Prishtinë, 30 Prill 2020: Mirëmëngjesi motër! A po zgjohesh? – ishte pyetja e motrës së vogël, që po thërriste nga Zvicra!
Posi! – ishte përshëndetja ime dhe pa patur kohë që të zgjasja më shumë me te, dola vrapthi në veturë dhe u nisa …
Atje, ku nisem sot e 21 vite për çdo 1 Maj! Ngasja makinën nëpër rrugët e qytetit të heshtur! Shoqëri më bënin 21 lulet e njoma që kisha aty, aroma e të cilave të përmendte ardhjen e pranverës!
Tak-tak-tak! Më godisnin minutat që i kisha të lejuar për daljen time në këtë orë mëngjesi të lagur nga vesa që shkëlqente pafajshëm…
-Mirëmëngjesi vëlla! – tha motra e cila sikur u zgjua përnjëherë nga përgjumja që na kishte pllakosur të dyjave gjersa po i afroheshim varrezave të qytetit tonë!
-S’jemi takuar ka kohë a? – ishte pyetja e radhës ku po i hidhnim ndjeshëm hapat mbi barin e gjelbërt dhe kujdesshëm po i afroheshim varrit të Tij!
Mirëseerdhët! – sikur ishte urimi i tij gjersa po i shikoja foton që kishte filluar të zbehej ngapak!
Po – erdhëm! Por kësaj radhe vetëm ne dyjat! Nuk mund t’a sqaroj se çfarë ka ndodhur këtej tek ne, sepse këtë ditë, këtë datë duam ta ndajmë vetëm me Ty, me kujtimet që na i le pas! – po i flisja unë me zë!
Dhe janë aq shumë! – Ishte ofshama e motrës e cila prajshëm filloi të hapte dheun mbi varr për 21 lulet që do të mbillnim sot – simbol i 21 viteve që vdekja e kobshme na ndau nga Ai!!
– 21 pika lotësh rridhnin nga sytë e motrës, mbi ato lulëza të freskëta që gëzueshëm lëshonin aromën e tyre, pa e ditur se çfarë mesazhi bartnin! Ata lotë të ngrohët sikur bën thirrje qiellit të varur nga retë e errëta e të cilat pa u ngutur filluan të piklonin tokën e etur për ujë! Përzierja e tyre me dheun, ka një aromë aq të veçantë, e cila më çoi diku larg… dikur kur një dite maji, vëllau që sot rrinte i paluar këtu para nesh, këndonte një këngë me një zë aq melankolik, sa që unë e strukur nën dhomën tjetër të shtëpisë, kisha filluar të qaja nën zë! Më piklonin vetëm lotët faqeve, pa bërë zë, nga frika se mos prishej rrjedha e këngës! Ishte e dedikuar për një mësues ….
Për çdo maj, edhe atëherë para se të mirrja lajmin e hidhur, edhe tash e 21 vite, ai zë më vjen me ata tinguj melankolik që bartin në shpirtin tim mallin e gjithë atyre viteve fëmijërie, pjesë e të cilave ishte gjallërueshëm vëllau im, që sot i heshtur po rri në varrin e tij!
Piklat e shiut i lamë duke ngjyer dheun me lagështinë e nevojshme për tokën, dhe u larguam pasi bëm dhe shumë foto për t’u a dërguar të gjithë atyre që këtë vit nuk do të ishin prezent si zakonisht!
Por, 1 Maji nuk kryhet me kaq për familjen tonë! Morrëm brrylin e rrugës gjarpërore që të shpie tek grumbulli tjetër i varrezave!
– O Kujto! Po pse more çuni zgjodhe që të ishte këtu i përqafuar me vdekjen, e jo në harenë tënde, në dashurinë e vullnetin e madh që kishe për jetën! – po i fliste motra e madhe sapo u afruam tek varri i një djaloshi tjetër njomak, që jetën e kishte lënë përgjysmë!
Sytë dhe fytyra e buzqeshur në foton që i rrinte mbi varr, sikur kërkonte ndjesë për dhimbjen tonë, për zbrazëtinë që kishte lënë pas vetes tek më të dashurit e tij! Sidomos tek nëna Qamë, e cila për çdo vit me boshqen e saj të mbushura lule të freskëta e bën të bukur varrin e djalit të saj!
Por, këtë vit asaj i kishte mbetur loti nën qepallë!
Sot ajo nuk kishte mundur të vinte si çdoherë, të mbillte lulet dhe të priste e të ngushëllonte të gjithë familjarët tjerë që me këtë rast vinin për të ngjallur kujtimin për te! Sot asaj i këputeshin fjalët përgjysmë nga dënesa që nuk e kisha dëgjuar për tërë këto vite!
As drekën nuk do e përgatiste, sepse askush nuk mund të shkonte në sofrën e saj të begatuar me të gjitha të mirat! Edhe kjo ishte një shenjë kujtimi… Ti tubonte të gjithë familjarët dhe ashtu të gjithë së bashku të kujtonim çaste të bukura me evladin e saj… Ishte i hareshëm Ai! E donte dhe i gëzohej jetës së tij rinore!
Por, erdhi 1 Maji i vitit 1999 dhe i këputi të dytë si dy lule maji që do ti mbështillte në aromën e përjetësisë!
Kujtimi për ta qoftë i përjetshëm…!
I lehtë Ju qoftë dheu i Kosovës vëlla…!