EQREM ÇABEJ, STUDIUESI I ZELLSHËM I GJUHËSISË SHQIPTARE      

Hazir Mehmeti, Vjenë

EQREM ÇABEJ, STUDIUESI I ZELLSHËM I GJUHËSISË SHQIPTARE      

“Nderi i Kombit” 2003
“Medalja e Artë e Prizrenit” 

“Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri i madh”  (Ismail Kadare)

Eqrem Çabej ishte pjesë e  komisionit  përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.

    Pa dyshim, Eqrem Çabej është figurë madhore e kombit. Ai i përkiste epokës së studiuesve pasardhës të albanologëve të mëdhenj botëror. Norbert Jokli la pas veti studentin e tij të mrekullueshëm. Vjena është e lavdëruar me emrin e Prof. Dr. Eqrem Çabej.   Në shenj përkujtimi të 116 vjetorit të lindjes po japim pjesë nga libri “Studiues Shqiptarë e Austriak në Austri”

     Eqrem Çabej u lind më 7 gusht 1908 në Gjirokastër. Mësimet e para i  mori në këtë qytet të lindjes. Atje ai mbaroi më 1921 shkollën qytetëse me përfundime të shkëlqyera. Atje, në gjirin e familjes dhe në rrethin e bashkëqytetarëve të tij, të njohur për dashurinë e madhe për Atdheun dhe për arsimin.  Për të vazhduar studimet, Eqrem Çabej u dërgua në Austri, ku qëndroj një vit në familjen Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës për të mësuar gjermanishten. Ai la përshtypje shumë të mira jo vetëm me zellin e madh, por edhe me sjelljen shembullore. Në vitin tjetër të merrte njëherësh dy klasa të gjimnazit që e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.

    Në vitin akademik 1927 – 1928 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit, e pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës, i cili kishte traditë dhe zë me emrat e mëdhenj të cilët kishin punuar  aty mes tyre  Franc Miklosiç (Miklosich) etj. Tani ne kujtojmë se në Austri ishte krijuar një traditë e mirë edhe për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit shqiptar. Çabej krijoj një miqësi të afërt me Norbert Jokl i cili e çmonte si një talent të ri shqiptar. Tema e doktoratës ishte: “Studime italo shqiptare (Italoalbanische Studien)  i cili punoi me përkushtim të madh duke mbledhur material gjuhësore e dokumente pranë arbëreshëve të Sicilisë (1932).  Doktoroi në vitin 1933 para Dr. Norbert Jockl, Dr.Paul Kreçmar dhe Dr.Karl Paçin, me vlerësimit shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet). Pas mbarimit të studimeve ai  kthye përfundimisht në Shqipëri duke u vu në shërbim të ngritjes së mësimeve të nxënësve i mbështetur me përpjekjet e veprimtarëve tjerë të kohës:  Aleksansër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Ahmet Gashi, Vasil Vunjau, Kolë Paparistoja, Sotir Papahristoja, Sotir Kuneshka, Minella Karajani, Hysni Babametoja, Gjergj Cancoja etj. Në Normalën e Elbasanit Çabej qëndroi vetëm një vit, prej nga transferohet në Ministrinë e Arsimit . Gjatë vjetëve 1938 – 1939 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë

Në vitin shkollor 1939 – 1940 Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Gjatë pushtimit italian ai u dërgua nga autoritet pushtuese për një “punë shkencore“ pranë Akademisë së Shkencave në Romë“. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij të mbikëqyrur, për të punuar për Atlasin gjuhësor shqiptar. Pas Çlirimit të Shqipërisë Çabej fillon të mbajë ligjërata nga lëndët linguistikë dhe albanologji në Shkollën e Lartë të Tiranës, qysh më 1946.  Nga studimet thjesht gjuhësore të asaj periudhe mund të përmendim: Tekste italo-shqiptare (1935). Elemente dialektore nga Italia. Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes. Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike. Atlasi gjuhësor shqiptar. Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare. Zakone dhe doke të shqiptarëve. Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut. Për gjenezën e literaturës shqipe, Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan.

Veprimtaria shkencore e Çabejt mori një zhvillim të madh në fazën pas Çlirimit, kur ai punonte pranë ish- Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Çabej ka bashkëpunuar edhe në mjaft vepra të tjera kolektive, si në përgatitjen e Fjalorit serbo – kroatisht – shqip (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme. Ishte pjesë e  komisionit  përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).

Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike me 1962. Ilirishtja dhe shqipja, kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve. Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire, Tiranë, 1972.

Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë, 1972. Ndërsa në ato ndërkombëtare do përmendur: Die älteren Wohnsitze der Albaner auf der Balkan – halbinsel im Lichte der Sprache und der Ortsnamen (Vendbanimet e hershme të shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës dhe të  emrave të vendeve), kumtesë e mbajtur në VIII Congressio Internazionale di Scienze Onomastiche; Der Beitrag des Albanischen zum Balkansprachbund (Kontributi i shqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike), referat i mbajtur në Kongresin I Ndërkombëtar të Studimebve Ballkanike dhe të Evropës Juglindore, Sofje, 1966;   Das albanologische Werk Norbert Jokls. (Vepra albanologjike e Norbert Joklit), referat i mbajtur në Kolokiumin Albanologjik Ndërkombëtar të Insbrukut më 1972 etj. Eqrem Çabej ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë edhe në gjuhë të huaja nëpër revista ose nëpër vëllime përkujtimore në vende të ndryshme të botës.

Sot emrin e Eqrem Çabejt e  mbajnë me krenari shumë shkolla në Kosovë dhe Universiteti i Gjirokastrës në Shqipëri.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura