SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(V)

Pashtriku.org, 01. 04. 2013 – QAMIL H.SHEHU DHE PETRIT RASHKAJ RRËFEJNË PËR MASAKRËN E KRYER MË 26 MARS 1999 – NË KRUSHË TË VOGËL – Qamil Haki Shehu është njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël. Ai arriti të ikte nga vendi i krimit dhe u strehua për disa ditë në male e lugje përreth fshatit. Qamili në këtë masakër ka humbur dy djemtë, Shaniun dhe Veliun, ndërsa sot dy gratë (të veja), kujdesen për gjashtë vajzat, që kanë mbetur pa etrit e tyre. Në këtë masakër Qamil H.Shehu përveç djemve, ka humbur edhe 8 anëtarë tjerë të familjes, tre vëllezërit: Azizin, Destanin, Miftarin, dhe djemtë e vëllait: Shefqetin, Nehatin, Selamiun, Samiun dhe Mehmetin. Ndërkaq nga familja e gjerë Shehu, atë ditë janë vrarë e shkrumuar gjithsejt 40 mashkuj!
QAMIL HAKI SHEHU: SI SHPËTOVA NGA MASAKRA E 26 MARSIT 1999
Qamil Shehut i kujtohet se, më 24 Mars 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s, ka ndjerë një gëzim por edhe frikë njëkohësisht, sepse e dinte që serbët nuk do të lejonin që ta gëzonin lirinë që po vinte. “Aeroplanët e NATO-s gjëmonin qiellit, kurse serbët të inatosur janë armatosur deri në dhëmbë, të gjithë pa përjashtim – burra e gra. Madje edhe fëmijët e tyre kishin armë.” – thotë ai në fillim të rrëfimit dhe vazhdon: “Edhe më herët ne i shihnim duke shtënë sa herë që kishin ndonjë festë apo ngjarje tjetër familjare. Kjo na bënte të kishim frikë, sepse ne ishim krejt të pa mbrojtur. Askush prej nesh nuk kishte asnjë revole madje. Madje edhe nuk mendonim se mund të na ndodhte kjo që ndodhi, sepse gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira. Ne kemi punuar tokën tonë e ata të tyren dhe nuk kemi pasur zënka të mëdha. Ka mundur që të ketë ndonjë fjalosje të vogël për ndonjë dëm të vogël në fushë, por asnjëherë nuk ka pasur ngacmime të mëdha. Prandaj edhe mendonim se nuk kishin asnjë shkak për të na bërë keq. Ndonëse shenjat se kjo mund të ndodhte ata i kanë dhënë disa herë. Ka pasur raste kur flisnin për grabitje e vrasje që gjoja të parët tanë kishin bërë mbi gjyshërit e tyre, por ne këtë e kemi marrë si diçka të tejkaluar kaherë dhe kemi menduar se tani ato janë harruar. Ne nuk kemi dashur që të flasim me ta për vrasjet dhe rrahjet e njerëzve tanë pas luftës së dytë botërore, kur kanë ardhur komunistët e as për rrahjet dhe vrasjet me dajak të njerëzve tanë në kohën e aksionit për mbledhjen e armëve kur Aleksandër Rankoviç ishte ministër i milicisë. Në fshat ka pasur shumë të rrahur deri në sakatim, por ne vetëm në odat tona i kemi biseduar këto gjëra, sepse as nuk kemi guxuar të flasim për gjithë ato që kanë përjetuar prindërit dhe gjyshërit tanë. Ata vazhdimisht ju kishin folur djemve e nipave për ndonjë ngjarje apo zënkë të vogël që as nuk ishte për ta përmendur.”

Kukës, 04 prill 1999: Qamil Haki Shehu me duartë e djegur, në spitalin e Kukësit.

“Deri në fillim të viteve ‘90 ka qenë situata shumë e mirë dhe nuk kemi pasur probleme.”- thotë Qamili, – por, në fillim të kësaj periudhe mua më vdiq xhaxhai dhe ata nuk erdhën askush për ngushëllime. Më pas vdiq një serb i Krushës së Vogël në Suharekë, ishte vëllai i Dimitrijes. Ai më tha se pse unë nuk kam shkuar për ngushëllime për të vëllanë, ndërsa unë i thashë se as ju nuk keni ardhur për ngushëllime për xhaxhain tim. Kjo çështja e hyrje – daljeve mori fund dhe vetëm në ndonjë rast kur nuk kishim nga të shkonim kur takoheshim në rrugë, mund të shkëmbenim ndonjë fjalë. Edhe kjo mori fund kur ata sollën në fshat një togë milicësh, të cilët u vendosën pikërisht në shtëpinë e Dimitrijes. Atëherë çdo kontakt me serbët u ndërpre, sepse nuk kanë pasur nevojë fare të sjellin milicë të huaj, ngase nuk ka pasur asnjë zënkë ndërmjet nesh dhe atyre. Milicët e huaj e bënë të padurueshme jetën në fshat, sepse as fëmijët më nuk guxonin të kalonin në atë rrugë pa përcjelljen e prindërve. Të mos flasim për gratë dhe vajzat tona që gjithnjë i druheshin kësaj rruge, sepse “punkti” serb ishte në udhëkryq dhe nuk kishte mundësi tjetër kalimi në fshat.
Mirëpo, deri në marsin e vitit 1999 nuk ka pasur ndonjë problem të madh, ndonëse jeta ishte bërë shumë e padurueshme. E dinim se në fshat është një togë milicësh, të cilët në çdo moment mund të na bënin ndonjë të keqe dhe lëvizjet e njerëzve u kufizuan shumë.
* * *
Ditën kur nisën sulmet nga ajri (më 24 mars 1999 – Sh.B) ne u mblodhëm në krye të fshatit, duke dashur të shpëtojmë nga sulmet e ushtrisë dhe milicisë serbe. Ne disa të fshatit kemi qenë në punë në bodrumin e verës dhe drejtori erdhi e na tha se, duhet të shkojmë në shtëpi, sepse tashmë nuk i dihej si mund të rridhnin ngjarjet.
Familja jonë u nisëm për në fshatin Randobravë, por tashmë kishin nisur luftimet ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe, sepse istikamet e UÇK-së ishin afër këtij fshati. U detyruam të kthehemi dhe të bashkohemi më katundarët tjerë në shtëpinë e Sejdi Batushës. Pas pak kohësh ata e thirrën me zë të lartë në gjuhën shqipe Azizin, vëllain tim, që të shkonte tek ata në shtëpinë e Milaimit.
I kishin thënë se nëse nuk dalin ata që janë të futur në mal, atëherë do t’ju vrasim me gra e me fëmijë. Pasi i mblodhën të gjithë kërkuan që të gjitha gjërat që kemi në xhepa t’i nxjerrim dhe të mos mbajmë asgjë, sepse nëse na gjendet diçka, atëherë thanë se do ta vrisnin menjëherë.
Ishin katër milicë, ndër të cilët njëri ishte me maskë dhe ishte nga fshati jonë. Kishte shenja në duar e sy dhe ne e njohëm, ishte Momçillo (Nikolič – Sh.B).

Qamil Haki Shehu…

* * *
Pasi i larguan gratë dhe fëmijët, na urdhëruan të nisemi në rresht për tre dhe të ndalemi afër shtëpisë së Qazimit (Batusha – Sh.B). Aty pastaj na futën në një shtëpi të vogël me tri dhoma, që tashmë shfrytëzohej për ushqim kafshësh. Pranë meje ka qenë Hamdiu, Dina, Cena. Këta i kam parë nga anash, sepse prapa nuk kemi guxuar të shikojmë fare, sepse vetëm po ta lëvizte kokën dikush, atëherë pasonin goditjet me pushkë e me shqelma. Pasi janë kujdesur që të shpërndahemi në tri dhomat, kanë nisur të shtënat në drejtim të njerëzve. Për disa minuta janë dëgjuar breshëri të shumta armësh dhe njerëzit kanë rënë për tokë. Unë isha në këndin e djathtë të dhomës së mesme, (korridor), dhe sapo dëgjova të shtënat u shtriva për tokë. Nuk kisha ku të fshihesha, sepse njerëzit binin pa frymë mbi mua. Ofshanin e gjëmonin nga dhimbjet dhe goditjet e plumbave të nxehtë. Të shtënat u ndalën për disa sekonda. Pas pak ngrita kokën dhe pashë se milicët me automatikë po rrinin në dritare dhe shihnin se mos lëvizte ndonjëri.
Atëherë një milic më pa që lëviza dhe tha:
– “josh ima zhivih”, dhe menjëherë e ka drejtuar pushkën drejt meje. I ka dhënë zjarr dhe plumbat binin mbi kokën time dhe mbi trupat e pajetë të njerëzve që më kishin rënë sipër. Pluhuri i murit më binte mbi kokë. Për fat asnjë plumb nuk më goditi. Atëherë milici i tha njërit prej shokëve të tij:
– “Gotovo je. Idemo sada”.
* * *
Ata menduan se çdo gjë mori fund dhe u larguan nga dritarja. Kam ngritur ngadalë krahun dhe nën sqetullën time kam hedhur shikimin jashtë. Nuk kishte njeri. Pashë rreth meje se ende kishte të mbijetuar. Njerëzit rënkonin nga plagët dhe kërkonin ndihmë. Atëherë i kam parë Refki dhe Petrit Rashkajn, të cilët kanë ikur bashkë me mua nga shtëpia dhe jemi nisur në drejtim të përroit. Atëherë disa milicë që ishin në rrugë, 20-30 metra nga shtëpia, na panë dhe u vunë në ndjekjen tonë, duke na bërtitur që të ndaleshim. Nisën të shtinë në drejtim tonin, por plumbat nuk na zinin. U futëm përroit dhe sakaq milicët u afruan shumë pranë nesh. Në atë moment kam parë se si Petriti ka marrë përroit teposhtë, ndërsa Refkiu u ndal dhe i ngriti duart përpjetë, duke ju thënë milicëve se është i pafajshëm. Ata nuk kanë folur fare me të, por vetëm kanë shtënë dhe e kanë vrarë në vend. Unë nuk guxoja të dilja nga vendi ku isha fshehur për të parë se kush ishin milicët që e vranë Refkiun.
* * *
U lëshova përroit teposhtë dhe kur arrita pranë shtëpisë time, mu duke sikur dëgjoja vaje fëmijësh. Më bëhej se dëgjoja mbesat e mia tek qanin dhe vendosa të afrohem më afër shtëpisë. Pashë se pjesa më e madhe e shtëpisë ishte djegur. Kishin mbetur të pa djegura vetëm dy dhoma. U futa nëpër prushin e shtëpisë time dhe pashë se oda nuk ishte djegur fare. U futa që të gjeja një palë këpucë, sepse këpucët dhe palltoja më kishin mbetur në shtëpinë ku na kishin ekzekutuar. Nuk munda të gjej asgjë, sepse e gjithë shtëpia ishte rrëmujë. Të gjitha orenditë e shtëpisë ishin vjedhur dhe nuk munda të gjej një palë këpucë. Kalova në shtëpinë e vëllait tim dhe aty gjeta një palë. I futa në këmbë dhe vesha një pallto të vjetër që e gjeta. Atëherë u nisa që fillimisht të shkoj të gjej pak para që i kishim futur në dhe para se të braktisnim shtëpinë. Duke ecur pashë tre serbë të fshati tonë, të cilët mu afruan dhe më pyetën se çka po bëja unë këtu i vetëm. Ishte Kërsta Nikoliq, Zllatko Gjorgjeviq dhe djali i Petkos, me të cilin kishim punuar bashkë në bodrum.
Ata më thanë që t’i lidhi lopët se shih si kanë mbetur. Unë ju thashë se tash po i lidhi menjëherë. Nuk kanë kaluar as dhjetë minuta kur në oborr erdhën të tre milicët duke thirrur.
– O Qamil o! O Qamil o!
Kur i pashë menjëherë e kuptova se për çka kishin ardhur. Atëherë jam përvjedhur prapa shtëpisë time dhe kam rënë në përrua. U nisa përroit teposhtë dhe dola deri te ura tek hekurudha dhe asfalti. U futa nën urë dhe dola në anën tjetër. U ngjita në breg dhe pashë se në shtëpinë e babadakëve po lëviznin njerëz. Mendova se mund të jenë ata ende aty dhe u nisa në drejtim të shtëpisë së tyre. Kur jam afrua edhe pak pashë se serbët e fshatit tonë kishin ngarkuar kamionë e traktorë me orenditë e kësaj familjeje dhe po i dërgonin në shtëpitë e tyre. Atëherë jam rikthyer në përrua dhe jam nisur në drejtim të fshatit Bregdri.

Rajoni i Anadrinit nga bjeshkët e Zatriqit.

* * *
Kur kam arritur në breg të Drinit jam ulur për të pushuar pak, sepse isha lodhur së tepërmi dhe isha shumë i tronditur. Pas pak jam ngritur dhe jam futur në ujin e ftohtë të lumit. Uji më kthjelloi paksa, por nisën këmbët të më mpihen nga të ftohtit e madh. Kalova lumin dhe u nisa në drejtim të fshatit. Duke ecur më ka rënë të fiktë dhe nuk e di sa kohë kam qëndruar ashtu i shtrirë në tokë. Pas disa kohësh kanë ardhur aty disa barinj dhe më kanë marrë për krahësh, sepse nuk mund të lëvizja as këmbë e as duar. Atëherë ata më kanë pyetur se si ishte puna. Ju tregova çdo gjë që kishte ndodhur në katund (në Krushë të Vogël – Sh.B).
Ata më qetësuan kur më thanë se fëmijët i kisha në shtëpinë e Pjetrit dhe se kishin shpëtuar edhe disa burra të tjerë të fshatit. Kur jam futur në shtëpinë e Pjetrit nuk kam mundur të ngre sytë për të shikuar asnjë nga gratë në sy. Ato më pyesnin se ku janë djemtë, ku janë burrat e tyre. Si t’ju tregoja se i kishin vrarë. Goja nuk më bënte punë për këtë gjë. Ju thashë se i kam lënë në mal, por nuk mundën të depërtonin në këtë nëpër shkak se kishte forca të mëdha ushtarake. Sigurisht do të vijnë më vonë, pasi që të largohen serbët nga fshati.
Pjetri më tha që të shkojmë tek shehu i Lukisë për të gjetur ndonjë traktor me qëllim që të shkonin për në Shqipëri. Kur shkuam tek shehu ai na tha se nuk kishte mundësi të bënte asgjë për krushjanët, por vetëm zoti inshallah i ndihmon.
Pjetri i tha atij:
– “mos u bëj burrë i lig bre, se njerëzit presin ndihmë prej teje o sheh! Ndihmoju se i kanë vrarë të gjithë burrat e ti shpëtojmë së paku fëmijët bre.”
Por shehu nguli këmbë se nuk mund të bënte asgjë për ta, sepse edhe vetë nuk ishte i sigurt.
* * *
Të nesërmen kam shkuar tek Malushi dhe i kam thënë që të bëjmë diçka për të dërguar fëmijët në Shqipëri. Ai më ka premtuar se nëse do të dalin fëmijët e tij në Shqipëri, atëherë do të dalin edhe fëmijët e mi, sa të ketë mundësi me bartë traktori. Kur kemi arritur në kufi na kanë kërkuar dokumentet personale, por ju thashë se kemi qenë në mal dhe kur jemi kthyer shtëpia ka qenë e djegur, bashkë me dokumentet tona. Nuk guxoja të tregoja se kisha letërnjoftim, nga frika se mos e kishin emrin të shkruar diku. Atëherë një milic nga Zojzi e ka zbritur Malushin nga traktori dhe i ka kërkuar para, sepse ai na njihte mirë neve, ngase fshati tij dhe fshati Bregdri ishin shumë afër. Malushi nuk kishte para me vete dhe polici e pa që nuk mund të nxirrte ndonjë përfitim, i tha që të niseshin dhe të mos e kthenim më kokën prapa.
Ne kemi qenë shumë të pritur mirë në fshatin Bregdri dhe në momente të tilla dikush të thoshte një fjalë të mirë, ishte gjë shumë e madhe. Malushit nuk do të mundem kurrë t’ia kthej këtë mirësi që i bëri familjeve tona.
* * *
Kur kemi arritur në Shqipëri kam pasur kohë të mendoj për gjithë atë që na ndodhi. Ne kemi punuar në fabrika e në fushë së bashku me serbët dhe nuk e kisha besuar kurrë nëse dikush do të më thoshte më parë se fqinjët tanë do të bënin një gjë të tillë.
Unë humba tre vëllezër, Azizin, Destanin, Miftarin, djalin e Destanit Shefqeti që ka qenë profesor i kimisë, djemtë e mi Shaniun, Veliun, dhe djemtë e vëllait tjetër, Nehatin, Selamiun, Samiun dhe Mehmetin. Dhjetë nga tanët mbetën në atë shtëpi të vogël dhe u dogjën e më pas u dërguan kushedi sa ku. Katërdhjetë nga kushërinjtë tanë mbetën po në atë vend, shumicës ende nuk u janë gjetur as eshtrat. Të gjithë ata kanë qenë të një barku, pra kushëri shumë të afërt gjaku.
E di se para luftës ka qenë në fshat Petko Nikoliç, i cili ishte oficer i lartë serb, me gjasë kolonel e që shërbente në Beograd. Ai duke parë nga afër fshatin ka thënë se, ju shqiptarët keni ecur shumë përpara, kurse këta të mitë nuk kanë bërë pasuri sa ju. Megjithatë ju po ankoheni se nuk jetoni mirë në Serbi.
Ai ka qenë mik me djalin e xhaxhait tim Himën, me të cilin kanë peshkuar shumë shpesh bashkë, sa herë që vinte për pushime në katund. Kjo na ka bërë që të mos dyshojmë se serbët, fqinjët tanë mund t’na vrasin dhe të na djegin. Ata vazhdimisht kishin planifikuar të vinte dita kur do të shfrynin mbi shqiptarët, kurse ne as që e kemi futur nëpër mend një gjë të tillë. Ata qenë përgatitur për shumë kohë që këtë vend ta pastronin nga shqiptarët e pastaj të sundonin si të dëshironin vetë. Tani mua më duhet të kujdesem për gjashtë vajzat e djemve të mi dhe dy gratë e tyre shumë të reja. Medet për pleqërinë time se si më erdhi kështu. Ngushëllohem duke kullotur lopët dhe duke punuar në fushë, bashkë me disa vajza të vogla të djemve të mi. Vetëm puna po ma heq paksa mërzinë dhe sikletin që kam.
Nganjëherë më bëhet sikur flas me djemtë e mi dhe më kujtohet momenti kur unë dola nga shtëpia që digjej e ata mbetën aty brenda. Nuk munda t’i shoh të paktën edhe një herë, qoftë edhe të vdekur, dhe fshin me mëngën e xhaketës lotët që i rrjedhin faqeve të rrudhura nga pleqëria dhe hallet e shumta që ka mbi kokë. Buzët i dridhen e goja nuk mund të nxjerrë më asnjë zë. Belbëzon, sikur do të tregojë edhe diçka që nuk ka mundur ta thotë asnjëherë, por duket se përsëri pendohet dhe vazhdon të qajë, i mbytur në vetminë që e bren si një lumë me valë shkatërruese. Shikon lopët që kullosin barin e njomë dhe sakaq hedh sytë në qiell, sikur do të thotë: Ai që na ka krijuar do të dijë të hakmerret për gjithë këtë tragjedi të përjetuar në këtë katund.” – thotë në fund të rrëfimit – Qamil Shehu.
PETRIT RASHKAJ: NJË MILIC XHIRONTE GJITHË NGJARJEN E NDODHUR!
Dëshmitari Petrit Rashkaj, i cili i ka shpëtuar masakrës në Krushë të Vogël, rrëfen: “Gjatë gjithë kohës sa kemi qëndruar në oborrin e Sejdi Batushës (më 26 mars 1999 – Sh.B), ndonëse e kishim një parandjenjë, nuk na shkonte në mendje se mund të ndodhte një çmenduri e tillë. Mirëpo kur nisën të marrin paratë dhe të gjitha gjësendet që kishim nëpër xhepa, nisëm të mendojmë se vetëm paratë do të na marrin e do të na lënë të shkojmë dika. Në ndërkohë kanë nisur të ashpërsohen veprimet e milicëve dhe kush guxonte të lëvizte kokën anash për të parë, atëherë kërciste kondaku i pushkës dhe shqelmimet. Askush nuk guxonte të ngrinte kokën për të parë.” – thotë Petriti dhe vazhdon:
“Na rreshtuan në rrugë në rresht për tre dhe në atë kohë mendova se do të na dërgonin në ndonjë vend për t’na marrë në pyetje e më pas të paktën disave do të na linin të lirë. Mirëpo kur u futëm në shtëpinë e Qazim Batushës dhe na urdhëronin të shpërndaheshim në të tri dhomat që kishte kjo shtëpi-stallë, atëherë disa burra i humbën shpresat dhe parashikuan se çka do të ndodhte së shpejti.” Petritit i kujtohet shumë mirë, kur një milic qëndronte me kamerë pranë rreshtit dhe vazhdimisht xhironte të gjithë ngjarjen. “Ne ecnim pranë tij dhe ai (milici – Sh.B) nuk lëvizte fare nga vendi, por vetëm xhironte.”

Krimineli Sava Nikolič

Grupet kriminale, që morën pjesë në masakrën e Krushës së Vogël.

*  *  *

“Në ndërkohë nuk vonoi shumë dhe dëgjova të shtënat. Në atë çast mu kujtua thënia e Fatmirit se, kur dikush mund të shtie në drejtimin tënd, atëherë duhet të shtrihesh për tokë. Ashtu bëra me të dëgjuar të shtënat e para. Të shtënat me breshëri nuk pranin. Plumbat binin mbi kokën time si breshër dhe njerëzit gjëmonin nga goditjet që merrnin. Trupat e njerëzve shembeshin mbi njëri tjetrin dhe britmat e atyre që kishin marrë plagë më të padurueshme sa vinin e shtoheshin. Ishte rrëmujë e madhe. Nuk dija si të veproja, por qëndrova ashtu i shtrirë në kufoma dhe njerëz që nxirrnin grahmat e fundit. U ngrita ngadalë dhe pashë rreth meje; gjithandej gjak, britma, thirrje për ndihmë, përpëlitje dhe tmerr. 
U ngrita për të dalë jashtë, por kur u afrova afër derës pashë se në hyrje e kishin vrarë Sahitin (Sahit Mahmutin, invalid – Sh.B), i cili kishte mbetur kokë varur mbi karrocën e tij të invalidit. E largova ngadalë dhe me shumë vështirësi, pasi që disa trupa ishin shtrirë ngjitur me karrocë dhe nuk e lenin që të lëvizte. I shtyra me kujdes disa trupa dhe pastaj hapa një shteg për të kaluar. Në atë çast e pashë edhe bacën Lutfi (Ramadanin – Sh.B), i cili po mundohej që gjithashtu të hapte rrugë. Mirëpo në atë moment më ra ndër mend kushëriri im Refkiu dhe vëllai Kadriu që i kisha parë në dhomën tjetër. Duke hyrë në dhomë u ndesha në trup me Islam Batushën, i cili nuk ka qenë fare i plagosur, por nuk di më për të se çka i ka ndodhur. Pashë që edhe Refkiu ishte gjallë dhe më tregoi se vëllai im kishte vdekur. Vrapova nëpër zjarr dhe desha ta shoh edhe një herë, por Refkiu më kapi dhe më hodhi nga dritarja, duke u vënë edhe vetë pas meje.
Me të dalë jashtë pash se në rrugë, rreth 20-30 metra ishte një grup serbësh të armatosur, në mesin e tyre ishin: Petkovič Rankon, Cvetkovič Đorđe dhe Nikolič Sava, të cilët nisën të thërrisnin që të ndaleshim. Atëherë pasi kuptuan se nuk do të ndaleshim gjuajtën me armë në drejtimin tonë, por me një shpejtësi të pa imagjinueshme arrita të dal kodrës teposhtë dhe të bie deri në përrua. Për një çast diçka më dogji në këmbë, por nuk e kuptova se isha plagosur. Ashtu kam nisur të vrapoj kodrës përpjetë. Gjithnjë mendoja se para meje ishte Refkiu, ndërsa në atë kohë e kam parë edhe Qamil Shehun. Unë u rrëzova në disa shkurre dhe një tel më ishte kapur për këmbe. U përkula që ta liroj këmbën, kur befas pashë kushëririn tim Rafkiun, i cili ishte ndalur në breg dhe po shikonte diku si pa vetëdije. Duart i kishte vënë mbi kokë dhe po qëndronte ashtu i pa lëvizur. I bërtisja sa mundja, me sa zë që kisha, që të shtrihej, por më dukej se nuk donte t’ia dinte për thirrjet e mia. Serbët nga ana tjetër e bregut thërrisnin:
– “Stoj, ne mrdaj, stani, stani, stani! Dogji ovamo!”
Kur e lirova këmbën dhe desha të nisem përsëri, ngrita edhe një herë kokën dhe Refkiun nuk e pashë më. Nuk e kam parë as të jetë vrarë. Kam menduar se ka ikur, por sipas të gjitha gjasave duhet ta kenë vrarë me snajper, sepse distanca ishte bukur e madhe për të gjuajtur me pushkë.
Jam ngjitur bregut me këmbë e me duar, me thonj e me duar si kam mundur. Befas e kam goditur një shtyllë betoni dhe e kam humbur vetëdijen. Nuk di më se çka ka ndodhur. Mbeta krejt i vetëm dhe nuk dija nga të shkoja. Mendova që të nisem për në Nagac ku kisha një teze. Duke ecur ashtu pa ditur as vetë se ku shkelja, arrita në rrugën që të çon për në Reti. Kur arrij tek vendi i quajtur Kolibare shoh se në udhëkryq të fshatrave Reti-Krushë e Madhe, ishin vendosur tanke me tyta të kthyera kah fshati jonë dhe tjetra kah Retia. U ktheva në drejtim të Krushës së Madhe me shpresë se atje do të gjej shpëtim. Rrugës takova disa pleq të Krushës së Madhe që më pyetën se nga po shkoja, por unë as që mund të flisja. Isha shumë i tronditur dhe nuk dija as ku të shkoja e as çka të tregoja. Njëri prej tyre më kapi për dore dhe më ndalonte, duke më pyetur se nga isha dhe ku po shkoja. Kam hyrë në një përrua dhe kam gjetur ujë që rridhte. Kam pirë ujë sa kam mundur. Nuk mund të ndalesha së piri. Kur kam arritur në periferi të Krushës së Madhe, kam shkuar deri afër shtëpisë së një tezes time në lagjen e Sefë Destanit, por nuk kam ditur t’i them asgjë. Nuk mund të flisja dhe nuk isha fare në gjendje të tregoja ndonjë gjë. Atëherë kam parë se jo larg nesh dukeshin disa milicë serbë. Me t’i parë gjëja e parë që më shkoi ndër mend ishte; tani ata do të shtinë në mua dhe do të më vrasin. E ktheva kurrizin dhe nuk doja të shihja se si shtinin për të më vrarë. Kam ecur disa hapa, por nuk ka ndodhur asgjë. Pak para se të arrija në Nagac, jam afruar fare pranë përroit që kalon nëpër fshat dhe kam hyrë në të. Gjithë këtë e kam bërë në gjendje të pavetëdijshme, por vetëm kur jam lagur kam nisur të mendoj diçka. Isha i lagur krejtësisht sepse përroi ishte më i thellë se mbi bel (mbi mesin e trupit – Sh.B). Dola nga përroi duke u mbajtur për disa rrënjë lisash dhe kam ecur ashtu kuturu nëpër ara, pa dashur t’ia di për asgjë. Ecja ashtu me mendimin se tani do të shtinte dikush dhe do të më vriste, por kjo tani nuk më shqetësonte më. Kur kam arritur në Nagac, një grua më ka ndalur dhe më ka pyetur:
– kush je more djalë?
– Nga po shkon kështu?
– Prej nga je? e pyetje të tilla, por nuk dija të përgjigjesha në asnjë pyetje të saj.
Ajo duke parë se isha krejtësisht i humbur, e ka hedhur një legen të kuq që kishte në dorë, është nisur drejt meje dhe më ka mbajtur për dore.
– Askund nuk do të shkosh pa më treguar se kush je dhe nga po shkon, më tha me insistim gruaja.
I thashë se po shkoj në Hoqë të Vogël, ku kam një teze, por nuk dija ti tregoja se kush jam.
– Po kush është tezja jote? – më pyeti ajo
Nuk dija ti thosha se kush ishte tezja ime, pro doja që vetëm të ecja dika.
Atëherë ajo më tha: “prit se tezen e ke këtu tek ne”.
Me ta parë tezen time Kimete, disi jam qetësuar dhe kam nisur t’ia tregoj gjithë ngjarjen asaj.

Fshati Krushë e Vogël (nga ajri). Pika e kuqe tregon shtpinë e Qazim Batushës, vendi ku është kryer masakra – më 26 mars 1999!

*  *  *

Në ndërkohë e kanë lajmëruar doktorin Xhemajl Dana, i cili më ka mjekuar me disa injeksione dhe pilula. Aty e kam marrë pak veten, deri në kohën kur është bombarduar fshati Nagac (në orë e hershme të mëngjesit të 2 prillit – Sh.B) nga aeroplanët e ushtrisë serbe. Atëherë e kam gjetur një moto kultivator në Krushë të Madhe dhe i kam marrë me vete edhe njëzet e katër persona të tjerë. Kam drejtuar moto kultivatorin ashtu pa u ndalur fare deri në Kukës. Në Kukës më kanë shëruar në spital, por njëfarë Ganiu më ka mbajtur në shtëpinë e tij për tri javë rresht. Me gjithë insistimin e mjekëve, ai nuk pranonte që të me lejonte të shkoja në spital, pasi që atje kishte shumë të plagosur dhe kujdesi nuk mund të ishte i mjaftueshëm. Ai njeri më ka ushqyer si një fëmijë dhe është kujdesur për mua si të isha biri i tij. Këtë nuk do t’ia harroj kurrë këtë nder atij. Pastaj jam bashkuar me familjen në Berat?” – përfundon rrëfimin dëshmitari Petrit Rashkaj.

( VIJON… )
============================
– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424  
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426  
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429
PJESA E KATËRT:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1436

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura