëve modern me emrat: Adem Jashari, Fehmi Lladrofci, Rexhep Bislimi, Zahir Pajaziti, Shkëlzen Hajredinaj… të cilët do të bien në fushë të nderit si pjestarë aktiv dhe drejtues të LPK-së ose ushtarë të orëve të para e komandant të UÇK-së.
***
Një muaj e ca ditë pas kapitullimit të Gjermanisë hitleriane më 26 qershor 1945, në Francisko, do ta mbajë një fjalim presidenti i ShBA-ve, Herry S. Truman, me rastin e nënshkrimit të Kartës Themelore të Kombeve të Bashkuara. Në këtë fjalim, përveç mesazheve optimiste, ai potencon edhe këtë fakt, që ndërkohë rezulton të ketë qenë jashtëzakonisht vizionar:
,,Fashizmi nuk perëndoi me ikjen e Musolinit. Hitleri ka vdekur, por fara e mbjellur nga shpirti i tij i rrëgjuar ka lëshuar rrënjë në trurin e shumë fanatikëve. Është më e thjeshtë të rrëzosh tiranë dhe të çlirosh kampe të përqëndrrimit, se sa t’i shuash idetë që kanë prodhuar e ngritur ata.” (Herry S. Truman: 1945)
Kampet e përqëndrimit, vrasjet masive, dhunimet po ashtu masive dhe spastrimet etnike, sërish do të dalin në skenë ne Bosnjë e Kosovë në vitet 1992-1995 e 1998-1999. Brenda vitit 1992 serbët ngritën në këmbë plot 94 kampe të përqëndrimit, ndërkaq po gjatë luftës në Bosnjë me dhjetra mijëra civil u trajtuan mizorisht e u dhunuan deri në vdekje. Vetëm në Srebrenicë brenda ditës likuiduan mbi 8000 boshnjak, burra e djemë tok; në Kosovë në harkun kohor relativisht të shkurtër mars-qershor 1999, fashistët serb organizuan një varg masakrash (mbi 46 sosh) gjithëandej në gjeografinë e kësaj pjese të Shqipërisë, që do t’ju shërbejnë si prelud i detyrimit për dëbim masiv të mbi 1 milion qytetarëve shqiptarë drejt Shqipërisë politike, Maqedonisë e Malit të Zi. Rreth 15.000 veta u vranë, në mesin e tyre 1442 fëmijë, e mbi 20.000 gra e vajza u dhunuan.
***
Fara e mbjellur e fashizmit si ide e platformë politike që filloi në agim të shek.20-të, për fat të keq, sërish po rigjenerohej po në truallin e Evropës Juglindore në fund të shek.20-të, për ta përfshirë brenda dekadës së dytë të shek. 21 gjithë Evropën (Hungari, Poloni, Holandë – dhe djepin e saj – Italinë).
Tipari dallues i fashizmit serb të fundshekullit të 20-të me atë italian e gjerman në prag të LDB dhe gjatë saj, nuk ka të bëjë edhe aq me figurat që i prijnë kësaj lëvizje në vendet përkatëse, se sa me bazën që ata kishin në start. Nëse fashizmi italian dhe ai gjerman startuan diku në skutat e errëta të restauranteve/birrarive a kantiereve industriale në Milano a Mynhen, fashizmi serb u promovua në Beograd, madje në institucionet qendrore të politikës e shkencës.
Fjalimi që mbajti S.Milloshevici në vitin 1989, me rastin e zgjedhjes së tij President i Serbisë, i jep vulën fashizmit serb dhe rilindjes së tij.
,,Ne duhet të sigurojmë unitetin. Nëse ne, si Republika më e madhe me hapësirë dhe popullësi, pra nëse ne duam të përcaktojmë të ardhmen tonë… Nëse ne do të duhet të luftojmë, atëherë, falë Zotit, ne do të luftojmë, e unë shpresoj, askush nuk do të jetë aq i marrë, që t’na kundërvihet neve. Ne edhe mund të mos jemi punëtorë të mirë, ndoshta nuk jemi as biznismen të mirë, por një gjë na përdallon fare mirë, e ajo është se ne jemi luftëtar të mirë”. (S. Millosheviq:1991)
Këtë fjalim ai e kishte bazuar në memorandumin që atëbotë e kishte publikuar Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, që e kishin nënshkruar më se 200 intelektualë serbë e që bazament kishte gjakimin serb për përfshirjen e të gjithë serbëve në një shtet.
***
Në mbledhjen konsultative të KP të LPRK-së në Kollare (1993), bazuar në kujtimet e pjesëmarrësve (shih ato të Fatmir Brajshorit…), Hashim Thaçi kishte ngritur akuza të rrepta e denigruese kundër Behajdin Allaqit, që atëbotë ishte figura qendrore politike e LPK në vend, njëri prej bashkëpuntorëve më të ngushtë të Ukshin Hotit.
Insinuata të ngjajshme me prapavijë të qartë politike, që për objektiv kishin menjanimin e konkurrentëve të mundshëm politik, H.Thaçi do të ngrejë më pas edhe ndaj Emrush Xhemailit dhe Ali Ahmetit (maj 1998), dy prej figurave më meritore në ngritjen e ristrukturimin e ilegales dhe më pas edhe UÇK-së, por edhe ndaj personaliteteve tjera brenda LPK-së, derisa në vjeshtën e vitit 1999, përfundimisht e merr nën kontroll të plotë partinë që doli nga LPK-ja në qershor 1999 në Kuvendin e Prizrenit, duke ia hapur vetes rrugët e katapultimit në krye të Republikës!
Të kësaj natyre ishin edhe akuzat ndaj meje, Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, që ai i bëri publike në seancën e 28 dhjetorit 2018 në cilësin e dëshmitarit në Gjykatën e Prishtinës, respektivisht në procesin-cirk, nga më të stisurit në këto dy dekada, duke marrë në dorë seancën dhe duke bërë aty edhe detyrën e prokurorit e edhe atë të gjykatësit! Është e njejta linjë mendimi e veprimi që aplikon ai sa herë e gjykon se oponentët politik mund t’ia marrin pushtetin. Është rrjedhimisht po e njejta shkollë e fashizmit që do të aplikojnë të gjithë fashistët e skenës politike, që prej Musolinit, Hitlerit, Frankos, e deri tek Millosheviqi, Putini, Orbani, Erdogani…
Ajo që i bënë të përafërta, në mos krejt të njejta, dy partitë – NSDAP-në e Hitlerit dhe PDK e H. Thaçit, janë metodat që përdorin për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Nazistët koketonin me religjionin, duke ushqyer antisemitizmin; këtë lloj koketimi, sidomos me Bashkësinë Islame, e vëmë re edhe tek PDK-ja; nazistët fuqizonin aparatin e dhunës dhe merrnin në kontroll (Institucionet shtetrore); fashistët e Thaçit gjithashtu kapin Shtetin dhe vënë nën kontroll të gjitha institucionet e tij…
Në bashkbisedimin krijues me doktorantët e saj M. Albright shtron për diskutim këtë tezë:
,,A mundet që një lëvizje fashiste të lëshojë rrënjë në përmasat e atilla (si në Itali, Gjermani) edhe në SHBA?”
Përgjegjia e një të riu zë vend në librin e saj ,,Fashizmi” si një kambanë alarmi.
,,Po, kjo është e mundur. Pse? Ngase ne jemi aq të sigurt, se kjo nuk është e mundshme”.
Duket, vazhdon gjykimin M. Albright, që doktoranti i ri mendonte se “amerikanët kanë aq shumë besim në forcat e kundërvënies nga vetë institucionet tona demokratike, sa që erozionin që po përjetojnë për kohë të gjatë, nuk po e marrin me seriozitetin e duhur”. (M. Albright: 2018).
Si arriti që një strukturë e njohur herë si drejtori politike e UÇK-së, herë si SHIK… ndërkaq së fundmi edhe si Klani Pronto, e ndërtuar me starndardet e fashizmit, të etablohet si parti politike me akronimin PDK dhe ta mbajë Republikën peng për më se 20 vjet?!
Kjo ndodhi meqë shumica aktive e anëtarësisë së LPK-së, po edhe e ilegales si tërësi, e që përbënin kuadrin drejtues të LPK/UÇK-së, që pas luftës do të militojnë brenda PDK-së, besonin ashtu si edhe doktoranti amerikan i Albright-it, dhe ishin aq të sigurtë, sa ,, kjo nuk është e mundshme”, që një anëtar i saj, pra i LPK-së, të mund të kishte prirje fashiste!
Ai brez idealistësh, që nga Demaçi e deri tek udhëheqësit e lëvizjes studentore të 1 tetorit 1997, por edhe tek drejtuesit e njësive të UÇK-së në terren, në esencë ishin nacionalistë progresiv, pra majtistë; ata besonin shumë në idealin e lirisë dhe fuqinë e sprovuar të unitetit të brendshëm, prandaj me heshtjen e gjatë, oportunitetin dhe naivitetin e tyre, ata i kontribuan ngritjes së H. Thaçit dhe rrjedhimisht, indirekt edhe kapjes së Shtetit.
Kosova rrezikohet nga gjarpri i shtëpisë
Në vitin 1913 dhe 1914 Hitleri për herë të parë shprehë disa opinione që ai i ndërlidhë me mundësitë e shfarosjes së marksizmit. (Shih: Adolf Hitler, Mein kampf, botimi shqip, Tiranë, 2012).
Procesi i montuar kundër meje, me përpjekjen e hapur për t’na implikuar në veprime terroriste si mua edhe VV, duket se përputhet me opinionin e cituar të Hitlerit, e që nënkupton likuidimin tim dhe të VV nga skena politike, pra të socialdemokracisë si koncept dhe si strukturë politike.
Për kë bien tutje këmbanat në Kosovë?
“Kosova rrezikohet nga Gjarpri i shtëpisë” ka titullin një libër par ekselancë i Dr. Islam Laukës i botuar në vitin 2019. Analizat e përmbledhura në atë libër janë leksione të veçanta për politikën tonë nacionale. Këtë libër do trajtuar si kambanë alarmi që na vije nga një studjues e nacionalistë kritik i mirëinformuar, prandaj atë duhet ta ketë në bibliotekën e tij secili politikan shqiptarë.
Në rrafshim planetar kambanat e alarmit u ringjallën sidomos pas ardhjes së D.Trump-it në krye të ShBA-ve, ashtu siç filluan të ringjallen edhe aleancat fashiste. Raportet që do të ndërtojë i dërguari i D. Trampit, Richard Grenell, me fashistët tanë modern në dobi të agjendës politike të shefit të tij, por me gjasë edhe në përpjekje për të futur në dorë Postën e Kosovës, natyrisht krejt kjo në përputhje edhe me agjendën politike serbe, nuk ka se si t`mos na rikthejnë në janarin e ftohtë të 1925-ës dhe tek vetë restaurimi i Zogut në pushtet në Tiranë, pasi ishte detyruar kryeministri më erudit i kohës (Fan S.Noli), të mirrte arratinë dhe ta linte Atdheun në duar të marionetës së Beogradit.
***
Në prag të zgjedhjeve të qershorit 2017 sërish Kosova po kthehej në vitin 2000, në atmosferën politike të përballjes së dy kampeve politike: në njërin bllok po rreshtoheshin të ashtuquajturat forca të moderuara politike me LDK-në në krye, duke i katapultuar fare në krye elementët që dikur ishin eshaloni i parë i LKJ-së, tok me AKR në koalicionin e natës, që cilësohet si pyka ruse në trungun politik shqiptar, ndërkaq në kampin tjetër, në minutat e fundit, sërish me ndërhyrjen e krerëve të Tiranës zyrtare, që tashmë, siç e pohova më lart, kishin përvetësuar trajtën e përmbysur të mendimit politik të infektuar nga sindromi esadist, forcat politike nën akronimin PAN(PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate…, duke e nxjerrë Ramush Haradinajn si kandidatë për kryeministër.
Në qarqet e kampit të dytë , më ka rënë të dëgjojë arsyetimin se përse SHIK-u, alias Kadri Veseli, mori këtë vendim, sado që jo pa dhimbje. Ata tok (Thaçi e Veseli) kishin përjashtuar për kohë të gjatë çfardo pengese reale që do t`ua pamundësonte alternimin e posteve të larta të pushtetit, disi ngjajshëm siç kishin vepruar vëllezërit Kaczyski në Poloni.
Vetvendosjen si forcë politike që shkonte në zgjedhje e vetme, nuk e kishin përllogaritur pothuajse asnjëra palë, madje as Tirana zyrtare! Pozicionimi i Lëvizjes VV në ato zgjedhje si forcë politike nr.1 i kishte tronditur dhe shqetsuar shumë, sidomos dy blloqet politike në Prishtinë! Shih për këtë, lufta speciale për ta larguar atë nga skena politike do të jetë e pamëshirëshme. Viktimizimin tim, duke më ,,ngatrruar” pa farë mbulese juridike me të ashtuquajturën organizatë terroriste ,,Syri i popullit”, që tashmë rezulton të ketë qenë fiktive, e cilësoj si produkt të pastër të kësaj lufte speciale kundër VV. Kjo betejë e ashpër politike ndërkohë, derisa unë po mbahesha peng politik në burg, po thellohej edhe në plane tjera. Lufta për ta çarë atë – pra VV në dysh, duke ia shkëputur 12 deputetë, do të bëhej realitet në prag të rifillimit të dialogut me Serbinë për realizimin e projektit serb për ndarjen e Kosovës, respektivisht aneksimint de fakto e de jure të veriut të saj, në emër të “korrigjimit të kufijve”!
“Njeriu pa gjoks” dhe makutëria e PAN-Hajnisë
K.Marks përpunoi tezën e tij mbi ,,fundin e historisë” në kuptimin e ,,fundit të shtetit”, duke e ndërlidhur atë me utopinë komuniste mbi shuarjen e shtetit si proces dialektik. F.Fokuyama merr në konsiderim më shumë versionin e Hegelit si diç më real, më të munshëm, që ndërlidhet me zhvillimin e shtetit si një shoqëri liberale e tregut, duke interpretuar kështu Hegelin sipas pikëpamjes së Aleksandra Kojeve-së, që e shihte formimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane në vitin 1980-ta të shek. 20-të, si vetë mishërimin e fundit të historisë. Brex-iti, por edhe ringjallja e nacionalizmit agresiv në Evropë dhe rikthimi i religjionit në jetën politike, sikur i kanë hapur rrugë fashizmit modern dhe rrezikimit serioz të projektit më të madh evropian, siç është BE. Sipas Fokuyamës, kjo po ndodhë meq liberaldemokratët e kohës sonë ,,ende nuk kanë arritur ta zgjidhin çështjen e ,,Thymos-it”. (F. Fokuyama: 2019)
Thymosi është pjesë e shpirtit, e cila anon nga njohja dhe vlerësimi i dinjitetit të vetë. Moszgjidhja e kësaj çështje ka margjinalizuar grupe të tëra të shoqërisë, ndërkaq një lagje shtetesh, që ndjehen edhe të keqtrajtuar, kanë krijuar terren të përshtatshëm për rilindjen e nacionalizmit agresiv. Ky shpërthim i nacionalizmit agresiv si nevojë dhe kërkesë ultimative për t’u trajtuar njejtë me të tjerët (Isotemia), po ngre dilemën e ligjëshme se, përmes aplikimit të kësaj metode politike, shoqëria mund të rrëshqes drejt Utopisë – pse kjo të mos jetë Demokracia reale, që ndërlidhet me ngritjen dhe selitjen e Shtetit modern?
Si varrëmihësin më real të këtij ideali-krijimit të shtetit modern, C.S.Lewis e shihte ,,Njeriun pa gjoks”, i cili tërë jetën e shpenzon në kërkim të pafundmë të paknaqësisë që të sjellë mania për konsum. Të ndërlidhur me këtë mani jam i prirur ta veneroj makutrinë e PAN- HAJNISË, por edhe ,,Ikjen nga Liria” (egzodin) e një brezi që nuk arriti dot të krijojë kauzën e tij, respektivisht ta shndërrojë në kauzë gjakimin për ndërtimin e shtetit modern, pra Republikën funksionale mbi parimet e shtetit të së drejtës. Brezi i ri sot, shih për këtë, ka nevojë të ndihmohet që ta shndërrojë aktivizimin politik pikërisht në kauzë imanente; ai ka nevojë për ideale fisnike, të larta, siç është ky i Shtetit modern, respektivisht ,,Rruga për Danimarkë”, siç do të shprehej Fokuyama. Megalothymia mund t’i shërbejë kësaj kauze fare mirë. Thymos-i (guximi) nuk rezulton si element shtesë i lakmisë, por ai është edhe pjesë e arsyes. Sidoqoftë, ai mbetet pjesë e pavarur e shpirtit, natyrë e tij. Lakmia dhe arsyeja ishin dhe mbeten pjesët e shpirtit njerëzorë (Psycho-s), që i nënshtrohen njëra-tjetrës, ndërkaq pjesa e tretë, Thymos-i, reagon tërësisht i pavarur prej dy pjesëve të para. Thymos-si është qendra e gjykimit mbi vlerat e gjërave, qenies.
Tek një pjesë e mirë e drejtuesve të PAN-it, por edhe të LDK-së, meqë ata nuk njohin vlerat dhe dinjitetin e qytetarisë aktive, e meqë nga qenia e tyre ka mërguar TURPI (le të kujtojmë: hajninë masive, pra vjedhjen e shtëpisë!), atëherë mund të konkludojmë se atyre, drejtuesve të këtij blloku të së keqës, ju mungon edhe pjesa e tretë e shpirtit-Thymos-i. Këtë pjesë, pra pjesën e tretë të shpirtit, Fokuyama e vlerson si bërthamën e identitetit politik. Mungesa e tij është shprehje e krizës morale, prandaj ata rangojnë veten, familjen dhe klanin mbi Shtetin. Shih për këtë, sa herë që K.Veseli zë në gojë Hasan Prishtinën, Ukshin Hotin, Fehmi Lladrofcin… ai fyen intelegjencën e çdo ushtari të UÇK-së e të çdo të riu studenti sot. Te figurat e lartpërmendura dhe bashkveprimtarët e tyre ata e dinë se idealistët shihnin Njeriun/ Thymos-in e përkryer, që kishte arritur të shndërrohej në roje të Atdheut, duke sakrifikuar çdo gjë, edhe jetën, për tokën ku ju kishte rënë koka, e që ata e donin në trajtën e Republikës moderne.
Përfundim
Megalothymia e presupozon dëshirën që të trajtohesh nga tjetri me përparsi. Rinia sot ka nevojë për më shumë se sa mund t`i ofrojë demokracia liberale dhe liberaldemokratët. Asaj nuk i mjafton vetëm respekti, garantimi i të drejtave individuale, shteti i së drejtës dhe drejtësia sociale. Tok me aplikimin e demokracisë aktive e të përherëshme, mbesin të hapura alternativa që garantojnë daljen nga rrethi vicioz, ku po futet shoqëria sot. Maksimalizimi i mirëqenies së individit dhe me këtë edhe i Kombit, për politikën moderne është objektivi qendror në fushëveprimin e saj të përditëshëm. Në këtë kuadër, pranimi i njohjes univerzale hegeliane me atë të të drejtës për vetëvendosje, të ndërlidhur me parimin e mirëkuptimit, njohjes, respektivisht akceptimit të dinjitetit njerëzor, janë kushtet që garantojnë shmangien e riciklimit të fashistëve në krye të Republikës, respektivisht dhënies fund të talljes që ata po bëjnë me Thymos-in dhe Republikën.
Ndjesia njerëzore për t`qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i ngjarjeve historike, me karakter heroik, mbetet në esencë njerëzore. Filozofi zviceran Dieter Thomä, përmes librit të tij nga më të veçantët, „Warum Demokratien Helden brauchen“(2019) (Pse demokracitë kanë nevojë për heronj?) i dha brezit aktual shpjegimin që i mungonte lidhur me tranzicionin aktual regresiv të demokracisë liberale drejt restaurimit të kapitalizmit “pa fëtyrë njeriu”, në vend se të kishim një ngjitje graduale dhe partikularitet të politikës, siç do të shprehej Hegeli. Duket se, shoqërorizimi historik i kapitalizmit dhe demokracisë pa një alternativë konkurruese (siç ishte i ashtuquajturi socializëm real rus) e ka sjellë demokracinë liberale në vështërsi të natyrshme në këto vitet e pas Luftës së ftohtë dhe atë “me dyshime reciproke të forta”. (Wolfgang Streeck: 2010).
Demokracia po jeton krizën e saj më të rëndë. Shoqëria jonë atë e përjeton në përmasa edhe më të thella. Kjo gjendje na rikthen në epokën mes dy luftrave botërore dhe na kujton rritën marramendëse të fashizmit. Filozofi zviceran Thomä prandaj pohon me forcë, se koha kërkon Njerëz që tejkalojnë vetëveten, duke u shndërruar në heronjë të demokracisë. Në këtë rrafsh ai me të drejtë potencon se përse demokracia bën mirë, që nuk ua lë heroizmin në dorë atyre që rezonojnë ose si autoritar ose si fundamentalist. Shih për këtë, ajo, demokracia, sidomos demokracia deliberative si gjakim i këtij brezi, duhet të selitet jo vetëm nga institucionet shtetërore, por mbi të gjitha edhe nga individë që janë aktiv në shërbim të kauzës që është më e madhe se vetë individi. Duke e konvertuar kështu dëshirën për të luftuar për një virtyt, brezi i ri i Republikës sonë, do të guxojë të rrahë shtigje të reja për ta ruajtur Republikën dhe kultivuar demokracinë.
***

Burgu i Lipjanit/ Prishtinë, prill 2019 – shtator 2020
________________
Shënim
(1) Literatura e dorës së parë, që hedhë dritë mbi këto përplasje vendimtare, jo vetëm për UÇK-së, por edhe për rrjedhat politike të dy dekadave të para të shek. 20-të, mund të cilësohen artikujt, analizat dhe librat e Dilaver Goxhait, publikimet që për autor kanë Ibrahim Kelmendin, libri i Bedri Islamit “LËVIZJA- Një lindje e përgjakur-bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”, por edhe libri i Dr. Muhamet Kelmendit “Pse nuk u krijua Fronti për çlirimin e Kosovës, Tiranë, 1999 etj.

……………

Ramabaja: “Syri i Popullit” nuk ekziston, është sajesë e krerëve të SHIK-ut
https://www.facebook.com/KlanKosovaOfficial1/videos/335233260980121

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura