ARIF EJUPI: 28 NËNTORI U KREMTUA EDHE NË GJENEVË

Gjenevë, 8. 12. 2016: Komuniteti Shqiptar i Gjenevës,edhe kësaj radhe në bashkëpunim me Shoqata dhe Klube të ndryshme të këtij kantoni ka organizuar kremten e 28-Nëntorit të njohur ndryshe si dita e simbolit tonë mbarëkombëtar. Kjo datë me rëndësi jetike për popullin tonë shënon edhe 104 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar.
Himni ynë nacional i kënduar nga kori i nxënësve të Mësimit Plotësues të Shkollës Shqipe në Gjenevë, si certifikatë e zyrtarizimit të Pavarësisë së Shqipërisë,ka ngritur në këmbë qindra të pranishëm të tubuar në “Salle des Fetes des Avanchetes”të Gjenevës,ku me qëndrimin gatitu janë përkujtuar dhe nderuar mijëra heronj dhe dëshmorë të rënë për liri dhe mëvetësi të Shqipërisë.
Pas këtij akti konferencierët: Afërditë Krasniqi, Abetare Salihu dhe Drilon Limani, kanë prezantuar përmbajtjen e programit të kësaj nate festive.
28 Nëntorët, nga Skënderbeu e deri te Adem Jashari
E,ndërkohë në podium është ftuar Z. Ramadan Avdiu,konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë, i cili ka shpalosur historikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve që nga periudha e kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti –Skënderbeu e deri në flijimin e legjendarit Adem Jashari,i cili duke sakrifikuar vetveten dhe familjen e gjer u bë simbol nderi dhe krenarie ndër shqiptarë.
Pjesa artistike ka nisur me vallet e bukura të trevave tona të interpretuara nga Ansamblet “Gëzuar” dhe” Rinia Contat” të Gjenevës.

Këto dy Shoqëri Kulturore edhe pse në kushte të rënda materiale e sidomos Ansambli “Gëzuar” i cili mbijeton me vetëfinancim të solistëve dhe të valltarëve e rrallëherë ndihmohet me ndonjë donacion simbolik po e ruan dhe kultivon me plot sukses tash dy decenie trashëgiminë e këngëve dhe valleve tona burimore. Solistet e këtij Ansambli Vjendita dhe Ejona Stojkaj, të rritura dhe të edukuara në frymën e atdhedashurisë kanë shkëlqyer me këngën “Shqiptarët e Diasporës”.
Zëri melodik dhe gjuha e rrjedhshme e këtyre dy motrave është pëlqyer dhe duartrokitur gjatë nga spektatorët.
Ndërkaq grupi folklorik “Rapsodët e Gjenevës” i përbërë nga disa talent të këtij zhanri muzikor edhe kësaj here ka interpretuar këngë të bukura kushtuar Shqipërisë etnike dhe heronjve të saj.
Si zakonisht vend në program i është rezervuar edhe duetit të këngëtarëve Shpejtim e Afërditë Krasniqi ,të cilët me kontribut të përhershëm në manifestimet e mërgatës sonë edhe sonte me mjaft sukses kanë kënduar këngën e bukur “ Shqipëri tokë e Arbërit”.
Mirënjohje për të 18-të studentët shqiptarë të diplomuar në fusha të ndryshme të Universitetit të Gjenevës
Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, me rastin e festës së Flamurit tonë kombëtar dhe ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, edhe kësaj radhe ka ruajtur traditën duke përgatitur enkas mirënjohje për të gjithë të diplomuarit shqiptarë (brenda vitit akademik 2015-2016) në fakultete të ndryshme të Universitetit të Gjenevës.
Kurse ndarjen e këtyre mirënjohjeve e ka bërë z. Ali .Sh. Mehmeti, kryetar i Shoqatës”Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”.
Ai ka përgëzuar të gjithë për suksesin e arritur duke thënë:” Përveç plotësimit të dëshirës suaj për ngritje profesionale dhe jetë më të lehtë dhe më të begatët jeni edhe tregues konkret të një integrimi të mirëfilltë të shqiptarëve në shoqërinë zvicerane, dhe motivues të drejtpërdrejtë të brezave të ardhshëm”.
Këngëtari Malësor Prënkoçaj, si personazh kryesor i kësaj nate festive
entuziazmon publikun
Malësor Prënkoçaj i njohur për origjinalitetin dhe shumëllojshmërinë e këngëve me zërin e tij të ëmbël ka ndezur atmosferën në sallë.
Këngët me temë atdhetare “ E përjetshme është Shqipëria” “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”
“ Emrin e kam shqiptar” të shoqëruara edhe nga publiku i kanë dhënë gjallëri këtij jubileu.
Në anën tjetër s’ kanë munguar as këngët me lirikë dashurie nëpërmjet të cilave Prënkoçaj ka bërë që të rinjtë nën tingujt e bukur të këtyre këngëve të vallëzojnë dhe të argëtohen deri në orët e vona të natës.
Manifestimi i sivjetshëm mund të cilësohet edhe si vepër solidarizimi me të pastrehët në komunën e Vitisë.

Me kusht që të ndimohet kjo kategori e shoqërisë sonë të gjitha mjetet e realizuara nga ky tubim do të derdhen në xhirollogarinë e Shoqatës Humanitare “VITIA” e cila veprimtarin e saj bamirëse e zhvillon këtu në Gjenevë të Zvicrës,dhe qëllim të vetëm ka përkrahjen e familjeve pa të ardhura dhe pa kulm mbi kokë .
Atmosfera e kësaj mbrëmje është përcjellur drejtpërdrejt edhe në Kosovë nga TV “Iliria” me përfaqësi në Gjenevë.
Vlerësim i përgjithshëm është se kjo ngjarje historike dhe kulturore e karakterizuar me llojshmërinë e temave ka kënaqur mërgimtarët tanë dhe miqtë e tyre të shumtë zviceranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura