Prishtinë, 8 nëntor 2019: … dhe tani, të nderuar të pranishëm, në nderim të dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, para jush do të jetë sopranoja e re e shumë e suksesshme Arta Jashari.
Ishte ky zëri i ëmbël i Sarandës që sot po udhëhiqte akademinë përkujtimore me rastin e rënies së dy dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
“UÇK-ja n’borë e n’shi po lufton për liri.
UÇK-ja n’shi e n’borë, po lufton për Kosovë”… ishte zëri i Jonës, i Visarit, i Gentit, i Jetës dhe i Artës të cilët po ia thoshin kësaj kënge me sa fuqi zëri që kishin. Po kush ishin këta ushtarë që po bërtisnin majë malesh së Cerknicës, një qyteze të vogël që varej mbi shpatullat e maleve alpine në shtetin e Sllovenisë.
Këta ishin fëmijët e tezes Sadete që kishte ardhur në vizitë te mikja e vet e përhershme që nga fëmijëria e tyre e pandashme… nuk i kishin ndarë as vitet ’90 kur shumë familje shqiptare të Kosovës kishin përjetuar eksodin e shpërnguljes nga vendlindja kah shtetet evropiane. Tezja Sadete ishte degdisur në Gjermani, ndërsa mikja e saj në Slloveni. Pesë vjet nuk kishin arritur të dinin për fatin e njëra-tjetrës. Dhe kur e rigjetën njëra-tjetrën ishin bëra nëna me nga dy-tre fëmijë.
Arta dhe Visari ishin dy fëmijët e mikes së saj të cilët të gëzuar i ishin bashkuar korit të hareshëm e “burrëror”, gjersa po këndonin himnin e UÇK-së me ca shkopinj në krahë që i kishin varur si armë. Ata mbushnin hapësirën e bardhë të maleve të Cerknicës! Tashmë ata e dinin himnin e UÇK-së, dinin të shkonin edhe në shkollën shqipe, dinin të dilnin edhe në protestat që i organizonin shqiptarët për çlirimin e vendlindjes së prindërve të tyre – Kosovës.
I dëgjonin lajmet dhe e shihnin tmerrin që ndodhte atje! Visari dhe Genti e Jona luanin me ushtarët amerikano-shqiptarë kundër ushtrisë serbe, ndërsa Arta dhe Jeta lexonin vjersha e këndonin këngë për Kosovën dhe gjyshet e tyre që jetonin aty brenda saj… luteshin që Gresa, Graniti, Flamuri e Dritëroi të shpëtonin nga katrahura e zjarrit që kishte pllakosur tërë Jugosllavinë e që pritej dita-ditës edhe Kosovën. E ndiqnin nënën Sadete këmba-këmbës kur ajo thërriste e vraponte natë e ditë për organizimin e të gjithë atyre djemve ushtarë, që përgatiteshin për t’i dalë zot mëmëdheut të tyre.
As Arta e as Jeta nuk bëzanin që nënat e tyre i shkëputnin nga lodrat fëmijërore dhe duheshin t’u bashkëngjiteshin grumbullit të madh të protestuesve në Aleksandër Pllac, në Cankarjev Dom, e kudo që mëmat e tyre vraponin për thirrje të atdheut bashkë me shumë e shumë të tjerë.
Nuk bëzanin dhe s’u varej buza në vaj as atëherë kur kalonte vakti i drekës dhe i zinte terri nëpër sheshet ku zhvilloheshin protestat, apo mblidheshin ndihmat në shërbim të ushtarëve të UÇK-së…
…Lulet nuk janë fryma ime. Legjendat këndoja me mall… ishte zëri i Artës që më shkundi nga këto kujtime të llahtarshme të atyre kohëve të dhimbshme për çdo frymë shqiptare.
… po ne që jemi sot, duhet ta ruajmë me sy shqiponjash lirinë e çdonjërit prej nesh, rëndësia e të cilit është dëshmuar me gjak nga dëshmorët e kombit tonë, në mesin e të cilëve janë edhe daja im, Afrim Zhitia dhe shoku i përpjekjeve të përbashkëta për çlirimin e këtij vendi, Fahri Fazliu.
– Nuk ka kompromise kur është në pyetje liria e individit, nuk ka kompromise kur është në pyetje liria e popullit shqiptar! Këtë na e dëshmuan daja im Afrim Zhitia dhe miku i tij i idealit, Fahri Fazliu, për të cilët jemi mbledhur sonte këtu të gjithë ne, me rastin e tridhjetëvjetorit të rënies heroike të tyre, që me armë në dorë e dhanë gjakun e tyre për këtë tokë, për tokën ku ka shkelur nëna ime… për tokën ku fëmijërinë e ka pasur edhe daja im, Afrimi.
… kështu po fliste Jeta sot në akademinë përkujtimore të dy dëshmorëve të kombit. Ata nuk ishin diku gjetkë, por këtu midis Prishtinës në atë ditë të 2 nëntorit 1989, në Bregun e Diellit, ku po këndonin himnin e UÇK-së dhe me armë në duar po luftonin një ushtri të tërë të armatës Jugosllave deri në frymën e fundit. Daja Afrim, 24 vjeç, e miku i tij, Fahriu, 26 vjeç.
As Jeta dhe Arta nuk ishin më majave të maleve alpine, as po e këndonin himnin e UÇK-së. Por, si dy vajza tashme të rritura, shtathedhura e dy bukuroshe syshkruara, po vinin si dy intelektuale të vërteta nga universitete evropiane. Arta nga Lubjana, Berlini e Prishtina, ndërsa Jeta nga Graci, Vjena e Munihu… ato ishin sot në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë këtu në Prishtinë dhe me përgjegjësi e emocion të veçantë po flisnin për dajën Afrim para gjithë atyre njerëzve që, nën organizimin e shoqërisë “Lëvizja”, ishin tubuar dhe në shenjë respekti e dashurie për këta dy të rinj, po përkujtonin çaste nga jeta dhe aktiviteti i tyre luftarak
Arta me tingujt e vet lirikë e mallëngjyes, e Jeta me oratorinë e saj prej një intelektualeje e filozofeje të re, sonte po i thurnin lavdi dajës së tyre, Afrim…
_____________________
Drejtpërdrejt nga Akademia për Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun
https://www.youtube.com/watch?v=2cRtfyIVZbU&feature=emb_title