Diferencimi i gruas si në familje ashtu dhe shoqëri, nuk çon kah zhvillimet demokratike… Realizimi i familjes demokratike është një ideal që synon demokracia. Arritja e këtij synimi është sprovë për demokracitë e vendeve të ndryshme të botës. Pa dyshim se kjo edhe do të arrihej nëse vihet në prioritetet e programeve qeveritare. Së pari do të duhej realizuar bashkëpunimi institucional me popullin, duke qenë vigjilent në të gjitha fenomenet që mund ta dëmtonin atë.
Askush nuk duhet ti mbyll sytë ndaj diskriminimit të gruas në familje
Jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e familjes demokratike në shoqëri. Por shpesh herë hapi ynë është tepër i vogël për jetësimin e demokracisë në familjet tona. Ideja që populli të ketë rolin udhëheqës, për herë të parë është paraqitur në Greqinë e vjetër. Krijimi i qyteteve shtete, ndikoi edhe në krijimin e institucioneve të para shtetërore, me qëllimin e tyre kryesor, përhapjen e një demokracie të drejtpërdrejtë në popull.
Nuk mund të thuhet se synimet për zgjerimin e demokracisë në masat e gjera, pati sukses në Greqi. Ende kishte prezencë të të shtypurve që e dëmtonte funksionimin e plotë të demokracisë. Për këtë edhe nuk mungonin kritikat ndaj qeverisjes. Por megjithatë në kontekstin e asaj kohe është bërë një hap i madh për njerëzimin, ngase demokracia vazhdimisht erdhi duke u formësuar.
Sot demokracia bashkëkohore edhe më tutje ka po këtë synim: ‘Që udhëheqësi të jetë në duart e popullit’, dhe të mos shkelen të drejtat e askujt. Që të mos bëhet shkelja e të drejtave të askujt, pa dyshim duhet të formulohen dhe zbatohen politika të qarta demokratike për shoqërinë.
Familja është institucioni themelor i shoqërisë. Formulimi i politikave familjare janë sprovë e politikës demokratike bashkëkohore, nga se pikërisht nga familja fillon edukimi demokratik i shoqërisë. Sot nga politika ende shumë pak është bërë, për edukimin e familjes demokratike. Për këtë flet numri i shtuar i shkeljes së të drejtave të gruas dhe fëmijës si dhe statistika e shkurorëzimeve familjare në vendet tani më me një traditë në demokraci. Në këtë rast të përmendim Britaninë e Madhe ku më 1994, 32 % të fëmijëve janë të lindur nga qifte pa statusin bashkëshortor, pastaj 47% janë në Danimarkë kurse 50 % janë në Suedi.
Diferencimi i gruas si në familje ashtu dhe shoqëri, nuk çon kah zhvillimet demokratike. Hapin e parë shteti demokratik duhet ta bëjë në formulimin dhe zbatimin e politikave në dobi të demokratizimit dhe mbrojtjes së familjes. Qeveria duhet të vejë theksin sidomos në edukim dhe emancipim të shoqërisë, që në vitet e para të fëmijërisë. Pasi që në edukimin e fëmijëve rolin kryesor e luan familja, atëherë do të duhej që nëpërmjet formave të ndryshme institucionale të vetëdijesohen prindërit e rinj për rëndësinë e edukimin e drejt të fëmijëve të tyre. Kjo p.sh. mund të arrihet me organizimin e kurseve të ndryshme edukuese nga kompetent të fushave të edukimit si dhe të sociologjisë.
Gjithashtu vetëdijesimi i prindërve të rinj mund të arrihet edhe nëpërmjet botimeve të ndryshme me karakter shpjegues dhe edukues, në mënyrë që shpërndarja e atyre botimeve të bëhet falas. Të drejtat gjinore në familje do të duhej të rregulloheshin me ligj. Kjo do të thoshte se, si gruaja ashtu edhe burri të kenë të drejtat e barabarta në çdo aspekt, në punësim, edukim të fëmijëve por edhe mbrojtje gjyqësore e sociale. Sanksionimi i shkelësve të rregullave ligjore, do të rriste përgjegjësitë e shtetasve. Në vazhdimësi kjo do të sillte edhe rezultatet të pa mohueshme, në edukimin kontinuel të familjes dhe shoqërisë demokratike në përgjithësi.
Shteti, shoqëria civile dhe tërë potenciali intelektual duhet të investojnë në edukimin, që do të arrihej vetëm nëpërmjet politikave të zbatueshme dhe prosperuese. Shtetet me demokraci të reja e sidomos ato në tranzicion, kanë një shkallë më të lartë të vështirësive organizative në zbatimin e politikave demokratike. Por kjo duhet të arrihet me vendosmëri, nëpërmjet mënyrave të ndryshme senzibilizuese, duke u inkuadruar edhe të gjitha institucionet shtetërore e jo shtetërore pa dallim. Askush nuk duhet ti mbyll sytë ndaj diskriminimit të gruas në familje.
Shteti demokratik nëpërmjet strukturave të tija duhet të zgjeroj ekonominë e tregut, nga e cila familja do të përfitonte. Çdo familje që ushtron ndonjë biznes, sa do i vogël apo i madh qoftë, shteti duhet tu ofrojë stimulime dhe ndihma të ndryshme koncesionale. Kjo do të rriste produktivitetin në prodhim dhe punësimin edhe të anëtarëve tjerë të familjes, duke ndikuar në mirëqenie familjare. Kurse familjeve pa ndonjë të punësuar, duhet tu ofrohet ndihmë sociale duke ndihmuar edhe në shkollimin falas të ndonjërit nga anëtarët e saj, që do të ndikonte në rritjen e kualitetit jetësor.
Realizimi i familjes demokratike është një ideal që synon demokracia. Arritja e këtij synimi është sprovë për demokracitë e vendeve të ndryshme të botës. Pa dyshim se kjo edhe do të arrihej nëse vihet në prioritetet e programeve qeveritare. Së pari do të duhej realizuar bashkëpunimi institucional me popullin, duke qenë vigjilent në të gjitha fenomenet që mund ta dëmtonin atë.
Marrëdhënie të mira, si dhe ndarja demokratike e punës në familje, do të sillte harmoni në familje, duke sjellë edhe edukim të shëndosh te fëmijët. Familja e vërtetë demokratike do të jetë vetëm atëherë kur të realizohet bashkëpunimi i barabartë i punës në mes burrit dhe gruas.
Prishtinë, 15. 05. 2010
~ ) Referencat janë të hequra nga autorja.
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, në Prishtinë.