(Prishtinë, 11. 01. 2013) – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, apo siç preferon ta quajnë edhe kryeministër i shqiptarëve, ka filluar qe disa muaj fushatën për fitimin e zemrave të shqiptarëve, me premtimin paraelektoral “Pasaporta për të gjithë shqiptarët”.Do të ishte shumë në rregull kjo iniciativë, sikur ky të ishte problemi i fundit i pazgjidhur për shqiptarët në dy anët e kufirit. Mirëpo, fatkeqësisht, lista e problemeve të pazgjidhura ekonomike dhe politike është e gjatë.
Berisha para opinionit po tregohet “gojëmbël” dhe po krijon favore fiktive për shqiptarët përtej kufjve të Shqipërisë. Por, në praktikë puna e tij flet ndryshe.
Pikërisht qeveria që drejton kryeministri Berisha, gjatë vitit që po e lëmë pas, vendosi taksë për importuesit e patates nga Kosova, ku me këtë veprim shumë prodhues të patates ai i bankrotoi, e kur e arriti këtë qëllim, ai hoqi taksat, por prodhuesit e patën të vështirë që t’i rikthehen tregut.
Nuk është ky veprimi i vetëm i dëmshëm që kryeministri Berisha bëri për shqiptarët që tash po u ofron pasaporta.
Ai po ashtu, Qeverisë kosovare ‘i fali” portin e Durrësit. Por, një premtim i tij asnjëherë nuk u bë realitet. Situata në këtë drejtim u komplikua edhe më shumë, kur para pak kohësh u kuptua së një pjesë e konsiderueshme e pronës ku gjendet porti është pronë private dhe për këtë të fundit pronarët e tokës kanë paditur Qeverinë e Shqipërisë në gjykatën e Strasburgut.
Goditja më e rëndë që morën shqiptaret në të dyja anët e kufirit, nga ana e kryeministrit Berisha, pa dyshim se ishte anulimi i tenderit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovoltëshe Kosovë – Shqipëri.
Më këtë veprim ai i krijoi favore mafisë serbe të energjetikës, ndërkaq në anën tjetër po ua zbraz xhepat shqiptarëve të vet, duke paguar energji me çmime enorme.
Dy biznesmenët serbë të energjetikës, Vuk Hamoviç dhe Damir Fazliq, sivjet kanë më shumë arsye të organizojnë festë në rastin e ndërrimit të viteve, pasi që edhe gjatë vitit 2013 ata do të kenë monopol në import të energjisë, si në vendin tonë, ashtu edhe në republikën që drejton kryeministri Berisha.
Skandali i interkonjeksionit pa dyshim se ishte ngjarja më e rëndë e vitit që po e lëmë pas, madje edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, pasi që me këtë veprim ai i tregoi botës se nuk i njeh rezultatet që dalin nga një garë fer, por si zakonisht imponon vendime në favor të miqve të tij.
Raportimet e gazetës “Zëri” rreth skandalit të interkonjeksionit në prill të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i pati cilësuar si “klithmë të mafisë së dëshpëruar”.
Ai në atë kohë pati vazhduar edhe me akuza të tjera, ku investigimin prej muajsh të gazetës e pati cilësuar si produkt të mafisë, e cila, sipas tij, nuk ka atdhe dhe komb.
Mirëpo, e gjithë ajo që u shkrua në gazetë, si për dreq doli të jetë realitet.
Tenderi i interkonjeksionit do të nisë nga pika zero, duke lënë mbrapa dështimet në realizimin e këtij projekti madhor. Nëse gabimet janë mësim, atëherë Berisha do të duhej t’i tregojë opinionit se cili është atdheu i tij.
===================================
LEXONI:
SALI BERISHA ME ‘MAFINË’ SERBE, KUNDËR KOSOVËS!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=264
……………………………………………….