ELIFE LUZHA: LIBRIN NUK E LEXOVA POR E JETOVA!

Një mendim rreth librit të autorit Adrian Dule “Monologu i peshkut të kuq”. (Disa ditë librin e mbajta afër vetes. Kah do që ecja e shihja me bisht të syrit. Hëmmm. Njeriu edhe mund të ketë frik nga librat! Po unë frikohem nga kjo libër? U tremba nga ato që më vërtiteshin në kokë. Fillova të lexoj. U thellova aq shumë sa që më kujtonin vetëm lotët që mi verbonin sytë. Përshkrimi që i ishte bërë femrës nga autori mi shpupuriti ndjenjat. Herë ndjehesha si valë deti që arrin shkëmbinjtë e lartë, e herë agavi në mesin e tyre. “Kot rrojmë pa femra” fliste autori duke mos qenë i sigurt nëse urrejtja për femrat gjyshit të tij, ja kishte shtuar dashurinë për çiften?!)
Të gjitha tragjeditë njerëzor ndodhin atëherë kur dëshpërimi vret arsyen!
Ka më shumë se një orë që llomotis me veten apo me shoqen nuk e di. Gjithsesi para meje qëndron shoqja ime e cila herë-herë më bënë pyetje sikur për të më kujtuar që të shpraz mllefin me ndodhitë e mia të pafund. Thuaje të keqen me zë. Mos lejo të pështillet si lëmsh i koklavisur në trupin tënd. Nxirre jashtë si gjënë e pavlerë. Mos prit të të hedh ajo ty mish për dosa!!! mu kujtuan fjalët e thëna të një mikeje nga Tirana, deri sa unë po flisja me vete apo me shoqen nuk e di? Herë qeshja e herë qaja por gjithsesi flisja – flisja pa i lënë asaj vend për koment. U lodha. Ora kishte vajtur vonë, e une ende isha në shtëpinë e saj. Ajo më dëgjonte me sy si të harlisur, por memec. Nuk i lexoja dot ata sy. Ishin si universi si vet shpirti i shoqes time. A mund ta lexosh universin?!
Njerëzit kanë hallet e veta, më erdhi nga larg zëri i sime mëmë. Të gjithë bëjmë jetë bijooo, më thoshte shpesh e cila me tërë qenien participonte jo vetëm në hallet e bijëve të saj që nuk ishin të pakta por edhe në hallet e botës. Në moment u ngrita në këmbë sikur të isha trembur nga tmerret e kthinave të jetës, pa blerim a dritë vezulluese. Ik, i thash vetes. Mos jua dimëro beharin të tjerëve. Universi, ka edhe behar. Ja sytë e shoqes tënde jeshilojnë behar. Apo siç thotë Adrian Dule “Çdo gjë është aty (tek sytë) qoftë e largët apo e afërt”. Sytë përcaktojnë vet karakterin e njeriut thotë ai. Ik dhe kërko behare jeshile i thash vetes. Pranvero me zë bilbilash e luleje, dhe nga dritë e syve tu të vezullojë jeta. Eca. Isha tek dera kur shoqja më përqafoi në ndarje, duke me zgjatur një libër. Lexoje. Është libër i mirë më tha. E mora me mirësjellje. Çfar befasie! Unë për beharin e në dorë më ra zjarri. Koresta e librit me ngjyrë të kuqe dhe portokall sikur mi shkrumboi duart. Një rrotë me sy të zi në mes, dukej sikur po zjarmonte në sjelljen e saj duke kërkuar dritë! Herë më dukej si rrotë e herë si diell, që flakëronte prush ngase shpirti ju kishte bërë katran. Ah bela. Çfarë do ketë kjo libër? Nuk dua më zjarre! As prush! As katran! U përshëndeta me shoqen duke i premtuar se do ta lexoj librin e preferuar nga ajo.
Disa ditë librin e mbajta afër vetes. Kah do që ecja e shihja me bisht të syrit. Hëmmm. Njeriu edhe mund të ketë frik nga librat! Po unë frikohem nga kjo libër? U tremba nga ato që më vërtiteshin në kokë. Fillova të lexoj. U thellova aq shumë sa që më kujtonin vetëm lotët që mi verbonin sytë. Përshkrimi që i ishte bërë femrës nga autori mi shpupuriti ndjenjat. Herë ndjehesha si valë deti që arrin shkëmbinjtë e lartë, e herë agavi në mesin e tyre. “Kot rrojmë pa femra” fliste autori duke mos qenë i sigurt nëse urrejtja për femrat gjyshit të tij, ja kishte shtuar dashurinë për çiften?! Virtytet njerëzore si zemërgjerësinë, butësinë apo sinqeritetin, guximshëm autori ia atribuon femrës. Femra nuk ka kënaqësi të mund një mashkull, thotë ai, përveç kur ndjehet e shkelur prej tij. Të luftosh dhe të zhbësh është femërore, e femra zhbënë vetëm në emër të identitetit të saj, duke e skeletuar veten për ti treguar mashkullit se sa e dashuron. Oh, më në fund. Bërtita. Dikush po e kuptoka qenien femër.
Jemi shumë të vetëdijshëm dhe prezent në përditshmërinë tonë se të kërkuarit falje paragjykohet si përulje apo shprehje dobësie, pa hyr fare në analizën e asaj që do ti thonim kritere të mirësjelljes njerëzore, ku dhe qëndron madhështia e të kërkuarit falje. Femra, thotë Adrian Dule di të kërkojë ndjesë, duke e bërë mashkullin të ndihet keq, edhe pse ai pak më parë e ka bërë atë që të ndihet shumë më keq. Kurse ne meshkujt, shprehet autori – mbjellim fatkeqësi dhe presim të korrim kënaqësi në kurriz të tokës femër.
Duke e përkufizuar moralin si këpucë me numër më të vogël se këmba, me të cilat njeriu ecën pa i menduar plagët që i shkaktojnë ato, autori vë pikën tek ajo që ai e quan moral absurd. Pikërisht dhunimi i vetvetes nga ana e dy femrave personazhe të autorit (brunja dhe biondja) për hir të normave të moralit patriarkal absurd, i kishte sjellë ato deri tek kriza e identitetit. Ato po jetonin në ferr për së gjalli, shprehet ai. Bruneja ishte zgjedhur nga bashkëshorti qysh kur ishte e njomë në moshë. E bukur dhe e virgjër që ta rriste vet sipas tij. Ashtu duhej të ishte gruaja e tij. Përderisa vet ishte dashuruar në prostitut! Vendimi i “Brunes” për të mos u rrënuar nga dëshpërimi, kapluar në jetën bashkëshortore dhe për ti dhënë drejtim jetës, duke kërkuar dashurinë e pa shijuar deri atëherë merrej si imorale. Përderisa mënyra se si sillej burri me te merrej si morale!!! Autori me të drejtë këtu lëshon një klithmë si zë alarmues për të gjitha femrat e dërmuara nga dëshpërimi: ”Në djall të vejnë normat e këtij morali absurd”…!
Brunen dashuria e shpëton nga dëshpërimi. Nuk kishte si të veproje ndryshe Ishte e detyruar. Andaj dhe nuk kishte pse ti nënshtrohet gjykimit moral. “Nuk ka dhunë më të madhe për femrën se sa të mos ndihet femër” flet autori. Të gjitha tragjeditë njerëzor ndodhin atëherë kur dëshpërimi vret arsyen. Femra bashkëshortore kalon vrarje shpirtërore të cilat mashkulli nuk arrin ti kuptojë. Në gjendje të tillë ideja e vetëvrasjes është shpëtimi nga kushtet, bashkëshorti, madje edhe fëmijët, shprehet ai. Personazhin femër, autori e personifikon si qenie me plot ndjeshmëri e sensualitet. E zonja edhe për vendime me kthesa të thella, siç e përshkruan autori me plot kolorit vendimin e marrë nga dy femrat për të mos u rrënuar nga dëshpërimi, por për ti dhënë drejtim jetës.
Shpeshherë në vepër hasim në pyetjen që autori shtron përmes personazheve lidhur me çështjen e të pasurit shpirt. Po nuk pate shpirt, thotë ai – nuk ke as gëzim e as dhimbje. Të pasurit shpirt do të thotë të kesh shumë dashuri në zemër. Duhet vlerësuar shpirtin. Kush e vlerëson shpirtin ndalon vrapin e ulet në heshtje ta pres atë, shprehet autori, duke vërë gishtin për vrapin e pakontrolluar të grykësisë njerëzore, që e bënë të harroj çdo gjë madje edhe vet shpirtin e tij, të peshuar çdo ditë e më shumë nga jonjerëzorja. Jetojmë në planetin tokë, apo në “folenë e njerëzimit” siç do shprehet autori. Por qenia njeri aq sa është e bukur dhe komplekse aq është edhe mistere. “Askush nga njerëzit nuk merret me ty kur përsiatesh me veten, ata nuk durojnë ti gjykosh arsyetimet e tyre, vazhdon ai. Të trajtojnë siç duan vet, pa kuptuar se pa dashje të vrasin”. “Njohja me shpirtin njerëzor të bënë bishë” shprehet autori, nëpërmjet monologut me peshkun e kuq.
Këtu bënë dallim vetëm artisti, që pranon vetëm vlerësimin e kurrsesi edhe mëshirën, edhe pse të jesh dorë artisti sot është vështirë të mbijetosh. Vetëm dora për të nënshkruar afera korruptive mbijeton, në absurditetin dominues të kohës. Autori me mjeshtëri të paparë përshkruan të keqen që ka pllakosur botën njeri, duke bërë një krahasim me kafshën qen. Qeni thotë ai, ka vetëm një të metë nuhatjen e erërave të qelbura. Kurse njeriu ka të meta pafund. Jo vetëm ky krahasim, por edhe shpjegimet tjera bërë nga autori, me koloritin e ndjeshëm prej artistit, të sjellin dyshimin në atë që do ti thonim ardhmëri e lumtur njerëzore. Megjithatë autori e identifikon shpëtimin e njeriut. Ai mund të vie nga motivi. Po pate motiv, mund ta mbijetosh edhe më të keqen shprehet Ardian Dule.
Të mahnit koloriti artistik me të cilën autori përshkruan gjithçka që e rrethon. Andaj dhe vetmia e tij është e pa vetmuar shprehet ai, duke i dhënë shpirt edhe kolltukut i cili e lut njeriun të mos largohet nga shtëpia sepse ajo (shtëpia pra) pastaj i hakmerret atij. Me këtë sipas mendimit tim, autori ka arritur kulmin e përshkrimit artistik. Ikja pajetëson çdo gjë. Me largimin nga shtëpia që simbolizon përkatësinë, identitetin e ngrohtësinë familjare, pason shkatërrimi e zhbërja, duke mbetur edhe goja pa gojë – siç thot autori.
Ja, erdha në fund. Librin nuk e lexova por e jetova. Në pamundësi për të llomotitur para shoqes time, dhe për ti dhënë mendimin, po shkruaj. Pyetjen e parë që i bëra vetes pas leximit të këtij libri është: A kanë ndryshuar vallë sytë e mi? A duken grimca behari në ta? Nuk e di. Di vetëm një gjë: ta falënderoj këtë autor artist që me këtë libër më motivoi edhe për të shkruar. Universi është i të gjithëve dhe për të gjithë, do të shprehej psikologja Louise Hay. Duhet kërkuar për tu ndjerë rehat me ngjyrën e syve tanë, do të shprehej autori Adrian Dule.
Prishtinë, 23. 05.2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura