NDERIM PËR DËSHMORIN ADEM BERISHA

Në 25 vjetorin e vrasjes!

NDERIM PËR DËSHMORIN ADEM BERISHA

Dëshmi prekëse e Bahrije Berishës – nënës së Dëshmorit Adem Berisha dhe e bashkëluftëtarit të Ademit, Jeton Krasniqi

Nga dr. Salih Krasniqi

Adem Berisha, 1963, 36 vjeçar, nga Dragashi. Nga burgu i Prizrenit policia e sjellë më 14.08.1998 në gjendje të rëndë në Spitalin e Prishtinës dhe pacientin e vendosin në Kujdesin Intensiv me diagnozën Dg: Comma cerebri. St. post cardiac arrest. ARDS. ARI. Crush syndrome. Shock traumatica.(Dridhje truri. Gjendje pas ndërprerjes së zemrës. ARDS.ARI. Sindroma Crush. Shok traumatik). Të gjitha këto diagnoza si duket janë nga rrahjet dhe keqtrajtimet që pësoj nga policia serbe. Pacienti që qëndroi në Kujdesin Intensiv për katër ditë nuk mund t’i përballoj këto lëndime dhe ndërron jetë. Pacienti vdes më 18.08.1998.

Gjatë qëndrimit në Kujdesin Intensiv pacienti ishte 24 orë nën mbikëqyrjen e policisë serbe i lidhur me pranga për shtrati. Nuk do koment se çka mund të bënte personeli mjekësor në këto kushte me këtë pacient. Për këto gjëra kemi lajmëruar për çdo ditë mjetet e informimit në gjuhën shqipe e më së shpeshti e kam lajmëruar të ndjerin Enver Maloku, përgjegjës i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK). Këto lajme më pas i shpërndanin në botë.

Dëshmia e nënës së Dëshmorit Adem Berisha, Bahrije Berisha

Pasi merr lajmin se djalin e saj, Ademin, milicia serbe ia ka dërguar në Spitalin e Prishtinës, nëna e Ademit, Bahrija shkon në Prishtinë. Duke pyetur njerëz të ndryshëm e gjen spitalin pasi ishte hera e parë që ishte në Prishtinë dhe thotë nuk dija se ku po shkoj.

“Roja te dera e Spitalit më pyeti se ku po shkon? I thash se e kam djalin, Adem Berishën, në operacion, por ai ku po e din kush është Adem Berisha? Më tha shko në katin e dytë. Kur shkova në katin e dytë një “shka” (serb ) më tha ku po shkon “majko”(nënë) mua. Po shkoj te djali im. Kush është ai? I thash është Adem Berisha. Adem Berisha tha! Po i thash Adem Berisha e unë jamë nëna e tij. Ai tha Adem Berisha terrorist, “mrsh” (largohu) më tha mua “bezhi” (ik) ma bëri kështë dhe më ka shtyrë shkallëve te posht dhe kam ra me kokë në shkallë ku e kisha qarë ballin. Më mbuloi gjaku fytyrën dhe gjoksin e u bëra krejt gjak. Rash te posht e s’po di kah me dal, kah cila derë. Një njeri më ka kap për krahu e më ka qitur në oborr. Më shkonte gjaku për hunde dhe nga balli dhe rrobat mu bënë krejt gjak. Po më shiqojnë e kurkush nuk po guxon me më than çka ke! E unë ju thash se hundët po më qesin gjak. Jo loke më tha njëri juve po ju qet gjak nga balli. Jo i thash hundët po më qesin gjak se më vinte marre me i than nga balli. Pak më larg ishte një nuse e re, një grua, e kishte pasur një shishe me ujë. Më tha oj loke laj syt se je ba krejt gjak e marre se po të shohin ndoj kush. Ndash bre bi le të më shohin, e i lava syt unë se isha krejt gjak. Kam bujt atje (në Prishtinë) pesë ditë. Kam shkuar për çdo ditë në Spital e me lyp gjak për Ademin. Kam gjet gjak me pare e ju kam dhënë s’po di ku…..

Dëshmori i Kombit Adem Berisha

Adem Berisha lindi në vitin 1964, në fshatin Buqe, komuna e Dragashit. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e lindjes dhe në Llopushnik, kurse të mesmën në Dragash.

Rrjedhë prej një familje atdhetare dhe qysh si i ri ka qenë i angazhuar për lirinë e Kosovës. Ademi bashkë me mua (Jeton Krasniqin nga i njejti fshat) kemi qenë të angazhuar dhe kyqur qysh nga viti 1994 dhe atë për përcjelljën dhe pritjen si dhe strehimin e ushtarëve të UÇK-së, të cilët kalojshin nga Shqipëria për në Kosovë dhe anasjelltas.

Dëshmitar të rastit dhe ngjarjeve kanë qenë edhe shokët tanë të pandashëm e më vonë edhe ushtarë të UÇK-së si: Naim Z Kryeziu dhe Salih Shala nga fshati Brezne, komuna e Dragashit si dhe shumë të tjerë nga rradhët e UÇK-së.

Kemi qenë të pandashëm si në paqë po ashtu edhe në luftë kundër një armiku shekullor të mbarë popullit shqipëtarë.

Në betejën e cila tani njihet si “Beteja e Buqes” me datën 27-28 korrik të vitit 1998, në këtë betejë Ademi ka dhënë kontributin e pamohueshëm dhe të veçant për mbrojtjen e shokëve, të cilët për atë kohë shkojshin për armatim në Shqipëri.

Në këtë betejë për LIRI A VDEKJE është vrarë komandanti serb Kapetani Bojan Deniq dhe është plagosur komandanti i Milicisë së atëhershme Rustem Agushi.

Në ditën kritike më 13 gusht 1998 na kanë arrestuar bashkë me Ademin të vendi i quajtur ”Tyrbje e Pllavës”, ku nga aty na kanë shoqëruar milicia për Prizren në Burgun e Qarkut

Gjatë rrugës duke shkuar për në Prizren jemi betuar dhe i kemi thënë njëri-tjetrit së më mirë është vdekja se t’i japim shokët e idealit.

Në burgun e atëhershëm famëkeq na kanë ndarë. Mua më kanë vendosur në katin e tretë, ndërsa për Ademin nuk di se ku e kanë vendosur.

Kemi qenë të maltretuaar në menyrën ma çnjerëzore për gjashtë ditë me rradhë sa që nuk kemi mundur të bejmë lëvizjen më të vogël, e kjo nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Pas gjashtë ditëve ka ardhur njëri prej komandosëve të burgut (shqiptar), ku e luta dhe shfrytzova rastin ta pyes edhe për Ademin ngase nuk dija asgjë për fatin e tij.

Ai shkurt më u përgjegj se Ademin e kanë mbytë, ku për mua ishte një goditje e madhe dhe shumë dëshpëruese, nuk i besoja fjalëve të tij (këtij komandanti).

Nga aty më transferuan në burgun ushtarak në Nish ku edhe u denova me gjashtë vite burgim.

Më 8 mars 2001 u lirova nga burgu.

Për Ademin jo vetëm unë si shokë i idealit por të gjithë qytetarët e Opojës kanë folur fjalë miradije se ka qenë një burrë i fjalës, besnik dhe një trim sypatrembur.

Pas lirimit nga burgu kam kuptuar të vertetën se Ademi vërtet nga lëndimet dhe turturat më ç’njerzore të barbarisë serbe është mbytur nga dora gjakatare. Edhe varrimi është bërë nën mbikqyrjen e UDB-së.

Rasti i cili më ka prekur dhe dua ta theksoj se familja e Ademit ka qenë e maltretuar dhe gjithmonë nën vezhgimin e UDB-së.

Edhe më prekëse për opinionin e gjerë ka qenë biseda me nënën e Ademit e cila kishte shkuar për ta vizituar në QKUK në Prishtinë ku përveç se nuk i është lejuar ta sheh me sy të birin e saj, ajo përjeton një dramë shumë të dhimshme se nga reparti ku ishte shtrirë Ademi ajo nga përsoneli mjekësor i asaj kohe përveç maltretimeve dhe fyerjeve më të ndyra dhe barbare shtyhet me forcë dhe bjen nëpër shkallët e repartit ku me atë rastë pëson lëndime të rënda trupore.

Ajo në ato çaste edhe pse ishte e lënduar dhe e fyer në një masë të papërshkruar nuk ndiente dhimbjet me të vetmën dëshirë që ta sheh birin e saj, por ishte e pamundur. Malli për Ademin kurrë nuk do të më shterrej thoshte ajo.

Nëna e Ademit ju drejtohet me këto fjalë: “Nuk është vetëm biri im, por ADEMA ka mjaftë KOSOVA”

Ndihem krenare që edhe unë pata rastin ta rris dhe ta edukoj e në fund të ia fali Kosovës.

Rroft Kosova! Rroft populli Shqiptar, ishin fjalët e fundit të bisedës me të.

Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për dëshmorin e kombit, Adem Berisha 🤝

***

Plotësim

ADEM BERISHA NUK ISHTE USHTAR I “BRIGADËS 128”!

“Gjenerali” i “Brigadës 128 me 4 batalione imagjinare” Ruzhdi Saramati, në pllakën e mermertë në Memorialin e dëshmorëve në Gorozhup, e ka futur edhe Adem Berishën, si dëshmor i kësaj “brigade”. A është e vërtetë se Adem Berisha ishte ushtar i “Brigadës 128”? Jo nuk është në asnjë rrethanë e vërtetë! Ashtu siç nuk ishte as prof. Ruzhdi Berisha dhe shumë dëshmorë të tjerë të skalitur në këtë memorial të gjeneralit!  

_________

  • Ilustrime: Dëshmori Adem Berisha (në ballinë), Nëna e tij Bahrije Berisha dhe Memoriali i dëshmorëve në Gorozhup, në foto i rrethuar me ngjyra të kuqe është dëshmori Adem Berisha.

_________

Në 25 vjetorin e vrasjes!

Si u tradhtua Prof.Ruzhdi Berisha nga “shokët” e partisë?!

NË ÇFARË RRETHANASH U MASAKRUA PROF. RUZHDI BERISHA?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura