ELIFE PODVORICA JASHARI: NJË DITË SHTATORI NË KAVAJË

 Prishtinë, 21. 09. 2016. – U kthyem! Jo nga Europa, se nga ajo kthehemi vetëm nëse, ajo merr vendim dhe na kthen me zor, ashtu siç i shkojmë…me zor! Të ngratët shqiptar! U munduam ta donim Europën me gjithë çka kishte – me kulturë, me histori, me figurat e saja të ndritura arti e sporti, me të arriturat e ekonomisë e shumë fusha të tjera! Bile, ne shqiptarëve na binte hise që të përkujdeseshim edhe për infrastrukturën e saj të kanalizimeve, të ndërtimtarisë, etj! Kështu më kujtohet gjithnjë babai im i ngratë, i cili ia fali 40 vjetë të jetës së tij Gjermanisë ! Punoi e u rropat për mbijetesën e familjes së tij shtatë anëtarëshe që kishte lënë në Kosovë, sepse as atëherë kur ishte Jugosllavia e famëshme e Titos, nuk kishte bukë për shumicën e shqiptarëve në vendin e tyre! Na rriti e na shkolloi ashtu si diti e si mundi! Por me vete nuk na morri kurrë që ta shihnim Gjermaninë, ose të shkolloheshim ashtu siç e lutnin shefat e tij që ti dërgonte atje fëminë për edukim e studime! Jo, sepse ishte moto e gjeneratës së tij që fëmijët t’i lenin në Kosovë, që ata me shkollimin e tyre të siguronin një jetesë më të mirë, pa rropatjet e tyre jetësore! Pastaj rinia duhej që dijen dhe intelektin e saj, ta vënte në shprehje në djepin e vendlindjes së tyre, sepse ashtu kishte nevojë Kosova e viteve ’70!
Por, dalja e babait në atë kohë, sikur vazhdoi traditën edhe me ne fëmijët e tij, pavarësisht përpjekjes së tij që ne ta donim vendin tonë dhe kontributin ta lënim këtu në trojet tona! Sepse, nuk vonoi e erdhën vitet ’80, e ato sollën zhurmën e tyre politike, dhe pa një e pa dy, brënda natës shumëçka u ndryshua tek ne! ”Reformat” e para të këtyre ndryshimeve u bënë në prag të dhjetëvjeçarit tjetër, pra në prag të viteve ’90! Atëherë kur bijën e bacës Raif, forcat e ushtrisë jugosllave të armatosura gjer në dhëmbë, hyn në objektin e saj ku kultivohej në artin tonë atëkohë, dhe e nxorën me dhunë nga aty! Jo për t’ia aranzhuar ndonjë koncert solistik diku gjetkë, por në rrugë! Dhe bijën e tij, për të cilën ai përkujdesej që t’i dërgonte rrobat më të bukura për Festivalet e këngës kudo që ajo paraqitej, ia flakën në rrugë! Të gjindej si të donte!

Dhe bija u detyrua t’ia mësynte Europës! Atje ku mund të punonte dhe të siguronte jetesën! Por jo vetëm për veten e saj! Edhe për një dyzinë njerëzish familjarë që kishin mbetur në Kosovë, me sy nga Mërgata, sepse ishin njësoj të trajtuar nga pushteti që erdhi të na i “qante” hallet ne shqiptarëve se si duhet ta duam Sërbinë më shumë, sepse ne ishim djepi i saj, ku ajo i kishte dëgjuar ninullat e para! Sa të shijshme u kanë mbetë ato ninulla komshinjëve tanë, dhe çudi e madhe, sepse dokumentet historike tregojnë se këtu tërë kohën prej që është bërë përcaktimi i gjuhës së folur njerëzore, është folur dhe kënduar shqip!
Nejse….nuk është që s’i dimë këto gjëra e këto kohë! I kemi provuar të gjithë, secili në mënyrën e vet!
***
– U zgjova! Dola në ballkon dhe ngrita kokën lartë që të shihja qiellin e atij mëngjesi ende të padefinuar mirë nga gjurmët e natës! Ndesha hënën që ndriçonte me ngulm midis mbulojës së rreckosur të disa reve të dendura, të cilat gjersa unë isha habitur pas ushtrimeve të frymëmarrjes së thellë, ato ishin zhdukur pas pak dhe hëna mbeti e dalldisur në shkëlqimin e saj! Patjetër që më ra ndërmend Osho-autori i librit që kisha me vete! Sepse ai me shumë interesim në një moment në librin e tij i qaset magjisë dhe dukurive të Hënës! Efektit të saj tek disponimi i njerëzve, sidomos kur është hëna e plotë! Eh! Për këtë dukuri më kishte folur mua edhe tezja ime e dashur që e kisha si në vend të gjyshes!
– Eu,eu! Teksa po sodisja qiellin mbi kurorën e bredhave të gjatë që kisha rrotull meje dhe zhurmën e valëve që të përgjumura dëgjoheshin nën ritmin e tyre allargando, pastaj oborrin e apartamenteve të stilizuar me një mjeshtëri të përkryer, më ra ndërmend mikja ime e cila Shqipërinë e kishte parë para meje dhe në rrethana krejt të tjera! Sa i gëzohet ajo ardhjeve të saja në bregdetin shqiptarë! Ashtu siç i gëzohej gjithë ai numër i madhë kosovarësh që verës kishin vërshuar nga të gjitha anët e globit!
E kësaj here, këtu në Kavajë, bukurive dhe magjisë së bregdetit shqiptarë, po i gëzoheshin kryesisht turist të huaj; polak, rus, sërb, maqedon, slloven, gjerman, anglez, belg, etj! Në atë numër jo të madhë turistësh, mund të dëgjoje një kolazh të shumë gjuhëve europiane!
Sa mirë! Këta qytetarët e vendeve të ndryshme europiane-përfshi këtu edhe gjithë komunitetin sllav që takoje, po na duan dhe po na njohin nga afër! Jo vetëm nga propagandat e njollosura të Diplomacisë qindvjeçare sërbe! Nuk e di sa do të ma merrte Bashkësia Europiane për ters këtë punë, por unë këmbë sërbi dhe rusi nuk kisha lejuar që të shkilte dhe të shijonte bregdetin tonë! E këta, le që nuk po i ndalon askush, por janë më shumë se vet vendësit në këtë kohë! Shqiptarët tashmë i janë kthyer punës dhe obligimeve tjera! Shqiptarët e Kosovës, kryesisht vijnë këtu sa i kanë edhe anëtarët tjerë të familjes që u vijnë nga Mërgata në ato ditë të ngrohëta vere! Ndërsa tani në këto ditë vjeshte, gjallëron gjithëçka në përgatitjen e turshive për dimër, sidomos ajvari! O zot! Kjo fjalë gjithmonë më kujton gratë e Krushës së Madhe, të cilat pasi u mbytën burrat një nga një nga paramilitarët sërb,ato pas luftës, për të siguruar kafshatën e gojës, i hynë këtij zanati, pavarësishtë plagës e ofendimit njerëzor që atyre iu bë me humbjen e bashkëshortëve dhe djemëve të tyre!
As numri i turistëve të huaj nuk është aq i madhë! Por dielli, ajri i pastër që të depërton thellë në mushkëri, deti dhe uji i tij më i ngrohët se gjatë ditëve të verës, mundësia e ecjeve të gjata, është po njësoj! Vetëm komoditeti dhe qetësia është më e madhe!
– A është normal moj Besa kjo gjë? Ti si sociologe çfarë i thua kësaj dukurie? Asnjë grua shqiptare, sidomos nga ne andej, nuk e sheh që ka ardhë në bregdet në këtë kohë, e sidomos vetëm pa bashkëshortët e tyre, sikur jemi ne të dyja?
– Iiiiii! Lëre fare – ma ktheu ajo! Se mos po e sheh ti ndonjë grua shqiptare vendëse duke bërë plazh! A është sot e shtunë! Dhe ky vend nuk është i shkretë pa banorët e tij! Ku janë ata? Bile për shëti mëngjesi, nëse noti nuk u pëlqen në këtë kohë??
– Vërtetë!! Ku janë gjyshet që nuk qesin nipërit e tyre në shëti mëngjesi?? Ku janë sportistët shqiptarë që nuk i sheh pothuaj asnjëherë përgjatë bregdetit në ushtrimet e tyre? Ku bëhen këtu kurset e notit? Aerobi? Ku janë shkrimtarët në inspirimin e tyre krijues?? Mos më thuaj që ata janë më të varfër se unë materialisht!!!

– Doni shegë! Doni shegë! – Ishte refreni i një gruaje të vjetër që po dilte nga grumbulli i bredhave të lartë në nisje të plazhit, që na e ndërpreu vrullin e pyetjeve! Më ra menjëherë në sy pesha e rëndë që kishte në të dy duartë ! Ajo ecja e çekuilibruar e saj, më solli shumë në siklet, dhe pa u hamendur fare, u nisa në drejtimin e saj që t’i mirrja bile njërën pjesë dhe ti ndihmoja gjersa të blinim shegët e mëdha të nukura pak më parë nga rrembi!
– Përveç kënaqësisë që ndjeu ajo për ndihmën që i bëra, pat edhe kënaqësinë e dyfishtë të lekëve që i dhashe për frutat e saj!
Pasi u nisë që të vazhdonte pazarin e saj, më shkoi mendja; ”Po sikur kjo të ishte nëna ime dhe të ecte kështu e rënduar nën barrën e rëndë të shegëve të saj??”
U qova dhe vrap e zura dhe i morra shportën që ti ndihmoja gjer diku!I thashë se ti je një grua shumë e zonja, sepse në moshën tënde të bartësh një kësi barre dhe të sigurosh ekzistencën e familjes, është gjë shumë madhe! Pastaj, paske edhe katër fëmijë! Qenke edhe më e zonja se unë që kam vetëm dy!
– Ajo sa nuk shkrihej nga këto fjalë që dëgjonte dhe nga ndihma që i bëhej nga një grua tjetër!
– Po jo moj i thoja unë tërë kohës! Mos më falendero! Ne jemi motra shqiptare! Duhet të ndihmohemi e të mirëkuptohemi mes vete më shumë, tani që po kemi mundësi të shihemi! Pyetjes sime se a kishte qenë ajo ndonjëherë në Kosovë, iu përgjegj që jo!
-Por ju gratë e Kosovës jetoni më mirë se ne, kam dëgjuar – ma ktheu ajo! Ju vini e rrini tërë verën në bregdet, burrat tuaj u respektojnë më shumë!
– Po – i thashë unë! Asnjë burrë Kosove, nuk do ta linte një grua që të barte vet shegët e rënda nëpër plazh, e as në rrugë! Nuk është në traditën tonë që gruaja të kryej punët e rënda që u takojnë burrave! Nuk e kuptoj se a e bëjnë këtë nga tradita e kanuneve, nga dhembshuria e respekti, por kështu janë të edukuar!
– Doni shegë-doni shegë! – Ia mora refrenin nga goja asaj në momentin kur po na afroheshin dy turistë të huaj! Ata u ndalën dhe në gjermanisht bëra pazarin me ta duke i dyfishuar plakës çmimin!
Ajo sa nuk u çmend nga suksesi i pazarit! – Po mirë moj bijë, ti rrofsh që më knaqe shpirtin, po të ishe me mua tërë kohën paske pasë të më qitje në dritë mua – më fliste tërë kohën gjersa unë prap fillova me avazin me shegët edhe tek dy palë tjerë turistë anglez!
-Doni shegë-doni shegë?? Jo nuk duam-ma kthyen dy zotërinjë vendës!
Por pse nuk doni? Janë shumë të shëndetshme, sidomos me ata që kanë probleme të zemrës? Dhe këmbëngulja në pyetjet e mia! Ndërsa ata të çuditur fillimisht nga dukja ime që po shisja shegët, pastaj nga këmbëngulja e pyetjeve të mia, largoheshin duke më shiquar me çudinë më të madhe!
– Plaka kishte shkuar në qiellin e shtatë nga gjindshmëria dhe përpjekja ime që të bëja pazarin me shegët!
Kështu vazhdova gjersa u shpraz pothuaj njëra shportë e saj! Dhe duke më puthur, e përqafuar me uratat më të mëdha, u ndamë! Ajo me gëzimin në shpirtë që kishte bërë pazar sa për dy ditët në vijim, ndërsa unë me shijen e eksperimentit që provova! Turistët e huaj pak i vëreja që habiteshin pse shitësja e shegëve u përshtatej menjëherë në gjuhën e tyre, ndërsa turistët shqiptar, sidomos ata nga Kosova, habiteshin pa masë me këtë grua shitëse që u fliste kosovarqe dhe i bënte kahre pse nuk i blinin shegët për shkak të efektit të tyre shendetësor!
– Eh ! Ky është solidariteti në sociologji, më tha Besa sapo u afrova, e cila më të njëjtin emocion e kishte përcjellë gjithë situatën!
– Pata vetëm një hall – më tha ajo! Kur nuk të shihja më, u frigova se mos po të blinte dikush me gjithë shegët, qeshej ajo e gëzuar nga gjithë teatri që kishte parë!
– Meq të dielës, orët po i rrëshqisnin me shpejtësinë dhe bukurinë e dehëse të plazhit të Gjeneralit, u kthyem dhe u përshëndetëm ngrohtësishtë me familjen çame tek të cilët banuam ato katër ditë! Gjyshit Aref nuk habitem asnjëherë ti lë ndonjë peshqesh të vogël, pavarësishtë që ate nuk e takoj këtu! Edhe gratë e familjes çame, nuk harrojnë që të më përshëndesin e të më urojnë fjalët më të ngrohëta ! Janë urata aq të pasura me fjalët e tyre të ngrohëta e të begatshme urimi si në asnjë gjuhë tjetër!
….Dhe siç e thashë në fillim-morëm rrugën për në kthim!
Jo nga Europa që nuk po na lejon që ta shohim pa liberalizimin e vizave-një banaliteti tjetër të tmerrshëm shekullor që po përjetojmë ne shqiptarët!

-Besa! Edhe pse ende po përpëlitesh në gjetjen e një vendi pune, megjithë aftësitë tua që ke treguar gjatë studimeve, nuk duhet të flesh dhe të humbësh në vorbullën e zhgënjimit! Je nënë, je një grua që po mundohesh të kontribosh edhe nga ana intelektuale në shoqërinë tonë! Kap shkruaj për dukurinë e ndarjes së familjes shqiptare më dysh! Njëra pjesë në Mërgatë, si dhe pjesën tjetër të familjes që mbetet këtu,e nuk ka mundësi të shihet e të komunikojë në mënyre normale me fëmijët apo prindërit e tyre sa herë që ata duan apo kanë nevojë, pa kaluar nëpër fortifikatat e larta plotë gjëmba të Ambasadave!
– Trajtoje si temë se çfarë lloj bashkëpunimi planifikon BE me popullin e Kosovës në të ardhmen kur dihet barriera e saj për mos-liberalizimin e vizave? Çfarë pret ajo nga zemrimi që u ka shkaktuar shqiptarëve me kërkesat e saja të para një shekulli? Se vetëm shqiptarët e Kosovës duhet që në shkëmbim me lëvizjen e tyre të lirë , të coptojnë dhe të dhurojnë toka komshinjëve të tyre armiq të përbetuar shumë shekullor? A nuk po e vërejnë ata se shqiptari ka djem e vajza, burra e gra që po e mahnisin botën me aftësitë e tyre intelektuale, shkencore, e krijuese? Në shkëmbim të kësaj, çfarë ndërgjegjje historike do të kenë ata me një popull që vetëm miqësi kanë gjetë tek ta?
– Shkruaj, sepse ti si sociologe do ta bëje këtë më së miri, kur dihet fakti se ti je edhe njëra nga ato gratë, që në shekullin XXI nuk mund të shihesh me burrin tënd, sepse ai jeton e punon jashtë për të siguruar mbijetesën e familjes, ashtu siç bëri babai im para më shumë se një gjysëm shekulli! Ashtu siç duhet të bëjë unë tash, që nuk mund të vizitoj djalin tim shkenctar në Berlin, sepse mamaja nuk e kishte dashur identitetin e huaj! Ajo kishte respektuar identitetin e saj shqiptar! Dhe mu për këtë, tash nuk ka mundësi ta takojë djalin e saj, pa i kaluar gjëmbat e Ambasadave!
– Please – shkruaj për këto pasoja dhe për perspektivën e bashkëpunimit europiano-shqiptare në të ardhmen!
…. Me këtë zjarrë bisede, u afruam tek kufiri shqiptaro-shqiptar! Dhe e lashë pjesën tjetër shqiptare për të njëmbëdhjetën herë këtë vit, për ta takuar sërish së shpejti…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura