Skënderaj, 22. 10. 2104: Për liri është luftuar prej kur nuk mbahet mend. Ka luftuar edhe populli ynë. Kanë luftuar, prandaj, edhe gjyshërit e etërit tanë. Luftoi edhe brezi ynë. Deri sa të gjithë kanë luftuar për LIRI e për ATDHE, duhet të kishin tipare, cilësi e edukatë të njëjtë. Çka i dallon këta luftëtarë? Përveç se gjyshërit e etërit tanë luftuan në kushte edhe më të vështira se brezi ynë, pa asnjë përkrahje të huaj, ata nuk kërkuan asgjë nga atdheu, as për gjakun e derdhur, as për shtëpitë e djegura, as për mallin e plaçkitur nga hasmi… Ata kurrë nuk rrahën gjoks për luftën që bënë! Ndoshta për shkak se pas gjithë atyre luftërave nuk fituan lirinë. Ndoshta për shkak të edukatës që kishin: Se ta lavdërosh vetvetën është turp. Se po qite pushkë kur të këndohet kënga, vret trimninë tënde! Dallim tjetër duhet të jetë se në ato luftërat e para kishte pak komandanta e shumë ushtarë…
Këta ‘atdhetarët’ e brezit tonë po na e mbajnë gishtin te hunda se na e sollën lirinë. Ua dimë për nder për jetë të jetëve, ama të na e heqin gishtin nga hunda se na detyrojnë t’ua përmendim ndonjë të ligë.
Na detyrojnë t’i pyesim:
– nëse kanë qenë ushtarë të Atdheut, apo mercenarë;
– a kanë luftuar për lirinë e të gjithëve, apo për liri të pakufishme për vete;
– a kanë luftuar për njëfarë barazie sociale, apo për pasurim të vetës së tyre e për varfërim të shumicës;
– a kanë luftuar që atdheun ta nxjerrin nga kthetrat e armimut për ta futur në kthetrat e veta?
Kthetrat, sidoqofshin, janë kthetra… Po me na pas çlirue krejt vetë?
Pa iu gatue bukë gratë e nënat tona, pa i la e shpërla, pa i strehue, pa i ndihmue me ç’kemi pasë; pa bombardue NATO 77 ditë?… Do t’ishte rrezik që këtë liri do ta meritonin e gëzonin e këtë atdhe do ta trashëgonin vetëm disa dhjetëra komandanta – më të fuqishmit (si në xhungël). Të tjerët duhet të merrnin kryet n’dorë e kah sytë, këmbët…
==========================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KUR USHTARI I ORËVE TË PARA TË UҪK’së VAJTON NGA SKAMJA, NDËRSA KOMANDANTËT QË U PASURUAN DUKE VJEDHUR PARATË E DJERSËS DHE GJAKUT NUK I HAPIN TELEFONIN PËR T’I DËGJUAR HALLET E TIJ?!?!
Në një rrëfim për “Zërin” Invalidi i UÇK-së Kujtim Dervishaj nga fshati Kastriot i Skënderajt, ka thënë se në moshën 17 vjeçare ka braktisur shkollën, ka shkuar në Shqipëri, është armatosur dhe kthehet si pjesëtar i Brigadës 112 ‘Arben Haliti’ të UÇK’ës,… “Unë jam veteran i luftës dhe jam i plagosur. Unë nuk gëzoj pensionin invalidor. Unë s’kam luftuar për pare, por për popull, por më lanë të gjithë anash, më lan pa punë dhe pa shtëpi”…”25 centë kushton një plumb. Sikur ta dija që po vjen kjo ditë, më mirë ia kisha dhënë vetit një plumb. Por, tash i kam katër fëmijë e ku t’i lë ata”, ka thënë me zemër të thyer Kujtim Dervishaj.
– Invalidi i UҪK’së Kujtim Dervishaj, nga fshati Kastriot i Skenderajt –
Pas luftës, fatin e Kujtim Dervishajt e kanë edhe qindra luftëtarë tjerë të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës. Sa për ilustrim, në vijim sjellë një dëshmi rrënqethëse të një luftëtari të orëve të para të UÇK’së, që ka evidentuar në Zyrën e tij, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, z. Behxhet Shala.
Ja se, çka shkruan ai, lidhur me këtë rast?!
“A jeni ju Behxhet Shala më pyeti një fytyrë e përvuajtur në rrugën “Nëna Terezë”, para restaurantit “Rings”. Pas pohimit tim, m’u lut ta takoj, kur të kem kohë të lirë ndonëse tha se nuk mund t’i zgjidh problemet. Anulova një takim të paraparë dhe e prita në zyrën e KMDLNJ’së, të njëjtën ditë. Ishte një burrë rreth të 50’ave, baba i tre fëmijëve dhe gjysh, gjithashtu. Dy here ishte dënuar për “faje” politike, armik i vëllazërim-bashkimit të dikurshëm që mund të përkthehet si multietnicitet i sotëm! Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë, i pa mjete për sigurimin e ekzistencës elementare për familjarët e tij, për veten as që mendonte! Rrëfehej për kohërat e luftës kur me bashkëluftëtarët e tij hapnin istikame, shkonin në vijat e para të frontit, ndanin një copë buke në pesë a më shumë pjesë dhe as që mendonin se mund të vriteshin, me një fjalë, nuk ia kishin frikë vdekjes! Tash, po ata ish’bashkëluftëtarë – komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish’bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij! Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jashari, Komandantin Legjendar të UÇK’së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin“ e merituar! Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i lëshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 (kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja. Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! Vërtetë e tmerrshme, u gjeta në një situatë shumë të rëndë dhe nuk e di se si u përmbajtja. Nuk kisha guxim ta shikoja në sy, si t’i ndihmoja!” – thotë në fund miku im behxhet Shala. Kjo është e tmerrshme, tmerrsisht e tmerrshme!
Një shkrim nga “indeksonline”:
“HASHIMI BLEN ‘BMW’ PREJ ISËS – 270 000 EURO”
E premte, 14 Shkurt 2014
Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dalë prej qejfi vetura BMW X5 b4 me të cilën është vozitur deri tash. Ai tani po “shëtitë” me një veturë tjetër e cila është e blinduar deri në “dhëmbë”. Pavarësisht ndërrimit të veturave, kryeministri nuk e ka ndërruar edhe firmën e saj. Burimet e Indeksonline kanë thënë se, vetura e re e Thaçit është BMW X5 e tipit të ri, e cila i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës, rreth 270 mijë euro. Kryeministri ka vendosur që kësaj here veturën t’a marrë nga firma e djemve të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Musafët janë përfaqësues të BMW-së për Kosovë dhe si duket Qeveria nuk ka pasur rrugë tjetër për të blerë veturën e preferuar për kryeministrin. Një veturë BMW X5 e tipit të ri e përdorur dhe e pa doganuar, në një sallon në Gjermani kushton 202 mijë euro.
Burimi: http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=85482
::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::
(Përgatiti: editori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)