MIFTAR MEHANI: DRUAJ PËR 1 SHTATORIN 2016!

Prishtinë, 29. 08. 2016: Si shumë kush nga ju, vraj mendjen: si do të kalojë tentativa e qeverisë që ta sjell në votim demarkacionin e Komisionit qeveritar, me 1 shtator 2016? Po qenë real deputetët që kanë shprehur mosbindjen nga puna e këtij komisioni, ky version i demarkacionit nuk do të kalojë. Kësisoj, shtrohet çështja: është më mire të lihet të zhvillohet procedura e votimit dhe përmes deputetëve qeveria të marrë hapat për hedhjen poshtë të këtij versioni të demarkacionit që ka bërë M.Meha (çuditërisht, ky njeri, me shkollim akademik e titull doktori, është pozicionuar në kundërshtim me orientimet e paraardhësve të tij të pashkollë), apo të veprohet në pamundësimin e hedhjes në votim, ashtu siç do të veprojë VV?
Vlerësoj si shumë të rëndësishme varantin që demarkacioni i qeverisë të dështojë përmes votës së deputetëve dhe jo përmes veprimeve që pamundësojnë procedimin. Ai moskalim do të ishte thyerje e madhe e kësaj tentative të pushtetit inatçor dhe një kthim në pikën “0” të procesit të shënimit të vijës ndarëse me Malin e ZI. E që të kthehet në këtë pikë, po e daklarojmë shumica: opozitë e pjesë e konsideruar e pozitës, qytetari aktive, OJQ, intelektualë e qarqe të caktuara shkencore (por, pa ASHAK që ndodhet në gjumë me vjetë të tërë dhe i qoftë në ndergjegje ky lojalitet prej sahanlëpirësi).
Por, dilema e besnikërisë tek deputetët, të cilët janë në pozitë dhe kanë deklamuar votën kundër, nuk është krejt e pabazë, madje, nga praktikat e këtyre që janë në pushtet sot, nuk do na befasojnë metamorfozat. Ato do të kenë çmime të majme.

Një opozitë skajshmërisht e interesuar për moskalimin e demarkacionit (në këtë variant, se një ndarje kufijsh patjetër do të duhet ta bëjmë), mandej deklaratat e sasisë së mjaftuar të deputetëve të pozitës dhe atyre të pavarur, është një potencial i cili do të duhej të reflektonte dhe të ndodhte ndëshkimi (votimi kundër). Ky potencial, që del të jetë më shumë se pjesa tjetër kundruall, do të duhej jo vetëm të na mbushte me opsione racionale, porse, detyrimisht, të gjente edhe mekanizmin për bashkrendim mes subjektesh të cilat janë kundër, pastaj të këtyre me deputetët nga radhët e pozitës e që janë kundër, si dhe me shoqërinë civile.
Me këtë të fundit, në kuptim të organizimi të ndonjë proteste thellësisht paqësore, si shprehje e mendimit të qytetarëve. Por, kjo, me gjasë, nuk do të ndodh. Nuk do të ndodh një menaxhim i duhur i kësaj situate, pikërisht për shkak të inateve të subjekteve opozitare, si kundërshtuesit relevantë. Rrjedhimisht, 1 shtator 2016 do t’i lehet stihisë e jo organizmit.
Përse kemi nevojë ta durojmë votimin e humbjes së 8200 hektarëve, në njërën anë, dhe poashtu, ta durojmë shndërrimin e 1 shtatorit në arenë të bajraktarëve (unë e ngris zërin e ti më aplaudon)?
Nuk paska forca brenda këtyre subjekteve të opozitës që për një çast t’i kalojnë inatet dhe të ndërtojnë një agjendë të përbashkët me të gjithë ata që janë kundër këtij ravijëzimi të dëmshëm, një strategji kaluese dhe me të vetmin qëllim që ta kalojnë 1 shtatorin 2016 me dinjitet dhe me një kthim besimi të elektoratit në ata që do t’i votojnë nesër?
Si të tillë, të organizuar dhe të vendosur, pa asnjë dyshim, edhe faktori ndërkombëtar, ‘miqët tanë’ do të kishin më të lehtë të pozicionoheshin në Vox Populi, Vox Dei!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura