Zürich, 28. 09. 2016: E kemi thënë dhe e themi se shqiptarët që nga Kumanova e deri në Manastir kërkojnë bashkimin e opozitës shqiptare në IRJM, bashkimin e juaj në shërbim të lirisë. Ata të cilët nuk bashkohen i shërbejnë politikave antishqiptare.
Ne, anëtarët e Shoqatës “Liria Kombëtare” – në Zvicër, qëndrimin tonë për veprimet e partive parlamentare shqiptare në IRJM i kemi thënë që moti, por kohëve të fundit jemi të indinjuar thellë edhe me veprimet e partive opozitare shqiptare, të cilat ende nuk kanë arritur të bashkohen dhe së bashku për të vepruar në shërbim të votës shqiptare.
Prandaj edhe një herë ju përkujtojmë të gjithëve, pa dallim, reagimin tonë, të datës 25 Prill 2015, ku drejtpërdrejt dhe publikisht kërkuam që të bashkoheni, me qëllim që të ndalen planet ogurzeza mbi shqiptarët. Dhe tani njësoj ngrisim zërin e protestës, që të gjithë në këto momente të rënda të sillemi me përgjegjësi në mbrojtje të interesave të ligjshme të popullit shqiptar, sepse në të kundërtën do të na dënojë koha.
Askush nuk ka të drejtë që me votat e shqiptarëve ta bëj pazarin e radhës.
Prandaj, ju drejtohemi të gjitha partive opozitare – BASHKOHUNI SOT, SEPSE NË TË KUNDËRTËN NESËR DO TË JENI BASHKËFAJTOR!
Bashkohuni, sepse në këtë mënyrë ngjallni shpresat në shpirtrat e plagosur të familjeve shqiptare, ngjallni shpresë tek të burgosurit politikë, ngjallni shpresë te nxënësit, studentët dhe punëtorët. Bashkimi i juaj nxjerr para drejtësisë dhe demaskon proceset e montuara politike, që shkaktuan:
– Masakrën e Sllupçanit,
– Masakrën e Lubotenit,
– Masakrën e Porojit,
– Masakrën e Brodecit,
– Masakrën e Radushës,
– Masakrën e Brezës,
– Masakrën e Tanushës,
– Masakrën e Sopotit,
– procesin e ashtuquajtur “Monstra”,
– procesin e Radishanit,
– masakrën “Shkupi 2014” dhe qindra e mijëra procese të tjera.
– Masakrën e Kumanovës
Bashkimi i juaj pengon apo ndal diferencimet, diskriminimin dhe terrorizimin e popullit shqiptar, plaçkitjen e firmave shqiptare etj.
E kemi thënë dhe e themi se shqiptarët që nga Sopoti e deri në Manastir kërkojnë bashkimin e juaj në shërbim të lirisë. Ata të cilët nuk bashkohen i shërbejnë politikave antishqiptare.
Shoqata “Liria Kombëtare” – Zvicër
Dr. Vaxhid Sejdiu – kryetar
Zürich, 26.09.2016