Itali, 18 tetor 2017: Theofan Stilian Noli, lindi në İbrik-Tepe (Qytezë), lokalitet shqiptar në Thrakën Lindore të Turqisë Europiane, më 6 janar 1882-vdiq në Fort Laud anrdale (qytet turistik, tregtar dhe industrial në juglindjen e Floridës, në veri të Miamit) më 13 mars, 1965.
Nisur nga qëllimi i shkrimit, veprimtarinë e Nolit do ta trajtojmë në tre pjesë, sigurisht pa pretenduar se përfshihen të gjitha.
I.- Fan Noli, njeriu që vendosi veten e tij “mënjanë” me Perëndinë!
Themeluesi dhe kryetari i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare!
Më 9 shkurt 1908 merr përsipër misionin për themelimin e Kishës shqiptare ortodokse në SHBA. Me 22 mars të vitit 1908 Themelon Kishën ortodokse Shqiptare. Më 22 mars 1908, Fan Noli celebroi liturgjinë e tij të parë, mbrëmjen e Tërë Shënjtorëve në Tremont Strit, të Bostonit, në Masaçusets. Kjo ishte liturgjia e parë në gjuhën shqipe, në historinë e Kishës Ortodokse. Në dhjetor të po atij viti e në vazhdim nis botimin e librave me karakter fetar, ndërmjet të cilave: “Shërbesat e javës së madhe”, “Libra e shërbesave të shenjta”, “Libra e të kremteve të mëdha”. Në maj 1915 Fan Noli zhvilloi veprimtari të dendur politike dhe propagandistike, gjithashtu punoi për themelimin e Kishës Autoqefale të Shqipërrise.
Më 26 korrik të vitit 1919 zhvillohet ceremonia për zgjedhjen e Theofan Stilian Nolit peshkop. Në vitin 1921, tashmë peshkopi Theofan Stilian Noli, boton “Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit) mbretit të Shqipërisë. Në saje të punës së pandërprerë të Fan Nolit, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare u shpall ne Berat me 12 shtator 1922, me katër mitropolitet (peshkop ortodoks, që ushtron pushtetin fetar në një mitropoli; titulli më i lartë i peshkopit në kishën ortodokse; 2 seminaret (Shkollë që përgatit priftërinj (në vendet ku vepron kisha e krishterë) dhe 29 manastire (Institucion fetar, me prona e ndërtesa banimi rreth një kishe, ku jetojnë murgj a murgesha.
Fan Stelian Noli (1882 -1965)
Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e mënjanonte Patriarkanën të ndërhynte në çështjet kishtare shqiptare. Në nëntor të vitit 1923 në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë bëhet dorëzimi dhe fronësimi i Fan Nolit si peshkop i Durrësit, Gorës dhe Shpatit. Në shkurt të vitit 1959 Noli shkruan “Dhjatën”, apo “Testamentin”.
II.- Fan Noli, njeriu lider, politikan e historian!
Më 6 janar të viti 1907 themelon në Boston shoqërinë atdhetare “Besa-Besën”. Boton numurin e parë të gazetës “Dielli”, organ i shoqërisë “Besa-Besën”. Në mars të vitit 1912, si rezultat i punës së pandërprerë të Fan Nolit, themelohet Federata Panshqiptare “Vatra”, në mbrojtje të interesve të Pavarësisë së Shqipërisë. Në qershor 1912 mbaron Universitetin e Harvardit.
Gjatë muajit nëntor 1912, në Londër zhvillon një veprimtari të dendur politike për një Shqipëri të pavarur brenda kufijve të saj etnkë. Në 2 mars të vitit 1913, nga tribuna e Kongresit të Triestes, Noli kundërshton copëtimin e Shqipërisë nga ana e Fuqive të Mëdha. Në korrik të vitit 1916, në rolin e kryetarit të Federatës Pan-shqiptare “Vatra”, proteston pranë Fuqive të Mëdha kundër synimit për të vendosur protektoratin italian mbi Shqipërinë. Më 10 shtator 1919 në gazetën “Dielli” botohet intervista e Fan Nolit dhënë gazetës ameriakne “Dejli Telegraf”, me të cilën u denoncua Traktati i fshehtë i Londrës për copëtimin e Shqipërisë. Më 17 dhjetor të vitit 1920 Shqipëria pranohet anatare e Lidhjes së Kombeve. Noli në rolin e kryetarit të delegacionit shqiptar në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, këtë akt (veprim) e quajti si suksesin më të madh të arritur prej tij në karierën politike.
Nolit nuk i mungoi aftësia për të bërë miq për vete dhe për Shqipërinë. Bazuar në oratorinë e shkëlqyer të tij para Lidhjes së Kombeve, Lord Robert Sesil, delegat i Afrikës së Jugut, bëri një nder dhe shërbim të çmuar në pranimin e vendit tonë në LK. Ose delegati i Indisë, atë ditë të veçantë për Shqipërinë, deklaroi:” Shqipëria meriton të bëhet anëtare e Lidhjes së Kombeve, sepse është i vetmi vend në Botë, ku muslimanët, katolikët romanë dhe të krishterët ortodoksë të Lindjes, bashkëpunojnë vëllazërisht përkundër dasive të tyre fetare.”
Në prill të vitit 1921, Noli zgjidhet kryetar i Partisë Popullore, partia e parë politike parlamentare në Shqipëri. Në 10 qershor 1924, triumfon Revolucioni demokratiko-borgjez dhe Noli ngarkohet për formimin e qeverisë së re demokratike. Më 10 shtator 1924, në seancën e 14 të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, Fan Noli mbajti fjalimin ku demaskoi, deklarimet e tyre për gjoja mbrritjen e paqes dhe synimin për zgjidhjen e çështjes së çarmatimit, fjalim që shtypi i huaj i kohës e cilësoi si “bomba e peshkopit shqiptar”.
Më 24 dhjetor të vitit 1924, forcat e armatosura të Ahmet Zogut të ndihmuara materialisht dhe me trupa vrangeliste të qeverisë Jugosllave, qeveria demokratike ra dhe Fan Noli me udhëheqës të tjerë u larguan nga atdheu. Në dhjetor 1944 Noli i drejton një telegram Kryeministrit të Britanisë së Madhe Uinson Çërçillit, ku i kërkonte njohjen e qeverisë demokratike provizore shqiptare.
II.- Fan Noli, njeriu gjigant i kulturës, dramaturg, përkthyes, poet e muzikant!
Përkthyes i shumë veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të botës, si: “Othello”, “Makbeth”, “Hamleti”, “Giulio Cesare” nga William Shakespeare. “Armiku i Popullit”, nga Henrik Ibsen, “Zonja e Ostrotit”. “Don Kishot” nga Miguel de Cervantes. “Rubairat” e poetit persian Omar Khayyam. “Zinxhiri i Prometeut”, i Eskilit. Poezi të shumta nga Wolfgang Goethe, Paul Verlaine, Charles Baudelaire, Tjutchev, Heinrich Heine.
Gjatë viteve 1926 e në vazhdim të jetës së tij, krahas përkthimit të veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, boton poezi të shumta të natyres fetare dhe patriotike, si: “Moisiu në mal” dhe “Shën Pjetri në mangall” apo poezitë më të fuqishme si: “Rend, or marathonomak” dhe “Anës lumenjve”, etj.
Në moshën 53 vjeçare, krahas studimeve të ndryshme, fillon mësimet në konservstorin e muzikës të Nju-Inglendit në Boston. Në vitin 1936 boton pjesë muzikore liturgjike me titull: ”Hymnore”. Në vitin 1937 mbaron konservatorin e muzikës. Në 28 qershor të vitit 1928 Noli në intervistën që i jep gazetës “Boston Post”, krahas të tjerave deklaroi se nuk do të kthehej kurrë në Shqipëri, përderi sa do të ishte në fuqi Zogu. Vendimi i marrë prej tij, kuptohet ishte thirrje kundër autokracisë dhe pro demokracisë.
Nëvitin 1945, në moshën 63 vjeçare, merr titullin doktor në filozofi nga Universiteti i Bostonit. Në tetor 1945, Konferenca e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e zgjedh Fan Nolin Kryetar nderi të saj për “kontributin e madh që ai kishte dhënë në fushën e kulturës dhe të letrave shqipe”.Noli, themeluesi dhe udhëheqësi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, babai i “Vatrës”, redaktor e botues i “Diellit”, vdiq në Florida në moshën 83 vjeçare. Me vdekjen e tij, shqiptarët humbën personalitetin e madh, njeriun që bëri aq shumë për kombin dhe vendin e tij. Nolin e vajtuan shqiptarët kudo që ndodheshin. Fan S. Noli parashtroi tek shqiptarët frymën e re të të menduarit, ai bashkë me Faik Konicën, realizuan bashkimin e shqiptarëve të Amerikës; ndërsa për shqiptarët e trojeve shqiptare përcolli idera dhe mesazhe për pavarësinë e kombit dhe domosdoshmërinë e krijimit të shtetit Shqiptar.
Mbasi u njohëm me disa nga veprat monumentale të tij, në tre fushat më të rëndësishme të njerëzimit, na krijohet një ndjesi respekti dhe vetvetiu na lind një pyetje, e cila kërkon ti përgjigjemi me kërkesën e ndjesës dhe korigjimin e menjëhershëm për ti dhënë atij kollosi vendin e panteonit të gjigantëve të mëdhenj të dijes, të sakrificës së jetës së tyre në shërbim të vendit e popullit si dhe të ndërtimit, lartësimit dhe mëvehtësimit të selive të shenjta të besimit ortodoks në Shqipëri dhe në SHBA.
Ky është i madhi Fan Nol. I vetdijshëm e krijoi personalitetin e tij, për të qenë pranë njerëzve jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, i inspiruar nga veprat dhe kulturat më të zgjedhura të njerëzimit dhe predikimeve hyrjnore, të cilat e lartësuan dhe ai e vendosi veten e tij “mënjanë” për Perëndinë.
Nëse shenjtërimi thotë të vihesh mënjanë për Perëndinë, Fan Noli e ka bërë këtë, bile ai ka bashkëpunuar me Perëndinë. Noli ka qenë i përfshirë në procesin e pastrimit dhe të shenjtërimit me anë të Krishtit në Shpirtin e Shenjtë. Me veprat dhe qendrimet e tij, Noli sa jetoi ndoqi rrugën drejt përngjasimit të Perëndisë.
Për saktësimin e figurës së Fan Nolit, le t’u drejtohemi porosive të vetë Jehovait, ku ka zbuluar cilësitë e tij dalluese: «Jehova, Jehova, Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur dhe në të vërtetë, që ruan dashamirësi të dashur për mijëra, që shfajëson gabimin, shkeljen dhe mëkatin”..
Njerëzimit i është lejuar përngjashmëria, prandaj ne mund ta imitojmë shenjtërinë e Jehovait; duhet përpjekur për të qenë të pastër para tij, të mbajmë dëlirësinë (pastërti, thjeshtësi) morale. Të përmbajturit ndaj veprimeve dhe veprave të papastra, që të ndotin (fëlliqin, njollosin), nënkupton një favor shumë të lartë dhe të mrekullueshëm, përmbushjen e dëshirës për të pasqyruar një veti të shkëlqyer të Perëndisë.
Është sjellje njerëzore të pranojmë se në fund të fundit, kurrë nuk do ruajmë në kujtesën tonë fytyrën apo trupin më të bukur! Do mbajmë gjithmonë mend Zemrën më të bukur dhe Shpirtin më fisnik!”. Veti këto të pranishme në çdo hap të jetës së Fan Nolit.
Shenjtërimi nuk është një përmirësim i mishit, kjo pasi mishi në trupin e njeriut është i njëjtë, mishi tek besimtari nuk është më i mirë se sa mishi i mëkatarit. Por, lidhur me këtë shkrimet e shenjta thonë: “Bëjini të vdesin veprat e mishit”. Shenjtërimi nuk është çrrënjosja e natyrës mëkatare. Tek asnjë besimtar nuk kërkohet të ketë një përvojë pastrimi (i cili dëshiron të djegë gjithë natyrën mishore, për ta bërë të paaftë të kryejë një mëkat),por, shkrimet e shenjta porosisin: ”Besimtari le ta vërtetojë përvojën e tij me anë të Fjalës së Perëndisë dhe jo të vërtetojë Fjalën me anë të përvojës”
Gjithashtu Shenjtërimi nuk është një përkushtim i shtirur e hipokrit dhe nuk është as shenjtëri e rreme. Shenjtërim do të thotë “të veçohesh mënjanë. Të shenjtërosh gjithmonë ka kuptimin “të veçosh mënjanë” për një qëllim, qoftë në lidhje me shenjtorin apo mëkatarin. Njerëzit e pashpëtuar mund ta veçojnë ose ta shenjtërojnë veten në mëkat.
Fan Noli, bazuar në veprave të tij, të njohura botërisht e “vuri veten mënjanë”, të paktën në tre qëllime kryesore, të cilat lidhen qoftë më shenjtorin apo mëkatarin. Shpëtoi popullin dhe vendin e tij nga mëkatarët, të cilët donin ta copëtonin tërësisht; dha pa rezerva kulturën e pastërtisë, dëlirësisë, nëpërmjet botimeve, foltoreve dhe me vlera të veçanta ato në altaret kishtare, ku zhvilloi shërbesat me të rëndësishme në vendet ku vepron kisha e krishterë. Fan Noli është dhe mbetet simbol i sakrificës dhe i flijimit. Altar i atdheut, altar i besimit, paqes dhe lirisë.
Veprimtaria e tij i përmbush të tria mënyrat që fliten për shenjtërimin, veçimin mënjanë. Perëndia atë e vuri në një pozitë të veçuar për Të, dhe e porositi për besnikëri ndaj atij pozicioni. Ai me të vërtetë mbetet njeriu i Perëndisë. Praktikisht “Një shenjtor nuk rritet kurrë deri në shenjtërim, por rritet në shenjtërim.Fan Noli e dinte se Shenjtërimi i përsosur do të ndodhë në të ardhmen, në ardhjen e dytë të Krishtit, prandaj sot shohim në veprat e tij, zbatimin në praktikë se Zoti i kishte shtuar me bollëk dashurinë për të gjithë njerëzit, jo vetëm të etnisë së tij.
Fan Noli, mendoj se duhet shenjtëruar nga Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, sepse ai është simbol jo vetëm për besimtarët ortodoksë shqiptarë, por i të gjitha trojeve shqiptare, përfshirë diasporën dhe në veçanti atë të SHBA-ës. Nuk duhet të priremi nga “ngurtësia”, por të veprohet siç kanë vepruar edhe kishat fqinje. Fjala vjen Kisha Ortodokse Greke, Serbe dhe të tjera kisha, shumicën e shenjtorëve ortodoksë, nuk janë shenjtëruar për ndonjë aftësi apo të jenë dalluar për vepra me cilësore se sa ato të Fan Nolit.
Megjithatë, pavarësisht rrugës së ndjekur për shenjtërim nga kishat e tjera, të rëndësishme mbeten veprat e individëve, që me veprimtarinë e tyre veçohen nga të tjerët, i rezistojnë kohërave dhe që koha i vlerëson. Tek Fan Noli gjendet ndriçimi i shpirtit shqiptar, pendesa, përulja, është i dukshëm besimi në çdo veprim të kryer në të 83 vitet e jetës së tij dhe të gjitha këto, tashmë janë vërtetuar, pranuar dhe gjetur të drejta e të sakta edhe gjatë mungesës së tij 52 vjeçare.
Mendoj se Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, me dëshirën e mirë, mundet ta fillojë procesin e shënjëtërimit me shqiptarin-Theofan S. Noli, me njeriun e veprimit patriotik, human dhe fetar, i cili do na zgjojë dhe do na bëjë të ndërgjegjshëm në rrugën drejt vlerësimit të vetes tonë, duke lartësuar figurat jo të pakta që ka nxjerrë dhe do nxjerrë ky komb, në vend që të “mbërthehemi” nga egoizmat, apo “mbivlerësimet” vetëm ndaj të tjerëve! Le të drejtojmë mendjen tonë nga e mira, të fillojmë të vlerësojmë veprimtaritë e shumta në favor të kombit, në predikimet e Zotit nëpërmjet besimeve tona fetare. Le të kemi edhe ne shenjëtorë shqiptarë, siç kanë shenjtorët e tyre kudo në botë.
Të tre elementët për shenjtërim të një individi, si në Kishat Ortodokse dhe ato katolike: Religjioziteti (ana fetare) i individit; Vepra e tij; dhe Dëshira e mirë për të realizuar procedurat e nevojshme për shenjtërim, tek veprimtaria e Fan Nolit, rezultojnë të përmbushura pa asnjë mëdyshje!.
Për ti konkretizuar elementët e nevojshëm për shenjtërim, po i referohemi shenjtërimit të Shën Kozmait. Marrjen në referim shenjtërimin e priftik grek, e sjellim për të gjetur mundësinë e përmbushjes së elementeve të shenjtërimit të Nolit, dhe jo për të diskutuar, apo vënë si kundërpeshë shenjtërinë e Shën Kozmait. Jo, aspak. Ajo ishte një e drejtë e institucioneve që e kanë shenjtëruar dhe nuk është ky qëllimi ynë.
Sipas shkrimit të botuar në Gazetën-Kosova sot- “Shën Kozmai (1714-1779), në kështjellën e Ali Pashës”, ku citohet studiuesit Etnor Canaj, ndër të tjera lexohet:“Ç’farë mbështetet më shumë në forumin e studiuesve lidhet me faktin se predikimet e Etolianit lidhen me misionin e tij për t’i krishtëruar njerëzit nëpërmjet ritit ortodoks grek, pikërisht nga fakti se gjuha liturgjike ishte greqishtja në kohët që flasim. “Jam i mendimit që ashtu sikurse Danil Voskopojari bënte propagandë pro-romaike (greke) në pjesën e Maqedonisë dhe Trakisë, duke mallkuar apo duke dekurajuar njerëzit të flisnin gjuhën e tyre të përditshme, po të njëjtën gjë bëri edhe Etoliani”. Canaj shton se Danil Voskopojari ishte me prejardhje Vllahe dhe dekurajonte vllenjtë të flisnin gjuhën e tyre. Mendohet që edhe Etoliani të ketë qenë arvanit”.
Kuptohet, brenda hapësirës së tij kohore, Shën Kozmai u përpoq për përhapjen e gjuhës dhe ortodoksinë greke, sikundër edhe Noli u përpoq për përhapjen e gjuhës shqipe dhe ortodoksinë shqiptare. Në një nga ligjeratat e Shën Kozmait thuhet: “Asgjë në këtë botë nuk është juaja, ndaj në qoftë se ja u marrin mos u brengosni. Ruani vetëm Krishtin dhe shpirtin”. Gjithashtu kujtojmë se një predikimet tjetër i tij ishte: “Falenderoni Zotin që solli turqit dhe jo ndonjë perandori tjetër. Sepse turqve nëqoftëse u jep para nuk ta prekin fenë, por po të ishte dikush tjetër mund t’ju detyronte t’ju kthente në fe tjetër me forcë”.
Me këto predikime Shën Kozmai evitonte përplasjet me otomanët, duke u ruajtur kështu, në zonën e Shqipërisë së jugut ortodoksia, ndonëse ju a morën pasuritë. Në këtë kontekst shihet edhe miqësia që Shën Kozmai kishte në rajon me Ali Pashën. Ideja për kohën e tij del qartë, mjaftonte të ruajnte fenë ortodokse, të tjerat ishin më pak të rendësishme. Predikimi i tij ishte i kuptueshëm, vetëm për të shpëtuar anën shpirtërore, ajo materiale edhe po ta humbnin nuk duhej brengosur. Veçonte materialen me shpirtëroren. Koncepti ynë me veprime të tilla nënkupton pranimin e nënështrimit. Ishte e drejta dhe mendimi i tij.
Ndryshe ndodh me predikimet e Fan Nolit, i cili kërkonte të respektohet materialja dhe shpirtërorja, ai kërkon vetevendosjen e popujve, pavarësisht nga madhësia, si dhe të respektohet pavarësia dhe vullneti i çdo populli në besimin e tij fetar dhe nuk predikon asnjëherë dhunën për vendosjen e këtij apo atij besimi. Shën Kozmai veproi brenda kufijve gjeografike dhe kulturore fetare të Bizantit. Parë në respektim të kohës, si histori, Shën Kozmait i është quajtur meritë misioni i predikimit të tij: “mbushja me shpresë perëndie e shpirtit të besimtarëve ortodoksë në Ballkan”.
Por, sot mbas mbi 300 vjetësh, rezulton se popujt e Ballkanit nuk kërkojnë mbushjen me shpresë perëndie të shpirtit vetëm të besimtarëve ortodoksë, por këtë e kërkojnë për të gjithë popujt, pavarësisht nga besimi, dhe të pandarë me anën materiale, atë të kufijve tokësorë etnikë, ku sigurohet jetesa. Të dyja këto, për besimtarët janë të kushtëzuara me njëra-tjetrën dhe kompletojnë qenien shpirtërore dhe materiale njerëzore!.
Studiuesi Etnor Canaj na njeh me një letër të shkruar nga Shën Kozmai: “Arsimi dhe Besimi!”. Nuk do ta citojmë të gjithë letrën, nuk është ky qellimi, por do shkëpusim fjalinë e cila tregon përpjekjet e Shën Kozmait për përhapjen e gjuhës dhe besimin ortodoks grek. “……. Dhe kushdo që beson në Krishtin dhe e quan atë Perëndi, dhe bën gjithçka të shenjtë Ungjilli i tregon atij, qe ai do të jetë i fatit të mirë dhe tri herë-bekuar. Ai kurrë nuk do të turpërohet. Kjo është arsyeja pse ju duhet te themeloni shkolla Greke, në mënyrë që njerëzit do të lartësohen shpirtërisht, sepse duke lexuar Greqisht gjeta se ajo ndriçon dhe ndriçon mendjen e studentit si dielli ndriçon tokën…”.
Tolerancat dhe përshtatshmëria me kohët dhe njerëzit, e bëjnë më të dashur dhe më të lumtur jetën në bashkësi të njerëzve, pavarësisht nga raca, ngjyra, besimi fetar etj. Prandaj mendoj se reagimet ndaj dekadave të shkuara, nuk duhet të zënë vend sot në shoqëritë tona të civilizuara dhe të hapura, siç ka ndodhur, fjala vjen, me letrën e Zv. Prefektit të Lushnjës, i cili më 26.03.1930, i paraqiste prefekturës së Beratit, raportin e Komunës së Libofshës, kundër priftit Papa Jorgji Ziu, nga fshati Ndërnënas, i cili kishte “meshue”greqisht në kishën e Shën Marinës”, në vend që meshën ta bënte në gjuhën shqipe për tu kuptuar nga besimtarët!. Kohët besoj se duhet të jenë krejt ndryshe edhe nga thënia e vjetër latine: “Ujku sulmon me dhëmbë, demi me brirë, greku me kishë”.
Të tilla qendrime, nuk besoj se duhet të na mbajnë “të ngurtë” ndaj së kaluarës, ku u mbollën katastrofa të dhimshme e të padenja, qoftë shpirtërore dhe materiale, të cilat patjetër kërkojnë pendesë nga pala shkaktare dhe faljen nga vikima. Tek Noli mbizotëron arësyetimi se njerëzimi është krijesë e Zotit dhe para tij janë të gjithë të barabartë, atyre u duhet respektuar gjuha, tradita, zakonet, territoret dhe besimi fetar”. Mbi këtë arësyetim, Fan Noli më 1908 celebroi liturgjinë e parë në gjuhën shqipe, në historinë e Kishës Ortodokse. Nuk ishte rastësi, që me triumfin e Revolucionit demokratiko-borgjez, të qershorit 1924, Nolit ju ngarkua formimi i qeverisë së re demokratike, ishte profecia se e ardhmja e vendit duhej të ishte demokracia dhe jo autokracia, apo liberalizimi i palimituar, ku drejtojnë të paaftët dhe kolltukofagët etj.
Në përfundim, mendoj se dy prej elementëve Fan Noli i ka përmbushur me vetë jetën aktive të tij, ndërsa elementi i tretë, “dëshira për të nisur procedurat e shenjtërimit”, është në të drejtën e Institucionit përkatës kishtar, me mbështejen e komunitetit ortodoks shqiptar dhe jo vetëm.
Primati i KOASH, “Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë”,Kryepeshkopi Anastas Janullatos; Sinodi i shenjtë, organi më i lartë i qeverisjes së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe Asambleja kleriko-laike, kemi besim se e kanë “dëshirën” për ta marrë në shqyrtim mundësinë për nisjen e procedurave për shenjtërimin e Fan Nolit.
Veç titujve të shumtë ai është motivuar: “Personaliteti i shquar kombëtar e Mitropolit i Durrësit Fan Stilian Nolit”, me rastin e dhënies nga Bashkia e Durrësit ”Qytetar nderi. Konsideratat për shërbesat fetare të Fan Nolit, janë deklaruar edhe nga Hirësia e Tij, Kryepeshkopi Janullatos në fillimet e detyrës së Lartë në vendin tonë, në një intervistë të gazetës “Rilindja Demokratike”, ku është shprehur:“…Po ju them dhe një sekret! Kur bëj meshë, përmënd prindët e mi, emrin e atij që më bëri prift, e krahas tyre – emrin e Nolit”. Edhe bashkëkohësi i Nolit, Faik Konica ka dhënë këshillën historike:“Dita që Noli mbajti meshën e parë në shqipet është një kthesë në historinë e Rilindjes Shqiptare…dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët ta harrojnë”. Këtu ndahen shqiptarët me antishqiptarët”.
Noli ka goditur ashpër egoizmin e sëmurë që shfaqej në radhët e disa intelektualëve dhe drejtuesave të lëvizjes kombëtare, duke i këshilluar:“Vërini poshtë interesat, grindjet dhe egoizmat e veçanta dhe përmbi gërmadhat e këtyre gjarpërinjve ngrini statujën e hijshme të egoizmit të përgjithshëm të kombit”. Noli, parandjenjës ndaj masave për të luftuar veset tek udhëheqësit, i porosiste, pyetjen “nga fryn era” vetëm krerët s’kanë të drejtë ta bëjnë.“Nuk (jo) nga fryn, por nga është udha e vërtetë. Nuk (jo) nga është fushë, por nga janë malet”. Kjo ide, ky besim e udhëhoqi Nolin gjatë gjithë jetës së tij. Gazeta “Kombi” në vitin 1906, shkruante: “Janë të rrallë njerëzia si z. Mavromati (Fan Noli), se ata janë dëshmorë të idesë, se përpara kësaj nuk vështrojnë as rrojtjen e tyre”.
Duke përfunduar nuk mund të mos reagosh dhe të thuash: Profecitë e Fan Nolit, janë të dukshme, të prekshme edhe sot, të cilat na godasin në gjithë qënien tonë. Sot oktapodët janë në periudhën shumimit, për shterpësi duhet të ndërgjegjësohet sistemi i drejtësisë, të forcohet përgjegjësia ndaj detyrave dhe domosdoshmërisht të zgjohet populli.
Trajtesa e mësipërme është një detyrim i ndërgjegjshëm, për të bërë të mundur, që kollosët tanë, korifejtë e dritës, të penës dhe të pushkës, të cilët nuk kanë kursyer asgjë për vendin dhe kombin e tyre, ti jetësojmë përmes aftësive, mundësive dhe dëshirave tona!.
Zoti na ndihmoftë, na shtoftë dashurinë dhe dëshirën për të nisur procedurat e shenjtërimit të ortodoksit të parë shqiptar At’ Theofan Stilian Nolit.
Fahri Dahri – Itali, më 12.10.2017