Prishtinë, 10. 03. 2015 – Një grup i vogël njerëzish, kryesisht zyrtarë të lartë të institucioneve, por edhe të afërm të tyre, kanë kapur në dorë shtetin të krijuar pak vite më parë. Këta janë mbi të gjithë. Me një fjalë bëjnë çfarë duan ata vetë, pasi që janë të paprekshëm nga askush, madje as edhe nga sistemi i “pavarur” i drejtësisë. Nuk janë të rralla rastet e rralla kur të dënuarit me 10 apo edhe më shumë vite burg, i rastisësh në kafene, rrugë apo edhe në ndonjë manifestim partiak, edhe pse ata de fakto është dashur të ishin në qeli për problemet që i kanë shkaktuar.
Në shtetin më të varfër në Evropë, por edhe më gjerë, këta (politikanët dhe vartësit e tyre) përreth një dekade kanë arritur të krijojnë pasuri marramendëse.
E në anën tjetër gjysma e popullatës në vend çdo ditë e më shumë përballet në luftë për ekzistencë.
Në disa raste këta (politikanët) po ua “hanë” bukën edhe shtresës më të varfër të shoqërisë, të cilët emigrimin po e shohin si shpresë të vetme për të bërë një jetë paksa më normale.
Në kushte normale më shumë se një dekadë pas shpalljes së Pavarësisë është dashur të kthehet normaliteti dhe stabiliteti në vend.
Por, fatkeqësisht tek ne po ndodh e kundërta. Gjithçka po shkon keq e më keq. Gjithkush po tenton të pasurohet brenda natës e askush nuk i shikon dhe ndihmon ata që nuk kanë mundësi edhe pse kanë.
Imazhi i shtetit dhe i institucioneve çdo ditë e më shumë po rëndohen, edhe pse në vazhdimësi shpenzohen para të buxhetit për ta përmirësuar atë. Mirëpo, e kotë. Të fortët po vazhdojnë me avazin e vjetër.
Prokurimi Publik edhe më tutje mbetet hallka më e dobët e shtetit, ku çdo ditë Kosova del të jetë ndër vendet me shkallë të lartë të korrupsionit, pasi që në pozita të rëndësishme janë vënë njerëz pa fije profesionalizmi, por edhe morali.
Është rasti i fundit kur një anëtar bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është arrestuar dhe gjendet në paraburgim nën dyshimin për trafikim me femra të mitura. Pavarësisht kësaj, personi në fjalë edhe pse ndodhet prapa grilave edhe më tutje vazhdon ta marrë pagën nga arka e Shtetit.
Skandali i fundit me diploma false në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, pa dyshim se është ndër skandalet më të mëdha që kanë ndodhur pas mbarimit të luftës e këndej, kur politikanë, profesorë, zyrtarë të lartë, por edhe qytetarët të thjeshtë po dyshohet se kanë falsifikuar diplomat e tyre universitare.
Si për çudi për këtë vepër penale para një kohe jo të gjatë ishin dënuar 35 persona, por çuditërisht diplomat, që ata dyshohet t’i kenë falsifikuar, vazhdojnë të mbeten valide. E çuditshme kjo.
Vjedhja e qytetarëve përmes njehsorëve elektrikë, që pas analizimit dhe testimit të tyre ka rezultuar se nuk kanë qenë konform standardeve të parapara në vendin tonë, radhitet në top skandalet e pasluftës në vendin tonë.
Edhe më tutje Kosova është rast i veçantë, ku zyrtarët e lartë të shtetit brenda një periudhe të shkurtër prej kohës kur e marrin pozitën arrijnë të grumbullojnë shuma marramendëse parash, por edhe patundshmëri në emër të tyre dhe të familjarëve të tyre. Janë disa raste kur ata marrin paga nga 1000 ose më pak euro e në anën tjetër për më pak se një dekadë kanë krijuar pasuri më të madhe se një milion euro. E që me ta nuk merret askush. Këta janë thuajse të paprekshëm nga sistemi i brishtë i drejtësisë në vend.
Konsumatorët e varfër në këtë shtet janë lodhur më nga produktet e dyshimta që atyre iu servohen çdo ditë nga tregtarë të papërgjegjshëm që për para vënë në rrezik shëndetin e popullatës në vend. Në pjesën dërmuese të prodhimeve vendore të lëngjeve figuron se ato kanë përmbajte 100 për qind të frutave. Por, në realitet thuajse të gjithë prodhuesit përdorin koncentrat të importuar nga Kina apo edhe nga vendet e tjera të botës.
Në disa raste lëngjet që ata nxjerrin në treg kanë çmim më të lirë se uji natyral që prodhohet në vend apo importohen nga jashtë.
Çdo ditë, shteti e qytetarët e varfër të tij po dëmtohen, po plaçkiten e po vidhen, ndërkaq në anën tjetër politikanët po “trashin” kuletat e tyre. Të fortët kanë kapur shtetin në dorë e pjesa tjetër e shoqërisë po përballet çdo ditë e më shumë me varfërinë.
###
NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
Një shkrim nga “indeksonline”:
“HASHIMI BLEN ‘BMW’ PREJ ISËS – 270 000 EURO”
E premte, 14 Shkurt 2014
Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dalë prej qejfi vetura BMW X5 b4 me të cilën është vozitur deri tash. Ai tani po “shëtitë” me një veturë tjetër e cila është e blinduar deri në “dhëmbë”. Pavarësisht ndërrimit të veturave, kryeministri nuk e ka ndërruar edhe firmën e saj. Burimet e Indeksonline kanë thënë se, vetura e re e Thaçit është BMW X5 e tipit të ri, e cila i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës, rreth 270 mijë euro. Kryeministri ka vendosur që kësaj here veturën t’a marrë nga firma e djemve të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Musafët janë përfaqësues të BMW-së për Kosovë dhe si duket Qeveria nuk ka pasur rrugë tjetër për të blerë veturën e preferuar për kryeministrin. Një veturë BMW X5 e tipit të ri e përdorur dhe e pa doganuar, në një sallon në Gjermani kushton 202 mijë euro.
Burimi: http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=85482
…………………………………………………..
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)