(Pashtriku.org, 19. 05. 2012) – Të burgosurit pritnin me padurim ditën e 17 majit 1999, kur do t’i skadonte afati i burgut profesor Mr.Ukshin Hotit, ndërsa Ai do të merret nga burgu, pa pritur, një ditë më parë, më 16 maj 1999, “lirim” i pazakonshëm në praktikën e burgjeve serbo-sllave dhe veçanërisht për rrethanat e Luftës çlirimtare në Kosovë. Megjithatë, shpresohej se Bacin Ukë, siç e thirrnin Ukshinin bashkëvuajtësit në burgje, mund ta priste ndonjë përfaqësues i organizatave humanitare, siç mund të ishte Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, që do të kujdesej për sigurinë e jetës së tij. Pas marrjes dhe zhdukjes së Profesor Ukshin Hotit, zhvillimet e përgjakshme vazhduan rrugëtimin. Po atë ditë që u “lirua” Hoti, nga burgu u “lirua” edhe Rasim Plava nga Cërmjani i Gjakovës, i cili më vonë u gjet i vrarë në Vranoc të Pejës, të nesërmen u “lirua” Haki Z. Dinaj nga Raushi i Pejës dhe konsiderohet i zhdukur, kurse më 18 maj 1999, në mjediset e Burgut të Dubravës është ekzekutuar Shkëlzen Pepshi nga Juniku i Deçanit. Krimi i pashembullt, gjakderdhja e llahtarshme, do të ndodhë më 19 – 24 të majit të vitit 1999.
Fillimi i vitit 1997 në Kosovë nisi më një varg arrestimesh të shumta, por edhe me goditje të drejtpërdrejta në strukturat e UÇK-së. UDB-ja dhe ushtria jugosllave synonin që më këto goditje të dobësonin, apo të asgjësonin në tërësi forcën ushtarake dhe politike UÇK, e cila në programin politik dhe në doktrinën ushtarake kishte çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, me mjete të tjera nga ato që trumbetoheshin në ato vite nga partitë dhe lëvizjet pacifiste shqiptare të kohës. Burgjet hetuese në Kosovë thuajse ishin të stërmbushura nga këto arrestime dhe në çdo qeli të këtyre burgjeve kishte ,,terroristë’’ të pathyeshëm në rrugën jetësore çlirimtare të tyre.
Realisht, pas dënimit të tri grupeve, që u bë gjatë vitit 1997, pushteti serb sikur planifikonte që burgjet hetuese t’i mbushte prapë me ,,terroristë’’ të rinj, andaj ende pa u kthyer aktgjykimi nga shkalla e dytë filloi që një pjesë të të dënuarve t’i transferonte në Burgun e Dubravës. Transferi bëhej pasi që ky burg ishte i njohur për kapacitetin që posedonte në planin e infrastrukturës dhe të kushteve për mbajtjen e një numri shumë të madh të të burgosurve.
Në fillim të vitit 1998 nga Burgu Hetues i Qarkut të Prishtinës transferohet në Burgun e Dubravës një grup i të dënuarve: Avni Klinaku, Liburn Aliu, Dylber Beka, Enver Dugolli, Eqrem Kastrati dhe Jahja Lluka, që u soll nga Burgu i Pejës. Në shikim të parë dukej se nuk po ndodhte asgjë e jashtëzakonshme, mirëpo më vonë u kuptua se aty synohej një grumbullim i madh i të gjithë të burgosurve politikë me autoritet dhe me ndikim në radhët e masave shqiptare.
PAMJE TMERRUESE NGA MASAKRA – NË BURGUN E DUBRAVËS!
____________________________________________
Nga kjo kohë në Burgun e Dubravës, përveç grupit të përmendur më sipër, ndodheshin në vuajtje të dënimit edhe shumë të burgosur të tjerë politikë, të grupeve të ndryshme, mirëpo ishin të ndarë nëpër pavijone. Në vuajtje të dënimit, aso kohe, ndodheshin shumë figura të shquara – veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare të cilët për veprimtari politike patriotike ishin dënuar disa herë me dënime drakonike.
Lista e të burgosurve politikë që ndodhëshin asaj kohe në Burgun e Dubravës është kjo: Bajrush Xhemaili, Hajredin Hyseni, Xhelal Canziba, Ismet Mahmuti, Raif Çela, Avdi Mehmeti, Rexhep Oruqi, Sheremet Ahmeti, Blerim Olloni, Hajzer Hajzeraj, Reshat Maliqi, Fadil Hyseni, Sejfullah Sahatqiu, Shefqet Beqaj, Gani Mullabazi, Salih Sokoli, Esat Haxhijaha, Xhemajli Haxhimustafa, Remzi Tetrica, Naser Husaj dhe Naser Ndrecaj.
Përcjelljet e shumta që u bëheshin, jo vetëm atyre, por, po thuajse të gjithëve që ishin arrestuar ose dënuar për veprimtari patriotike, por, duke përfshirë këtu edhe një numër të burgosurish ordinerë, të cilët do të bëhen krah i të burgosurve politikë, tregonin qartë se aty përgatitej terreni për ,,banorë’’ të rinj.
Zgjerimi i luftës së UÇK-së, e sidomos ndeshja ballore në Likashan, më 28 shkurt, dhe Epopeja e UÇK-së në Prakaz, më 5-7 mars 1998, ndryshoi shumëçka, jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar. Tashti u pa se edhe pushteti serb po ndërronte planet dhe po përgatitej të ballafaqohej me një situatë tjetër nga ajo që kishte menduar.
Se, vërtet po ndërronte diç në këtë drejtim, tregon fakti se të burgosurit e tjerë, siç janë Grupi i Nait Hasanit dhe Grupi i Besim Ramës, e që pritej se do t’i transferonin në këtë burg, nuk erdhën, nuk i sollën, pasi që lufta e UÇK-së po përhapej çdo ditë e më shumë, e me këtë edhe masat e pushtetit për gjoja ,,sigurinë’’ e të burgosurve po “rriteshin”!?! Kuptohet, në raste të tilla, në kushte e rrethana të burgut serbo-jugosllav, të burgosurit, dhe veçanërisht ata shqiptarë, ishin të pafuqishëm të ndikonin në vendimet e qarqeve politike, policore e gjyqësore të okupatorit, ndonëse kishin të bënin me jetën dhe fatin e tyre. Me një vendim të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, më 29 dhe 30 prill 1998, u bë ritransferimi nga Burgu i Dubravës në burgjet serbe i të gjithë të burgosurve politikë, me arsyetimin, sa qesharak aq edhe ironik – kinse ,,për shkaqe sigurie…’’!?! Ky transferim fillimisht u bë në dy burgje, pikërisht në Kazamatin e Nishit dhe në Kazamatin e Mitrovicës së Sremit.
Në burgun e Mitrovicës së Sremit transferohen: Bajrush Xhemaili, Avni Klinaku, Liburn Aliu, Dylber Beka, Enver Dugolli, Eqrem Kastrati, Raif Çela, Avdi Mehmeti, Hajzer Hajzeraj dhe Naser Husaj. Ndërsa në burgun e Nishit transferohen: Hajredin Hyseni, Ismet Mahmuti, Xhelal Canziba, Sheremet Ahmeti, Gani Mullabazi, Salih Sokoli, Remzi Tetrica dhe Naser Ndrecaj. Kuptohet, të burgosurve nuk u lëshuan vendime për transferim. Këta, ato vendime do t’i shohin vetëm nëpër zyra të kazamateve serbe, në momentet kur kërkonin që t’i kthenin në Kosovë. Drejtoritë e burgjeve, për mospërmbushjen e kërkesave të të burgosurve politikë, arsyetoheshin se vepronin sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe se mbajtja jashtë zonës ndërluftuese “është për të mirën’’ e tyre.
Realisht, pas transferimit të të burgosurve shqiptarë politikë nëpër burgjet serbe, nuk vonoi shumë dhe i larguan edhe të gjithë të burgosurit e tjerë që ishin të dënuar për vepra ordinere. Të gjithë u dërguan nëpër burgje të ndryshme të Serbisë, si në Kazamatin e Nishit, të Pozharevcit, të Mitrovicës së Sremit etj.
Burgu i Dubravës tani ishte i liruar nga të burgosurit, mirëpo aty tashti po ndodhte diçka e pashembullt. Zhvillimi i Luftës së UÇK-së po kalonte në një fazë të re. Përhapja dhe shtrirja e saj ishte më se evidente, andaj edhe serbët po merrnin masa të reja shtesë për të goditur jo vetëm UÇK-në dhe bartësit e organizimit të kësaj lufte, por edhe masa ndaj popullatës civile, si ndëshkim, duke zbatuar strategjinë e Tokës shqiptare të djegur.
Në rrethana të tilla, objektet e Burgut të Dubravës në këtë drejtim po shndërroheshin në një bazë ushtarake e paramilitare institucionale serbe shumë të rëndësishme për operacionet ndëshkuese që po ndërmerrte komanda supreme ushtarake dhe policore serbe për Rrafshin e Dukagjinit dhe më gjerë. Në objektet e burgut dhe përreth pushtuesi serb përqendroi një arsenal të madh luftarak, me të cilin operonte kundër UÇK-së dhe popullatës civile.
Të burgosurit shqiptarë politikë dhe ordinerë, edhe pse ishin dërguar nëpër burgjet serbe jashtë zonës së luftës, për gjoja “çështje sigurie”, nuk ishin kurrë të sigurt, sepse serbët e shumtë, që merrnin pjesë në luftën që po zhvillohej në Kosovë, shpesh u vinin dhe i “vizitonin”, e sidomos kur pësonin humbje në frontin e luftës. Thjesht shqiptarët në burgjet serbe nuk ishin të burgosur, ishin pengje të luftës, dhe mbi ta ushtrohej dhuna serbe tradicionale sa herë që serbët donin ta demonstronin ,,fuqinë’’ e shtetit policor e ushtarak milosheviçian.
Vizitat e shumta që ua bënin të burgosurve shqiptarë “personalitetet” serbe në kampin e Mitrovicës së Sremit e gjetkë, siç ishte edhe vizita e kriminelit Arkan, tregonte qartë se ndaj tyre po përgatitej diçka edhe më e keqe, diçka më shumë sesa po u ndodhte për çdo ditë. Sa herë që vinin “vizitorë” të tillë, të burgosurit shqiptarë ishin të detyruar të prezantoheshin se kush ishin, prej nga ishin, përse ishin burgosur. Shënimet që ua merrnin, e shpesh edhe i fotografonin, ishin të pakuptimshme për të burgosurit, pasi që të gjitha këto informata i kishte personeli i kampit në dosjet e të burgosurve.
Themi “i kampit” për arsye se, vërtet, për të burgosurit shqiptarë burgu ishte kamp i shfarosjes dhe asgjë tjetër, pasi që të drejtat që mund t’i gëzonte një i burgosur për ta kishin pushuar së ekzistuari që me fillimin e luftës.
Fillimi i bombardimeve të NATO-së, siç dihet, pengjet shqiptare i gjeti gati në të gjitha kazamatet serbe dhe në kushte mjaft të vështira. Autoritetet e këtyre kazamateve kishin humbur pothuajse në tërësi logjikën e të menduarit dhe të vepruarit si organe shtetërore, sepse ato tashti silleshin me një egërsi të paparë. Të burgosurit shqiptarë, duke mos pasur kontakte me familjet, as me përfaqësuesit e organizatave për liri dhe të drejta të njeriut, në fillim mendonin se organet drejtuese të burgjeve i kishin këputur lidhjet me organet më të larta, gjyqësore e juridike, mirëpo puna qëndronte krejtësisht ndryshe.
Drejtoritë dhe personeli i kazamateve më përpikëri u përmbahej udhëzimeve nga lart. Ato vetëm zbatonin planet në nivele të shtetit që ishin bërë qysh më herët. Për çudi, të burgosurit shqiptarë, nuk mund të mendonin fare për përgatitjen e mynxyrës së Burgut të Dubravës. Çdo gjë do të vije si e papritur dhe si ndodhi e pabesueshme. Kur është fjala për Kazamatin e Mitrovicës së Sremit, pikërisht më 26 prill 1999, u urdhërohet të burgosurve politikë (më herët i kishin grumbulluar në një dhomë, ku e kishin sjellë edhe profesor Mr. Ukshin Hotin), që me nguti t’i bënin gati gjërat që kishin, sepse do t’i transferonin “diku tjetër…”!?!
Ishin gjithsej 45 veta të dënuar politikë, pasi që të burgosurit e tjerë, të dënuarit ordinerë, i kishin transferuar kohë më parë diku tjetër. Më vonë do të mësohet se ata i kishin kthyer në Burgun e Dubravës. Vërtet, kishte rastisur që gjatë kohës sa të burgosurit politikë po bëheshin gati për rrugë, përgjuan një bisedë midis dy gardianëve se edhe këta “po i dërgonin në Burgun e Dubravës…”?! Ky sihariq shkoi vesh më vesh të të burgosurve shqiptarë, si lajm i pritur, me vetë faktin se njeriut ç’do e keqe që mund t’i ngjajë më lehtë e përballon kur është në tokën e vet. Mirëpo, fillimisht nuk ndodhi e pritura. Prej Mitrovicës së Sremit i sollën në Kazamatin e Nishit, kamp i cili për shqiptarët i tejkalonte edhe kampet më të këqija naziste.
Në Burgun e Nishit i mbajtën vetëm tri ditë, prej 26 – 29 prill 1999. Ndaj të burgosurve shqiptarë këtu tashti do të zbatohej një dhunë shumë e shfrenuar, dhunë që nuk kursehej askush. Plak apo i ri, i sëmurë apo invalid, i zoti apo i pazoti, të gjithë iu shtruan asaj katrahure të papërshkrueshme.
Thyerja e këmbës së plakut shumë të shtyrë në moshë Nezir Zogajt nga Bushati i Drenicës ishte vetëm një shembull, se deri ku mund të shkonte ajo çmenduri e bishave me fytyrë njeriu. Kjo “thyerje eshtrash” për të burgosurit politikë shqiptarë të Burgut të Sremit zgjati, siç u tha, vetëm tri ditë, mirëpo aty pati edhe shumë shqiptarë, të cilët me muaj të tërë kishin provuar ato mynxyra.
Nga Kazamati i Nishit, të mbërthyer më hekura dhe varganë, më një përcjellje të veçantë, të burgosurit shqiptarë i trusën në tre autobusë, por ata as mund të besonin se do të përfundonin në Kosovë. Nuk kishin si të besonin një gjë të tillë, edhe nga fakti se në Kosovë po bëhej një luftë shumë e madhe, ndërkaq ata, siç u kishin thënë, i kishin larguar nga Kosova me vendim të Ministrisë së ,,drejtësisë” serbe – “për shkaqe sigurie” !?!
Vërtet, ata që kohë më parë u thoshin të burgosurve shqiptarë se në Kosovë nuk jeni të sigurt, në një kohë kur lufta nuk ishte e përmasave të prillit të vitit 1999, tashti edhe vetë po i ekspozoheshin një rreziku mjaft të madh, vetëm e vetëm që të zbatonin një plan të përgatitur dhe të dizajnuar në hollësi nga organet më të larta shtetërore serbe.
Dhe, në një moment, kur një autoblindë e ushtrisë serbe hyri në mes të dy autobusëve të fundit në kolonën që transferonte të burgosurit shqiptarë – pengje të luftës, pikërisht në mes të fshatit Llapushnik dhe Arllat të Drenicës, goditet nga një aeroplan i NATO-s. Ndodhi diçka shumë e çuditshme dhe e pabesueshme! U shkatërrua autoblinda dhe u vranë ushtarët serbë që gjendeshin brenda. Sapo ndodhi ngjarja, ushtarë dhe paramilitarë serbë që kishin qenë në pozicione përreth rrugës, të tmerruar dhe të mllefosur për humbjet që pësoi makineria ushtarake serbe, tentuan që më çdo kusht të hakmerreshin më vrasjen e disa pengjeve shqiptarë që gjendeshin në autobusë të lidhur këmbë e duar.
Ndodhi, këtu, para syve të të burgosurve shqiptarë, diçka e papritur, diçka humane për t’u shënuar. U zhvillua një dramë e vërtetë në mes të gardianëve shoqërues të të burgosurve dhe paramilitarëve që donin të hakmerreshin më çdo kusht ndaj të burgosurve shqiptarë të rraskapitur. Dhe gati sa nuk filloi një luftë në mes të dy palëve serbe të armatosur. Kërkesës për hakmarrje gardianët iu përgjigjën: “E kemi një urdhër nga Milosheviqi që këta të burgosur duhet më çdo kusht t’i dërgojmë në numër të caktuar në një vend”. Së fundi, paramilitarët e frustruar iu bindën logjikës ushtarake, e kuptuan se kishte një urdhër nga lart dhe se atë urdhër duhej respektuar, edhe pse e dëshironin hakmarrjen këmbadoras edhe ndaj të pamundurve. Shqiptari dhe ushtari i NATO-s për ata tashti ishin një dhe barabar të urryer.
Më në fund, më 29 prill 1999, të burgosurit shqiptarë nga Kazamati i Mitrovicës së Sremit dhe Kazamati i Nishit u gjetën në Burgun e Dubravës, një vit pasi që shumë prej tyre ishin larguar “për çështje sigurie…!?!”, por ata ende nuk mund ta merrnin me mend se çka po përgatitej, në të vërtetë, për jetën dhe për fatin e tyre. Dy autobusët e fundit që u nisëm nga Nishi në Burgun e Dubravës arritën një ditë më vonë, më 30 prill 1999, për faktin se me rastin e sulmit të avionit të NATO-s mbi autoblindën serb, siç u sqarua, dëme të vogla materiale pësuan edhe dy autobusët. Po atë ditë, pra më 30 prill 2004, Në Burgun e Dubravës i sollën të burgosurit nga Prizreni, Lypjani dhe Gjilani, kurse pas dy ditësh, më 2 maj 1999, i sollën të burgosurit nga Prokupla e Vraja.
Tashti Burgu i Dubravës më nuk ishte në rendin e mëparshëm, edhe pse kishte po atë infrastrukturë dhe kishte po ata gardianë. Personeli i Burgut të Dubravës, i cili do të bartë barrën e krimit në Masakrën e Dubravës, ishte: drejtori, Aleksandër Kovaçeviq, komandanti, Miki Vidiq, mbikëqyrësi, Branko Komatina, milici Gërga Igor e të tjerë dhe gardianët e quajtur: Aca, Mitri, Mance, Pegja e të tjerë. Tashti pushteti për krim ndaj pengjeve shqiptare, u ishte besuar të burgosurve ordinerë: Svetlan Martinoviq nga Vrraka e Shkodrës, vrasës i Familjes Cacaj nga Deçani, Boban Bashçeviq nga Nikshiqi dhe Ilia Mishkoviq nga Çaçaku e të tjerëve.
Në këtë burg, kohë më parë, ishte sjellë një pjesë e të të burgosurve ordinerë shqiptarë nga burgjet e ndryshme dhe aty ishte një pjesë e të të burgosurve që ishin gjatë kohë në një pavijon, i cili ishte për nga mbikëqyrja më i veçantë. Vazhdimi i grumbullimit të të burgosurve dhe të pengjeve në këtë kamp tashti do të vazhdojë për çdo ditë, duke i sjellë herë nga burgjet hetuese, herë të arrestuar në qytetet dhe në fshatrat nën shtetrrethim ushtarak dhe policor. Më 18 maj 1999 i sollën edhe 155 civilë nga Gjakova, që ishin arrestuar apo ishin marrë me dhunë nga shtëpitë e tyre. Këto pengje i shoqëruan, deri në Burgun e Dubravës: Dragan e Vladan Veliçko Miloviq, Slobodan Slavko Kovaç e Ibrahim Batusha, të gjithë nga Gjakova, dhe Dushan Vekiq nga Hoça e Rahovecit. Në vijim, me pengjet gjakovare do të mirën milicët nga Gjakova: Slobodan Kovaç, Milan Jakiq, Gjokica Stanojeviq dhe Rade Nikiq.
Vërtet, sipas informatave të tërthorta, numri i të burgosurve shqiptarë – pengje të luftës, tashti arriti mbi 950 veta, ndaj të të cilëve zbatohej keqtrajtimi dhe dhuna e paparë. Në këso rrethana kishte ndodhur një përjashtim i papritur. Të burgosurit pritnin me padurim ditën e 17 majit 1999, kur do t’i skadonte afati i burgut profesor Mr.Ukshin Hotit, ndërsa Ai do të merret nga burgu, pa pritur, një ditë më parë, më 16 maj 1999, “lirim” i pazakonshëm në praktikën e burgjeve serbo-sllave dhe veçanërisht për rrethanat e Luftës çlirimtare në Kosovë. Megjithatë, shpresohej se Bacin Ukë, siç e thirrnin Ukshinin bashkëvuajtësit në burgje, mund ta priste ndonjë përfaqësues i organizatave humanitare, siç mund të ishte Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, që do të kujdesej për sigurinë e jetës së tij.
Pas marrjes dhe zhdukjes së Profesor Ukshin Hotit, zhvillimet e përgjakshme vazhduan rrugëtimin. Po atë ditë që u “lirua” Hoti, nga burgu u “lirua” edhe Rasim Plava nga Cërmjani i Gjakovës, i cili më vonë u gjet i vrarë në Vranoc të Pejës, të nesërmen u “lirua” Haki Z. Dinaj nga Raushi i Pejës dhe konsiderohet i zhdukur, kurse më 18 maj 1999, në mjediset e Burgut të Dubravës është ekzekutuar Shkëlzen Pepshi nga Juniku i Deçanit. Krimi i pashembullt, gjakderdhja e llahtarshme, do të ndodhë më 19 – 24 të majit të vitit 1999.
– Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor, ‘Masakra në Burgun e Dubravës 19 – 24 maj 1999’, e mbajtur më 23 maj 2004.
________________________________________
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)