Pashtriku.org, 19. 11. 2015: Ndihem i privilegjuar, si i huaj, të kem banuar mes shqiptarëve qysh në vitin 1992. Ndër pyetjet e para që më bëhen ende sot janë: “Përse keni ardhur në Shqipëri?” “Kur keni dëgjuar për Shipërinë për herë të parë?” ose “Si jeni interesuar për popullin shqiptar?”.
Kur mendojmë për “Mbretëreshën” Edith Durham, na vijnë ndërmend pikërisht këto pyetje. Kur Durhami u këshillua nga mjeku i saj që të shkonte diku larg për t’u çlodhur nga barra e përkujdesjes së vazhdueshme për nënën e saj të sëmurë, ajo zgjodhi Ballkanin në përgjithësi, jo Shqipërinë.[1] Nga viti 1900-1903 ajo udhëtoi kryesisht në vendet sllave.
Në vitin 1900 Durhami vizitoi Malin e Zi si dhe kryeqytetin e tij, Cetinje. Aty u takua me ca shqiptarë dhe njoftimi i parë i saj për shqiptarët, që kam gjetur unë, ka qenë më 10 shtator 1900, kur i ka shkruar së ëmës: “Burrat shqiptarë janë ata që më bëjnë të qesh më shumë se të tjerët”.[2] Pavarësisht se si mund të kuptohet kjo fjali, me siguri nuk shënoi ndonjë simpati ose vlerësim të madh për popullin shqiptar.
Në vitin 1901 Durhami e vizitoi edhe një herë Malin e Zi, por kësaj radhe vizitoi edhe Shkodrën.[3] Ajo do të rrëfejë më vonë në librin e saj “Ngatërresa ballkanike 20 vjeçare” se Shkodra i kishte bërë përshtypje. Sidoqoftë, interesi i saj për shqiptarët në vitin 1901 nuk ishte diçka për t’u shënuar, ndryshe nga interesimi i saj për popujt e tjerë.
Në vitin 1902 Durhami kthehet sërish në Malin e Zi, por kësaj radhe viziton edhe Serbinë. Pas këtij udhëtimi ajo do të shkruante librin e saj të parë “Përmes tokave të serbit” (Through the Lands of the Serb). Ky libër kishte material të mirë për shqiptarët, por studiuesi kanadez Medavari, në analizën e vet të librit, shprehet se Durhami më shumë mbështet pretendimet e popujve sllavë.[4] Vetë titulli i librit ngjall debat sepse lë për të kuptuar se tokat ku kishte udhëtuar Durhami (përfshirë edhe Kosovën dhe veriun e Shqipërisë) u përkisnin serbëve. Nuk është për t’u çuditur që Durhami, udhëtarja, do të ndikohej nga bindjet politike të udhërrëfyesve të saj sllavë në perceptimin e saj të realitetit.
Por më vonë, dukshëm, vëmendja e saj do t’i kalonte Shqipërisë dhe ajo do të krijonte një pasion të veçantë për shqiptarët dhe një bindje që pretendimet e tyre ishin të drejta. Ky pasion dhe këto bindje nuk do të shuheshin gjatë gjithë jetës së saj.
Pse Edith?
Si ndodhi që u bëre kaq e interesuar për popullin shqiptar?
Si ishte fillesa e këtij shndërrimi?
Vetë Durhami na tregon në Raportet e Institucionit Mbretëror të Britanisë së Madhe në një botim rreth vitit 1940. Durhami ishte 77-vjeçe dhe po reflektonte mbi jetën e saj. Ajo shkruan: “U interesova për çështjen shqiptare më 1903.”[5]
Por pse dhe si?
Më 1903 nisi në Maqedoni një kryengritje kundër Perandorisë Osmane, e cila u shtyp ashpërsisht, duke krijuar kaos, varfëri të skajshme dhe zi buke. U caktua që Edith Durhami, bashkë me Henry dhe Jane Brailsford-in të shkonin me Komitetin Humanitar Britanik për Maqedoninë, për të udhëhequr projektin e ndihmave.[6] Kaluan kohë në Manastir dhe në Ohër. Manastiri ishte një qytet me shumë etni, madje Brejsfordi do të shkruante një libër për “racat e Maqedonisë”, ku ka shumë material edhe për shqiptarët. Puna humanitare e Durhamit u zhvillua mes një vuajtjeje njerëzore të tmerrshme. Komunikimi ishte një sfidë e veçantë për humanitarët anglezë, për shkak të etnive dhe gjuhëve të ndryshme në Ballkan.
Durhami dhe Brejsfordi, në shkrimet e tyre thonë se shumica e përkthyesve dhe ndihmësve të tyre ishin shqiptarë të siguruar nga shoqëria protestante “British Foreign and Bible Society” (Shoqëria Biblike), e cila kishte një qendër në Manastir. Shoqëria Biblike ishte marrë me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe që prej vitit 1816. Durhami shkruante se “Puna jonë u ndihmua jashtëzakonisht shumë nga ndihmësit shqiptarë që na rekomandoi Shoqëria Biblike Britanike”.[7] Madje shton se këta shqiptarë ishin të aftë dhe të ndershëm dhe pa ta, puna e tyre do të ishte tejet e vështirë. Pra, shohim se në Maqedoni Durhami fillon të krijojë përshtypje të reja për popullin shqiptar.
Manastiri ishte, gjithashtu, një bazë për Bordin Amerikan të Misionarëve protestantë-ungjillorë. Në vitin 1877 familja e famshme Qiriazi u takua me misionarët amerikanë dhe pranoi besimin ungjillor.[8] Gjerasimi u bë predikues dhe themeloi kishën e parë protestante në Shqipëri (në Korçë). Motra e tij Sevastia ka nderin të jetë femra e parë shqiptare e diplomuar në një shkollë të lartë (Kolegjin Amerikan në lagjen “Skutari” të Stambollit). Më 1903, vëllai i tyre, Gjergj Qiriazi, ishte drejtori i qendrës së Shoqërisë Biblike në Manastir, ku po punonte Durhami. Durhami do të shkruante më vonë për Gjergjin: “Ishte burrë shumë i kulturuar dhe shqiptar patriotik”. Madje Durhami do të shtonte: “Prej tyre kuptova frymën e fortë nacionaliste që po vepronte [ndër shqiptarë]”.[9]
Në pranverën e vitit 1904 u duk sikur po përgatitej një kryengritje e re në Maqedoni dhe për këtë arsye shteti britanik bëri thirrje që Durhami dhe punonjësit e tjerë të misionit humanitar të ktheheshin në Angli, për shkak të rreziqeve të mundshme. Por sipas Durhamit, miqtë e saj shqiptarë iu lutën që të mos largohej, por të rrinte dhe të bënte me ta një udhëtim në Shqipëri.[10]
Madje si parantezë, dhjetë vjet më vonë, në vitin 1914, Durhami do t’ia bënte pikërisht këtë lutje Princ Vidit, i sapoardhur në Shqipëri, i mbyllur brenda pallatit të vet dhe i ndikuar vazhdimisht nga intrigat e Esad Pashë Toptanit. Durhami iu lut atij që të udhëtonte me të në gjithë Shqipërinë, por Vidi nuk e bëri një gjë të tillë.[11] Kurse më 1904, Durhami e bëri. Prandaj Durhami njihet ende sot si mbretëreshë e Shqipërisë, por jo Vidi. Durhami e dinte se shqiptarët kurorëzojnë ata që rrinë në sofër me ta, jo ata që mbajnë kurorën në kokë.
Por si do ta realizonte Durhami një udhëtim të tillë?
Me kë do të shkonte?
Si do të mbrohej?
U propozua nga qeveritari i Ohrit, Mehdi Frashëri, patriot shqiptar e kushëri i Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo), që të udhëtonte me një punonjës të Shoqërisë Biblike. Së shpejti, Thanas Sina, predikues protestant, përkthyes i Biblës dhe patriot shqiptar do të nisej nga Leskoviku e do të udhëtonte nga andej deri në Shkodër. Do të merrnin Biblat me vete, në turqisht, greqisht dhe shqip – mision jo pa rreziqe për shkak të kaçakëve që kishin marrë peng protestantë, si Gjerasim Qiriazi dhe Katerina Cilka, si dhe për shkak të luftës së qeverisë turke dhe kishës greke kundër përhapjes së gjuhës shqipe (luftë diku më e ashpër e diku më e butë, por gjithnjë e pranishme).
Pavarësisht nga rreziqet, Durhami, e guximshme, paksa kundërshtare dhe gjithmonë e gatshme për aventurë, pranoi. U nis për në Leskovik, ku do të takohej me Thanas Sinën dhe familjen e tij. Rrugës kaloi në Korçë dhe aty u takua me vajzën përparimtare, Sevasti Qiriazi, në atë kohë beqare. Na duket sikur Durhami ka parë vetveten te Sevastia, për hir të guximit të saj përballë vështirësive. Sevastia ishte drejtoresha e Shkollës së Vashave, e cila tani kishte kaluar nën përkujdesjen e Bordit Amerikan për ta mbrojtur nga përpjekjet e qeverisë për ta mbyllur. Sipas Brejsfordit, veprimtaria e Sevastisë po zhvillohej sikur të ishte krim ose turp (p.sh. shpesh duke dhënë mësim natën ose duke fshehur librat) por në realitet – thotë ai – ishte shembull i ëmbëlsisë dhe i mirëdashjes. Shpesh herë hynte në oborr një polic turk dhe Sevastisë i duhej t’i dilte para, mu te dera, që ta ndalonte të hynte e t’i merrte librat. Kjo trimëri ia ka bërë përshtypje Durhamit.
Në këtë kontekst mund të kuptohet dashamirësia e Durhamit për Sevastinë dhe përse do të mbanin lidhjet për gjithë jetën. Madje na befason Durhami me një zbulesë që gjendet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, një letër me datën 14 maj 1918, në të cilën Durhami i thotë Sevastisë: “Është kryesisht nëpërmjet teje dhe miqve tuaj që unë u interesova për fatin e Shqipërisë”.[12]
Pas Korçës, Durhami e vazhdoi udhëtimin në Leskovik dhe, me Thanas Sinën dhe ndihmësit e tij u nisën dhe udhëtuan në Tepelenë, Vlorë, Berat, Elbasan, Durrës, Lezhë, Shkodër etj. Sipas saj, ata i shitën librat “në të gjitha qytezat e Shqipërisë”.[13] Madje në Berat Durhami u arrestua bashkë me Sinën dhe iu konfiskuan librat e tyre shqip, por jo librat turqisht e greqisht.
Ky udhëtim ishte rasti i përsosur për Durhamin për t’u njohur me shqiptarët dhe me terrenin shqiptar. Durhami do të shkruante: “Ishte udhëtim frymëzues!”. Pse? Sepse çdo paragjykim që mund të ketë trashëguar nga populli serb dhe nga padija e përgjithshme e shtypit anglez për çështjet shqiptare, u godit me realitetin e njohjes vetjake të shqiptarëve dhe të situatës reale në vend.
Në Shqipëri Durhami kishte parë një popull të zgjuar, një vend të mahnitshëm, një kulturë dhe gjuhë krejt të veçantë dhe një sundim të ashpër dhe të padrejtë. Tek shqiptarët kishte parë një karakter të fortë, ndjenjë kombëtare, një rilindje në arsim dhe fillet e një lëvizjeje feministe. Por ata ishin pa zë në Angli. Ndaj Durhami filloi të bërtiste dhe jehona e zërit të saj kumbon ende sot.
Veprimtaria e Edith Durham për popullin shqiptar ka qenë madhështore dhe duhet të hulumtohet më tepër. Por, si gjithmonë, gjysma e punës është fillimi i mbarë. Durhami dëshmon se fillimi i misionit të saj në mbështetje të çështjes së shqiptarëve ka qenë kaq i mbarë falë ungjillorëve, sepse nuk dihet se si Durhami do të mund të udhëtonte ndryshe, aq gjatë e gjerë në gjithë territorin shqiptar, sikur të mos i ofrohej një dorë nga shqiptarët e ndershëm të lëvizjes protestante.
______________
[1] Hodgson, John në High Albania (Edith Durham). Boston: Beacon Press, 1987, c1985.
[2] 10 September 1900, MS 43, Mary Edith Durham Manuscripts, Royal Anthropological Institute Londër, cituar në “Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914” (Christian Medawar, 1995), f. 14.
[3] Durham, M. Edith. “Albania’s Fight for Freedom” në New Times and Ethiopian News, 23 janar 1943.
[4] Medawar, Christian. “Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914”, 1995, f. 18.
[5] Botuar në The Proceedings of the Royal Institution of Great Britain, vol. XXXI, 1939-1941. Ribotuar në Albania and the Albanians: Selected Articles and Letters, 1903-1944. Redaktuar nga Bejtullah Destani (Londër: The Centre for Albanian Studies 2001), f. 193-204.
[6] Brailsford, Henry Noel. Macedonia; Its Races and Their Future. Londër: Methuen & Co., 1906, f. xii.
[7] Proceedings …, f. 193-204.
[8] Quanrud, John. A Sacred Task. Carlisle: Authentic, 2002, f. 27-31.
[9] Proceedings …, f. 193-204.
[10] Proceedings …, f. 195.
[11] Durham, Edith. Twenty Years of Balkan Tangle. London: G. Allen & Unwin ltd., 1920, f. 267–8.
[12] Po aty.
[13] Po aty.
(Kumtesa e David Hosaflook e lexuar në Konferencën “Mary Edith Durham, me rastin e 70 vjetorit të vdekjes”, zhvilluar me 18 nëntor 2014 në Tiranë)