Shkup, 24 janar 2019: Në të kaluarën tonë historike e kombëtare albanofobia ballkanike ka bërë një luftë të fshehur dhe tejet taktike për zhbërjen e kombit shqiptar, veçmas gjatë dy shekujve të kaluar, nga sllavët dhe grekët ortodoksë. Edhe pse populli ynë përjetoi luftëra të shumëta dhe represalie nga më të ndryshmet, që nga sundimi i Impratorisë osmane, pastaj nga elaborate sllavësh e grekësh për zhdukjen tonë, ai nuk u dorëzua asnjëherë dhe, falë Zotit, bujarisë, trimërisë, zakoneve të fuqishme kanunore, traditave shekullore, humanizmit, atdhedashurisë etj., nuk arriti deri te zhbërja kombëtare.
Si për çudi, dekadat e fundit po bëhet një luftë e hapur dhe e paparë ndaj çdo gjëje që është vlerë shqiptare, bile nga vet personalitete shtetërore, edhe atë në nivel të larta të shteteve shqiptare. Po dalin personalitete dhe figura me bagazh shtetëror, të cilët sulmojnë identitetin dhe historinë tonë kombëtare, sulmojnë figurat e shenjtërisë shqiptare me të gjitha mjetet e mundshme, duke i shtrembëruar vlerat tona historike e kombëtare.
Lufta kryesore është e drejtuar kinse në ruajtjen e vlerave kozmopolite e tejet artificiale dhe me një demagogji perfide sulmet janë të orientuara drejt shkatërrimit të identitetit shqiptar. Sulmohet krenaria e lavdishme shqiptare në krye me Skënderbeun, lidhjet tona me perëndimin, figura madhështore e Nënës Terezë, traditat kombëtare, gjuha shqipe, kultura e jonë historike, Adem Demaçi, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Mic Sokoli, Hasan Prishtina, e gati se të gjitha figurat dhe vlerat tona kombëtare, të cilat i hesht edhe pushteti në Shqipëri dhe ai në Kosovë.
Për tërë këtë tragjedi kombëtare, për të cilën gazetarët shqiptarë ishin shitur te greku për një milion euro, siç dëshmoi shtypi i kohës, me të vetmin qëllim që ta shajnë rrugën e drejtë të shtetit amë dhe gjithçka që është me vlera të larta kombëtare, dhe nga ana tjetër ta mbrojnë Greqinë dhe Serbinë edhe për krimet më të mëdha që kanë bërë.
Mirë, kjo u pa botërisht, por po na del puna se edhe udhëheqësit e lartë shtetërorë heshtin për këtë tragjedi dhe nuk insistojnë që të krijohen mekanizma për ndëshkimin e tradhtarëve të kombit. Kjo ndodh pasi në këtë rrugëtim të krimit ndaj kombit shqiptar bëjnë pjesë edhe disa figura të udhëheqjes së lartë politike e shtetërore, për të cilën duket qartë, pasi një pjesë të detit shqiptar deshën t’ia shesin Greqisë, ashtu siç vepruan edhe qeveritarët e Kosovës me Çakorrin, pa menduar fare për të ardhmen e fëmijëve tanë, të cilët do t’i mallkojnë këta politikan brez pas brezi. Këta pushtetarë të shitur veprojnë përmes aparatit të tyre çudibërës dhe tejet denigrues ndaj asaj që është vlerë dhe pasuri kombëtare, duke u shitur tek armiqtë tanë dhe për çdo katrahurë politike ata gjejnë mekanizma idiotësh që të mbështjellin pisllëkun e tyre banal e antikombëtar.
Të gjitha shëmtitë antikombëtare i realizojnë përmes veglave të tyre, njerëz të afërt dhe me përgatitje të dyshimta shkollore e intelektuale. Disa tradhtarë shkojnë edhe më larg, saqë publikisht e thonë që shqiptarët duhet të formojnë dy gjuhë, dy kombe e pisllëqe të tjera. Kjo e keqe, para së gjithash ndihmohet edhe përmes mediumeve elektronike, portaleve dhe disa gazetave, kinse në emër të demokracisë, me të cilën duan të thonë se “janë të hapur për gjithçka” etj. Kësisoj duket qartë programi i disa televizorëve prestigjioze në Shqipëri, ku, nëpër debate dhe intervista të ndryshme gravitojnë plotë tradhtarë, “ intelektual” politikan e gazetarë të shitur. Të njëjtit kanë arritur që qenien tonë kombëtare ta marrin publikisht nëpër këmbë dhe me lehtësi juridike t’i përbaltin vlerat tona kombëtare. Por, më e keqja është se liderët tanë, në emër të një kozmopolizmi të rrejshëm e të shëmtuar, po zgërdhihen me vetveten, pasi rezilët e kombit nuk interesohen për asgjë, veçse për gjendjen e tyre ekonomike dhe atë familjare. Kjo luftë, me një intensitet të lartë, tregon qartazi vijën e zbatimit të platformës së Çubrolloviqëve dhe kjo e keqe shkon drejtë shpërbërjes së shqiptarëve si komb i lashtë, me vlera të mirëfillta dhe me një histori sa të dhimbshme, po aq edhe krenare, që mezi e ka ruajtur mëvetësinë shtetërore e kombëtare.
Kjo luftë e hapur dhe tejet degjeneruese prek rëndë dhe qëllimisht në degradimin moral të kombit shqiptarë në tërësi. Për këtë, pëmes disa mediumeve shqiptare, të paguara nga qarqet albanofobe, jo vetëm që e denigrojnë qenien tonë kombëtare, por, ata si mediume të fuqishme dhe me ndikim, vazhdimisht shqiptarët i paraqesin si njëmendësi kriminale e shpërndarës droge, të paqytetëruar e vrasës, që nënkupton për një popull si “ llumi i botës”.
Vallë, kujt i konvenon kjo?!… Vallë popujt tjerë të botës mos janë pa këto fenomene?!… Nëse kohët e fundit janë paraqitur këto fenomene ndër ne, te popujt tjerë këto fenomene janë ngritur shekuj më parë. Fundi i fundit, populli shqiptar në këtë drejtim ka qenë më i pastërti në Evropë e gjetiu, që do të thotë se, këto fenomene ndotësie janë marrë pas demokracisë nga popujt e tjerë. Kriminelë, prostituta, trafikantë droge e hajdutë ka në tërë botën, por dallimi është mu aty se, te popujt tjerë nuk kanë gazetarë dhe mediume që veprojnë në dëm të kombit të tyre dhe nuk shiten për interesa të të tjerëve. Ata, asnjëherë grupet e tilla nuk i veshin me petkun e qenies së tyre kombëtare, por i quajnë si raste individuale e të izoluara, e jo t’ia veshin dhe ta përbaltin qenien e tyre dhe pasurinë e tyre shpirtërore e kombëtare me këto fenomene të ulëta të një grupi njerëzish.
Qëllimi i krejtë kësaj është që masa e shëndoshë dhe shumica e popullit tonë të mos ndjehen krenarë e të respektuar me vetveten, por të zbehet ndjenja për historinë e lavdishme të kombit tonë, të humbim edhe ndjenjat familjare si një bërthamë e shenjtë në qenien tonë të tërësishme.
Përveç se në Shqipëri e Kosovë që veprohet kësisoj, kjo ndjenjë e keqe ka filluar të ndjehet edhe te disa shqiptarë poltronë edhe në Maqedoni, të punësuar nëpër disa ministri si vasalë të pushtetit maqedonas, që asnjëherë nuk e çelën gojën për ndonjë interes më të imët për kërkesat e shqiptarëve. Të njëjtët shajnë politikanët dhe popullin e vet, vetëm e vetëm që të duken se brengosen për shqiptarët pse nuk përparojnë si të tjerët. Por, për fat të mirë nuk janë shumë dhe veprimin nihilist e kanë të orientuar deri te çajtorja më e afërt e lagjes.
Për të gjitha këto fenomene që përmendëm, besoj se është koha për një zgjim të ri kombëtar, për vetëdijesim të nivelit të lartë njerëzor e human dhe të gjejmë mekanizma për ngritjen morale dhe intelektuale, që me çdo kusht ta luftojmë albanofobinë ballkanike, ta sistemojmë rininë në vendin atëror dhe me mekanizma adekuate ta shpëtojmë kombin tonë nga shkombëtarizimi, pasi armiku i brendshëm është më i rrezikshëm se ai i jashtmi.
Kjo nuk është zgjidhje e lehtë, kërkon kohë dhe punë serioze, pasi armiqtë tanë kanë depërtuar së vepruari nga brenda me njerëzit tanë të shitur, prandaj do zgjidhje permanente dhe të patjetërsueshme. Ky fenomen antikombëtar më lehtë zgjidhet përmes ligjeve të Parlamentit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Ligjet dhe dënimet të jenë të qarta dhe decide për ata të cilët qëllimisht prekin dhe baltosin figurat tona kombëtare dhe historinë shqiptare në tërësi. Po nëse dikush do t’i quante “ligje jodemokratike”, atyre duhet thënë pa droje: mos vallë është demokratike të hajsh bukën e Shqipërisë e të Kosovës dhe atdheun ta tradhtosh pas shpine për lekë të paguara nga e zeza albanofobi ballkanike!…. Por, nëse edhe udhëheqja e jonë politike mund të jetë e shitur dhe e sëmurë moralisht e kombëtarisht, atëherë duhet populli të zgjohet dhe t’i marrë interesat kombëtare në duart e veta, që ky popull të mos jetojë si skllev i kësaj politike denigruese e antikombëtare në shtetin e vet.
Kaq. Shkurtë dhe shqip.