IRFAN BOJAXHIU: ҪFARË SHKENCE ËSHTË LOGOPEDIA

Pashtriku.org, 03. 02. 2014 – Në tetor të vitit 2006 në Prizren është hapur Ushtrimorja Humanitare për korrigjimin e të folurit të personave të cilët kanë probleme apo pengesa në të folur siç janë: belbëzimet, të folurit me hundë (nazal), mosartikulimi i tingujve fonetikë, të folurit me ngecje, të folurit e keq, e shumë pengesa të tjera. Ushtrimorja punon në lokalet e restorant “Sharrit” në lagjen Ortakoll të Prizrenit, të cilën e ka hapur dhe e financon humanisti i nderuar – pronari i restorantit Jahir Hasani, ndërsa shërbimet i kryen defektologu me përvojë profesionale mbi 50 vjeçare, Irfan M.Bojaxhiu. Në këtë qendër – ushtrimore janë trajtuar dhe mjekuar shumë persona nga Kosova, Shqipëria dhe mërgata jonë. Me këtë rast luten të gjithë prindërit, arsimtarët dhe të gjithë ata që kanë probleme me të folurit, të paraqiten në këtë qendër humanitare. Kontaktin me defektologun I.Bojaxhiu mund ta bëni në adresën elektronike: [email protected] ose në mob: 00377-(0)44337008. (sh.b)
* * *
LOGOPEDIA SI SHKENCË SHOQËRORE

Fjala logopedi përbëhet prej dy fjalësh me prejardhje nga greqishtja dhe ato janë: logos-fjalë dhe paidei-edukim që nëse i analizojmë dhe i komentojmë këto dy shprehje do të thotë edukim i fjalës ose i të folurit. Logopedia konsiderohet si një ndër shkencat më të vjetra dhe zanafillën e ka prej kur është krijuar edhe të folurit, por deri vonë nuk është emërtuar me këtë emër. Disa autor vërtetojnë se të folurit ka filluar të krijohet para njëqindmijë viteve dhe të shkruarit para pesëmijë viteve, por data e saktë askund nuk përmendet. Logopedia edhe në atë kohë ka kontribuar që të folurit të zhvillohet në atë nivel si e ka kërkuar koha e zhvillimit të tij. Në të folur bëjnë pjesë të folurit oral-gojor dhe shkrim-leximi. Dihet shumë mirë se të folurit është produkt individual dhe shoqëror. Njeriu të folurit e mëson nga rrethi shoqëror dhe kursesi ndaras prej tij. Për të ilustruar këtë që u tha, po japim një shembull i cili tregon se baza e zhvillimit të të folurit është kryesisht rrethi shoqëror (familja), shkolla, rrethi shoqëror ku luan dhe argëtohet fëmija e të tjerë.

– Irfan M.Bojaxhiu, defektolog –

Tregohet se në vitet 1194-l250 ka qenë një perandor i quajtur me emrin Frederiku i II’të, i cili zotëronte shtatë gjuhë botërore. Ai pat bërë disa përpjekje për të ditur se cila gjuhë e njeriut është më e vjetër. Për t’ia arritur këtij qëllimi, mori një numër fëmijësh të kombeve të ndryshme dhe të rretheve gjuhësore të ndryshme. Të gjithë këta fëmijë i vendosi në një vend duke ua besuar disa mëndeshave-dadove. Mëndeshat morën urdhër të prerë dhe rigoroz: “Fëmijët duhet të ushqehen dhe tu sigurohen të gjitha standardet e nivelit më të lartë, por me ta të mos flitet asnjë fjalë vetme”.Kështu edhe u veprua. Fëmijët jetonin në një luks të madh, por me ta asnjë fjalë e vetme nuk flitej. Me këtë perandori donte të dinte se me cilën gjuhë janë të lindur këta, si do të zhvillohen ata fëmijë dhe cilën gjuhë do ta flisnin kur të flasin. Do të flasin gjuhën hebraishte si gjuhë më e vjetër, greqishten, latinishten apo arabishten ose do ta flasin gjuhën e prindërve të tyre. Ky eksperiment dështoi ngase të gjithë fëmijët vdiqën.
Sipas shkrimeve të filozofit të njohur Herodotit thuhet se një eksperiment i këtillë është bërë edhe nga një faraoni egjiptian i quajtur Psametiku i I-rë në shekullin e VII-të paraKrishtit. Pra gjuha ose të folurit si diçka specifike e njeriut i ka magjepsur njerëzit që nga kohët më të vjetra. Të folurit është një fenomen që e kanë pasur privilegj vetëm njerëzit dhe asnjë gjallesë tjetër në këtë botë. Të mendojmë se si kishte për tu dukur njerëzimi sikur të mos e krijonte të folurit. Pa të folur nuk mendohet as zhvillimi mendor, as intelektual, shkencor dhe kulturor. Si çdo organ i trupit të njeriut që mund të dëmtohet nga ndonjë sëmurje ose nga ndonjë e metë anatomiko-fiziologjike, edhe të folurit nuk mund të zhvillohet tek të gjithë njerëzit njësoj. Në zhvillimin e të folurit bëjnë pjesë shumë organe si që janë:
– aparati i dëgjimit,
– aparati i artikulimit të të folurit,
– gjendja shëndetësore,
– aparati i frymëmarrjes,
– kultura gjuhësore e rrethit dhe shumë faktorë të tjerë.

Për të eliminuar disa nga të metat apo defektet e të folurit është krijuar një shkencë e cila merret me këto probleme dhe quhet logopedi, kurse personi i cili merret me zbatimin e parimeve, metodave dhe rregullave të saj quhet LOGOPED ose logopedist. Logopedia si çdo shkencë, edhe kjo i ka parimet e veta, metodat e punës praktike, metodat e zbulimeve të dëmtimeve të të folurit dhe metodat e zbulimeve shkenore. Detyrë kryesore e shkencës logopedike është: korrigjimi i pengesave të të folurit dhe zërit.
Nëse detyrat e logopedisë i skematizojmë do të dukën kështu:
1. Vërtetimi dhe klasifikimi i çrregullimit të të folurit,
2. Hulumtimi i shkaqeve të çrregullimit të të folutit,
3. Gjetja e metodave për eliminimin ose korrigjimin e pengesave të të folurit dhe zërit,
4. Zbulimi dhe evidentimi i personave me pengesa të të folurit,
5. Bashkëpunimi me profesionist të tjerë me qëllim të rehabilitimit të personave me pengesa në të folur,
6. Bashkëpunimi me prindërit e personave me pengesa të të folurit dhe zërit,
7. Organizimi dhe ndihma profesionale që do tu jepet edukatorëve dhe të gjithë atyre që kanë të bëjnë punë me fëmijë,
8. Organizimi i seminareve dhe simpoziumeve për personelin edukativë dhe arsimor,
9. Aftësimi i kuadrove të cilët do të punojnë në ngritjen profesionale duke aplikuar metoda të reja logopedike e të tjera.

– Pengesat në të folur –

* * *
Si theksuam më lartë, edhe në të folur paraqitën disa pengesa ose defekte të cilat të folurit e bëjnë të pa qartë dhe të pakuptueshëm sikurse që paraqiten edhe sëmurjet e tjera në organizmin e njeriut. Këto pengesa ose të meta të të folurit kërkojnë tretman ose mjekim logopedik sikurse sëmurja që kërkon mjek dhe medikamente, prandaj unë këto pengesa në të folur do t’i quaja sëmurje të të folurit të cilat mjekohen me metoda të cilat i aplikon logopedia. Pengesat në të folur janë të shumëllojshme dhe çdo pengesë është individuale.
Kryesisht pengesat mund të jenë:
– belbëzimet,
– ngecjet në të folur,
– çrregullimi i artikulimit të tingujve,
– çrregullimet e shkrimit dhe leximit,
– vonesa në të folur,
– agramatizmi,
– patologjia e të folurit,
– të folurit e pazhvilluar e shumë pengesatë ndryshme
.
Gjatë praktikës time mase dyzetvjeçare kam vërejtur se në çdo klasë të shkollave fillore ka nga 1, 2 dhe 3 nxënës të cilët kanë nga ndonjë pengesë të këtij lloji. Është shumë interesante se shumica e prindërve nuk dinë se fëmija i tyre ka pengesa në të folur dhe as që u intereson ky problem.
Po ashtu kam hasur edhe në prindër të cilët nervozohen kur u tregon duke e mohuar të metën e fëmijëve të tyre, ngase u vjen turp pse fëmija e tyre e ka këtë të metë. Në çdo mënyrë disa prindër mundohen që ta mëshefin të metën e fëmijëve të tyre. Të mos mund të shprehesh me të folur është gjëja më e rëndë, e sidomos kur nxënësi është shumë inteligjent, por nga pengesa që ka nuk mund të shprehet para profesorit ose para mësuesit. Kjo i ngjanë momentit, kur garuesit janë gati për të vrapuar, por atyre ua lidhim këmbët dhe i urdhërojmë që të vrapojnë. Këtë vështërsi mund ta përjetoj vetëm ai person i cili ka pengesa në të folur.
Më vjen shumë rëndë dhe keq ta përmend edhe një dukuri lidhur me kolegët e mijë mësues. Prindi e sjell fëmijën tek unë pasi e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull me të folurit e fëmijës së vet. Nxënësi është në klasën e katërt. Gjatë testimit të tij, konstatohet se i mungojnë rrafsh l2 tinguj që nuk i artikulon fare ose disa prej tyre i zëvendëson me të tjerë si: Rr-L, Dh-Ll, K-l, S, Sh, Z, Zh, Q, Ç etj., nuk i ka të formuar fare. Nxënësi thotë se është i shkëlqyeshëm. Kur e pyes babain se a ka biseduar me mësuesin për këtë problem, ai më thotë se nuk ka biseduar. Nuk e di si ka lejuar mësuesi që t’i përvidhet ky problem kaq i madh.
* * *
Do t’ua tregoj edhe një rast, edhe pse gjatë praktikës time, kam pasur shumë raste të ngjashme. Isha në një dasmë të fshatit; të gjithë të pranishmit qesheshin dhe ishin të gëzuar. Në një kënd vërejta një djalosh i cili kishte l7-l8 vite. Iu afrova dhe fillova ta pyes se i kujt ishte pasi i njifsha të gjithë të moshuarit në atë fshat. Ai u skuq si speci dhe me një të folur të keq me nazalitet të rëndë mu përgjigj duke ma treguar emrin e prindit. E kuptova pse po rrinte i vetmuar. I propozova që të vij një ditë tek unë dhe të shikoj se çka mund ti ndihmohet. Kur ai erdhi, s’bashku me te shkuam tek Otorinolaringologu për të vërtetuar a janë në rregull organet e artikulimit gjegjësisht të folurit. Mjeku, pas ekzaminimit më tregoi se është plotësisht në rregull. Filluam ushtrimet logopedike dhe për një javë pune u muar vesh përparim i dukshëm. Punova me te më se një muaj e gjysmë dhe djaloshi plotësisht u shërua. Pas afër një viti u pamë rastësisht në rrugë, mu afrua dhe më tha: “Ma ke shpëtuar jetën dhe ma ke kthyer për 180 shkallë për së miri, shpesh kam menduar shumë keq për vete, deri edhe në vetëmbytje, tash kam pse të jetoj i kënaqur; po bisedoj lirshëm me shokë e shoqe me të cilët nuk kam mundur të bisedoj asnjëherë”. Ky ishte vetëm një rast në mes të shumë rasteve të ndryshme.
* * *
Diçka për historikun e logopedisë
Më sipër theksuam se logopedia është një ndër shkencat më të vjetra e cila është zhvilluar së bashku me të folurit, por siç kemi thënë, ajo është emërtuar me emra të ndryshëm që disa prej tyre do t’i përmendim në vijim. Po ashtu më sipër kemi thënë se logopedia përbëhet prej dy fjalëve me prejardhje nga greqishtja dhe ato: logos-fjalë dhe paideia-edukim që do të thotë edukim i fjalës apo të folurit. Ky përkthim është bukval, por sipas rolit që ka logopedia në të folur, do të themi se logopedia është shkencë shoqërore e cila trajton pengesat apo patologjinë e të folurit dhe zërit. Dihet mirëfilli se të folur është edhe shkrim-leximi i cili shprehet me anë të simboleve të quajtura germa ose grafema me të cilat fjalën e folur e paraqesim grafikisht në letër. Të gjithë personat të cilët kanë pengesa në të folur quhen logopat apo persona me pengesa ose të meta në të folur. Logopedia është shkencë shoqërore ngase kjo ka të bëjë me problemet e pengesave të të folurit dhe zërit pa të cilët nuk mund të egëzistoj një shoqëri njerëzore. Pos kësaj, logopedia është e lidhur ngushtë edhe me disa shkenca të tjera shoqërore si që janë:
– pedagogjia speciale,
– pedagogjia e përgjithshme,
– sociologjia,
– fonijatria,
– fonetika,
– gramatika,
– psikiatria,
– otorinolaringologjia,
-fiziologjia dhe anatomia e njeriut,
– psikologjia speciale dhe ajo e përgjithshme,
– psikologjia fëmijërore e shumë shkenca të tjera shoqërore.

Në kohërat më të vjetra e sidomos në Greqi ka qenë shumë e zhvilluar oratoria, kështu që gjuha e folur ka pasur shumë rëndësi. Çdo perandor i asaj kohe, në radhë të parë duhesh të jetë orator i mirë dhe i aftë e pastaj edhe perandor. Pasi të folurit ka qenë primar për zhvillimin shoqëror të atëhershëm, të folurit në atë kohë është klasifikuar si një ndër artet më të bukura dhe është quajtur REGINA ARTUM që në gjuhën shqipe do të thotë: “MBRETRESHA E ARTEVE”.
Një perandor i asaj kohe i quajtur Kvintilijan për të folurit thotë: “Të folurit është dhurata më e madhe që Zoti i pavdekshëm ia ka falur njeriut”. Me oratori në ato kohëra nuk janë marr vetëm perandorët, por edhe të gjithë njerëzit të cilët kanë pasur punë me popullatë siç janë oficerët ushtarak, filozofët, shkencëtarët dhe të gjithë shtetarët. Për të qenë orator i mirë duhet që të folurit të jetë i mirë, prandaj shkenca e cila e kultivon të folurit quhet logopedi. Logopedia si shkencë është aplikuar edhe më herët që do të thotë në kohën më të hershme duke kultivuar të folurit e bukur, por hovin më të madh e arrin në shekullin e V-të para erës së re. Në vitet 436-338 p.e.re. një mësues grek i oratorisë i quajtur Isokrates e ka ushtruar Demostenin, oratorin më të madh të të gjitha kohërave i cili ka belbëzuar që nga mosha pesëvjeçare.
Deri në vitin l905 me ushtrimin e logopedisë kryesisht janë marrë psikologët, mësuesit, otorinolaringologët, filozofët dhe foniastët. Në vitin l905 një mjek gjerman i ORL’së i quajtur Gucman Herman e ka hapur në Berlin një repart për mjekimin e personave me pengesa në të folur dhe ai repart është quajtur reparti i foniatrisë dhe prej këtu fillon hapi i parë i organizuar i punës logopedike.
Poashtu në vitin l913 hapet në Vjenë një shkollë e logopedisë në krye me Dr.Emil Froshelsomin dhe prej këtu fillon ndarja e logopedisë prej foniatrisë. Nga ky moment, foniatria merret me mjekësi, ndërsa logopedia merret me patologjinë e të folurit dhe zërit. Në vitin 1927 në Roterdam formohet biblioteka e parë në botë e logopedisë.
Tek ne logopedia ka filluar të aplikohet shumë vonë dhe pothuaj se edhe tash shumë prindër fëmijët e të cilëve kanë probleme me të folurit nuk dinë se ekziston një shërbim i tillë. Personi i cili merret me logopedi quhet logoped ose logopedist, ndërsa në disa vende të botës logopedi ka emër tjetër i cili i përgjigjet termit të gjuhës së atij vendi.
Në SHBA logopedi quhet: “Speech and Language terapist” (Terapeut i të folurit). Në shumë vende të Evropës logopedi quhet: “Speech and lonnguage patholog” (Patologist i të folurit). Në disa vende të tjera si në Japoni etj. “Speech Clinician” ( Ekspert klinik i të folurit) etj.
Edhe pse logopedia është shkencë e vjetër, në Kosovë pothuaj se fare pak dihet se ekziston kjo shkencë. Shumë prej prindërve të fëmijëve me pengesa në të folur nuk dinë fare se të folurit mund të korrigjohet dhe të bëhet normal. Fëmija, për një pengesë ose të metë të vogël në të folur duhet të vuaj gjatë tërë jetës, gjë që është mëkat i madh.
Në kohën e para vitit 1990 në Kosovë formuam një shoqatë të quajtur me emrin Shoqata e defektologëve të Kosovës me seli në Prishtinë. Kjo shoqatë kishte disa projekte shumë të mira lidhur me problemet e të gjitha kategorive të personave me pengesa në zhvillimin e tyre psiko-fizikë, por për fat të keq, shteti i atëhershëm nuk ishte fare i interesuar për këto projekte edhe pse në atë kohë kishim disa kuadro të pakta, por shumë kualitative dhe me zell pune. Shoqata llogariti se në Kosovë duhen më se 630 defektolog (pedagog special) për t’i mbuluar sado pak nevojat e arsimimit dhe edukimit special, por kjo hasi në vesh të shurdhër. Shoqata propozoi që pranë Fakultetit Filozofik të hapen disa degë si që janë: logopedia, surdopedagogjia, tiflopedagogjia dhe fizioterapia, por këto propozime nuk u realizuan. Po ashtu Shoqata propozoi që të hapet Fakulteti për pedagog special në Prizren, por edhe ky projekt dështoi. Përsa u përket kuadrove profesionale të pedagogëve special, Kosova është shumë e varfër. Edhe ato pak kuadro që kanë qenë para lufte, janë jashtë procesit mësimor. Disa prej tyre kanë shkuar në botën e jashtme, disa janë pensionuar, disa bredhin rrugëve si të papunë dhe një numër prej 9-l0 prej tyre punojnë. Shoqëria Kosovare nuk ka qenë fare e interesuar për këto kuadro. Fëmijët dhe rinia të cilët kanë pengesa psiko-fizike në një anë i ka dënuar Zoti dhe në anën tjetër po i dënon shoqëria. Numër i
vogël të këtyre personave janë përfshirë në ndonjë shkollë, por një armatë e tyre bredhin rrugëve pa ndihmën e askujt. Në pozitë më të vështirë janë fëmijët me probleme në të folur, për të cilët nuk kujdeset askush dhe as prindërit e tyre. Më sipër përmenda se popullata Kosovare shumë pak dinë se ekziston shkenca e LOGOPEDISË e cila merret me korrigjimin e të folurit dhe zërit dhe se në Kosovë ka disa logoped specialist për këtë lëmi, prapë prindërit për një pengesë të vogël që kanë fëmijët e tyre, nuk ndërmarrin asgjë për ta elimininuar atë. Kjo pakujdesi u kushton fëmijëve të tyre shumë shtrenjtë si në shkollë, po ashtu edhe në rrethin shoqëror. Fëmija nuk është fajtor për pengesën që ka, por prindi po, nga se nuk ndërmerr asgjë lidhur me mjekimin e fëmijës së tij. Si çdo sëmurje tjetër që kërkon mjekim, edhe të folurit, po ashtu kërkon mjekim.
Këtë mjekim si ceka më sipër e bënë logopedi-ekspert për të folur. Disa nga pengesat në të folur mund të eliminohen për një kohë të shkurtër, por ka edhe pengesa të cilat kërkojnë tretman /kohë/ më të gjatë. Disa prej prindërve kur i sjellin fëmijët e tyre në vizitë kërkojnë dhe shpresojnë që pengesa të eliminohet menjëherë, por kjo nuk është e mundur. Si çdo sëmurje tjetër që kërkon terapi, edhe puna logopedike kërkon kohë për ta mjekuar pacientin. Sa më herët që fëmija fillon të mjekohet nga pengesat në të folur, aq më herët dhe më me sukses do të përfundoj mjekimi. Kur sëmurja “vjetrohet” edhe mjekimi është më i gjatë dhe kërkon kohë më të gjatë. Logopedi nuk ka shkop magjik që ta largoj pengesën aty për aty, por do ta eliminoj me ushtrime dhe metoda logopedike. Disa nga pengesat mund te eliminohen edhe gjatë një seance të vetme, por kur pengesa është e madhe dhe e rëndë, ajo kërkon kohë dhe durim, por suksesi nuk do të mungon. Pasi nëpër shkolla ka numër të madh të nxënësve të cilët nuk i artikulojnë mirë tingujt fonetik edhe në shkrim-lexim kanë pengesa, por edhe ngecje në të folur, belbëzime të shkallëve të ndryshme, të folur me hundë (nazalitet) e pengesa të tjera. Është e këshillueshme që çdo shkollë ta ketë nga një logoped i cili do të punonte vazhdimisht në këto probleme. Pasi shkollat tona nuk i kanë kushtet e mira, atëherë do të ishte mirë që një logoped të punoj në dy-tri shkolla. Kjo do ta lehtësonte jo vetëm punën e mësuesve, por edhe të prindërve të cilët nuk do të kishin nevojë për dërgimin e fëmijëve të tyre në ato vende ku ka shërbim logopedik.

Prizren, 04. 01. 2014: Me defektologun Irfan M.Bojaxhiu

(në ambientet e Qendrës Humanitare ku punon çdo ditë).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura