FARKËTIMI I FRIKËS (NGA COVID-19) – HIPNOTIZIMI MASIV
“Nën tirani, është fare më lehtë të veprohet sesa të mendohet.” Hannah Arendt, filozofe
Ndër analiza të ndryshme dhe të shumta që kam lexuar e dëgjuar rreth pandemisë, si pro ashtu dhe kundër masave, analiza e profesorit të psikologjisë klinike Mattias Desmet mbetet më interesantja dhe më e qëlluara për realitetin e sotëm. Ndaj rreshtat e mëposhtëm të pjesës së parë të kësaj eseje i kushtohen në tërësi analizës së Desmet. Pjesa e dytë e eses i referohet librit të autores angleze Laura Dodsworth që futet në korridoret dhe ngushticat e pandriçuara të prapaskenave të asaj çfarë shpalos Desmet. Në të tretën i përmendi kalimthi plagët e rënda që shkaktoi arsenali i narratives të imponuar të Covid-19. Natyrshëm lind pyetja: e përse të merremi me kontekste të vendeve të huaja e jo ato të vendit tonë kur vendi ynë qe goditur nga pandemia sikurse vendet e globit? A s’është diskutuar te ne fare pandemia? Të thirresh në shkencë për ta menaxhuar situatën pandemike në Kosovë do të thotë të kopjosh prej shteteve perëndimore, kurse të debatosh te ne për Covid-19 do të thotë të flasësh dhe ta imponosh mediatikisht vetëm mendimin e institucionalizuar dhe asgjë tjetër. Perëndimi pa dyshim është epiqendra e çdo gjëje që vërtitet rreth pandemisë, ne sikur ndodhemi në rrathët e fundit koncentrik, me mjekësi të dobët, deficit shkencor e skenë tejet të brishtë e të trazuar politike – kujtoni vetëm javët e para të pandemisë te ne!
***
Psychological Tricks That Make People WILLINGLY Give Up Their Freedom W/ Prof. Mattias Desmet| AMP
***
Sido që të jetë, në Perëndim ka vërshim analizash, shkrimesh e publikimesh që i sfidojnë seriozisht politikat uniforme karshi pandemisë. Psikologu Mattias Desmet jep një analizë tejet interesante të krizës. Analizën e nis me përshkrimin e një reliefi psikologjik të turmave për të na dëftuar më pas greminat e totalitarizmit. Rreshtat në vijim janë përmbledhje e imja bërë dy analizave të Desmet të transmetuara ndaras në dy kanale të YouTube1.
Dr. Mattias Desmet, profesor në Universitetin Ghent të Belgjikës, me kualifikim universitar edhe në statistika, pas muajve të parë të pandemisë kishte filluar të dyshonte për numrat e rasteve të vdekjeve nga Covid-19 që raportoheshin përditë në media. Më pas kishte analizuar më hollësisht grafikët dhe shifrat e vdekjeve dhe rrezikut nga koronavirusi për të vërejtur se shumica e statistikave ishin të fryra në mënyrë dramatike. Desmet, dhe shumë staticienë të tjerë të shquar botëror 2, kritikuan ashpër modelet matematikore, sidomos ato të publikuara nga Imperial College të Londrës 3, të cilat parashikonin frikshëm që në fillim të pandemisë se nëse Suedia nuk do të futej në izolim të plotë, siç kishin vepruar shumica e vendeve të botës, ky shtet në fund të majit 2020 do t’i kishte 80,000 vdekje si pasojë e Covid-19! Suedia nuk imponoi masa drakoniane dhe në fund të majit të vitit 2020 pati 6,000 vdekje, pra një fryrje e qëllimshme për diku 13 herë!
Se modelimet e hershme statistikore kishin gabime të rënda duke e ekzagjeruar rrezikun e virusit, thotë Desmet, qe bërë e qartë, por gjëja më e çuditshme që ndodhi është se përkundër gabimeve të ashiqarshme, masat drakoniane vazhduan të imponoheshin gjithandej duke u thirrur pikërisht në statistika të tilla, duke i quajtur madje shkencë! Këtu Desmet bëri kthesën, nisi ta analizonte krizën tashmë nga këndvështrimi i psikologut, jo më i staticienit.
OKB alarmonte me të madhe se nga masat drakoniane ndaj pandemisë, vendet e varfra të Afrikës dhe të tjerat në zhvillim do të pësonin me miliona vdekje si pasojë e urisë dhe varfërisë së skajshme, vërente Desmet. Pra ishte mëse e qartë qysh në fillim se masat e hershme ndaj virusit ishin pakrahasimisht më të dëmshme sesa vetë virusi.
S’qe bërë asnjë vlerësim, s’ishte dhënë asnjë statistikë institucionale që do t’i llogariste dëmet anësore të mbylljeve dhe izolimeve kundrejt dobive të masave anti-covid! Askujt s’i interesonte kjo, aq më pak qeveritarëve a politikanëve vendim-marrës. Të gjithë i kishte mbërthyer frika prej virusit dhe vdekjeve që raportoheshin çdo ditë. Fill u krijua një narrative e centralizuar e Covid-19 e cila nisi të inokulohej gjithandej nga masmediat. Desmet më pas vijon së argumentuari se ajo çfarë po ndodhte ishte një ndikim tejet i thellë psikologjik i cili po shpinte gradualisht tek krijimi i një dukurie te masa. Një dukuri e tillë njihet si psikozë masive e cila ndodh pas një hipnotizimi kolektiv dhe është karakteristikë tipike e sistemeve totalitare.
Realizimi i psikozës masive, argumenton Desmet, kërkon përmbushjen paraprake të katër kushteve, të cilat qenë hazër në Perëndim qysh para se të fillonte pandemia:
– i pari, një numër i madh njerëzish t’i kenë shkëputur lidhjet shoqërore.
– I dyti, që jeta të bëhet e pakuptimtë për një numër të madh njerëzish. Dy kushtet e para pastaj lidhen ngushtë me njëri-tjetrin: njerëzit janë qenie shoqërore kurse izolimi i vazhdueshëm social – shoqëria tejet individualiste – çon pashmangshmërisht në humbjen e kuptimit të jetës.
– I treti, duhet të ketë një ankth latent, ose ankth4 që bredhërin lirshëm në shoqëri por që nuk lidhet me ndonjë objekt të caktuar të jashtëm (madje as si imazh në mendje) dhe është tejet i vështirë të kontrollohet. Ta zëmë, frika nga luani është frikë që ka një objekt të jashtëm i cili më pas projektohet në mendje edhe si imazh.
– I katërti, agresion i brendshëm i individit, një mllef i cili nuk mund të shprehet dhe të shpërthej kundër ndonjë objekti të jashtëm. Në kësi gjendje nis përhapja e madhe e narratives të Covid-19 përmes masmedias, e cila së pari e identifikon dhe e vë në pah objektin e ankthit: virusin si tejet të rrezikshëm; e pastaj ofron strategji për ta luftuar atë: masat drakoniane si mbylljet, karantinimet, vaksinimet e shumëfishta të detyruara, etj. Turmat kësisoj marrin pjesë me vetë dëshirë në një betejë heroike pasi tashmë dihen objekti i frikës dhe strategjia për ta mposhtur atë.
Gjatë formimit të tillë të masës përmes hipnotizimit kolektiv, argumenton tutje Desmet, shfaqen tri grupe me karakteristika të ndryshme:
– grupi i parë përbën diku 30% të turmës së hipnotizuar; ky grup janë vërtet totalitarë.
– Grupi i dytë përbën rreth 40% të turmës që nuk shkon kundër grupit të parë, apo masës së formuar, thjesht vetëm e ndjek atë, por s’janë totalitarë tipik sikurse grupi i parë. Pra rreth 70% e turmës e pason sistemin.
– Në fund kemi grupin e tretë me 25%-30% i cili nuk është aspak i hipnotizuar dhe prore tenton ta kundërshtoj sistemin. Ky grup është tejet heterogjen ngase në përbërjen e tij ka pjesëtarë me bindje të larmishme politike e fetare, profile e etni të ndryshme, dhe me statuse jo të njëjta socio-ekonomike. Grupi me heterogjenitetin e tij është shumë i vështirë të definohet. Mirëpo e tëra vërtitet rreth këtij grupi, thekson Desmet. Po e gjeti rrugën ky grup për t’u identifikuar me njëri tjetrin atëherë mbaron formimi i masës dhe me këtë merr fund edhe kriza! Edhe te këta gjen njerëz të cilët dehumanizojnë ata që bëjnë pjesë në taborët tjerë. Po përse ky grup i shpëton hipnozës kolektive? Vështirë t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, thotë Desmet.#
***
MASS FORMATION: Prof. Mattias Desmet On The Statistics And Strategy Of Mass Formation Psychosis
***
Ndër arsyet e rënies apo mosrënies në hipnozë kolektive është edhe formimi i përgjithshëm ideologjik i individit.
Ç’ndodh në tërë këtë vorbull? Krijohet një lidhje e re për ta mbushur boshllëkun e shkëputjes së lidhjeve të mëparshme shoqërore. Rritet së tepërmi solidariteti dhe nevoja e lidhjeve të reja shoqërore. Kalohet prej shoqërisë tejet individualiste në veprime të përbashkëta kolektive, sakrifica dhe rituale si maska, karantina, dhe masa të tjera kundër koronavirusit të cilat sa më absurde aq më shumë përforcojnë ritualin dhe aq më shumë pasohen, sidomos nga njerëz që bëjnë pjesë në 30% totalitarë, thotë Desmet. Masa e intoksikuar me këtë lidhje të re, vë re Desmet, e fokusuar në mënyrë hipnotike vetëm në virus dhe në asgjë tjetër, e përqafon krahëhapur narrativen që i serviret, sado absurde të jetë ajo, bile duke qenë e gatshme t’i sakrifikoj pavëmendshëm liritë personale, pasurinë, mirëqenien e tyre dhe të fëmijëve të tyre, e çka jo tjetër.
Tek procesi i formimit të masës, argumenton në vijim e sipër Desmet, tretet individi dhe dominon në mënyrë absolute kolektivja gjë që shkakton mentacid (mbytje të mendjes, mënyrës logjike të të menduarit) ku më inteligjentët, më intelektualët, përhumben aty, zhduken dallimet ndërmjet individëve ngase formimi i masës i shlyen thuajse tërësisht cilësitë individuale, dhe me këtë – si pasojë e frikës së ndjellë ndaj virusit dhe pasimit të turmës – edhe çdo kapacitet për mendim kritik. Bile edhe ai si psikolog, siç e pranon vetë, përfshirë shumë kolegë të tij, kishin rënë pre e propagandës në fillim të krizës. Pra, të gjithë bëhen disi barazisht “të marrë”, më shumë veprohet verbërisht e ritualisht sesa që mendohet, vëren Desmet, i cili më pas cek eksperimentin e njohur të psikologut Solomon Asch që u realizua pas luftës së dytë botërore.
Krijimi i psikozave masive është shenjë tipike e sistemeve totalitare të cilat me t’u formuar kryejnë krime prej më absurdeve. Si vije deri te kjo? Desmet fillimisht bën një dallim midis diktaturës klasike dhe totalitarizmit. Te diktatura klasike, vëren Desmet, kur opozita heshtët dhe hiqet qafe, diktatori me kalimin e kohës bëhet zakonisht më i butë për ta fituar simpatinë e masave. Te sistemi totalitar ndodhë ndryshe, pasi opozita të heshtët dhe të eliminohet nga hapësira publike, atëherë totalitarizmi nis të kryej krime monstruoze. Kjo ngjau pikërisht në ish Bashkimin Sovjetik më 1930 dhe në Gjermaninë naziste më 1935, kur edhe shfaqen regjimet totalitare, pasi u heshtë opozita, atëherë përbindëshi braktisi fëmijët e vet – shprehur me frazën e filozofes Hannah Arendt – dhe kreu krime makabre; vriste çdokënd, pavarësisht se a ishte besnik ndaj sistemit apo jo. Mirëpo sistemet e tilla janë vetë-shkatërruese, tërheq vërejtjen Desmet duke iu referuar filozofes së shquar Hannah Arendt, Gustave Le Bon dhe studiuesve të tjerë që merren me këtë dukuri. Madje ky sistem i tanishëm do ta shkatërroj vetveten më shpejt se ato në fillim të shekullit 20, parashikon Desmet. Të folurit e vazhdueshëm kundër narratives në publik ose në ndeja e tubime private – pra përçimi i sa më shumë tingujve nga aspekti i ndikimit psikologjik – propozon Desmet, ia ndal sado kudo hovin formimit të masës madje edhe mund ta shkatërroj të tërin, përkundër vështirësive dhe kostos së lartë që mund ta mbart kjo. Nën këso tiranish nuk kemi të bëjmë fare me psikopatë, sqaron në vijim Desmet, por me plane të megalomaniakëve nga elitat teknokratike, të cilët besojnë se do t’i zgjidhin të gjitha problemet e botës duke imponuar sistem të ri social. Thelbi i vërtetë i këtij sistemi është transhumanist, spikat Desmet, njerëz që janë të bindur se problemet mund të tejkalohen vetëm e vetëm përmes kontrollit teknologjik. Unë besoj se kjo është ajo çfarë i shtynë këta njerëz të veprojnë kështu, pohon Desmet, është botëvështrimi i tyre, gjithsesi deluziv. Në fakt ky botëkuptim mekanistik është mu thelbi i problemit ngase ai kishte kontribuar në shkëputjen e lidhjeve shoqërore, humbjen e kuptimit të jetës, bredhjen e lirshme të ankthit dhe mllefit, pra industrializimi dhe mekanistifikimi i shoqërisë që kishte nisur shumë kohë para krizës së koronavirusit.
Desmet deklaron se filozofja e shquar Hanah Arendt tërhiqte vërejtjen qysh në vitin 1953 për totalitarizmin e këtij llojit kur thoshte se ndonëse kishte rënie të totalitarizmit në Gjermani dhe në ish Bashkimin Sovjetik me stalinizmin, trendet drejt totalitarizmit nuk do të ndaleshin assesi, së shpejti do të shfaqej një totalitarizëm mbarëbotëror! Shfaqja e këtij totalitarizmi nuk do të bëhej nga lider si Hitleri a Stalini, paralajmëronte Arendt, por nga teknokratë e burokratë, dhe kjo është pikërisht çfarë shohim sot gjatë kësaj krize, ngritjen e një totalitarizmi i cili, për dallim nga diktatura klasike dhe nga ai i shekullit të kaluar, nuk ka armiq të brendshëm, shtrihet përtej një territori të caktuar, është global, vë në dukje Desmet.
Arendt theksonte gjithashtu se mu zhvillimet dhe pikëpamjet e tilla mekanistike për botën do ta përforconin dukurinë e formimit të tillë të masave në shekullin e kaluar. Prandaj unë tani besoj, pohon tutje Desmet, se elitat teknokratike5 dhe krerët e institucioneve më të larta botërore po përpiqen ta formësojnë botën pikërisht sipas pikëpamjeve të tyre mekanistike, transhumaniste, pra pikëpamje të cilat janë mu boshti i problemit. Përpjekjet e sotme të këtyre njerëzve bëhen në mënyra më absurde të mundshme: Sa më shumë kontrolle teknologjike, sa më shumë vaksina, përkundër joefikasitetit të tyre!
Hipnoza kolektive sikurse hipnoza klasike i fokuson së tepërmi të hipnotizuarit vetëm tek një pjesë e realitetit, në këtë rast te virusi dhe dëmet e tij, duke i injoruar dhe duke mos i vënë re fare pjesët tjera të tërë mozaikut të krizës! Për dallim nga hipnoza klasike, vijon me shpjegimin e tij Desmet, te formimi i masës përveç të hipnotizuarit edhe hipnotizuesi është i hipnotizuar madje me fokus edhe më të ngushtuar të vëmendjes sesa i hipnotizuari! Shembull konkret i kësaj janë gabimet trashanike të ekspertëve të cilat kurrë s’do t’i bënte një njeri i thjeshtë. Kjo u pa qartë me dhënien e statistikave të gabuara gjatë pandemisë, ishin ashiqare gabim saqë edhe një fëmijë mund t’i vërente ato, shprehet Desmet. Edhe pse vetë të hipnotizuar, megalomaniakët teknokratë jo rrallë i manipulojnë dhe i mashtrojnë njerëzit nga dehja e tyre ideologjike transhumaniste, thekson Desmet. Mirëpo edhe kur e bëjnë një gjë të tillë, ata e bëjnë duke ua imponuar masës, rëndom përmes propagandës shtetërore, një narrativë të cilën as vetë s’e besojnë, por që janë të bindur në mënyrë megalomane se duhet t’i gënjejnë dhe t’i mashtrojnë masat ngase kështu e realizojnë misionin e tyre, pra shpëtimin e botës dhe njerëzimit, ngritjen e tyre dhe bërjen e tokës parajsë, konkludon analizën e tij Dr. Mattias Desmet.
Farkëtuesit e frikës
“Frika është themel i shumicës së qeverive.” John Adams, kryetari i dytë i SHBA-ve “Mënyra se si e kemi përdorur frikën (gjatë Covid-19) është distopike.” Këshilltar i SPI-B britanike
Përderisa psikologu Desmet analizonte frikën e inokuluar nga propaganda shtetërore e cila shpiu në psikozë masive, së këndejmi në totalitarizëm, autorja angleze Laura Dodsworth në librin e saj të botuar në prill të vitit 2021 A State of Fear – How the UK government weaponized the fear during the Covid-19 pandemic (Gjendje Frike – Si e ktheu frikën në armë qeveria e MB gjatë pandemisë Covid 19), analizon farkëtuesit e frikës, mjetet e tyre propagandistike siç janë psyops (operacionet psikologjike) ose manipulimi i emocioneve, sidomos frikës, censura, false flags, manipulimi i fakteve, dhe efektet e tyre. Me përpjekjet e saj kafkeske, Dodsworth kreu një numër hulumtimesh dhe realizoi një sërë intervistash me psikologë të shquar, shkencëtarë, deputet parlamenti, këshilltarë të Whitehall britanike, gazetarë e analistë, dhe zyrtarë e njohës të ndryshëm politik e ligjor (ca mbetën anonim për publikun), për të ardhur në konkluzion se qeveria e MB qe këshilluar ta frikësonte sa më shumë publikun për t’iu bindur urdhrave dhe restrikcioneve shtetërore ndaj epidemisë.
Po kush janë këta këshilltarë?
Këta janë farkëtues të prapaskenshëm të frikës ndaj Covid-19, psikologë të psikologjisë së sjelljes (behavioural psychology), apo siç i quan autorja psikokratë, ekspertë të pazgjedhur politikisht, si dhe njohës e studiues tjerë të shkencave sociale të cilët përdornin masmedian, qeverinë, politikanët – nga e djathta dhe e majta e spektrit politik – e figura të ndryshme publike si katalizatorë kryesor të psikozës masive, vë re Dodsworth.
Qeveria me stil teknokratik nga viti 2020 e tutje, e cila krijon varësi të madhe nga grupe ekspertësh të pazgjedhur, e bëri popullin objekt të ‘psikokracisë’ ku politikbërja dhe vendimet tjera publike diktohen nga ekspertiza psikologjike e jo nga debatet e mirëfillta politike (Dodsworth 2021:71-72). Psikokratët u zhytën në “Biznesin e Frikës” mu në zemër të qeverisë me para të tatimpaguesve, por puna e tyre ngeli gjithnjë larg syve të publikut dhe debateve të hapura politike, ishte thelbësisht antidemokratike dhe në kundërshtim të plotë me çdo normë etiko-morale, teksa qeveritarët e politikanët tjerë po e kamuflonin punën e tyre dhe të psikokratëve me fraza si “paso shkencën” (Dodsworth 2021: 75). Psikokratët e pazgjedhur po farkëtonin frikën pikërisht përmes departamenteve të ndryshme shtetërore: The Behavioural Insight Team (BIT) britanik, i njohur me emrin jozyrtar famëkeq ‘Nudge Unit’, i cili madje eksporton me të madhe ekspertizën e tij nëpër botë, pastaj SAGE, SPI-B, GCHQ, THE 77TH BRIGADE, RICU, etj. (Dodsworth 2021:71-5). Akoma më brengosës, vë re autorja, mbetet fakti se ndikimi i psikokratëve të tillë është rritur viteve të fundit në departamentet e ndryshme shtetërore siç është shtuar edhe varësia ndaj ekspertizës së tyre.
Biznesi kryesor i tyre ishte manipulimi i skajshëm i emocioneve të masës, më konkretisht ndjellja, përhapja dhe mbajtja gjallë e frikës nga virusi SARS-CoV-2 duke e raportuar mediatikisht dhe duke e zmadhuar statistikisht si shkatërruesin e padukshëm më të madh të civilizimeve që bota ka njohur ndonjëherë! Nga injektimi masiv i frikës, popullata kësisoj do t’i nënshtrohej fare kollaj diktateve shtetërore, gjithnjë nën pretekstin e luftimit të pandemisë: mbylljeve, kufizimeve, orëve policore dhe karantinave të gjata6, mbajtjes së maskave7, distancës fizike, numrit të kufizuar të pranisë fizike, vaksinimeve të detyruara, normales së re, larjes së duarve deri në obsesion, dezinfektimit të vazhdueshëm të orendive8, dhe eksperimenteve tjera sociale.
Makineria e frikës bëri që kontrollet e rrepta qeveritare të përvidheshin në jetët e qytetarëve, piketat e tyre të shtyheshin çdo ditë e më shumë (Dodsworth 2021: 141-42). U krijua një marrëdhënie abuzive midis qeverisë dhe popullit (Harriet Bunker-Smith cituar te Dodsworth, po aty), liria u bë e autorizuar, e kontrolluar, dhe e kufizuar. Pas abuzimeve të skajshme (lockdown) pasojnë periudha të ‘muajit të mjaltit’, sikurse te marrëdhëniet abuzive në familje, ku masat lirohen për një kohë, kërkohet falje, dhurohen lule e dhurata, vetëm për t’u përkeqësuar sërish (po aty). Të abuzuarit në këso marrëdhëniesh që s’çajnë fare kokën të dinë se çfarë po ndodh me ta as që donë të dinë për abuzimin (po aty). Kurse efektet që kanë prodhuar masat dhe taktikat qeveritare, vë re Dodsworth (2021: 141), u ngjasojnë goxha abuzimeve psikologjike që kishin kryer Kina dhe Koreja e Veriut gjatë trushpërlarjes bërë të burgosurve të luftës, abuzime këto të cilat qenë dokumentuar nga psikologu social Albert Biderman – tabela e tij e njohur si Biderman’s Chart of Coercion.9
Manipulimi i turmave nga shteti duke qenë ato fare të pavetëdijshme për këtë – gjithnjë nën pretekstin e dobisë së tyre – nuk është dukuri e re në Perëndim, thotë Dodsworth (2021, kapitulli 5). Të tilla manipulime ka pasur me dekada, për t’u intensifikuar gjatë, dhe pas sulmeve të 11 shtatorit (9/11) duke vënë në shënjestër veçanërisht komunitetin musliman në Perëndim dhe gjetiu (po aty). Në aspektin teorik dhe historik, Dodsworth (2021: 244) shquan veprën famëkeqe Propaganda të autorit Edward Bernays, nipit të Sigmund Freud. Bernays kishte shkruar veprën e tij duke pasuar idetë e Freud për shkurorëzim midis mendimit të vetëdijshëm të individit dhe shtypjes së ndjenjave, gjë që sipas tij e bënte individin pikërisht të manipulueshëm. Qeverive kësodore u mundësohet farkëtimi i propagandës dhe operacioneve psikologjike të cilat intubohen në nënvetëdijen dhe mendjen racionale të individit, duke ia ngallmuar atij emocionet dhe dëshirat, por duke e lënë atë prore të pavetëdijshëm për manipulimin që i bëhet (po aty).10
Sërish në Kosovë.
A kishte vendi ynë psikokratë të tillë, operacione të tilla psikologjike nga ta?
Morën këta tanët trajnime dhe ekspertizë nga ‘Nudge Unit’ famëkeq dhe nga elitat teknokratike?
Përvojat dhe praktikat e gjertanishme të vendit tonë, sidomos në politikë dhe ekonomi, por edhe ato në shëndetësi gjatë Covid-19 – ku mjekësia jonë e dërrmuar përtokë ia tregonte në mënyrë spektakolare muskujt e saj të plogësht e të atrofuar një virusi të shumfuqishëm siç propagandohej gjithandej – na thonë se zarfet, postat elektronike dhe takimet në Zoom me miqtë tanë ndërkombëtarë, mbase do të mjaftonin për menaxhim të çfarëdo krize të krijuar, artificialisht ose ndryshe.
Armët e karantinimit masiv
“Asnjë shkencë nuk është imune ndaj infeksioneve të politikës e as ndaj korrupsionit të pushtetit.” Jacob Bronowski, matematikan dhe filozof
Kur frika si armë nuk shkrepte tek shkencëtarët që sfidonin shkencërisht narrativen e imponuar të Covid-19, farkëtuesit e frikës shtënin në drejtim të tyre me armën tjetër – thirrjen në konsensus të paqenë shkencor – për t’ua ndryrë në karantinë kokat, për t’ua censuruar fjalën e lirë dhe për t’ua mbyllur platformat digjitale, jo vetëm shkencëtarëve, por kujtdo që s’pajtohej me diktatet shtetërore. Frika si dhe thirrja në (jo)shkencë si armë kryesore e imponuesve plagosën rëndë gjithashtu liritë dhe të drejtat e njeriut duke ia nënshtruar ato procedurave mjekësore, vranë dhe dëmtuan shumë njerëz me lockdown dhe vaksina, municionin e tyre më të fortë, dhe shkaktuan lobotomi të vazhdueshme të trurit të masës përmes bio-terrorit.
Për më tepër, diktatet mjekësore të imponuesve teknokratë reduktuan njerëzit vetëm në krijesa biologjike. Filozofi i shquar italian, Giorgio Agamben – ndër mendimtarët e rrallë nga e majta politike që kundërshton narrativen e imponuar të Covid-19 – e quan këtë gjendje “despotizëm tekno-mjekësor” ku si pasojë e fokusit të tepruar në eliminimin e rrezikut të sëmundjes ngjitëse, por jo shkaktarit, ndalohet gjithçka njerëzore për ta ruajtur vetëm ekzistencën biologjike duke e zhveshur kësisoj jetën e njeriut prej çdo domethënie të saj, ose siç e quan ai “jetë e zhveshtë”.
Ndër raste të shumta të ndërhyrjeve të rënda politike në shkencë spikaten katër11:
1. Dr. Marty Makary dhe 17 top shkencëtarët tjerë amerikanë, në mesin e tyre shkencëtarë nga John Hopkins, imunologë e epidemiologë të rangut të lartë, ishin përgatitur të realizonin një studim të madh shkencor mbarëkombëtar, kishin në dispozicion gjithçka që u nevojitej.
Ky studim shkencor kishte për qëllim mbledhjen e të gjitha të dhënave të faktorëve kryesor të vdekshmërisë së Covid-19 në mbarë SHBA-të në kohë reale, përfshirë obesitetin si njërin ndër faktorët më të nënvlerësuar dhe më të nëndiskutuar të vdekshmërisë nga Covid-19. Kjo ndërmarrje e madhe shkencore qe refuzuar tetë herë radhazi nga buletinet e njohura shkencore pa dhënë asnjë arsye të vlefshme!12
2. Dr. Peter McCollough, kardiolog i shquar i cili ka të publikuara mbi 600 punime në lëmin e mjekësisë, dhe virologes dhe imunologes kanadeze Jessica Rose – punë e bërë në tandem – iu refuzuan gjithandej publikimet shkencore rreth miokarditit nga vaksinat kundër Covid-19, për çfarë u detyruan të ngrinin padi kundër një reviste prestigjioze shkencore. 13
3. Punimet dhe publikimet e CDC amerikane – autoriteti më i lartë amerikan për politika antikovidiane jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por dhe gjetiu, drejtori i së cilit emërohet drejtpërdrejt nga presidenti i SHBA-ve, për obligim të vënies së maskave, distancës dhe vaksinimeve të detyruara, sidomos për fëmijët e vegjël, janë përplot defekte të rënda të cilat nuk mund të merren aspak si referenca të mirëfillta dhe të besueshme shkencore. Ato shërbejnë vetëm për t’i shtyrë para qëllimet dhe objektivat e caktuara politike dhe si të tilla kumbojnë më tepër si propagandë politike sesa si shkencë e njëmendtë, argumenton bindshëm Dr. Vinay Prasad.14
4. American Institute for Economic Research ishte qasur përmes Freedom of Information Act të SHBA-ve në shkëmbim emailash të disa zyrtarëve të lartë amerikanë të shëndetësisë që shpërfaqnin kundërvëniet e tyre joshkencore, stigmatizuese, bile edhe armiqësore ndaj shkencëtarëve të Great Barrington Declaration që kundërshtojnë politikat e Covid-19 “një masë për të gjithë”.15
Statistikat e vdekjeve dhe dëmtimeve të shkaktuara nga vaksinat dhe masat tjera drakoniane si pasojë e politikave “një masë për të gjithë” gëlojnë përtej ekranit të retorikës së imponuesve të narratives së Covid-19. Kur është fjala për vaksina, shifrat duken tejet alarmante brenda një periudhe aq të shkurtër kohore. Sipas European Medicine Agency (EMA), deri me 4 dhjetor 2021 në Bashkimin Evropian janë raportuar zyrtarisht 32,652 vdekje dhe 2,970,644 dëmtime si pasojë e vaksinës kundër Covid-19. Në Mbretërinë e Bashkuar, sipas Medicine and Healthcare Products Regulatory Agency (MHRA), deri me datën 1 dhjetor 2021 janë raportuar zyrtarisht 1,822 vdekje dhe 1,314,659 dëmtime si pasojë e vaksinës kundër Covid-19. VAERS amerikane (Vaccine Adeverse Event Reporting System) deri me datën 26 nëntor 2021 raporton këto shifra për SHBA: 19,532 vdekje dhe 4,421,178 dëmtime nga vaksinat kundër Covid-19 (1-10 % të shifrave reale sipas vlerësimit qeveritar nga secila agjenci).
Kurse sipas statistikave të Worldometers.info dhe Ourworldindata.org, vdekjet nga Covid-19 në vitin 2021 përkundër vaksinimeve masive, me përafërsisht 3.87 miliardë njerëz të vaksinuar me nga dy e më tepër doza, janë shtuar globalisht për 80.8%, siç janë shtuar edhe hospitalizimet! E, me gjithë joefikasitetin e vaksinës dhe dëmeve të saj dhe paralajmërimeve të ekspertëve shëndetësor për to16, imponuesit e narratives, burokratë të largët që futen dhe ndërhyjnë rëndë në raportet e afërta mjek-pacient, s’u ndalën asnjëherë së akuzuari të mosvaksinuarit dhe mosmbajtësit e maskave për përhapje të virusit dhe vdekjeve nga ai. S’ka se si të mos më vijnë këtu në mendje fjalët e Dr. Robert Malone (shpikësit të teknologjisë mRNA): “Është hera e parë në histori që faji për joefikasitetin e një medikamenti t’u hidhet atyre që s’e marrin atë medikament!” “Më është thënë ashiqare nga zyrtarë e këshilltarë të lartë të shëndetësisë, në veçanti ata të Kanadasë, njerëz shumë të besueshëm, se asnjë masë kundër Covid-19 që ishte vënë vitin e kaluar nuk ishte bazuar kryekëput në shkencë, të gjitha ishin marrë sipas mendimit të shumicës”, tregon psikologu Jordan B. Peterson, figurë me famë botërore17.
“Duhet ta pranojmë haptazi”, shton Peterson, “se masat dhe politikat tona kundër pandemisë kanë shkaktuar dukshëm më shumë vdekje dhe mjerim sesa vetë virusi… Frika është ngulitur thellë, posaçërisht me mutacione të këtij virusi ku gjigandët farmaceutik vendosin ashtu siç u konvenon atyre se cili prej mutacioneve të vazhdueshme të virusit përbëka variant të ri, kopjuam me nxitim totalitarizmin, u shkaktuan ndërprerje të hatashme globale në zinxhirin e furnizimeve me ushqim, inflacione, e një varg dëmesh të tjera që sapo kanë filluar të ndihen në sipërfaqe”.
Këto dy dekadat e fundit kemi pasur rregullisht paditë më të mëdha gjyqësore në histori kundër kompanive gjigande farmaceutike të cilat sot, si pasojë e paaftësive, qyqarllëkut dhe mosdijes së politikanëve vendim-marrës, kanë marrë tërësisht rolin e arbitrit në politikat publike karshi krizës, një uzdajë e tepruar në ekspertë të tillë, thotë Peterson. Mirëpo politika nuk është assesi shëndetësi publike, kjo i takon mjekësisë. Politika është arti i vlerësimit të tërë mozaikut të situatës dhe skicim i rrugës para, pra marrja në konsideratë e çdo gjëje, çdo interesi, shprehet Peterson. Në kriza si kjo, e tëra kthehet në nivel individual, sqaron Peterson, këtu madje as politika s’ka çka lyp, sepse kjo nuk është ndërmarrje politike, është para së gjithash teologjike.
Faktet kryeneçe po e dërrmojnë gradualisht narrativen e kudondodhur të pandemisë. Figura të ndryshme publike të shëndetësisë, bile edhe institucione prestigjioze ndërkombëtare, po i hedhin në pah çdo ditë e më shumë dëmet, ndërhyrjet e politikës në shkencë, dhe gabimet trashanike që janë përsëritur në vazhdimësi gjatë pandemisë për të cilat kohë më parë paralajmëronin pikërisht shkencëtarët që nuk pajtoheshin me politikat qeveritare ndaj pandemisë kundër të cilëve merreshin fushata denigruese.
Përkundër fakteve të shumta kryeneçe, shumë syresh, për arsye të ndryshme, psikologjike në radhë të parë, nuk do të largohen nga realiteti i rremë në të cilin rrojnë që nga fillimi i pandemisë. Ata mbase do të vazhdojnë së besuari se kur është në pyetje Covid-19 dhe masat kundër pandemisë:
– Qeveria, masmediat dhe gjigandët farmaceutik nuk rrejnë.
– Të gjithë shkencëtarët kanë rënë në ujdi.
– Politika nuk ndërhyn në shkencë.
– Virusi i vetëm ua ka marrë jetën me qindra miliona njerëzve.
– Vaksinat janë tejet efikase dhe aspak të dëmshme, dhe janë shpresa jonë e vetme.
– Vaksinimet masive dhe të vazhdueshme siç e kërkon farmakomafia janë shpëtimi ynë i vetëm.
Mirëpo, mësimi i vërtetë që duhet nxjerrim nga kjo pandemi nuk është rritja e efikasitetit të vaksinave, as përmirësimi i punës dhe transparencës së kompanive farmaceutike, qeverive dhe mediave në këtë drejtim, e as lejimi i mendimeve tjera të shkencëtarëve për menaxhim më të mirë të krizës. Mësimi i vërtetë që duhet të marrim është se këtë ideologji që ka reduktuar gjithçka vetëm në biologji duhet ndalur duke mos ia nënshtruar assesi të drejtat dhe liritë tona procedurave të diktateve të saj mjekësore. Kurrë!
Përmbyllje
Eseja ime nuk ka tone optimiste. Situata e tanishme e imponon këtë. Mirëpo shpresat dhe optimizmin e vetëm i kam varur te Zoti, e pastaj tek njerëzit vullnetmirë. Vetëm Ai na siguron se vërtet që pas çdo vështirësie vije lehtësimi. Vetëm Ai na garanton se çdo bela e sprovë është e përkohshme dhe e tejkalueshme, çdo dalje mbanë, sado e mundimshme dhe e rëndë të jetë, është e mundshme për sa kohë që ne përpiqemi ta njohim të keqen, gënjeshtrën, ta ngrehim zërin mençur e fuqishëm kundër saj, të ftojmë me ngulm kah e mira dhe të këshillojmë njëri-tjetrin të qëndrojmë paluhatshëm dhe me durim në të, para së gjithash me vepra konkrete e pastaj me fjalë.
Rreshtat alarmues në përmbyllje të këtij shkrimi vijnë nga shkrimtari dhe filozofi, Paul Kingsnorth i cili ka analizuar me mendjemprehtësi krizën e pandemisë, posaçërisht brenda kontekstit perëndimor, dhe na paralajmëron për rreziqet e afërta që na kanosen. Kingsnorth pohon se kriza e tanishme do të përkeqësohet deri te masat më drakoniane të kontrollit biopolitik, kontroll ky i cili nuk ka gjasa të hiqet edhe pasi të ketë mbaruar pandemia!
Kingsnorth i ndan përplasjet rreth vaksinimit dhe masave tjera si një përçarje midis dy botëkuptimeve të përkundërta – ‘teza’ pro masave dhe ‘antiteza’ kundër masave – dhe thotë se debati i sotëm për vaksina, realisht debati nën sipërfaqe, i cili shpërfaq një përçarje të madhe epistemologjike, është se a je njeri i mirë dhe i pastër nëse i ke marrë ato, apo je njeri i keq dhe i papastër nëse s’i ke marrë ato. Rrugëdalja e kësaj krize për Kingsnorth mbetet vetëm në nivel individual – ngase kjo mundësi i ofrohet çdonjërit – përmes bisedave të sinqerta me njëri-tjetrin në prani fizike, me anashlënie të ekstremizmave nga secila palë e përfshirë.
Kingsnorth pohon se kriza e sotme ku çizmja e shtetit ka shkelur çdo vijë të kuqe na ka shpënë në një realitet të paprecedent që përcillet me plot ankthe, pasiguri, labirinte e rebuse: prej diskutimeve për krijimin e një shoqërie ku qasja në shumë shërbime të saj bëhet vetëm përmes pasaportave digjitale që tregojnë se ke marrë medikamentin e caktuar, heqjes së lirive dhe justifikimin e tyre nga ana e shumë intelektualëve, kontrollimit të rreptë të popullatës përmes frikës e manipulimeve, censurimit masiv të shprehjes së lirë, e deri tek prishja e strukturave shoqërore dhe kolapsi i domethënieve simbolike në Perëndim.18
Për frikën e tij nga kontrollet teknologjike autoritare dhe imponimin e ndryshimeve në shoqëri përmes Overton window, Kingsnorth shprehet:
“Frika ime është se do të zhytemi në kontrolle autoritare. Frika më e gjerë është se trendet para-ekzistuese, të cilat i kemi vërejtur që të gjithë, shkonin prore kah kontrolli teknologjik, monitorimi dhe nënshtrimi në shoqëri. Përdorimi i çdo gjëje, që nga mediat sociale, aplikacionet në telefona të mençur, algoritmet, inteligjenca artificiale, na shtynin gjithnjë drejt ‘shoqërisë së makinizuar’ ku të gjithë kontrollohen, monitorohen dhe janë të përfillshëm. Pra po u dashka krijimi efikas i një bote të mençur (teknologjie) ku gjithçka është e digjitalizuar, përfshirë trupat tanë dhe shtëpitë tona. Gjëra të tilla kanë qenë prej kohësh në agjendë, s’ka asgjë sekrete këtu. Kjo tashmë është duke ndodhur, ky është drejtimi që kemi marrë.
“S’na duhen konspiracione për të parë se mënyra se si po menaxhohet tërë kjo situatë, pra përmes teknologjisë, përmes vaksinës si një tekno-rregullim, përmes masave të detyruara autoritare dhe kodeve QR që duhet skanuar për të hyrë në pijetore, çon kah një normalizim i vetes si pjesëtar digjitalisht i pranuar i shoqërisë. Kjo na shpie drejt… një kinezifikimi të Perëndimit, rrënie në sistem të kreditit social. Dhe nëse njerëzit tani e kanë normalizuar skanimin e telefonave të tyre të mençur për të vajtur kudo me kodin e tyre QR i cili u tregon atyre se janë të shëndetshëm, atëherë ç’mbetka t’i shtohet kësaj? Të dhënat tuaja të sigurimit? Profili juaj në rrjetet sociale, ku keni thënë ndonjë gjë të keqe për të cilën sot të ka sulmuar turma?!
Intelektualët justifikojnë heqjen e madhe të lirive në shoqëri: “Kudo në Evropë dhe botë shohim skenarë të njëjtë. Internim. Kurime të detyruara. Segregacion të segmenteve të tëra të shoqërisë. Largime masive nga puna. Buçitje konsensusi mediatik. Censurim sistematik i zërave tjerë. Krijim i qëllimshëm i atmosferës së frikës dhe dyshimeve. Demonizim i skajshëm i “të pavaksinuarve”. Diçka e tmerrshme na ka kapluar, kurse ne sapo jemi gdhirë në të.
“Vetëm gjatë muajit të fundit, kam parë komentues në media të bënin thirrje për censurë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, profesorë të filozofisë t’i justifikonin internimet masive dhe grupe lobuese të të drejtave të njeriut të heshtnin për “pasaportat e vaksinës”19.
Kam parë një pjesë të madhe të së Majtës politike20 të kalonte haptazi në lëvizje autoritare, mbase gjithmonë kishte qenë e tillë, dhe “liberalë” të panumërt të bënin fushatë kundër lirisë. Teksa liri pas lirie po na merrej, po shihja intelektual pas intelektuali t’i justifikonte që të gjitha.
“Kurrë s’e kam menduar se do të vinim në pozitë për të argumentuar se nuk duhet izoluar një të tretën e njerëzve në kulturën tonë për arsye mjekësore. Ose të argumentojmë se duheshka censuruar median gjoja për t’i ndaluar vendimet e rrezikshme. Ka filluar madje të përflitet për lirinë e shprehjes, kurse të gjithë mendonim se kjo çështje qe mbyllur njëherë e mirë, por ja që doli të mos ishte e vërtetë. Tani pothuajse gjithçka është në mujshim ngase në njëfarë mënyre, ndërsa strukturat shoqërore prishen, dëshira e egër për luftë dhe autoritarizëm vihet gjithnjë e më shumë në pah. Meqë ra fjala, prej të gjitha palëve, kjo nuk vlen vetëm për njërën, ose palën tjetrën.
Për rënien e tregimit të progresit në Perëndim, Kingsnorth shprehet:
“Tregimi fetar mban kulturën të bashkuar, i jep asaj domethënie simbolike. Domethënia jonë simbolike qe tregimi i të krishterë. Mandej filluam ta braktisnim Krishterimin në shekullin e 18-të për ta përqafuar më pas një tregim tjetër me një domethënie tjetër simbolike. Ky pra ishte tregimi i progresit. […] Mirëpo kjo nisi vërtet të rrënohej në shekullin e 20-të ngase pas Holokaustit më nuk qe e mundur të flisje për progresin. Bota jonë e të krishterë u shpërbë si burim i yni i domethënies simbolike. Progresi gjithashtu u shpërbë si burim i yni i domethënies simbolike. Pra, ne jemi një shoqëri në Perëndim që nuk kemi burim, nuk dimë se kush jemi, nuk dimë se në çfarë të besojmë. I pamaskuari. / Visar Zeka – 17.02.2022
© Pashtriku.org
____________
Referencat:
1 Why Do So Many Still Buy Into the Narrative – YouTube, 21 shtator 2021 dhe Why People WILLINGLY Give Up Their Freedoms W/Prof. Mattias Desmet ǀ Mass Formation Psychosis – YouTube 20 tetor 2021
2 Nobelisti Michael Levitt, David Spiegelhalter nga Cambridge University, John Ioannidis nga Stanford University, Knut Wittkowski paralajmëronin se rreziku nga virusi nuk ishte aq alarmues sa raportohej 24 orë në media dhe siç paraqitej në mënyrë histerike nga politikanë e figura të ndryshme publike. Megjithëkëtë, paralajmërimet e tyre vajtën fare huq ngase zërat e tyre shumë rrallë depërtonin, për të mos thënë kurrë, në mainstream media!
3 Ishte epidemiologu dhe profesori i biologjisë matematikore, Neil Ferguson i cili kishte bërë gabime trashanike me paraqitjen zyrtare të shifrave alarmante të vdekjeve duke deklaruar se në MB do të vdisnin 500,000 njerëz kurse në SHBA 2.2 milion njerëz nga Covid-19 nëse nuk do të viheshin karantina dhe izolime. Po ky njeri kishte deklaruar qysh në mars të vitit 2020 se 2/3 e të vdekurve nga koronavirusi edhe ashtu do të vdisnin sepse ata ose ndodheshin në fund të jetës ose kishin sëmundje tjera përcjellëse! Punimi i tij me përplot gabime nga Imperial College, mbi të cilin ishin bazuar mbylljet dhe karantinat si masë qeveritare ndaj pandemisë në MB, i cili qe cituar edhe në shumë shtete tjera si referencë shkencore për t’i arsyetuar masat drakoniane, nuk ishte rishikuar profesionalisht (peer-review) kurse thirrjet e shkencëtarëve për rishikim dhe inspektim të kodit qenë injoruar për javë të tëra, vetëm për t’u korrigjuar më pas nga Microsoft dhe Github! Ky njeri i cili mbante poste të larta për statistika kishte përsëritur gabime trashanike me modelimet e tij tejet të pasakta pothuajse për çdo krizë epidemike. Në vitin 2000, kishte parashikuar zyrtarisht se në MB do të vdisnin 138,000 njerëz nga sëmundja Creutzfeldt-Jakob; pati vetëm 178 vdekje nga kjo sëmundje brenda 20 viteve në MB! Në vitin 2001, modelimet e tij të gabuara çuan në humbje të thella ekonomike për fermerët në MB si pasojë e skartimit masiv të kafshëve. Në vitin 2005, Ferguson parashikonte gabimisht se në mbarë botën do të vdisnin deri në 200 milion njerëz si pasojë e gripit të shpezëve. Shifrat e tij dolën sërish të gabuara (Dodsworth 2021: 151-52).
4 Desmet thotë se çdo vit vetëm në Belgjikë përshkruhen 300 milionë doza anti depresantë, përfshirë antipsikotikë, medikamente gjumi, për një shtet me popullatë 11 milionëshe; 1 deri në 5 njerëz kanë çrregullime të rënda anksioze.
5 Të cilët në tetor të vitit 2019 organizuan edhe ‘Event 201’, një ushtrim tryeze si parapërgatitje për ardhjen e koronavirusit! Shih hyrjen e shkurtër prezantuese ‘Event 201 Pandemic Exercise: Highlights Reel – YouTube, 4 nëntor 2019’
6 Jonas Herby, Lars Jonung dhe Steve H. Hanke nga John Hopkins Institute for Applied Economics argumentuan se lockdown në Evropë dhe SHBA reduktoi mortalitetin e Covid-19 vetëm për 0.2% mesatarisht. Në këtë punim mes tjerash thuhet: “Lockdown gjatë fazës fillestare të pandemisë COVID-19 ka pasur efekte katastrofike. Ka shkaktuar zvogëlim të aktiviteteve ekonomike, ka rritur papunësinë, ka përkeqësuar arsimin, ka shkaktuar trazira politike, dhunë në familje, dhe ka minuar demokracinë liberale. Këto dëme shkaktuar shoqërisë duhet të përqasen me dobitë e lockdown, të cilat, siç vë në pah metaanaliza jonë, ndodhen vetëm në margjina në rastin më të mirë… Një kalkulim i tillë i dëmeve dhe dobive të lockdown na sjell te një konkluzion i fuqishëm: lockdown duhet menjëherë refuzuar si instrument të politikave kundër pandemisë.” Shih ‘A Literature Review and Meta-Analysis of the Effects of Lockdowns on COVID-19 Mortality’ në https://sites.krieger.jhu.edu/iae/files/2022/01/A-LiteratureReview-and-Meta-Analysis-of-the-Effects-of-Lockdowns-on-COVID-19-Mortality.pdf
7 Vënia e obligimit të maskave në verë të vitit 2020 në MB, komenton Laura Dodsworth, ishte bërë pa asnjë provë të vetme shkencore dhe kjo është diçka kollaj e verifikueshme nga webfaqja zyrtare e qeverisë. Kishte qenë vetëm rekomandim shkencërisht i pabazuar i qeverisë së MB, mirëpo shumica e njerëzve, përfshirë gazetarë e fact-checkers (fakt-verifikues) e ngatërronin, mbase edhe qëllimisht, provën shkencore me rekomandimet dhe këshillat e qeverisë. Kjo copë lecke, pohon Dodsworth, ishte vënë thjesht për të prodhuar efekte psikologjike dhe për të krijuar kësisoj ritual ditor tek masat: 1. Përkujtues i rrezikut të pompuar sa herë ta shohësh atë; 2. Nëse nuk të ka rënë virusi sa ishe në transport publik, supermarket apo gjetiu, kjo ishte për shkak të maskës; 3. Nëse je prekur nga virusi, kjo ndodhte për shkak të mosmbajtjes së maskës! (Ep119 STATE OF FEAR! How the Government used Science of Psychology to Delude Us – YouTube, 28 maj 2021). Për imponimin shkencërisht të pabazuar të mbajtjes së maskave në kontekstin e SHBA-ve, shih analizën e Jacob Hale Russell dhe Dennis Peterson ‘The Mask Debacle’ në Tabletmag.com
8 Joseph G. Allen, Charles Haas dhe Linsey C. Maar dokumentonin se nuk ekzistonte asnjë provë e vetme shkencore që tregonte se koronavirusi përhapet nga sipërfaqet e gjësendeve. Shih ‘Opinion: We are overcleaning in response to covid-19’, TheWashingtonPost.com
9 Dodsworth (2021: 142-44) vëren se izolimet, monopolizimi i perceptimit, demonstrimi i ‘omnipotencës’, kërcënimet, degradimet, imponimi i rregullave të kota, relaksimet e herëpashershme dhe mjetet tjera nga Biderman’s Chart of Coercion, kanë tejet ngjashmëri me taktikat dhe masat qeveritare që zbatohen gjatë pandemisë: heqja e lirive themelore (situatë kjo e papërfytyrueshme më parë) me urdhrat ‘rri n’shpi’: karantina, izolime dhe mospërkrahje sociale; shkurajim i skajshëm për çfarëdo rezistence ndaj masave; bombardim njëzetekatërorësh me lajme ku jepen mesazhe dhe bëhen thirrje nga qeveritarët dhe autoritetet shëndetësore për fiksim në virus, censurim i këndvështrimeve alternative; mbyllje e të gjitha organizimeve kulturore, artistike, shoqërore dhe ndalimi i pjesëmarrjes në to; pretendim i ‘omnipotencës’ nga autoritetet shkencore dhe mjekësore gjoja duke ‘pasuar shkencën’; gjobitje për punë e aktivitete të cilat më parë konsideroheshin fare normale si shkuarja në punë, udhëtimet, vizitat e miqve dhe familjarëve, kryerja e adhurimeve; kërcënime me vaksinime të imponuara dhe pasaporta vaksinimi, kërcënime se lockdown kthehet sërish nëse masat nuk japin rezultate, ose njerëzit janë mospërfillës ndaj tyre; turpërim publik i njerëzve për mosvaksinim dhe mosmbajtje të maskave, qoftë edhe për arsye shëndetësore dhe të tjera, ose ndjenja e dehumanizimit; pasimi i rregullave jologjike si hyrja në restorant me maskë, heqja e maskës kur je ulur, vënia e saj kur ngrihesh për të shkuar në tualet; rihapja dhe lejimi i disa aktiviteteve sportive dhe shoqërore dhe mbyllja e sërishme e tyre.
10 Ishte filozofi imperialist Walter Lippmann ai i cili shpiku termin manufacture consent (fabrikimi i bindjes) në kuadër të propagandës, veçmas asaj mediatike, ndaj masave, kurse më vonë falë lëvrimit të Edward Bernays do të lulëzon industria e propagandës shtetërore. Në Propaganda, të cilën e shkroi më 1928, Edward Bernays thotë: “Studimi sistematik i psikologjisë së masës zbuloi potencialet e qeverisës së padukshme të shoqërisë përmes manipulimeve… grupi ka cilësi të ndryshme mendore prej individit, dhe motivohet nga impulset dhe emocionet të cilat nuk shpjegohen dot nga ato çfarë dimë për psikologjinë e
individit. Atëherë lind pyetja: Nëse i kuptojmë mekanizmat dhe motivet e mendësisë grupore, a nuk qenka pra e mundur t’i kontrollojmë masat dhe t’i fusim ato nën regjim ashtu siç ne dëshirojmë por pa e ditur ato këtë? Gati në çdo veprim tonin të përditshëm, qoftë në sferën politike a ekonomike, qoftë atë sjelljeve tona shoqërore ose të menduarit tonë etik, dominohemi nga një numër relativisht i vogël njerëzish të cilët i kuptojnë proceset mendore dhe modelet shoqërore të masave. Janë pikërisht këta njerëz që tërheqin litarin e kontrollit të mendjes publike” (Dodsworth 2021: 58). Po në Propaganda Edward Bernays shprehej: “Manipulimi i vetëdijshëm dhe inteligjent i shprehive dhe opinioneve të organizuara të masave është një element i rëndësishëm i shoqërisë demokratike. Ata që manipulojnë këtë mekanizëm të padukshëm të shoqërisë përbëjnë qeverinë e padukshme, pra pushtetin e vërtetë qeverisës të vendit tonë” (Dodsworth 2021: 42).
11 Shih gjithashtu ‘The expert bias towards Covid catastrophe has been exposed’ dhe ‘Lockdown debate skewed because sceptical scientists were shunned on social media’, Telegraph.co.uk
12 Omicron Panic, Natural Immunity, Fluvoxamine, & More (w/Dr. Marty Makary & Dr. Vinay Prasad) -YouTube, 4 dhjetor 2021
13 DarkHorse Podcast with Dr. Peter McCullough -YouTube, 7 dhjetor 2021
14 Shih analizën e Dr. Vinay Prasad ‘How the CDC Abandoned Science’, Tabletmag.com
15 Shih ‘Fauci, Emails, and Some Alleged Science’ në Aier.org
16 Shih ‘Israeli Considers 4th Vaccine Dose, but Some Experts Say It’s Premature’, në TheNewYorkTimes.com
17 Jordan Peterson Finally Shares His Views On The Pandemic – YouTube, 8 janar 2022
18 Shih esenë e tij ‘How fear fuels vaccine wars’ dhe intervistën ‘Paul Kingsnorth: why I changed sides in the vaccine wars’ në UnHerd.com
19 “Rreziku që shfaqet nën petkun e statistikave është fantazmë me kostume”, thotë Judith Levine, “Kush është terroristi? Kush është Covid bartësi? Ndër kontradiktat e pandemisë është se siguria kolektive kërkon sinqeritet dhe besueshmëri të ndërsjellë, mirëpo kjo besueshmëri në pandemi shprehet me dyshim vigjilues të ndërsjellë. Basti më i sigurt është ta dyshosh çdo kënd. Pasaporta e vaksinës demek i jep zgjidhje këtij problemi, duke e zëvendësuar dyshimin me siguri. Mirëpo pranimi i të vaksinuarve dhe deportimi i të pavaksinuarve bën gjithashtu ndarje midis bioqytetarit të mirë dhe atij të jashtëligjshëm. Retorika e sëmundjes ngjitëse tashmë ka mobilizuar ksenofobinë dhe ka legjitimuar shtetësinë raciste dhe eugjeniste si dhe politikat e imigrimeve (kujtoni Trump me “virusin kinez”). Historiani i American University, Alan M. Kraut e quan këtë “nativizëm i medikalizuar.”” Shih më gjerësisht ‘Vaccines Passports Are Here to Stay. Why Worry?’, TheIntercpet.com
20 Rreth fiaskos të së majtës politike gjatë pandemisë, shih analizën ‘The Left’s Covid Failure’ në Unherd.com
SHTOJCË E PASHTRIKUT
_____________
Mattias Desmet on Mass Formation Psychosis
______
Joe Rogan Interview with Dr. Robert Malone [Transcript and Full Interview ]https://covidvaccinesideeffects.com/joe-rogan-interview-with-dr-robert-malone-transcript/
Nuk ak viruse! Shikoni keto dy faqe per te kuptuar me shume: mentealternativa1.blogspot.com dhe whale.to