Nga Fatmir Minguli
E FSHEHTA E NARRACIONIT NË ROMANIN BASHKËKOHOR TË BUJAR BALLIUT
Analizë romanit “Era ndez qirinj” të shkrimtarit Bujar Balliu, botim i UEGEN, Tiranë, 2022
Një fotografi është një sekret që rrethon një sekret tjetër. Sa më shumë gjëra të thotë, aq më pak do të mësosh. Dianë Arbus
Nëse protagonisti i romanit më të ri “Era ndez qirinj” të shkrimtarit pogradecar Bujar Balliu nuk do të ishte fotograf, atëherë ndoshta nuk do të kishim një roman kaq interesant në subjektet e shumta të tij.
Tek lexon bëmat e fotografit me emrin jo vetëm metaforik, Shkrep, mendja të shkon herë te fotografi Gjin në romanin e ndaluar të Petro Markos “Një emër në katër rrugë” e herë te fotografi në romanin gjysmë të ndaluar “ Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë.
Por jeta e Shkrepit ekziston në fragmentin kohor 1990-2022. Dhe ka vulën e patjetërsueshme të origjinalitetit. Nuk e ndalon njeri, nuk e shan njeri, përkundrazi ai vetëm lavdërohet. Pikërisht është lavdërimi që diktohet nga e panjohura e thellë ndaj fotografit, nga sekreti i tij që nuk e njeh njeri, biles as farmacisti Led Linora e as mësuesi i anglishtes, dy ekstreme të jetës personale që vërtiten në faqet e romanit dhe patjetër në rrugët e magjishme të Pogradecit.
Le të kthehemi në faqet e shumta të romanit. Subjekti i tij është një konglomerat subjektesh të cilat shtresëzohen vetëm nën një urdhër virtual, atë të fotografit. Nuk do të bëja kurrsesi paralelen mes foto-grafit dhe autorit Bujar Balliu.
Kjo ndodh sepse gjatë përpunimit alkimik të personazhit Shkrep, autorit, ky personazh i ka “rëshqitur” nga dora … duke na sjellë një të fshehtë… një të fshehtë që rrethohet nga të fshehta të tjera.
Në romanin “Era ndez qirinj” gëlojnë me dhjetëra personazhe të cilët sikur janë të lidhur me disa dije okulte, qoftë nga vetë fotografi, qoftë dhe magjia e rrugicave pogradecare.
Këto personazhe, nga qyteti i tyre, hapin krahët si ameba dhe kërkojnë hapësirat e Tiranës, Ohrit, Parisit, Mokrës duke anatemuar vendin e tyre.
“Jemi mallkuar të mos dimë rrënjët. Të parët tanë qenë dënuar me padije, ne me kurbet. Më bëj një fotografi, t’ia jap me vete. T’i le amanet vendin, varret.”
Emra të çuditshëm u jep autori personazheve (është një nga të fshehtat narrative të autorit) dhe po ashtu ngjarje të çuditshme shoqërojnë personazhet qofshin ata edhe episodikë. Sa ç’është vetë shkrepja e aparatit fotografik, aq është dhe koha e e ngjarjeve. Ka një simbiozë mes narracionit të romanit dhe vetë procesit fotografues, pra një narracion fotografues me shkrepje të papandehur. Këtu fshihet dhe e fshehta narrative e Bujar Balliut. E fshehtë që herë transplantohet te “hajamlitë” e farmacistit e herë herë tek dy – tre personazhet femra të çuditshme Brela, Irna dhe Klara, tre kolona mbështetëse të të fshehtave të fotografit Shkrep!
Jeta në Pogradec, nuk është ndryshe nga ajo e qyteteve të tjera shqiptare, por në mjediset e qytetit, ndoshta nga ujërat e liqenit, lindin herë mite e herë legjenda që transfotmohen në mënyrë gati okulte në ngjarjet që Bujar Balliu na i shpalos njëra pas tjetrës. Duke dhënë skenat reale, autori kërkon të na sjellë imazhet e një epoke tridhjetëvjeçare të qytetit magjik dhe okult. Edhe pse ai i përmbahet fragmentit kohor 1990-2022 ,shpesh sjell infiltrime në jetën e njerëzve para vitit 1990 apo sjell edhe jetë ndërkombëtare.
Jo më kot ai autori merret me vargjet okulte të Nostradamusit apo me yjet gjashtëkëndësh në portat e qytetarëve të Pogradecit. Ylli gjashtëkëndësh është paraqitur në faqet e romanit “ Era ndez qirinjt” si një lloj magjie që vjen nga Solomoni i largët, shumë i largët, por që e fshehta narrative e Balliut e kthen Solomonin në Hitler, një Hitler ndryshe, me tipare të zakonshme, por që gjithsesi vret.
Vetëvrasjet, vrasja e Xhan Telit kthehen në makth që mbështillen rreth mendjes së çuditshme të fotografit, fotot e të cilit janë kthyer në magji, kur gruan e veshur e fotografon të xhveshur e kur vetë Shkrepi kalon në haluçinacione të tejskajshme. Pamjet e këtij personazhi më sjellin ndër mend thjesht skenat e trillerit të Edgar Allan Poes.
Kësisoj autori Bujar Balliu është në mbrojtje të qytetit të vet, të historisë e të miteve e legjendave jo vetëm që dalin nga thellësitë e liqenit, por edhe nga jeta reale .
Por edhe ashtu siç janë, qytetarët e Pogradecit kanë kundërshti si ajo e aktorit:
“-Provinca të ha.
-Ty të ka falur.
-Më hëngri famën.”
Diçka nga magjia e qytetit, përndjek një nga një personazhet që merren me magjira. Dhe aktori një ditë u gjet i varur në një pemë mani…
Ka shumë episode që e japin jetën e qytetit mes reales dhe ireales dhe personazhet vajtojnë:
“Kultura jonë është e mangët, ca më keq edukata. Prandaj ik, profesor!”
Dhe profesori, i vetmi personazh i saktë në moral, ikën drejt metropolit, Tiranë… Qyteti s’ka më moral. Aty zotërojnë pronarë të sapopasuruar që do të ndërtojnë grataçiela…mbi ujërat e qeta e magjike të liqerit lasgushian.
Tjetër e fshehtë narrative e Bujar Balliut qëndron në titujt e kapitujve. Syri i lexuesit të zakonshëm i sheh ata si epigrame, por ndryshe janë për ata që lexojnë okultizmin e autorit. Parabola e tyre ngërthen brendësinë e çdo kapitulli duke i dhënë kuptimin e vërtetë subjektit, por në formë metaforike.
Edhe futja e tregimeve të mësuesit të anglishtes është një nga performancat e bukura të narracionit. Tregimet e mësuesit janë si vaksina kundër infektimeve korruptive si në para, seks e kudo. Dhe ashtu, si pakuptuar, lexuesi ndodhet para një romani policor, si pa dashje subjektet lyhen me bojën e përndjekjes policore, të spiunëve e informatorëve.
Nuk mund të lihet pa përmendur realizimi i përsosur i Klarës, për nga imagjinata e autorit. Hapja e parukerisë nga ajo në qytet është simbol i prodhimit korruptiv, ku parukeria kthehet në qendër kyçe për ngjarjet dhe bizneset, me njohjet bashkiake e me informacionin dhënë policisë. Klara për mendimin tim, është personazhi i dytë pas fotografit Shkrep.
Në vlerat e romanit “Era ndez qirinj” hyn dhe metafora gati e padukshme e shiut, që duket sikur i bën karshillëk ujërave të magjishëm të liqenit. Për Bujar Balliun, shiu është kalimtar ndonëse bën rrëkera të dëmshme, por në të kundërt pastron mjedisin.
Bujar Balliu, me sjelljen e personazhit Shkrep, ka plotësuar galerinë e presonazheve pikantë në letërsinë shqipe. Jo vetëm paraqitja e tij si personazh është dhënë në disa dimensione, dhe jeta e tij e “dytë”, ajo e okultit, e magjistarit, e të korruptuarit elegant janë meritë e autorit. Ndjekja e fotografit në çdo hap nga farmacisti, ndërton, me sa duket, një version të dytë të fotografit, sepse çdo “hajmali” e tij është mbështjellëse e pelikolave të filmave të jetës pogradecare e shumë më gjerë.
E çuditshme është, por e vërtetë, sepse, sado që veprimet e fotografit janë magjiprirëse, për personazhet e tjerë ato ngjajnë reale. Ata nuk e ndiejnë turbullirën që magjia mund të shkaktojë.
Bujari ka tashmë një histori të tijën me botimet. Ese, tregime, prozë ndryshe dhe romane, së bashku me botimin dhe ribotimin e eseve për laureatët e çmimit Nobel, bëhen parathënie e pasthënie për guximin që ai shfaq në romanin e ri “Era ndez qirinj”.
Ky roman edhe pse me shumë personazhe e ngjarje të ndryshme, me shtrirje të gjerë gjeografike ka përqendrim të spikatur narrativ, realja me irealen bëhen njësh dhe së bashku ndriçojnë nëntekstin e romanit.
Rrëfimi në kohën e tanishme në funksion të së shkuarës, e bën dialogun të këndshëm dhe interesant. Kjo patjetër që nuk shoqërohet me pasazhe të gjata, të cilat për hir të së vërtetës mungojnë në këtë roman. Dhe bëjnë mirë që mungojnë.
Duke lexuar me vëmendje faqet e romanit, kërkon të zbërthesh titullin “Era ndez qirinj”. Ai mund të ketë diversitet shpjegimesh, por mua më krijon imazhe të atmosferës kishtare ku qirinjtë e ndezur e rrisin më tepër flakën kur jashtë fryn era…
Montecchio Maggiore
korrik, 2022