PROF.DR.KLARA KODRA: LIBRI I STUDIUESES ROVENA VATA – ‘URË FJALËSH MIDIS LETËRSISË DHE ANTROPOLOGJISË’ DËSHMON PËR VITALITETIN E SHKENCAVE ALBANOLOGJIKE

Tiranë, 22. 09. 2016: Vëllimi me artikuj e studime “Urë fjalësh midis Letërsisë dhe Antropologjisë” nga Dr. Rovena Vata që pason monografinë e saj origjinale për “Mitin e malit në letërsinë shqipe: Fishta, Koliqi, Migjeni, Camaj” të befason për larminë e autorëve, periudhave, çështjeve që rrok, çka dëshmon për guxim dhe gjerësi horizonti, që përbën edhe një sfidë për të mposhtur rrezikun e një vështrimi sipërfaqësor, që është gjithnjë i pranishëm në rastet e një shpërndarjeje të rrezes së shikimit.
Studiuesja bën objekt studimi në fakt autorët më të hershëm të letërsisë shqipe duke shkuar deri te bashkëkohësit, e për tu ndalur edhe në autorë gati të panjohur si shkrimtari i ri që jep shpresë, Dario Rexhollari.
Në thelb vëllimi i Rovenës është një punim ndërdisiplinor që ndërthur fushat studimore të letërsisë dhe antropologjisë.
Punimet e këtij lloji që e kanë burimin te ndërveprimi i disiplinave i kundërvihen specializimit të ngushtë që nga një anë siguron thellësinë, nga tjetra rrezikon njëanshmërinë. Gjithsesi studiuesve u takon të kombinojnë prerjen horizontale dhe atë vertikale në analizën e tyre.

Dr. Rovena Vata

Vëllimi i Rovenës dëshmon për vitalitetin e shkencave albanologjike që dita-ditës përzihen me gjak të ri nga përfaqësuesit e një brezi të ri, jo vetëm në moshë, por edhe në konceptin e një studimi shkencor të çliruar nga tirania e një metode të vetme, që quhej si çelës për të hapur çdo derë siç ishte metoda marksiste në diktaturë, (një metodë së cilës nuk i mungojnë në vetvete vlerat, po që mund të kalojë në njëanshmëri dhe sociologjizëm vulgar kur absolutizohet).
Tani studiuesit kanë mundësi të rrokin një larmi metodash, për të zgjedhur lirisht njërën prej tyre apo për ta kombinuar me metoda të tjera. Metodat e ndryshme moderne tani kanë gjetur një përhapje tepër të gjerë e cila, kur shprehet me një përzgjedhje të goditur apo me një asimilim të fuqishëm, mund të japë rezultate të ndjeshme.
Studiuesja e re tepër e talentuar Dr. Rovena Vata e ka bërë përzgjedhjen e vet: ka vënë në bazë të vëllimit të saj dy metoda që kombinohen në mënyrë të goditur: metodën strukturaliste dhe psikokritike. Nëpërmjet tyre studiuesja ka arritur jo vetëm të depërtojë në anatominë e formës së tekstit, në çdo qelizë të tij, por edhe të futet në labirintet e nënvetëdijes dhe të dallojë ato gjurmë të saj që bëhen pjesë e veprës letrare.
Me këto metoda bazë autorja ndërthur elemente të komparativizmit (disa autorë shihen në plan krahasues së jashtmi dhe së brendshmi, me elemente të historizimit). Duke mos lënë jashtë vëmendjes strukturat historike dhe ideologjike që përftojnë strukturën artistike, me gjithë pavarësinë e saj relative.
Kjo përfshirje e faktorëve jashtëletrarë është e pashmangshme në një letërsi sui generis si letërsia shqiptare e cila ka qenë qëllimore qysh në fillimet e saj megjithatë ka mundur të gjenerojë edhe vlera estetike.
Historizmi ka vendin e vet në ata artikuj e studime të vëllimit që u kushtohen periudhave historike të caktuara si periudha e letërsisë së vjetër me tema-tikë biblike ose periudha e Rilindjes. Në të dyja këto periudha motivi patriotik ka luajtur rol mbizotërues, kurse faktori fetar në periudhën e parë ka qenë dëshmi e identitetit shqiptar, në të dytën i është nënshtruar idesë patriotike që kërkonte një tolerancë ndërfetare.
Vëllimi përfshin një lëndë të gjerë të cilën autorja e ka strukturuar në pesë pjesë, duke e ndërthurur kriterin kronologjik me atë tematik. Këto pesë pjesë janë të lidhura si gishtërinjtë e një dore dhe janë njëkohësisht të ndryshme mi-dis tyre.
Pjesa e parë i kushtohet traditës, duke filluar nga tradita e hershme e letërsisë shqipe e duke përfunduar te letërsia e Rilindjes; e dyta u kushtohet disa autorëve të shquar të viteve ‘30, pra, letërsisë heterogjene midis dy luftërave si edhe një autori të diasporës, të ekskomunikuar në periudhën gjysmë shekullore të diktaturës; e treta disa autorëve të sotëm duke filluar nga disa shkrimtarë që u shquan në dy periudha me individualitetin e tyre të fuqishëm krijues si Kadare dhe Agolli e duke përfunduar te tre autorë bashkëkohës, tepër të afërt si Arian Leka, Eris Rusi dhe Dario Rexhollari. Pjesa e katërt ka në bazë të vet mitet si një çelës polivalent për të depërtuar në letërsi, folklor dhe antropologji. Pjesa e pestë i kushtohet letërsisë gojore. Në studimin e autorëve bashkëkohës autores i është dashur të shfaqë guxim dhe intuitë, për shkak të mungesës së shkrimeve kritike mbi veprën e tyre. Të bërit objekt studimi i autorëve të sotëm e afron studiuesin e letërsisë me kritikun.
Duhet thënë se një dukuri e vënë re vitet e fundit është një lloj zëvendë-simi i kritikës nga shkenca letrare e historisë së letërsisë, një marrje përsipër e atyre detyrave që shtrohen pak ose aspak nga kritika e mirëfilltë, e cila përjeton një linjë dhe, kur nuk hesht, tregohet tepër subjektive, e përfshirë në klane, robinë e simpative dhe antipative të njëzëshme, e ndarë midis kritikëve të vjetër (jo vetëm në moshë), përfaqësuesve të brezit që ka jetuar diktaturën që s’e përfshijnë realitetin e ri në skemat e tyre të vjetëruara dhe kritikëve të rinj të sapo formuar në bazë të metodave të reja moderniste që bien jo rrallë në grackën e skajshmërisë duke ngatërruar vlerat dhe të metat e metodave që përdorin ose në eklektizëm duke i kombinuar në mënyrë jo të goditur metodat e ndryshme. Natyrisht ka përjashtime, po jo aq sa për ta ndryshuar situatën dhe kritikat më të goditura dalin më tepër nga radhët e vetë krijuesve apo, siç e përmendëm më parë, nga radhët e historicienëve të letërsisë.
Artikujt dhe studimet më të realizuara të vëllimit janë ato që e zbërthejnë veprën e autorëve të caktuar nën dritën e metodës formaliste-strukturaliste dhe të psikokritikës (të ndërthurura ose në disa raste mbizotëruese) si “Figur-shmëria gjuhësore te poema “Bagëti e bujqësi” e Naim Frashërit, “Enigma psikomentale dhe simbole të pavetëdijes te personazhet e Koliqit”,”Ndjesia e të qenit i lirë mes kulturash që përplasen” (Eris Rusi), “Nga premtimi për libër të hapur tek bashkëkrijimi autor-lexues-romancier” (Dario Rexhollari).
Studiuesja, Dr. Rovena Vata vizaton profilin krijues të tregimtarit bashkëkohës Eris Rusi nëpërmjet një tregimi të tij të botuar kohët e fundit që kapet “flakë për flakë” nga autorja duke u analizuar në dritën e metodës strukturaliste të kombinuar me psikokritikën. Studiuesja zbulon fjalët kyçe të këtij tregimi dhe i evidenton madje “gërmon” në mendimet dhe ndjenjat e protagonistit duke nxjerrë në pah linjën erotike-dashurore. Studiuesja ka zgjedhur një tregim që sintetizon risitë e sjella nga Eris Rusi në letërsinë bashkëkohore, një atmosferë midis realitetit dhe mbirealitetit, personazhe, në karakterizimin psikologjik të të cilëve ndërthuhen vetëdija dhe nënvetëdija dhe një erotizëm të veçantë midis komunikimit dhe moskomunikimit. Eris Rusi kërkon të gjejë identitetin e ri të shqiptarit bashkëkohës në shpirtin e të cilit rrënjët kombëtare shtrihen në një hapësirë ekzistenciale.
Analiza e imtë dhe e kujdeshme, së cilës i nënshtrohen veprat e zgjedhura nga autorë të caktuar të traditës ose të kohës së sotme synon të zbulojë thelbin e literalitetit të tyre. Kështu, sipas rastit, veprat i nënshtrohen një leximi apo rileximi që zbërthen komponentët e formës së tyre, e asaj që studiuesi Markez e quan strukturë të tyre artistike. Dihet se vlera estetike reale e veprës së Na-imit është lënë gjatë në hije për nga rëndësia e saj patriotike dhe ideologjike; Koliqi si poet origjinal që ka kultin e formës mund dhe duhet të bëhet burim leximesh dhe rileximesh në këndvështrime nga më të ndryshmet.
Një individualitet i ri krijues si Dario Rexhollari, ende i paafirmuar, po që do të ndërtojë një lloj të ri romani, zgjedh bashkëpunimin me lexuesin dhe sy-non të gjejë lexuesin e vet model ka nevojë të zbulohet dhe të evidentohet në risitë e veta nga kritiku-lexues.
Interes të veçantë në vëllim paraqesin edhe artikujt ku Dr. Rovena Vata zbaton metodën krahasuese si “Katër mendimtarët e vjetër shqiptarë: Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, “Përkimet e Migjenit dhe Poradecit me simbolizmin e Bodlerit”, “Dy kohë, dy utopi, dy autorë” (Naimi dhe Agolli shënimi im. K. K).
Parimi i ndërtekstorësisë, ngjashëm një reaktivi, duke ballafaquar tekstin dhe paratekstin, nuk e zbeh, përkundrazi, e thekson origjinalitetin e një autori ose një vepre të caktuar. (Ne nuk bashkohemi me idenë e mosekzistimit të ori-gjinalitetit në letërsi dhe mendojmë, duke lexuar artikujt e saj se studiuesja Dr. Rovena Vata është dakord me ne).
Ka artikuj dhe studime ku autorja ndërthur me sukses letërsinë me antro-pologjinë siç janë: “Kanuni i romanizuar (“Prilli i thyer”) pjesë integrale e le-tërsisë evropiane”; dhe “Tejkalimi grotesk i tabusë totemike në romanin “Gjarpri i shtëpisë” të Arian Lekës. Në fakt në këto studime elementi antropo-logjik shndërrohet në çelës të formës letrare.
Në disa artikuj studiuesja përpiqet të zbulojë aspekte të reja dhe të pazbuluara tek autorë për të cilët është shkruar shumë, por pa i shteruar si poetët e shquar rilindas arbëreshë De Rada dhe Serembe, në ndonjë rast ndalet në ndonjë poet minor interesant si Josif Bageri.
Disa mite shihen nga studiuesja si elemente bashkues dhe vlerësues për një grup autorësh si “Miti i gjuhës si shenjë identifikimi në autorët e letërsisë shqipe” dhe “Miti i teknikës në poezinë shqipe të viteve ’60-‘70 (leksiku industrial, funksioni i ri poetik i terminologjisë). Është fjala për mite kulti i të cilave karakterizoi disa breza ose një brez të caktuar historik.
Rovena përpiqet të japë një vështrim të vetin për autorë tepër të veçantë të letërsisë shqiptare si Kuteli dhe Camaj. Ajo ndalet mbi një problem të mprehtë dhe delikat siç janë mënyrat e trajtimit të historisë në veprat letrare.
Studiuesja i ka vendosur studimet dhe artikujt e vet në breza të sigurta teorike duke ndërthurur analizën me sintezën. Këta artikuj dhe studime janë shkruar në një stil të rrjedhshëm dhe të qartë që komunikon, jo vetëm me një publik elitar, por edhe me një publik më të gjerë.
Prof. Dr. Klara Kodra – Tiranë, 13 tetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura