Zürich, 22. 02. 2014 – (Përkujtim me rastin vdekjes së Muharrem Dinës-Mixhës) – Me 20 shkurt 2014 në orën 21:30 të mbrëmjes, pas një sëmundje të shkurtër e të rëndë, pushoi së rrahuri në spitalin e Prizrenit zemra e madhe e atdhetarit dhe e luftëtarit të UÇK’së, Muharrem Dinës – „Mixhës“ nga fshati Celinë i Anadrinisë. Mixha që në moshën e rinisë është marrë me çështjen kombëtare shqiptare, përkatësisht me çështjen e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare të mbetura padrejtësisht edhe pas LDB’së në kuadër të ish’Jugosllavisë. Tërë jeta e tij ka kaluar në përpjekje të vazhdueshme për çlirimin kombëtar e social të shqiptarëve të mbetur bashkë me viset e tyre jashtë Shqipërisë në përbërje të Jugosllavisë. Qëllimi i parë dhe i fundit i tij ka qenë çlirimi dhe bashkimi i të gjitha viseve shqiptare në një shtet të vetëm, në një Shqipëri optimale, as të vogël, e as të madhe.
I udhëhequr nga ide të tilla iluministe e samiiste, Mixha që herët i është bashkuar radhëve të organizatës ilegale të „Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK’së“ – Dega jashtë vendit në Zvicër, ku ai si kurbetçar ka kaluar dekada të tëra. Anëtarësia e LPRK’së (më vonë LPK’së), Mixhën e ka mbajtur në gojë si një veprimtar besnik, fjalëpakë, modest dhe konstruktiv. Gjatë tërë viteve të `80 e `90 të shekullit të shkuar, Mixha ka kryer me sukses e besnikëri shumë veprimtari në të mirë të çlirimit të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Jugosllavi.
I pavdekshmi Muharrem Dina – Mixha.
Te Mixha si te rrallëkush natyra kishte kultivuar virtyte të larta njerëzore dhe atdhetare. Fryma e tij pajtimtare, bashkëpunuese dhe skajshmërisht konstruktive, ka paraqitur letërnjoftimin e tij. Për t`i ruajtur marrëdhëniet e mira në mesin e veprimtarëve të çështjes kombëtare, ai „problemet e mëdha“ është përpjekur t`i zvogëlonte, kurse „problemet e vogla“ t`i relativizonte e t`i shuante.
Mixha si rrallëkush është përballuar me shovinistët serbë, maqedonë e malazez, jo vetëm me fjalë, propagandë e veprime klandestine, por së fundi edhe me pushkë në dorë. Ai në moshën 60-vjeçare i është bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Pashtrikut e të Dukagjinit.
Pas çlirimit të Kosovës nga forcat serbe në qershorin e vitit 1999, Mixha ishte oficer i TMK’së. Duke qenë korrekt, i disiplinuar, i saktë dhe i drejtë, ai në radhët e TMK’së ka paraqitur oficerin e vërtet të një ushtrie të re në krijim. Duke e njohur gjuhën gjermane, ai i ka koordinuar të gjitha punët e përbashkëta në mesë TMK’së së Prizrenit dhe KFOR’it gjerman në zonën e jugut. Pas kthimit të TMK’së në FSK, Mixha për shkak të moshës është pensionuar. Por Mixha nuk ishte një njeri që nuk pensionohej kollaj. Ai nga lufta në luftë ka shkuar gjithmonë.
Kështu, pas pensionimit, Mixha bashkë (shokë e miq të tij) e ka formuar „Grupin e Pajtimtarëve“ në qytetin e Prizrenit, duke parandaluar kësisoj ndodhjen e shumë konflikteve fizike dhe të vrasjeve të mundshme në mesin e shqiptarëve. Me të njëjtit shokë e miq, ai e ka themeluar edhe „Shoqatën Humanitare“, duke ia zgjatur kësisoj dorën familjeve me gjendje të rëndë ekonomike.
Para interesave të Kosovës e të Atdheut, Mixha nuk ka njohur asnjë interes tjetër. Ai që herët ishte „fejuar“ e „martuar“ me fatet e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare të mbetura në Jugosllavi. Duke qenë i tillë, ai, e ka dhënë kontributin e të tij edhe në prapavijë të luftës së shqiptarëve në Maqedoni e në Luginë të Preshevës. Mixha ka qenë një uragan që s`ndalej. Atë vetëm vdekja e ka ndalur! Mixha „Shtatë ditë jetë në këtë dynja, të gjitha i ka pasur luftë e asnjë sefa!“
Për njerëzit si Mixha kohët ikin tutje e ata vijnë këndej! Me frymën e tyre liridashëse, ata do të shkelin gjithnjë me guxim mbi kohët e reja që do të vijnë. Sa më shumë që ikin kohët, aq më shumë ata do të madhërohen e lartësohen në sytë e popullit. Për gjeneratat e reja do të bëhen shembuj frymëzimi, që ata amanetin e të parëve për bashkimin e kombit shqiptarë ta çojnë tutje, drejt përmbushjes së tij me krenari, luftë e ndershmëri.
Nuk ka dyshim, se Muharrem Dina-Mixha, ka për t`i munguar qytetit të Prizrenit, Anadrinisë, Rrafshit të Dukagjinit dhe tërë Kosovës. Vdekja e tij paraqet një humbje të madhe për të gjithë. Dhe nuk ka dyshim se Muhrrem Dina-Mixha, si edhe shumë atdhetarë të tjerë, ka për të gjetur prehje në amshim vetëm kur shqiptarët të bashkohen kombëtarisht e territorialisht, kur ata do të shënojnë përparime e do të bëhen një komb i barabartë në mesin e kombeve të botës. Kësaj dite ai ia ka kushtuar tërë jetën e tij, që nga fëmijëria e hershme e deri në pleqëri.
I pavdekshëm çoftë kujtimi i tij!
U kujtoftë ndër breza e mos u harroftë!
U prehtë i qetë në tokën e zhuritur të Kosovës, Muharrem Dina-Mixha!
Komandant Mixha me eprorët tjerë të TMK’së.
******************************************
LAJMI: NDËRRON JETË VETERANI I UҪK’së MUHARREM DINA – MIXHA
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2438