Pashtriku.org, 16. 05. 2014 – Ukshin Hoti u lind më 17. 06. 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesmen në Prizren dhe në Prishtinë. Fakultetin e Shkencave Politike e mbaroi në Zagreb, ndërkaq studimet posdiplomike drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare politike dhe ekonomike në Beograd. Që nga gjysma e dytë e viteve 70 gjer më 1981 ka punuar në detyra të ndryshme politike e arsimore në Kosovë; ka qenë ligjërues i vitit III dhe IV të Fakultetit Juridik, drejtimi Juridiko – Diplomatik, i vitit III të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, i shkollës politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist “Edvard Kardel”. Gjatë periudhës 1971 – 1977 ka qenë Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës, ka qenë anëtar i pothuajse të gjitha forumeve federale që merreshin me politikën ndërkombëtare. Në vitet 1977 – 1978, specializoi në Universitetin e Çikagos, Harvardit, Bostonit, Uashingtonit dhe të Kembrixhit, ndërsa në vitin 1979 u kthye në Kosovë. Ukshin Hoti gjatë qëndrimit në specializim në SHBA ka gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Ka qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Në një takim me Zonjën Rosalyn Carter (bashkëshortja e ish’presidentit amerikan Jimmy Carter) në Washington DC, u zgjodh si i vetmi intelektual që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi, ai ka marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe ligjërime të intelektualëve autoritativ, por edhe në shumë takime që i organizonin senatorë, kongresmenë dhe përfaqësues tjerë të administratës amerikane. Ukshin Hoti gjer në vitin 1981 ka qenë kreatori kryesorë i politikës kombëtare dhe pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ukshin Hoti për herë të parë u burgos në Nëntor 1981. Ai do të burgosej edhe në nëntor të vitit 1968, në kohën kur u organizuan demonstratat studentore në Prishtinë…, por për fat të mirë, atëkohë ai studionte në Kroaci dhe ishte në krye të demonstratave studentore të Zagrebit.(sh.b)
Ukshin Hoti me prindërit e tij
**********************
FYELLI I BACËS UKË
(Ukshin Hotit)
Fyelli yt kishte veç një vrimë
e kur i bije ti Bacë
koha tërbohej me furtunë e vetëtimë
se ti nuk i bije me gishta nate
i bije me jehonë, me epokë
fyelli yt bëhej ashti ynë
Nuk e di Bacë
nëse e gjete pendën e Shekspirit
por dikush e shkroi tragjedinë tonë
edhe në Krushën tënde u luajtën
tragjedi mesjete
s’mbeti kush pa një rol
secili në vrimën e fyellit të vet
secili i lidhur në nyjen e vet të fatit
Ti Baca Ukë
vet e nënshkruajte fatin tënd
se s’mund të zgjidhje fat tjetër
për ty e për ne ishte më i miri fat
të gjitha të tjerat kishin sy korbi
kishin zë qyqesh të mjera
e ti s’mund ta mallkoje me zezonë
edhe fatin e pjellës tënde
A të kujtohet Baca Ukë
kohë e langojve, e ujqërve të egër
që shpesh të kafshuan tinëz nëpër mjegull
sa shumë kishin frikë veç nga hija jote
se nuk dilnin dot nga strofull e qelbur
deshën kobin tënd Bacë, të futen dhe brenda
por edhe aty brenda ti i bije fyellit
Jashtë jehonë e fyellit mbillte rrezet e diellta
Ti Baca Ukë
s’mbytëshe dot me tortura, as me plumba
Xhelatët i provuan të gjitha me ty
në fund të mallkuan dhe me humbje varri
por ti mblodhe eshtrat i bëre jehonë
me jehonë ia spërkate atdheut ballin
ata i shndërrove në kufomë
Eh… Baca Ukë
çfarë të të them tjetër, po e sheh edhe vet
përditë po ndërrohen, po vijnë do kohë tjera
as langoj e ujqër ende s’po i vrasim
as Iriqin dot s’e heqim nga therra
e kemi bërë fyellin me njëqind vrima
tash edhe gomarit i kanë vënë shalë
ende nën hije rreziten të marrët
e varret e të vdekurve po i zënë të gjallët
Sa shumë kemi nevojë për fyellin tënd
Bacë
Faik Smajli, Maj 2014
***
KU ËSHTË UKSHIN HOTI OSE NJË NOSIT DHE ZOGJTË
ti ishe i vetmi promete i gjallë dhe të rrëmbyen
kolosët që i ke miq të fjalës që janë mes nesh por s‘frymojnë
Jusuf Gërvalla
I
në të 1999-tën
të mbramën herë e panë të burgosurit politikë në atë hapsane të kobshme
ku Uka u bënte dritë
dhe hienat e etura për gjak erdhën në kasaphane
e Prometeu Ukë u tha shokëve
zor se do të më lejojnë ta shijojë fillimlirinë aq të pritur
po a do të ketë kuptim fillimrepublika pa ty Ukshin Hoti
ishte pyetja-çështje edhe e të bashkëburgosurve të Nositit shqiptar
por a është kështu sot
a ka kush që si Uka të flet me aq dritë e zjarr e të ket për veprim aq guxim të paparë
siç duket vetëm ai e dinte aq kthjelltë
pse na duhej demokracia
e paimportuar
pse na duhet Republika në funksion të Kombit
pse Republikën duhet ta kemi së pari për vete pastaj edhe për të tjerët
se luftërat dhe vdekjet tona për hajgare bërë nuk janë
por program shqiptar-njerëzor
kanë pasur dhe kanë
II
e tani nuk di(m) se zogjtë e Nositit të shkencës shqiptare
a e kanë kuptuar a jo
se Ukshin Hot do të thotë Kosovë në esencë dhe se Kosovë e vërtetë Ukshin Hot
do te thotë
nuk di a e kanë kuptuar a jo zogjtë e malit dhe të qiellit
se Hoti Ukshin
nuk është frikësuar e nëse gjallë është as tani aspak nuk frikësohet që vdekja edhe
mund t’i shkaktohet
por ai nuk ka dashur e nuk do që me Kosovën të eksperimentohet
kur kjo botë e çuditshme
lirinë dhe dashurinë krejt përnjëmend nuk i ka
sepse vlerat njerëzore
shumë proklamohen
pak realizohen
e Ukshin Hot
mosrrënim vlerash
e Nosit për njerëzimin do të thotë
se ai e Gjergj Elez Alia porosi kanë lanë përpara me dhanë jetën se sa nderin dhe gjanë
se vdekja me e rënda
është vdekja për së gjalli
se Kombi
lopë në treg
nuk është
III
shumë tha shumë veproi shumë ar e dritë ndër libra e shkrime na i tha e na i la
ai
e ky Ukshin Hot
që me harresë po mundohen ta dënojnë
por kot
se zogjtë e Ukshin Hotit sot një gjë po e kuptojnë se vetveten e harrojnë nëse Nositin e tyre nuk e (n)gjallojnë
se e kemi kot
që pa Ukshin Hotin
ta përmirësojmë motin
jetën dhe lumturinë
t’i bëjmë siç i gjakojmë
e siç i programojmë
por një politikan
i republikë së Kosovës
enigmës Ku është Ukshin Hoti
iu përgjigj dhe ia qiti kapakun
se kjo enigmë na qenka çështje politike e botës
prandaj edhe e republikës së Kosovës
kjo republikë që bota po e pranon
epublika pa Ushin Hotin çështje politike është siç është edhe sfinks-dheu ne urën e Ibrit
prandaj thotë politikani i gjysmërepublikës
mos u lodhni
me punën e ukshin hotit
dhe barrikadave
andej e këndej Ibrit
se të gjitha këto
çështja politike punë zeusësh janë
dhe unë kështu po ju thamë se përndryshe e keqja do t’ju gjanë ngase çështjes politike sot përpara si dilet sepse çështja politike sot po ngritë mure barrikada po zhbënë ura po han njerëz po rrënon kulla
IV
një zog prometeu pyetjes Ku është Ukshin Hoti
kështu ju përgjigj
Uka ishte dhe është në dyluftim të pamëshirshëm me vdekjen dhe vdekjen theu prandaj
zor është të zhduket e humbet ai nga dheu e qielli mbi dhe në trollin tonë kështu po ju bëj be
se nëse një populli në bark i hyn frika
kërdi në shtëpi të tij do të bëjë politika,
pse mes njerëzve e popujve
të ngritën prita barrikada bllokada
në web faqe në gazeta
në Universitet
një pyetje po buçet
Ukshin Hoti ku është me të vërtet
dje në fakultetin filozofik në Prishtine aty pash pyetjen me shkronja të mëdha dhe me një pikëpyetje në fund
Ku është Ukshin Hoti
po e njëjta gjë ishte ngritë edhe në juridik e në tërë Universitetin e një gjë ma tha diçka e dikush në thelësi të vetes time
ma tha fare pa u sforcuar e pa u munduar se
Ukshin Hoti
përmes rinisë sonë studentore në ne paska hyrë qenka në ne por këtë po u dashka vetëm për ta vënë re
vëni re vëni re
një ogur i bardh shpëtimtar
Ukshin Hoti paska hyre në ne
e nuk qenka vetëm në Krushë të Mdhe në muze
një e zë gjëmim i madh që mori qiellin u dëgjua nga varri i Jusuf Gërvallës diku në Kosovë
o jo jo nuk humbet nuk harrohet nuk zhduket kurrë Gjeniu i Kombit se zogjtë e tij gjakun gjenet ADN-në e sinapsat e tij i kanë dhe NOSITËT e këtij KOMBI shumë janë.
Rexhep Ahmeti, më 03. 08. 2013 – Kroi i Vitakut, Mitrovicë.
Kontakti me autorin: [email protected]