Skënderaj, 27. 07.2 015 – Sa më kujtohet, në librin “Gjeniu i kombit” kam lexuar se Mit’hat Frashëri kishte refuzuar të merrte rrogë, ndonëse kishte një post të lartë në shtetin e sapokrijuar shqiptar. Si të marr rrogë nga ky shtet i varfër – kishte gjykuar ai. E, në kohën tonë, si në të gjitha kohët, patriotë janë quajtur të gjithë ata që janë angazhuar në mënyra të ndryshme për Atdheun, kombin, të ardhmen e tij. Ndërsa si elitë e kësaj kategorie janë quajtur ata që kanë dhënë jetën për këto ideale, pastaj ata që kanë luftuar, ata që janë plagosur, ata që janë burgosur…
Dhe, mileti i ka nderuar, i ka respektuar, është përulur para tyre.
Tani, kur Atdheut për të cilin janë angazhuar ia kanë bërë faturën dhe kërkojnë nga ai që t’i paguajë për kontributin e dhënë, a e meritojnë edhe respektin? Edhe paratë, edhe respektin jo!
Ata (mileti i varfër) të cilët u janë përulur, mendoj se tani e tutje nuk e kanë më obligim ta lakojnë asnjë milimetër kurrizin kur ata u flasin, u tregojnë bëmat e tyre. Thjesht, mund t’u thonë “i keni marrë paratë!” Dhe, shumicës së tyre mund t’u thonë edhe:
– pse mos paske shkue n’burg për mue?
– Mos paske luftue për mue?
E paske pasë për b…tan’e! Se le që je deputet, ministër, kryetar komune, drejtor, milioner…, po tash po i merr edhe paratë për burgun që ke bërë, për luftën a ‘luftën’ që ke bërë, për plagët a ‘plagët’ që ke marrë. Dhe po i merr nga xhepat tanë të grisur!
E ne që ju rritëm, ju mbajtëm, ju ushqyem, ju strehuam… çka fituam?
Lirinë – do të thoni ju.
Po lirinë e fituat edhe ju, por a e shihni se nuk po ju mjafton?!
Patriotët po tentojnë të barazohen moralisht me cubat në pushtet e jashtë tij, të cilët po duan t’ia gërryejnë edhe palcën shtetit të vet, për të cilin janë angazhuar.
Ka vetëm një dallim: se këta po e bëjnë me lejën e ligjit!
Këtij cilësimi i shpëtojnë ata të cilëve shteti nuk ua ka shtri dorën e përkrahjes, as me punë, as me ndonjë ndihmë tjetër. Të tillë, i njoh disa.
Ndërsa njoh vetëm një i cili është deklaruar publikisht se nuk i merr paratë e veteranit të Luftës, sepse luftën ia ka pasur borxh Atdheut dhe një tjetër, i cili u deklarua se nuk i merr paratë e burgut, se nuk e ka burgosur shteti i vet…