GJEKË GJONAJ: SIMBOLIKA E NËNTORIT – BASHKIMI!

Ulqin, 28. 10. 2014 – Nga portali “malësia.org” në shkrimin “Shoqatat shqiptare në SHBA, shembull bashkëpunimi” mësova se të shtunën më 1 nëntor 2014 në Universitetin Oakland në Roçester të Miçiganit do të mbahet Konferenca e dytë ndërkombëtare kushtuar shqiptarëve në Malë të Zi. Njoftohet gjithashtu se një ditë pas kësaj konference akademike shoqatat shqiptare me prejardhje nga Mali i Zi: Fondacioni “Plavë – Guci“, Nju-Jork, Shoqata atdhetare “Malësia e Madhe”, Detroit, Shoqata atdhetare “Ana e Malit” Nju-Jork, Fondacioni humanitar “Malësia”, Nju-Jork, Fondacioni “Dedë Gjon Luli”, Nju-Jork, Fondacioni “Dom Simon Filipaj”, Nju-Jork, Shoqata atdhetare “Kraja”, Nju-Jork dhe Shoqata atdhetare “Ulqini”, Çikago, do të nëshkruajnë në Detroit Rregulloren e bashkëpunimit. Ky aktivitet i diapsorës shqiptare është një lajm i mirë për shqiptarët autokton në trojet e veta në Mal të Zi.
I frymëzuar dhe i entuziasmuar nga slogani i shoqatave të përmendura “Le të bashkëpunojmë si vëllezër të një gjaku, përçarja na largon nga misioni kombëtar” dua të theksoj se kjo është një nismë që vjen në kohën e duhur si nevojë për të ndërtuar një partneritet të ri në frymën e besimit në mes të shoqatave. Është ky një mesazh domethënës, që vjen jo rastësisht në muajin nëntor, i cili ngërthen në vete disa periudha të rëndësishme historike të shqiptarëve në shekuj, ndër të cilat veçojmë:
– ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar nga Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në Kalanë e Krujës, më 28 nëntor të vitit 1443, në vend të flamurit të pushtuesve osmanë,
– ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912 dhe
– shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Por duhet shtuar se 28 Nëntori nuk është e gjithë historia e popullit shqiptar. Populli shqiptar bëri histori dhe do të bëjë, siç thoshte Mitrush Kulteli ”gjerësa mali të bëhet hi dhe hiri mal përsëri”.

Bashkëveprimi, bashkëpunimi, pasioni, atmosfera dhe besimi me njëri-tjetrin mendoj se janë obsionet e vetme, pa të cilat ne shqiptarët vështirë mund të mbrojmë interesat, apo të realizojnë synimet tona kombëtare. Një mërgatë shqiptare e përçarë, e ndarë sipas bindjeve politike, kurrësesi nuk mund t’i shërbejë kombit të vet apo dhe trojeve etnike të mbetura jashtë Shqipërisë londineze. Prandaj është koha që shoqatat shqiptare, respektivisht diaspora jonë në Amerikë të ecin shpejt drejt rrugës së bashkëpunimit. Atje zëri i shqiptarëve gjeti mbështetjen më të madhe nga Administrata Amerikane, dhe konkretisht nga senatorë dhe kongresmenë amerikanë, dashamirë të çështjes shqiptare. Kemi nevojë për një erë të re të bashkëpunimit të ndërsjelltë për një bashkërendim të përvojave, të mençurisë dhe fuqisë sonë intelektuale, të mbushur me projekte konkrete. Harmonizimi dhe koordinimi i potencialit të gjithanshëm që zotërojnë shqiptarët (malësorët) e diapsorës në Amerikë është një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar realizimin e kërkesave të vëllezërve të tyre në vendlindje.
Ne vëllezërit tuaj, në Mal të Zi e vlerësojmë dhe e mirëpresim bashkëpunimin tuaj. Na bëhet zemra mal dhe urojmë që të jenë sa më të bashkuar shqiptarët me origjinë nga Malësia jonë e Madhe. Po ashtu urojmë me gjithë zemër që shqiptarët në dhe të huaj, ta duan shqiptarinë e gjuhën shqipe, të lidhen e të bashkohen me njëri-tjetrin, të ndërmarrin edhe nisma tjera kulturore, artistike dhe, sigurisht, edhe mbështetje për ecurinë e mëtejshme të rrjedhave pozitive të shqiptarëve e të shteteve shqiptare në Shqipëri, në Kosovë e në të gjitha hapësirat jetike ku rrojnë ata.

=================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Shoqatat shqiptare në SHBA, shëmbull bashkëpunimi
LE TË BASHKËPUNOJMË SI VËLLEZËR TË NJË GJAKU, PËRÇARJA NA LARGON NGA MISIONI KOMBËTAR

Ka më shumë se një vit, që shoqatat Shqiptare me origjinë nga shteti i sotëm i Malit të Zi, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë aktivitetet e veta në aspektin kombëtar. Bashkëpunimi ynë ka të bëjë me çështje të cilat u përkasin mbrojtjes së të drejtave të shqiptarve nën Malin e Zi, të drejta këto që në mënyrë konstante dhe sistematike shkelen dhe nëpërkëmbën nga aparati shtetëror i Malit të Zi, që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Një nga rezultatet e suksesshme të bashkëpunimit të ndërsjelltë në mes të shoqatave tona ishte edhe demonstrata e 8 Prillit 2014 në Washington DC me një pjesmarrje të gjërë të komunitetit dhe përkrahje të fuqishme të diasporës shqiptare në tërësi. Ne, si shoqata, qëndrimet dhe veprimet tona i bëjmë dhe realizojmë përmes koordinimit të përbashkët mes nesh dhe koordinatorit tonë, e që për këtë mandat koordinator, kemi një aktivist të dalluar të komunitetit tonë z. Esad Gjonbalaj, kryetar i Fondacionit Plavë Guci.
Ne si shoqata bëjmë fushata dhe takime të shumta për të senzibilizuar zyrtarët amerikanë për nëpërkëmbjen e të drejtave të vëllezërve tonë në vendlindje në të gjitha segmentet e jetës nga shteti malazias. Përpos takimeve të shumta me kongresistë dhe senatorë, shoqatat tona kanë realizuar takime me presidentin Nishani dhe presidenten Jahjaga, të cilëve, u kemi paraqitur shqetësimet tona dhe kemi kërkuar përkrahje më të fuqishme nga dy shtetet shqiptare për të drejtat e shqiptarve nën Male të Zi. Ne po ashtu, edhe zyrtarve të shtetit malazias, ua kemi thënë sy më sy duke ua bërë të qartë se i duhet dhënë fund politikave të tyre antishqiptare dhe asimiluese.
Shoqatat tona veprojnë si një trup i vetëm sepse jemi të vetëdishem se sa më të bashkuar të jemi, aq të suksesshëm dhe më të fuqishem do të jemi në misionin ndaj bashkëvëllezërve dhe motrave tona në vendlindje. Suksesi i aktivitetit në bashkëpunimin tonë është transparenca mes nesh, por edhe transparenca në opinionin e gjerë.
Po këto mesazhe ua kemi transmetuar edhe kryeministrit malazias Gjukanoviq në zyrën e kongresmenit Engel, po edhe kryeparlamentarit malazias Krivokapiq në takim të hapur në New York. Në përcjelljen e këtyre mesazheve jemi nisë nga parimi se kundërshtarit i duhet thënë e vërteta në sy. Aq më shumë, kur ne ua kemi thënë në prani të një miku të çështjes sonë Kombëtare, siç është Kongresisti Eliot Engel. Udhëheqësit Malazias, janë vënë përballë fakteve diskriminuese ndaj shqiptarve në Mal të Zi pikërisht në sy të amerikanëve që bëjnë politikën botërore.
Shoqatat tona në misionin fisnik të tyre shpesh janë bërë pre e tentimeve të lloëjllojshme dhe shantazhimeve të agjenturave të ndryshme në shërbim të Qeverisë Malazeze, që përpiqen të dobësojnë bashkëpunimin tonë me qëllimin e tyre të errët dhe të verbët – futjen e përçarjeve në mes nesh. Kush fiton në këtë rast? Shqiptarët – JO!
Vëllezër dhe motra,
duhet të përballemi me kurajo me kundërshtarët, që tentojnë të na dobësojnë në Misionin tonë Kombëtar përmes përçarjes. Bashkimi ynë i tremb antikombëtarët, përçarja e çon ujin tek antishqiptarët dhe tek ata që kërkojnë asimilimin e plotë të shqiptarëve në trojet tona natyrale.
Ne ndjehemi krenarë nga paraardhësit tanë, të cilët jetën e tyre e kanë vënë në shërbim të Kombit Shqiptar dhe të drejtave të mohura të bashkombasve. Le t’i përdorim figurat tona Kombëtare si burim frymëzimi në Misionin tonë Kombëtar.
Me iniciativën e shoqatës Malësi e Madhe në Detroit, me kryetar Pashko Gjokaj, presidentit Nishani i është dorëzuar projkti për ndërtimin e shtatores së heroit kombëtar Ded Gjo Luli në Tiranë, i cili mbetet një shtyllë e fortë e Historisë Kombëtare.
Misionin tonë të shenjtë në të mirë të atdheut dhe vendlindjeve tona këtë vit po e përmbyllim me Konferencën e 2-të ndërkombtare që do zhvillojmë më 1 Nëntor 2014 në Oakland University. Kësaj konference në nivel akademikësh i paraprijnë prof dr. Shinasi Rama dhe prof dr. Viktor Ivezaj.
Dhe për të dëshmuar se jemi vëllezër të një gjaku dhe një Flamuri Kombëtar, shoqatat tona do të bëjnë nënshkrimin e ”Rregullores së Bashkëpunimit” në mes të shoqatave tona më 2 Nëntor 2014 në Detroit, ku nikoqire kemi shoqatën tonë si motër ‘Malësi e Madhe’ nga Detroit.

Shoqatat:

1. Fondacioni ‘’Plavë Guci’’- New York
2. Shoqata Atdhetare ‘’Malësia e Madhe’’- Detroit
3. Shoqata Atdhetare ’’Ana e Malit’’-New York
4. Fondacioni Humanitar ‘’Malësia’’- New York
5. Fondacioni ‘’Ded Gjon Luli’’- New York
6. Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’- New York
7. Fondacioni Humanitar ‘’Malësia’’- New York
8. Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’- New York
9. Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini ‘’- Chicago

New York, Detroit, Chikago – 14 Tetor 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura