ELIFE PODVORICA – JASHARI: NJË FUNDJAVË NË DURRËSIN VJESHTOR!

Prishtinë, 09. 12. 2015: (Them me vete: Mos po do Europa – që duke mos mundur të lëvizim të lirë nëpër vendet e saja, është kah na e imponon vetëm një lloj lëvizjeje: shkuarjen gjer në viset shqiptare të Shqipërisë dhe njohjen me to, e gradualisht edhe bashkimin me te! Pastaj, duke na e çnukur edhe ndonjë copë toke, të na fusë edhe në gjirin e saj)!
…ulem më në fund mu përpara apartmentit që kemi zënë dhe doja që kënaqësia e këtyre minutave të buzëmbrëmjes, të zgjaste edhe pak. Njëkohësisht të bëja edhe përmbylljen e ecejakeve të shumta buzë valëve të detit, i cili i mbështjellur nën qetësinë e përflakur të tij, të bënte të ndiheshe aq rehat dhe i kënaqur, që ashtu i qetë e madhështorë, i mbështjellur nën velenzën e kuqërremtë, më rrinte përballë dhe ishte i vetmi “bashkëfolës” imi sot përgjatë gjithë këtyre orëve të gjata të ditës së shtunë!
Këtë vit, mund të them se kemi ndejtur kështu përballë njëri-tjetrit shumë herë, ndoshta dhe nuk mund t’i numërojë sa herë! Por, ajo që mbaj mend gjithnjë, është padyshim kënaqësia e këtyre momenteve inspiruese për trurin dhe shpirtin tim! Ndoshta këtë pamje dhe ky peisazh mrekullues i takonte vetëm ndonjë shkrimtari a poeti, ndonjë intelektuali më background të madhë, apo ndonjë biznesmeni që i rëndohen xhepat me shumë para. Por, jo mua! Një Zyshe të thjeshtë të një shkolle të mesme! Të vijë këtu pothuaj çdo të dytin vikend dhe të ndajë orët e fundjavës me shushurimën tërheqëse të valëve të detit, i cili veçanërisht këtë fundjavë qenka aq i qetë e madhështorë në heshtjen e tij!
Sa herë dilja sot të ecja me atë tempon time ‘allegro ma non troppo’, dëgjoja me vëmendje se a kishte dhe vizitorë nga Kosova, sepse ta dallosh një gjë të tillë, është fare e thjeshtë. Në momentin që ata flasin, ti e konkludon menjëherë prejardhjen e tyre. Por jo! Kureshtjen time e shuan, vetëm krejt pasditen e vonë nja tre pleqë me bereta në kokë, të cilët bisedonin dhe njëkohësisht çuditeshin diçka! Eu! Thash! Bravo ju qoftë o pleqë beretexhinjë, sepse kohën tuaj të çmuar e paskeni organizuar në një ambient të tillë! Por, këtë keqardhje ma hoqën në orët e pasdites kur një numër kogja i madhë familjesh me fëmijë të vegjël, të rinjësh, partner burrë e grua ,- vendës-kishin ardhur të kënaqeshin buzë deti! Shumë të tjerë ishin të ulur nëpër restorantet e shumta që ishin të hapura dhe shërbenin për kënaqësinë e turistëve!

Durrësi i vetmuar vjeshtor!

Andaj, ardhja e turistëve shqiptar nga Kosova, duhet të jetë më e shpeshtë dhe të takohesh me bukuritë e natyrës shqiptare që e vëren në çdo hap, qysh në fillim ku mirëseardhjen të urojnë malet e larta gjigande, që me pompozitetin e tyre, ta bëjnë me dije se ato janë çdo herë aty, të gatshme e të disponuara për të gjithë ata që duan të shohin madhështinë e tyre.
Përgjatë gjithë rrugës së kombit sheh llloj -lloj frutash, tani në vjeshtën e vonë të bie në sy ngado pema e farëzezës, e cila me frutat e saj të pjekura në rremba, çdoherë më përkujton librin e Petro Markos-Autobiografi, në të cilën ai rrëfen se gjyshi i tij kishte qenë një tregtar i famshëm i kohës me këtë lloj fruti, bile gjer në Palestinë ishte zhvilluar tregtia e tij dhe me këtë lloj tregtie, familja e tij e ngushtë dhe e gjërë, kishin ngrënë në pjata dhe lugë argjendi! Tek ne në Kosovë ky frut njihet me emrin “molla japoneze” dhe ka çmimin e trefishtë prej këtij që gjen këtu në Shqipëri! Pastaj, lumenjtë e gjërë e të gjatë me plot ujë ngado të urojnë rrugë të mbarë, duke u shoqëruar edhe me peshkatarët të cilët nëpër cepa të shumtë përgjatë këtyre lumenjëve, të ofrojnë peshk të freskët të të gjitha llojeve.
Veçanti e tyre, është madhësia e këtyre peshqëve që për ne kosovarët, është atrakcion më vete! E mos të flas për momumentet e shumta që i ke ngado për ti vizituar, nëse sadopak shpreh interesim rreth historisë së këtyre trojeve. Kisha e shek.XII që rri si kuror mbi majat e shkëmbinjëve të mëdhenjë mbi Rubik, është e para që fillon të rrëfejë lashtësinë e këtyre trojeve! Dhe kjo storie vazhdon pothuaj nëpër çdo cep të Shqipërisë. Mos të flas pastaj për monumentet e vjetra të qytetit të Durrësit, për të cilin me siguri shumica e kosovarëve janë të informuar mirë!
Asgjë më pak e rëndësishme nuk është edhe mikëpritja e vendësve që iu bëjnë duke filluar nga komunikacioni dhe policët rrugor, të cilët edhe pse shohin ndonjë vozitës kosove që e ka shumë për ngut dhe nget makinën jashtë çdo norme, mbyllin njërin sy dhe nuk bëzajnë,vetëm e vetëm për të mos e penguar mysafirin në vizitën e tij. Mikëpritje dhe fjalë miradie ke në çdo hap nga banorët vendës të qyteteve e fshatrave! Nuk pritojnë të flasin e sqarojnë nëse u kërkohet ndihmë, edhe pse vështërsia e të kuptuarit të të folurës kosovarqe, nuk eshtë se kalon pa sikletosje, sepse vokalet nazale e turbulluese të shqiptarëve kosovarë, sikur nuk u shkojnë aspak për shtati vokaleve të hapura e tingëlluese të këtyre vendësve! Por këta nuk hezitojnë për asnjë moment që të jenë në gadishmëri të kërkesave të vizitorëve nga Kosova! Jam e vetdijëshme që nuk jam duke thënë diçka që nuk dihet e nuk është provuar nga gjithë ai numër i madhë i kosovarëve që frekuenton, sidomos muajëve të verës!
***
Të kthehem pak tek ardhjet e mia! Momentin se si do ta shkel për herë të parë tokën e ëndërruar me dekada, e kam pasur të ravijëzuar në memorien time qysh si fëmijë kur kisha filluar të njihesha me pjesën tjetër shqiptare qoftë përmes librash, qoftë përmes të thënave nga njerëz të ndryshëm! Këta njerëz që flisnin për Shqipërinë, në fëmijërinë time quheshin Patriot! Quheshin kështu, sepse ishte krijuar një jaz i gjërë e i ashpër midis tokave shqiptare që nga njohja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1913 në Kongresin e famshëm të Londrës. Në të vërtetë ndarja e tokave shqiptare ishte bërë në Traktatin e Shën Stefanit më 1878, tre muaj para themelimit të Lidhjes së Prizrenit, por ndarja definitive ishte bërë në Kongresin e Londrës! Për ne shqiptarët e Kosovës, e gjithë kjo kishte kuptimin e robërisë shekullore nën okupuesin sërb. Andaj, në gjithë at errësirë shtypëse nga pushtuesit, kishte tek-tuk në mënyrë të vazhdueshme ndonjë dritë që u mundonte të ndriqonte nënqiellin shqiptar të tokës së Kosovës. E këta “ndriçues”-ne i quanim Atdhetar, Patriot!
Ishte struktura më e respektuar e popullit tonë, sepse për të bërë dritë, ata e paguanin shtrenjtë: me burgjet famëkeqe të Sërbisë, me persekutime nga më ç,njerëzoret në të gjitha aspektet e jetës së tyre! Vetëm për arsyen e thjeshtë se ata kishin guximin që nëpër skutat e errëta dhe të padrejta të ngjarjeve nëpër historinë e kombit tonë, të ngritnin zërin dhe të flisnin hapur për padrejtësitë shekullore që populli i Kosovës po i duronte mbi kurrizin e tij nga dy palë: ata ndërkombëtarë, që ishte Europa me Traktatet dhe Kongreset e saja hilegjike, dhe e dyta – Sërbia me okupimin e saj çnjerëzor mbi qenien shqiptare!
Nga Europa çuditem shumë! Pse në asnjë moment historik, nuk ka qenë pak më bujare ndaj popullit shqiptar. Në mos për tjetër, për hatër të Skëndërbeut, i cili për 26 vjet me radhë kishte qenë i zoti që ti kundërvihej një Perandorie të tërë, për të mbrojtur krishterizmin e tërë Europës krishtere! Ndërsa me Sërbinë habitem se si edhe pas çdo tendence të saj mobilizuese shumë shekullore, nuk e ka kuptuar që megjithatë, nuk ka mundur të zhduk farën shqiptare. Nuk e ka kuptuar se është cfilitur duke prodhuar gjenerata të tëra të saj dhe duke i helmuar ata me të qenurit kanibal për të ngrënë njerëz shqiptar! I ka maltretuar për shekuj me radhë fëmijët dhe rininë e saj me këtë helm anti-shqiptarian, por pa sukses.
Pikat e këtij helmi, po mundohet edhe pas luftës në Kosovë ti shtrydhë gjer në pikën e fundit, në mënyrë që prap të ketë ndonjë përfitim të radhës në kurriz të fëmijëve dhe rinisë shqiptare! Aktualisht edhe tek rinia sërbe, edhe tek kjo shqiptare, fjala “Zajednicë” është ngulitur në çdo pore të tyre! Dallimi është, se njëra palë del fitimtare duke iu siguruar shfrytëzimi i pasurive nëntokësore të Kosovës, ndërsa pala tjetër mbetet me gishta në gojë edhe për 50 vjetët e ardhshme, derisa Europa t’a bëjë kabull dhe shqiptarët ashtu pa rregull e pa rend t’i fus si kopenë në gjirin e saj!
Nganjëherë kur kam kohë (kështu si sot), e analizoj shume mos-liberalizimin e vizave në Kosovë! Them me vete: Mos po do Europa që duke mos mundur të lëvizim të lirë nëpër vendet e saja, është kah na e imponon vetëm një lloj lëvizjeje: ardhjen gjer në viset shqiptare të Shqipërisë dhe njohjen me to, e gradualisht edhe bashkimin me te! Pastaj, duke na e çnukur edhe ndonjë copë toke, të na fusë edhe në gjirin e saj! Mendimet e mia vetëm vijnë e pshtjellohen më shumë: Po edhe ne shqiptarëve ç’po na duhet vallë shkuarja në Europë, kur kemi aq shumë vende të bukura e atraktive, aq shumë resurse natyrore, si puna e minierave, pastaj bregdetin! Ndërsa resursi kryesor-gjithë ky numër i madhë rinie, e cila nën trysnitë e mos-mundësisë së lëvizjes së lirë aty ku ata duan të shkojnë, bëjnë yrysh për në Europë, duke harruar gjithë të mirat shqiptare që Zoti na i ka falë!
Mos-liberalizimin e vizave edhe për një vit, e dëgjova nga dy studentë të cilët janë në pritje të shkuarjes nëpër Universitetet e Gjermanisë! Janë shqiptarë Kosove, që dinë pesë gjuhë të vendeve të cilat ende nuk i kanë parë ndonjëherë për shkak të pamundësisë së liberalizimit të vizave! Gjuhët që i njohin dhe flasin aq rrjedhshëm dhe shkruajnë, ata i shfrytëzojnë për të lexuar, për tu njohur me kulturën dhe demokracinë e vendeve të bashkëmoshatarëve të tyre! Dinë shumë emra të filozofëve të njohur botëror, politikanëve, shkenctarëve që të arriturat e tyre shkencore ua ofrojnë gjithë atyre fëmijëve e rinie rajonale e europiane, përveç këtyre shqiptare të Kosovës!

Dhe këta duke admiruar të bëmat e tyre, nuk e kuptojnë se çka nuk është në rregull me qenien e tyre, pse ata kanë bërë kaq shumë faj, që le se nuk munden të bashkëpunojnë me këta njërëz intelektual, por as ti shohin e vizitojnë vendet e tyre nuk munden, edhe pse ua flasin gjuhën dhe dinë për historinë e kulturën e këtyre vendeve pa i parë dhe pa i shkelur kurrë! Sa do të doja që këta të famëshmit politikanë e diplomatë ndërkombëtar, t’ua sqaronin fëmijëve tanë fajin që kanë bërë! Pse janë të penalizuar, qoftë për një vajtje-ardhje koti! Se lëre më për të studiuar, apo për të bërë ndonjë hulumtim shkencor, ashtu si aspirojnë!
Si mësuese e shumë gjeneratave që nga vitet e pasluftës, mund të konkludoj lirisht se fëmijët e rinia jonë janë shumë inteligjentë, shumë kreativ dhe shumë ambicioz, andaj ajo që dua t’i ngushëlloj rininë tonë është se nuk duhet ta marrin me shumë fatkeqësi mos-liberalizimin e vizave edhe për një kohë, sepse ju garntoj se vendet dhe viset tona, janë shumë-shumë të bukura! Duhet vetëm t’i duam më shumë dhe ti mirëmbajmë më mirë. Esenciale e kësaj, është që vendin duhet dashur të gjithë qytetarët, jo vetëm në mënyrë individuale! Atdheu ynë, është vetëm i yni-ate askush nuk ka vullnet ta do e respekton më shumë se ne! Të jemi të vetdijshëm se nuk i kemi kapërcyer të gjitha sfidat me armikun, i cili asnjëherë nuk “harron” të mirret me synimet e tija që të na e bëjë ndonjë dëm, ashtu siç janë gjithë këto vite, pasojë e së cilës janë edhe mos-liberalizimi i vizave! Për ti dashur e respektuar dhe njëkohësisht për ti zhvilluar trojet tona etnike, duhet bashkëpunuar më shumë në çdo aspekt në mënyrë të ndërsjellë, sepse kemi shumë nevojë për këtë.
Shkëputja politike për 50 vite me radhë midis trojeve dhe popullit shqiptar dhe mos-mundësia e komunikimit midis nesh për arsyet që tashmë i dimë të gjithë, nuk është se nuk ka krijuar ndasi në mënyrën e të jetuarit, në format e koncepteve dhe në shumëçka tjetër. Kemi “vetëm” një të përbashkët: ne jemi që të gjithë shqiptar andej e këndej kufinjëve dhe kemi hallet e përbashkëta politike, ekonomike etj. Prandaj të dashur shqiptar të Kosovës: duhet të shkohet në Durrës edhe kur nuk është vapë 38 gradëshe. Për familjarët është shumë më mirë për shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë, sepse loja dhe vrapi i tyre në aromën bregdetare, i bën ata më të bukur, u rritet shtati më shumë, sepse kjo duhet të jetë edhe prioriteti kyq i popullit shqiptar që me mundësitë dhe bukuritë e viseve të tija, të zhvillojë dhe të zbukurojë edhe më tutje racën shqiptare.
Ne e dimë-kështu në mënyrë interne, se fëmijët tanë kanë shumë nevojë të ua pastrojmë mushkëritë nga tymi i Obiliqit që pak cepa të Kosovës nuk i arrinë, pastaj e dimë se frutat dhe perimet e rritura në dheun e Kosovës, janë të helmuara nga radioaktiviteti i minave helmuese të forcave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë! Dhe unë ua garantojë se po të organizohemi si mirë, më lirë është një fundjavë në Durrës se sa në Prishtinë. Bilancin e të mirave, bëjeni vet!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura