Londër, 02. 05. 2014 – (A është ‘Maturuar’ Tregu i Banesave në Shqipëri?) – Qëllimi parësor i këtij shkrimi është përmbysja e miteve ekonomike në Shqipëri, si edhe qarkullimi i ideve të ndryshme dhe të reja. Dua të ofroj një horizont tjetër, sepse shumëllojshmëria e ideve, qarkullimi dhe debatimi i tyre është përcaktues për qytetërimin e çdo shoqërie, sidomos të asaj shqipëtare, që vuan nga një mungesë kronike e ideve alternative. Kjo, sepse kush nuk mendon si të ‘gjithë’, sulmohet deri sa të konformohet, për rrjedhojë, nuk prodhohen ide dhe zgjidhje të reja. Debati mediokër dhe harbut vret konceptimet intelektuale idiosintrike të çdo individi në shoqëri, dhe për rrjedhojë të vetë shoqërisë. Ky është shkaku se përse Shqipëria është një vënd mite-besues dhe jo një vënd ide-formues; është shkaku i komplekseve të njohura shqipëtare si p.sh. sindroma e mashtruesit dhe kompleksi i inferioritetit; dhe e fundit, por që është parësore në këtë rast, është shkaku i gjëndjes së mjeruar ekonomike. Ironikisht, debati në Shqipëri asnjëherë nuk qëndron tek ekonomia dhe zgjidhjet që ofron politika ekonomike. Por, edhe atëhere kur debati është tek ekonomia, rezultati është dëmtues dhe nuk është inspirues.
KRIZAT & 6%:
Situata ekonomike-sociale e Shqipërisë, nga viti 2011 dhe deri sot, vazhdon të jetë dramatike:
– nuk ka punë të reja cilësore dhe jo-cilësore;
– nuk ka huadhënie, përveçse fajdeve;
– nuk ka likuiditete dhe nuk ka rritje në fuqinë blerëse;
– nuk ka investime të reja domethënëse; dhe,
– për rrjedhojë, nuk ka rritje të lartë të Prodhimit të Brëndshëm Bruto.
Tregu i banesave, rrit shtëpi-ndërtimin, por jo shtëpi-blerjen!
Kjo situatë është tragjike për një ekonomi në zhvillim me popullatë të re, që nuk është në situatë lufte, pra për një ekonomi të pazhvilluar në kohë paqe dhe integrimi, me potencial zhvillimi shumë të lartë dhe realist. Prandaj, ndonëse kjo situatë u shkaktua fillimisht nga jashtë, po e lënë pazgjidhur nga brënda. Edhe pse Qeveria e Majtë, e kryesuar nga Edi Rama, po bën një punë të mirë për të ruajtur stabilitetin makro-ekonomik në vënd, theksi ose politikat ekonomike në këtë situatë duhen orientuar më shumë drejt stimulit se sa drejt stabilitetit. Krizat (në shumës) në ekonomi nuk po zgjidhen shpejt. Si mund të arrihet kjo? Borxhi me vlerë $400m, marë nga FMN-ja, është nga njëra anë positiv, dhe do mundet të çlirojë financat e bisneseve që ndërtuan infrastrukturën publike gjatë kohës së Demokratëve (2005-2013). Kjo mund të stimulojë sektorin e ndërtimit dhe të adresojë një pjesë të borxhit të keq. Përsa i përket tregut të banesave, rrit shtëpi-ndërtimin, por jo shtëpi-blerjen. Nga ana tjetër është negative, sepse konditat e borxhit si p.sh. rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve, dëmtojnë drejtpërdrejtë ekonominë reale. Për më tepër, kushti themelor për këtë borxh, ishte implementimi i sistemit progresiv për të ardhurat menjëherë në Janar 2014, vetëm pak ditë pasi kishte kaluar si paketë në Parlament.
Pavarësisht se personalisht jam për taksën progresive, stabilizimi fiskal nëpërmjet ‘Terapisë së Shokut’ dhe jo gradual, ka dëmtuar rimëkëmbjen e ekonomisë dhe nuk zgjidh krizat shpejt. Të mos harrojmë se ekonomia nuk është vetëm buxheti i Qeverisë por buxheti i çdo familjeje dhe individi, që tashmë janë të varfëruar dhe të demoralizuar nga kohë-zgjatja e krizave. Për më tepër, meqënse jemi një vënd mit-besues, presim ide nga të tjerët për të zgjidhur krizat tona të brëndshme. Në këtë rast është Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Por çfarë është FMN-ja, Institucion?
Po, një Institucion, që është shumë i rëndësishëm dhe me një eksperiencë të gjatë në Shqipërinë post-komuniste. Historia e tranzicionit tregon që ky si çdo ‘partneritet’ ka të mira dhe të këqija. Gjithësesi, atomi i këtij institucioni, si i çdo organizate, është individi – si unë dhe ti – që është qënie vepruese dhe, si rrjedhojë, edhe e gabueshme. Ishte gabim nga stafi i FMN-së në vënd dhe në rajon, që të kërkonte ‘Terapi Shoku’ për stabilizimin fiskal në Shqipëri, dhe është gabim që nuk propozojnë politika domethënse për stimulimin e ekonomisë. Që të kuptohemi, stabiliteti makro-ekonomik është domosdoshmëri, por mund të arrihet më lehtësisht për të gjithë nëqoftëse strategjia afat-shkurtër dhe afat-mesme nuk është austerity, por growth. Duhet një strategji ambicioze por konkrete, shpresëdhënse por besuese. Është e këshillueshme të krijohet menjëherë një strategji afat-mesme, stimuli fiskal dhe monetar (po, duhet përfshirë patjetër Banka Qëndrore) me objektiv rikthimin e rritjes së lartë, 6% të PBB-së, në vitin 2015. Vetëm kështu do mund të çlirohet ankthi, të krijohet konfidenca, të rikthehet optimizmi dhe dinamizmi në çdo treg, sektor dhe industri. Kemi humbur shumë kohë dhe situata ekonomike nuk durohet më nga asnjë. Kjo e vërtetë, si të gjitha të vërtetat, nuk ka nevojë për statistika. Statistikat janë gjithnjë relative dhe shpeshherë boshe, prandaj nuk preferoj t’i citoj, por 6%-shi ka vlerë, sepse ka konotacion dhe memorie zhvillimi dhe mireqënjeje në psiqikën shqipëtare.
MITET EKONOMIKE:
Si e gjithë ekonomia, edhe tregu i banesave ka pushuar ose më saktë ka kolapsuar, dhe mbijeton vetëm me klering. Është në një gjëndje ‘zombi’: asnjë nuk merr e jep lekë, euro, dollarë, paund dhe, të gjithë janë në pritje dhe në ankth, sepse kanë detyrime. Vlera e çdo prone në Shqipëri, përveç se në disa zona të përqëndruara qëndrore, është ulur në këto vite. Të gjitha qytetet dhe katundet kryesore janë prekur. Për rrjedhojë, në tregun e banesave në Shqipëri nuk ka inflacion çmimesh por ka deflacion. Deflacioni, nëqoftëse do të përdornim intuitën provinciale, tregon që nuk ka kërkesë, sepse është ‘maturuar’ tregu i banesave apo shtëpi-blerjes. Ky është një nga mitet ekonomike më absurde që qarkullon rëndomtë: ka shumë ndërtime me apartamente të pashitura, sepse nuk ka kërkesë për blerje shtëpie, meqënëse të gjithë kanë shtëpi tashmë; është normale që tregu i banesave nga kontribuesi më i madh në rritjen ekonomike të kolapsojë; dhe, nuk është përgjegjësi e Qeverisë dhe Bankës Qëndrore për të stimuluar këtë treg dhe për të nxitur kërkesën për shtëpi-blerje. Ky mit është rezultat i injorancës dhe i mospërdorimit të logjikës së duhur, po njëlloj si me mitin tjetër: se inflacioni duhet të përcaktojë politikën monetare të Bankës Qëndrore në një ekonomi në zhvillim apo atë që politika fiskale dhe monetare duhet të jenë absolutisht të ndara dhe kundër-vepruese. Mitet krijohen nga plagjiatura e diskursit ekonomik në vëndet e zhvilluara dhe nga pa-aftësia e individëve përgjegjës për t’i përvehtësuar dhe modifikuar idetë sipas realitetit. Si mund të konceptohet që tregu i banesave e mbaroi rolin zhvillues në një vënd të pazhvilluar, me një ekonomi të pa ‘maturuar’, që nuk po i gjen fundin as tranzicionit? Ç’do të thotë ‘maturim’ në këtë kontekst? Pse në vëndet më të zhvilluara, si p.sh. në Angli, ky treg vazhdon të jetë përcaktues për rritjen ekonomike, edhe pse këto shtete kanë me qindra vite që ndërtojnë banesa? Pse ky treg është aq përcaktues në çdo ekonomi? Sot në Angli ekgzistojnë skema kreditimi për nxitjen e shtëpi-blerjes për çiftet e reja, angleze që quhet ‘Ndihmë për Blerje’. Skema stimulon kërkesën për shtëpinë e parë. Pse mos të krijohet një skemë e tillë edhe në Shqipëri? Ndryshe nga çfarë mund të mendohet, nuk është kjo skema që po shkakton ‘fluckën’ e çmimeve të banesave në Angli, por është fakti që, kërkesa ndërkombëtare për prona në Londër është rritur në këtë periudhë krize, sepse shihet si një investim i sigurtë. Prandaj, nuk është e vërtetë që këto skema shkaktojnë ‘fluckën’. Ky është një mit, po njësoj si miti tjetër, që kriza në Eurozonë u shkaktua nga kreditimi i lirë, sepse në fakt u shkaktua nga mungesa e Unionit Bankar dhe Fiskal në Eurozonë. Këto përfundime arrihen vetëm nëpërmjet përdorimit të logjikës arsyetuese dhe jo të intuitës provinciale.
Cilat janë metodat e logjikës?
Metoda kryesore është arsyetimi dhe, në këtë metodë ka forma të ndryshme, si p.sh. analogjia, induksioni dhe deduksioni. Të treja format përdoren zakonisht në vëndet ide-formuese. Çelsi është që të evidentojmë përfundimet e duhura nga arsyetimi perëndimor si p.sh. instrumentat e ndryshme financiare (monetare apo fiskale) për ringjalljen e ekonomisë tonë ‘zombi’. Përfundimet nuk duhen marrë si të mirëqena, por të modifikohen sipas nevojës së brëndëshme. Logjikisht, deflacioni i çmimeve në tregun e banesave nuk tregon se nuk ka kërkesë, sepse kërkesa aty është si p.sh. ëndrra e familjeve të reja që të kenë shtëpi më vehte nga ajo e prindërve, por tregon që është e pamundur për çiftet e reja të përmbushin këtë të drejtë njerëzore, që ka fuqi civilizuese.
IDE:
Ringjallja e tregut të banesave është nevojë parësore e ekonomisë Shqipëtare dhe mund të konsiderohet imperativi i rikthimit imediat të rritjes së shpejtë, 6% PBB-së. Ky ishte roli i këtij tregu kyç përgjatë dekadës së parë të këtij shekulli (2000-2010). Prandaj, objektivi parësor për ringjalljen e ekonomisë dhe rikthimin e rritjes së lartë duhet medoemos të jetë stimulimi i tij. Një politikë ekonomike dhe financiare e tillë duhet të ishte ndërmarë nga e Djathta që nga viti 2011 dhe shpresoj të implementohet nga e Majta, tanimë në pushtet, sa më parë. Pavarësisht se është pozitiv stimuli i Qeverisë Rama për sektorin fason, sepse forcon exportet dhe mbështet punësimin jo-cilësor, ky sektor nuk ka po të njëjtin efekt trasnformues dhe vlerë-ndërtues, që krijohet nga tregut i banesave, i cili prek të gjithë ekonominë dhe agjentët e saj. Një zgjidhje e logjikshme për të stimuluar apo ndihmuar këtë treg kyç, që të ringjalli ekonominë shpejt, është krijimi i një skeme kreditimi për çiftet e reja, që të blejnë shtëpinë e parë, edhe në rastin kur vetëm njëri partner punon me kohë të plotë. Është e turpshme të thuhet që nuk ka kërkesë për kredi shtëpie; kur shumica dërmuese e këtij segmenti kyç ekonomiko-shoqëror jeton akoma në shtëpinë e prindërve edhe kur arrijnë moshë të thyer dhe kanë fëmijë. Edhe gjatë regjimit Hoxhist ëndrra ishte: një çift i ri – një shtëpi e re (dhuratë nga partia). Kurse në këtë regjim, quasi-liberal, ëndërra e shtëpisë së parë nuk mund të ëndërrohet?! Ky është një paradoks i trishtë dhe tregon faktin që Shqipëria akoma nuk ka ndërtuar një sistem bankar dhe financiar, që krediton zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e mirëqënies. Një skemë tjetër, që ka vlerë për tregun e banesave në bregdetin shqiptar: është që të krijohet një skemë kreditimi për çiftet ose familjet e reja, kur të dy partnerët punojnë me kohë të plotë, që t’u mundësojë blerjen e një apartamenti pushimi. Kjo skemë do të përmirësonte ndjeshëm edhe aktraktivitetin e pronave në bredget për blerësin dhe turistin e huaj.
Një pjesë të riskut të mospagimit duhet të merret përsipër nga Qeveria dhe Banka Qëndrore, dhe një pjesë tjetër nga Bankat Tregtare si dhe kompanitë e ndërtimit që përfshihen në këto skema. Çiftet që mund të përfitojnë nga skemat kredi-lehtësuese nuk duhen paragjykuar apriori. Normale që çiftet do të duhet të skanohen dhe këshilluar mirë përpara se sa të pranohen tek skemat, shpresoj vetëm për momentin, imagjinare. Shqipëtarët, jo të gjithë, por shumica, janë persona ose individë të ndërgjegjshëm, që i paguajnë detyrimet e tyre dhe meritojnë një jetë më të mirë. Të mos harrojmë se, rreziqe ka në çdo veprim njerëzor, por pa veprim apo aksion nuk ka njerëzim. Rëndësia e këtyre skemave kërkesë-stimuluese është absolute, sepse njëherë që ky treg riaktivizohet, rigjallërohet zhvillimi i ekonomisë dhe zgjidhen njëkohësisht edhe krizat. Fiton ndërtuesi dhe punëtori, fiton qeveria lokale dhe qëndrore, fiton blerësi që përmison kushtet e jetesës, fiton industria e materialeve të ndërtimit, fiton industria mobiliare, etj., dhe për ta abstraguar disi, fiton turizmi dhe urbanizmi, fiton optimizmi, fiton financa dhe logjika, dhe fiton ideja.
LEKU versus IDE
Përpara, por sa më shpejt, është e domosdoshme që të rishikohet marrëdhënia që politikat fiskale dhe monetare duhet të kenë në ekonomi. Duhet debatuar dhe krijuar politikat ekonomike (monetare dhe fiskale) alternative, sepse ato të deritanishme -të mësuara ose të imponuara nga institucione, si FMN-ja, kanë dështuar për të arritur objektivin parësor të tranzicionit post-komunist – ndërtimi i sistemit të mirëqënies. Shëmbulli më i qartë është Banka Qëndrore. Ishte FMN-ja që këshilloi, kondicionoi, imponoi në vitin 1998, pasi ekonomia përjetoi kolapsin financiar më spektakolar në botë, rolin apo mandatin minimalist dhe konservator për ‘Tempullin e Lekut’. Mandati që ka Banka Qëndrore, i cili e bën atë ‘samurain e fundit’ të paradigmës neo-liberale, – se inflacioni i ulët është objektivi i vetëm i politikës monetare – është absurd në situatën e krizave në ekonomi. Për më tepër, edhe pse inflacioni është përgjegjësia e vetme e këtij institucioni, Banka Qëndrore është e paaftë ta mati realisht atë, i cili duhet matur, duke përdorur sa më shumë indekse që të përfshinjë çdo treg. Paaftësinë e ‘Tempullit të Lekut’, për të kuptuar se çfarë realisht po ndodh me ekonominë, e tregon qartë edhe fakti se problemi i deflacionit nuk është marrë seriozisht. Por, deflacion të çmimeve nuk ka vetëm tregu i banesave por gati të gjithat tregjet në ekonomi, sepse fuqia blerëse është në kolaps, është për tokë. Lind pyetja, meqënëse paska deflacion, a është më legjitim mandati minimalist për ‘Tempullin e Lekut’? A nuk do ishte më mirë, sikur objektivi i politikës monetare të ishte simulimi i kërkesës aggregate, siç është vepruar kudo? Gjithashtu, ishte po FMN-ja që garantoi super-pavarësinë e këtij institucioni, buxheti i të cilit, nuk varet nga Ministria e Financave. Por, pavarësisht se është parajsa e rrogëtarve, mbetet një institucion i paaftë, sepse ka dështuar me politikën e normës së interesit, që nuk e stimuloi ekonominë, si edhe ka dështuar për të adresuar në kohë dhe përfundimisht krizën e borxhit të keq dhe moskreditimin nga Bankat Tregtare. Kjo nuk është një tezë nihiliste, sepse disa masa minimale janë marrë nga Banka, dhe e vërteta është se ka një mandat, që tashmë ironikisht, mund të konsiderohet i dëmshëm për ekonominë. Prandaj, ky institucion, që është kolona kryesore e ekonomisë, dëshpërimisht kërkon një mandat intervensionist, pro-aktiv dhe përgjegjës. Kjo tregon një të vërtetë të madhe dhe, njëkohësisht hedh poshtë një tjetër mit: paraja jo detyrimisht përmirëson cilësinë e punës, produktivitetin dhe kreativitetin. Paraja nuk rrit konkurencën intelektuale dhe profesionale, njëherë që e ke atë. Konkurenca zhvillohet atëhere kur kërkon me shpresë ta fitosh atë dhe atëherë kur meritokracia është kulturë, që të lejon të synosh, të ëndërrosh, të hulumtosh. Vetëm kështu përhapen idetë dhe përvojat e ndryshme. Idetë janë më përcaktuese në zhvillimin cilësor të një vëndi dhe të shoqërisë, janë më përcaktuese sesa paraja. Idetë alternative të lart përmëndura, si p.sh. stimulimi i tregut të banesave nëpërmjet skemave kredi-lehtësuese për çiftet e reja, adresojnë indirekt edhe gangrenën kryesore të ekonomisë: borxhin e keq. Në këtë problem, qëllimi nuk duhet të jetë që kolateralin (pronat) t’i marrin ose ekzekutojnë bankat tregtare, por që borxhi i keq të kthehet në një të mirë. Vetëm kështu fitojnë të gjithë (win-win). Ky konceptim ose politikë ekonomike alternative nuk arrihet dot në vëndet mite-besuese, sepse lind nga liria e mendimit (kritika) e individit dhe nga qarkullimi ideve. Tani që e mesuam a është koha për veprim!?
*) Autori është diplomuar në Universitetin St Andrews dhe në London School of Economics. Ai jeton dhe punon në Londër.
————————————–
——————————————
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)