Prishtinë, 7 prill 2018: Këtyre ditëve ishte edhe një bashkëatdhetare jona për vizitë në vendlindjen e saj, ashtu siç është vërejtur se nuk ishte e vetmja! Bashkëatdhetarët tanë, edhe pse kanë mundësi që pushimet e tyre t’i kalojnë kudo nëpër botë, sepse kanë mundësinë e lëvizjes së lirë, pra kanë vizat dhe nuk e kanë problemin e qytetarëve të Kosovës, ata preferojnë me kënaqësi të vijnë pranë familjarëve të tyre në Kosovë! Kështu bëri edhe znj.Shukrie, e cila rrugën e mërgimit e kishte marrë në vitet “90, atëhere kur në mënyrë të dhunshme i ishin ndërprerë studimet e Mjekësisë – viti i katërt! Pra, kjo studente, kishte fatin e atyre dhjetra mijëra studentëve e profesorëve që u dëbuan nga institucionet arsimore në atë kohë! Nuk u dorëzua! Mori rrugën e mërgimit dhe mësoi gjuhën vendase, vazhdoi studimet dhe tani është profesoreshë e mjekësisë atje!
Pas pak ditësh, bashkëatdhetarja jonë do të shënojë vitin jubilar të ditëlindjes së saj-50 vjetorin e lindjes!
Këtyre viteve të fundit, është bërë shprehi që të afërmit dhe familjarët t’u bëjnë lloj-lloj befasirash më të dashurve të tyre për ditëlindjen! Një gjest shumë i bukur, sepse flet për një stabilitet raportesh ndërfamiljare dhe shoqërore, të cilat kanë qenë kogja diskutabile ndër shqiptarët për shkak të shumë faktorëve. Ndër ta kyç, edhe për arsye të standardit të ulët dhe pamundësisë për të krijuar befasira nga ata që i bëjnë-dhe shumë kënaqësi nga ata që i marrin! Familja shqiptare vazhdon të jetë e ndarë më dysh si para shumë dekadave edhe sot! Arsye e kësaj, mbi të gjitha është lufta për mbijetesë! Janë të shumtë ata që kanë dalë për punë krahu në vendet e huaja për të ndihmuar familjarët e tyre të mbijetojnë në vendlindjen e tyre! Por, viteve të fundit, falë Zotit, shqiptarët kanë arritur që të kujdesen jo vetëm për kafshatën e gojës, por edhe për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tyre në vendet e zhvilluara europiane!
Por, kur i analizon pak këto befasitë e urime-ditëlindjeve, dalin gogja të kushtueshme, besa! Sa një bursë studenti për katër vite studimesh në ndonjë vend të huaj, ose sa një kat shtëpie për ndonjë familje në skamje! Sa një donacion i majmë për ndonjë shkollë, në objektin e së cilës pikon uji nëpër mure, etj! Por, kënaqësia për t’u shprehur dashurinë dhe respektin më të dashurve tanë, natyrishtë se nuk matet në këtë mënyrë!
Kërkoj falje për përllogaritjet e mia në këtë formë dhe uroj shumë që mos ta prishë disponimin e befasuesve të ditëlindjeve!
Protoganistja e shkrimit tim, znj. Podvorica, kishte vendosur që ditëlindjen e saj ta festonte në një mënyrë krejt tjetër prej darkave të begatshme nëpër restaurantet luksoze! U kishte ikur dhuratave të kushtueshme nga më të dashurit e saj! Ajo kishte vendosur që për ditëlindjen e saj të bënte vet dhurata dhe të nderonte disa bashkëmoshatarë të saj, që i kishte pasur gjatë shkollimit të saj në Kosovë-konkretisht në Besianë! Aty ku njëherë e dikur ishte edhe një djalosh me emrin Zahir Pajaziti dhe bashkëmoshatarët e tij që i shkonin prapa në idealin e tij për çlirimin e popullit të vet që rënkonte nën thundrën e tmerrshme të okupatorit serbo-jugosllav!! Dhe ata bashkëmoshatarët ishin kogja numër! Të gjitha shkollat e mesme dhe fillore të Besianës! Gradualisht dhe për kohë shumë të shpejtë edhe të gjitha shkollat tjera në Kosovë, e gjithë klasa punëtore shqiptare!
E kishin fituar besimin gjithë njerëzit e vendit ndaj këtij djaloshit shtathedhur, që u kishte shtënë frikën në palcë armiqëve serbë, të cilët pavarësisht dhunës dhe terrorit që ushtronin mbi popullsinë shqiptare me tërë aramtimet e tyre super moderne për kohën, frikoheshin gjer në palcë nga vullneti dhe dëshira e rinisë shqiptare për të fituar të drejtën për liri e pavarësi të vendit! Znj.Shukrije këto ngjarje e gjetën në moshë shumë të njomë-në klasën e shtatë fillore! Dhe u rritë e u bë studente e vitit të katërt duke qenë gjithnjë pjesë e këtyre proceseve liridashëse të rinisë dhe popullit shqiptar!
Andaj ajo sot, në shenjë respekti e dashurie të thellë për bashkëmoshatarët e saj që na e mundësuan çlirimin e vendit nga thundra gjakpirëse e okupatorit serb, deshi që 50 vjetorin e ditëlindjes së saj, ta festojë duke mbjellur ca fidane dhe ca trëndafila rreth bustit të Dëshmorit të kombit Zahir Pajazitit, emrin e të cilit me krenari të përjetshme e mbanë shkolla fillore dhe ajo e mesme në Orllan! Ajo u kënaq shumë dhe u falenderua ngrohtësisht për idenë e kësaj lloj feste nga drejtori i shkollë z.Zijadin si dhe dy profesorëve të kimisë dhe matematikës, të cilët edhe pse ditë pushimesh pranverore për shkollat, kishin ardhur të bënin parapërgatitjet e duhura për fillimin e procesit mësimor në ditët në vijim!
Natyrishtë që edhe znj.Podvorica që i falenderoi ata për mirëkuptimin, veçanërisht drejtorin e shkollës!
Pas kësaj nga ky ambient i ngrohët vendlindjeje, nga njerëzit aty që e mirëpritën me shumë ngrohtësi gjestin e saj, ajo duke u ndjerë shumë krenare për rininë e atëhershme shqiptare dhe për Dëshmorët e Lirisë, vazhdoi edhe me disa vizita të tjera të kësaj natyre!
Ndërsa, ne që patëm rastin të asistonim në festën e saj, i uruam asaj ditëlindjen e 50 të, shumë vite shëndetmira, shumë suksese në punën e saj në Gjermani! E falenderuam shumë për “befasinë” e saj të këndëshme që na e bëri!
Prandaj, unë krejt në fund, ndjej obligim që ta siguroj Europën që shqiptarët kështu e kanë pasur çdoherë në ekzistencën e tyre-kudo që kanë qenë, kudo që kanë frymuar! Edhepse larg, shumë larg vendlindjes, ata çdo herë kanë qenë me mëndje dhe zemër nga Atdheu i tyre! Andaj, mos u frikoni dhe mos i plaçkitni me copa toke shqiptarët në emër të lëvizjes së lirë, sepse po të ishte që ata duan të ikin nga atdheu i tyre, do ta kishin bërë ato ditët e tmerrshme të luftës, ku refugjatët tërhiqeshin me dhunë për t’i hypur në aeroplanët dhe për t’i katandisur si qyqet nëpër shtetet e ndryshme europiane gjer në Amerikë! Mos ta harrojnë faktin dhe as aktin kur shqiptarët kalonin mbi kufijtë e minuar, për t’u kthyer në shtëpitë e tyre! Kështu e kemi pasur ne shqiptarët den-baba-den; Edhe pse të shpërndarë si zogjët nëpër botë, kurrë nuk e harruam dhe nuk e harrojnë folenë e tyre! Ashtu siç bëri edhe profesoresha jonë këtyre ditëve gjatë vizitës së saj në vendlindje!
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: THIRRJA IME E PËRSËRITUR: “O MILET, ËSHTË MOMENTI I FUNDIT QË HASHIM THAҪI TË NDALET – NGA BOSNJËZIMI I KOSOVËS!”
Pashtriku, 27. 08. 2015: Në fund të shkurtit 2013, (derisa po vazhdonin negociatat politike midis Hashim Thaçit dhe…
ABIN KURTI: DIALOGU SHTESË I THAҪIT, GATISHMËRI PËR KONCESIONE TË REJA!
Pashtriku.org, 02. 05. 2013 – Nuk po shfrytëzohen asnjëra nga dy varësitë e Serbisë ndaj Kosovës. Së pari,…
DR.ABDULLA MEHMETI: DIALOGU I IMPONUAR MES KOSOVËS DHE SERBISË
Tetovë, 26 shtator 2019: Dialogu i imponuar dhe komplikuar pa të drejtë mes dy shteteve të pavarura dhe…
KIM MEHMETI: SALI BERISHA, NJË HERO I HIPUR MBI GOMAR
Tiranë, 20. 05. 2014 – Këtu e dy javë më parë shkrimtari Kim Mehmeti gjendej në Tiranë në…