Pashtriku.org, 26. 07. 2013 – (Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve, që të harrohen ato, çfarë kanë bërë serbët ndaj tyre.” – ”Radniçke novine”, Beograd – 22 tetor 1913.) – Historikisht, çnderimi i femrave gjatë luftrave pushtuese, quhej si një “trofe” dhe “e drejtë” e fituesit dhe kështu është trajtuar deri në kohët moderne. “Pavarsisht provave të dhunës seksuale gjatë Luftës së II Botërore – shprehet Anne Marie de Brower, studiuese në Universitetin e Tilburgut në Norvegji – mungesa e dëshirës për të dënuar këtë lloj krimi, çoi në mos ndjekjen e autorëve në Proçesin e Nurenbergut” (1)
Të njejtin fakt e pohon edhe gjyqtari Richard Goldston, prokuror në Gjukatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, se “për krimin e përdhunimit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë i interesuar” (2) Megjithatë që në vitin 1948, dhunimi i femrave gjatë konflikteve të armatosura, u përfshi në krimin e genocidit (“Konventa mbi parandalimin e krimit të genocidit” e Asamblesë së Përgjithshme të OKB më 1948) Në kreun e tretë të kësaj Konvente (pika “d” dhe “e”) si krime të genocidit përfshihej edhe bashkëpunimi dhe tentativa për genocid. ( 3)
Në deklarimet e përfaqësuesve të politikës dhe në masmedia, këmbëngulet se me krijimin dhe pasurimin e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare me ligje dhe masa të shumta kundër llojeve të ndryshme të krimit, në shekullin që lamë pas, shoqëria europiane është zhvilluar drejt një botkuptimi më humanitar. Por sipas Zyrës së statistikave të OKB (v.2000) dëshmohet se në shekullin e 20-të, ndërsa në Luftën e I Botërore vetëm 5% ishin viktima nga popullsia civile, në Luftën e II Botërore arriti në masën 52% dhe në vitin 1991, 90% e viktimave ishin nga popullsia që nuk ishte palë e luftimeve. (4)
Gjithashtu vihet re se, përshkallëzim nuk kanë patur vetëm numri i viktimave civile, por edhe shtimi i llojeve dhe egërsisë së krimeve, krahasuar me të gjitha epokat e historisë njerëzore. Për këtë arësye studiuesit, shekullin e 20-‘të e kanë përkufizuar “shekulli i genocideve”. (5) Vërtetësinë e këtij fakti e dëshmoi veprimtarija e ish-shtetit Jugosllav, i cili e mbylli këtë fund shekull me një genocid të përgjakshëm ku 80% të viktimave civile në Kosovë ishin femrat dhe fëmijët. (6) Shoqëria moderne europiane dhe botërore, pati mundësi të shikojë, se deri në ç’shkallë degradimi njerëzor, mund të arrijë një shtet dhe një popull. Them “mundësi” sepse, në opinionin europian dhe atë botëror, shumë pak u bë e njohur ajo çka ndodhi, sidomos mbi femrat shqipetare. Dëshmitë e viktimave të gjallë (por edhe të vdekur dhe të zhdukur) faktojnë se edhe pas 68 vjetëve të kapitullimit të nazizmit, rrënjët ideollogjike dhe institucionale të tij, vazhdojnë të mbijetojnë në Europën e shekullit të 21.
Kosova dëshmon:
R.N. nga Prishtina, në mbarim të luftës, ështe gjetur e lidhur, në lokalin e Fakultetit Juridik. Ajo kujton: “Njëri prej milicëve më ra me shuplakë dhe menjëherë më pëlciti gjaku nga buzët e shkrumuara. Tjetri vuri gishtin te buzët e mia, e ngjyu me gjak dhe tha: “Siç duket të gjithë shqiptarët e kanë gjakun e ëmbël dhe unë me këtë thikë do t’i shijoj të gjitha…Unë, Nenad Stojanoviq, do të ta lë një kujtim për tërë jetën. Ma afroi cigaren te gjitë e mi dhe e fiku atje. Mbi një paketë ka shuar në trupin tim për disa orë… Nuk e di se sa burra kanë luajtur me trupin tim, ende sot, kam me qindra plagë cigaresh dhe thike. (7)
Ahmet Grajqevci (kryetar i shoqatës për hetimin e krimeve gjatë luftës dhe personave të zhdukur 1998-1999): Në objektet e fabrikave, nëpër shtëpija, obore, në spitalin e Prishtinës janë bërë vrasje, përdhunime dhe dëshimtarët flasin edhe për autopsi të njerëzve të gjallë. Më 27.03.1999 Servete Halimaj nga fshati Shkabaj – Dardhiç, shtatzanë me dy binjakë, kishte lindur fëmijën e parë dhe ja kishin vënë emrin Fitore. Në këtë kohë hyjnë kriminelët për t’i dëbuar dhe e shohin se ishte gjatë lindjes dhe i thonë se nuk ke për ta lindur… Ajo u përgjegj se do të lindin motrat e mija… trupin e saj e gjetëm të masakruar me duar të këputura. Ne nuk dimë se çu bë me binjakët. (8)
Më 25 janar 2001, në një transmetim radiofonik të një dokumentari në Radion Publike Nacionale të Shteteve të Bashkuara, të titulluar “Fshehja e krimit”, tregohej se forcat serbe e jugosllave transportonin në mënyrë sistematike trupat e shqiptarëve të vrarë në kompleksin e minierave të Trepçës pranë Mitrovicës, ku shndërroheshin në hí. Sipas raportit që citonte luftëtarët serbë dhe “një zyrtar të informuar mirë të shërbimeve sekrete serbe”, në Trepçë ishin kremuar 1 200-1 500 kufoma… Burra të dyshuar për lidhje me UÇK-në vriteshin aty për aty. Një dyshim i tillë mund të bazohej ndonjëherë thjesht tek fakti, që dikush kish moshën e një luftëtari. (19)
Shaip Vrellaku i zënë rob nga forcat sërbe pohon: “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit në Gllogoc. Edhe sot i dëgjoj ato britma të tmerrshme dhe trishtuese të vajzave që digjeshin. (10)
Përse dhunimi seksual i femrave shqipëtare është akti më i rëndë kriminal, i luftës së Kosovës?
Së pari: Sepse ky akt i forcave sërbe, nuk ka qenë i vetmi i ushtruar mbi viktimat, por i shoqëruar me krime të tjera të emërtuara dhe të dënuara nga Konventat Ndërkombëtare si ”Krime Lufte” dhe “Krim kundër Njerëzimit”. Për këtë arësye, autorët, ideatorët dhe bashkëpunëtorët në krimin e dhunimit seksual, duhet jo vetëm të trajtohen në kuadrin e krimeve të luftës, por të kenë peshën më të madhe të dënimit, për nga qëllimi dhe mënyra e kryerjes së tij.
Së dyti: Ka shërbyer si një mjet lufte gjatë kohës së konfliktit. Ngjarjet e ndodhura në Kosovë dëshmuan se përdhunimi i femrave u përdor si një nga armët e çfarosjes dhe të zbimit masiv të popullsisë civile, e baraz-vlefshme me armatimin ushtarak, kimik dhe të llojeve të tjera. Angela Minzoni-Deroche e emërton “një mënyrë e luftimit” (11). Edhe Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (Amnesty International) ka pohuar se dhuna seksuale sot përdoret me paramendim, si strategji ushtarake, në krahasim me të njejtat raste të shekujve të kaluar (12) Siç u dëshmua edhe në Bosnjë, dhuna seksuale gjatë konfliktit të armatosur ishte urdhëruar nga komanda sërbe si pjesë e strategjisë së spastrimit etnik, për ta detyruar popullsinë të largohej nga vendi dhe banesat e tyre. (13) Kriminelët serbë, shfrytëzuan dhunën seksuale dhe vrasjen e viktimave, deri edhe për të helmuar ujin e puseve “Në një fshat të rajonit të Drenicës u përdhunuan, u vranë e u hodhën në pus tetë gra. (14)
Së treti: Është përdorur duke patur parasysh pasojat (për të cilat ishte planifikuar) edhe mbas mbarimit të luftës. Viktimat (nënat, motrat, vajzat, fêmijët) vazhdojnë të jetojnë me krimin dhe rrjedhojat e tij fizike dhe psiqike. Ato humbasin aftësinë për të jetuar normalisht, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe fizik edhe të brezit të ardhshëm, rrethit familjar dhe ulin moralin dhe forcën për përballimin e pasojave si dhe vizionin për të ardhmen në shoqërinë ku jetojnë. Duke goditur femrën shqipetare, është goditur jo vetëm Kosova e luftës, por edhe shteti i Kosovës së mbas luftës.
Dhuna seksuale duke qenë një dukuri e njohur e shoqërisë edhe në kohë paqje, janë bërë studime të shumta të shkaqeve dhe pasojave të këtij akti kriminal.
Studimet kanë treguar se:
– 1/3 e viktimave pësojnë depresion të rëndë për një periudhë kohore dhe 17% e tyre vetvriten.
– Rruajnë përbrënda revoltën dhe përjetojnë ndjenjën e turpit dhe të fajësimit të vetvetes qe i pengon të tregojnë për çka u ka ndodhur e për të marrë ndihmën e nevojshme mjeko-ligjore.
– Çfaqin mungesë dëshire për të vijuar jetën shoqërore dhe ndjejnë vështirësi në punë.
– Kanë probleme të natyrës së marrdhënieve seksuale etj.
Me kalimin e kohës dhe pa ndihmën e nevojshme, pasojat bëhen të pashërueshme si: ankthi, shqetësime në ngrënje, pagjumësi dhe rijetimin e ngjarjes, gjëndje të rëndë shëndetësore ose sëmundje të natyrës psiqike, turpi dhe frika e përherëshme etj.
Në kohë lufte, dhuna seksuale ka pasoja shumë herë më të rënda se sa në kohë paqeje. Shkaku është se viktima përveç torturimit dhe vrasjes, ka përjetuar shokun e rëndë psikologjik, sepse dhunimi seksual është bërë nga grupe agresorësh, në prani të njerëzve më të afërt dhe të ambjentit ku jeton dhe shpesh i përsëritur në kohë.
Krimi ndaj tyre është shoqëruar me tragjedinë e vrasjes apo torturimit të fëmijëve dhe familjes së tyre dhe në kushte të vështira të mbijetesës. Për këto pasoja të rënda për njeriun , për herë të parë, Gjykata Ndërkombëtare (për Krimet e luftës në Ruanda në v.1998) dënoi të akuzuarin (Jean-Paul Akayesu) për genocid, në ushtrimin e krimit të dhunës seksuale në kohën e konfliktit të armatosur, me arsyetimin “për shkatërimin shpirtëror dhe dëshirës për të jetuar dhe vetë jetës! ” ( 15) Ahmet Grajqevci dëshmon se çdo femër me të cilën është takuar, në fund i ka thënë: “Më mirë të kisha vdekur se sa jam gjallë!..Kanë ndodhur shumë vetvrasje mbas lufte” (16)
Çburrërimi i shoqërisë dhe institucioneve shqipetare.
Për shqipetarët, çburrërimi ka lidhje me NDERIN e tij dhe sipas traditës mijëravjeçare “nderi i gruas, është pjesë e nderit të burrit”. (kap. II Kodi penal në Kanun pika b,a, përdhunimi i grave) Ky kod, që ka drejtuar ndër shekuj Kombin arbër edhe sot na habit me drejtësinë dhe paanshmërinë në shqyrtimin e akteve të dënueshme në fis dhe jashtë tij. Çfarë dënimi parashikohej në Kanun, për dhunën seksuale ndaj femrës?: “Nëse merrej vesh se një grua ishte përdhunuar, përdhunuesi ndiqej dhe dënohej. Herët ose vonë, përdhunuesi duhej të paguante, me gjakun e vet, për aktin e tij” (17) Dënimi me vdekje, nuk i jepej thjesht për aktin e çastit të “instiktit mashkullor” të autorit, por për faktin se ishte kryer mbi gruan, motrën dhe vajzën, figura “të shenjta” për shqipetarët. Sipas studiuesit Zef Ahmeti “Pushteti i nderit për shqipetarin ishte mbi pushtetin e faltores dhe të shtetit…Nderi bën shtëpinë, thuhet në kanun…”. (po aty)
Përse sot e akuzoj (pa përgjithësuar) shoqërinë e shqipetarëve të Kosovës për “çburrërim”? Sepse sot, ata e përbuzën dhe e braktisën traditën mijëravjeçare “të nderit të burrit”, por dhe idealin e “humanizmit” që udhëheq shoqëritë më të përparuara europiane. Ata braktisën edhe nënën e femijëve të tyre, motrën, të afërmit femra dhe në përgjithësi, femrat viktima të krimit seksual të hordhive sërbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Si është e mundur, që një shoqëri e cila me shekuj e ka ndjerë genocidin, përbuzjen dhe mohimin e një jetese dinjitoze mbi kurriz, tani që e gëzon lirinë qytetare, të përbuzë viktimat femra të një gjaku?
Veprimtarja e palodhur në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale, Behide Hasanaj, më ka dërguar një dëshmi tronditëse të njërës prej tyre: «Jam dhunuar nga forcat sërbe tre ditë me rradhë, motra ime po ashtu. Pasi na kishin dëbuar nga shtëpitë tona, na grabitën nga kolona me shumë femra të tjera…Sa herë që kundërshtonim dhe mbroheshim, na hiqnin dhëmbët dhe thonjtë, një e nga një. Na detyronin të qeshnim me zor, na prisnin trupin me thikë dhe na kërcënonin se do të na nxirrnin sytë. Na kanë masakruar për së gjalli, si asht ma zi. Na kanë prerë kraharor dhe gjinj…Ah medet, që nuk kemi kujt me i besu, me kënd me fol. Kush do të na ndihmonte? Kush do të na përkrahte? Kush do të na kuptonte?! (dërguar dt 20.07.2013 nga Behide Hasanaj) Kur i them Behides se më mjaftojnë dëshmitë që më ka dërguar, ajo më lutet “prit, prit dëgjoje edhe këtë…edhe këtë tjetrën, kam aq shumë rrëfime që gratë i mbajnë përbrënda zemrës. Nuk ta merr mëndja se çfarë kanë hequr dhe sot kurkush nuk i dëgjon, as nuk i sheh”.
Vetëm Organizata Joqeveritare e Gruas “Jeta në Kastriot”, e drejtuar nga Luljeta Selimi, ka nën përkujdesje 2 016 femra shqiptare, të përdhunuara nga forcat serbe. Njëqind e njëzet e katër (124) prej tyre kanë plagë të dukshme në trup (gjinj të prerë, gishtërinj të këputur, nëntë janë me nga një sy të nxjerrë dhe gjashtëmbëdhjetë me plagë të hapura në fytyrë), të cilat janë në gjendje të rëndë shëndetësore e psikike. (18)
Në emisionin «Në kërkim…» emisioni 13, mars 2013, Nazlie Bala, aktiviste për të drejtat e grave prej 23 vitesh, pohon se “të gjitha institucionet i kanë patur dyert e mbyllura për këtë krim edhe pse viktimat janë të gjalla midis nesh. Vetë udhëheqësit e Shtetit të Kosovës e kanë trajtuar si turp”.
“Nderi – thekson studiuesi Zef Ahmeti – në të drejtën zakonore shqiptare është e kundërta e turpit. Po të krahasohen “zonat” e nderit dhe të turpit në kanun, del se hapësira e nderit ka qenë shumë e ngushtë dhe brenda kësaj hapësire njeriu shqiptar duhej të krijonte individualitetin e tij. Kjo sepse kanuni përmban një varg të gjatë ndalimesh e tabush, që e mbronin njeriun prej “zonës së turpit”. Një shoqëri, që është indiferente ndaj viktimave femra të dhunës seksuale, që nuk i dënon autorët sipas ligjeve, jo më të Kanunit, por të shtetit të tyre dhe Gjykatave ndërkombëtare, që i shikon mosperfillëse se si vuajnë për mbijetesë, që nuk e vlerëson aktin e tyre heroik të përjetimit të krimit më të rëndë të luftës dhe këmbënguljen për t’iu kthyer jetës normale, një shoqëri e tillë ndodhet pikërisht “NË ZONËN E TURPIT”!
Këtë fakt e dëshmojnë rastet e femrave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë, që jetojnë në vendet perëndimore. Si është e mundur që tek të huajt, kanë gjetur respektin, vlerësimin dhe mbështetjen e gjithanëshme, ndërkohë që ju mohua nga familjarët (pa përgjithësuar), rrethi shoqëror dhe sidomos nga Institucionet e një shteti për të cilin ato “paguan” më shtrenjtë se bashkombasit e tyre meshkuj?
Ahmet Grajqevci: unë e kam ngritur në qeveri. Pse nuk formohet një qendër me psikologë që të merren me këto raste, ne në Mitrovicë e kemi një qendër të tillë, me buxhet të vogël me sallë leximi, ngrënie. Asnjëherë nuk ka vajtur kush ta shikojë. Shokët më thonë: Leje këtë punë se s’duhet të merresh me këtë. Ata harojnë se në karigen që ulen, është gjaku dhe eshtrat e viktimave… (19) Juristja Sadie Bekiçi e revoltuar shprehet: “Në rast se bota mashkullore: burrat, baballarët vëllezërit tanë, nuk munden të na mbrojnë nga përdhunimet gjatë luftës, si nuk po munden me na mbrojtë pas luftës?” (20)
Fshehja e krimit
Turpi dhe papërgjegjshmëria më e madhe, që çfaqet sot në shoqërinë kosovare është FSHEHJA e krimit. Ky veprim godet shëndetin fizik dhe psiqik të viktimës femër, sepse nuk i mundëson marrjen e ndihmës së gjithanshme, pa të cilën pasojat “pastraumatike” siç theksojnë mjekët, bëhen më të rënda dhe të pashërueshme. Heshtja, i lë të lirë autorët të cilët shoqëria moderne i shikon si rrezik të mundshëm për përsëritjen e akteve të tilla kriminale. Fshehja e krimit të dhunës seksuale e bazuar në një pseudo-moral të sëmurë, të shoqërisë shqipetare dhe të Institucioneve të shtetit të Kosovës, nuk ka asnjë lidhje me Kanunin, ku dënohej autori dhe jo viktima. Në mënyre të pandërgjegjëshme i bën bashkë-punëtorë të strategjisë së makinës ushtarake sërbe të kohës së luftës, për të goditur popullin shqipetar dhe shtetin e Kosovës, mbas mbarimit të saj. Po aq armiqësor, ndaj viktimave shqipetare, është veprimi i mos përfshirjes në dokumentacionin për krimet e luftës, nga ana e Institutit të ngritur për këtë qëllim, të krimeve të dhunës seksuale për të cilat kanë patur dijeni edhe Shtetet perëndimore. Njoftime për ekzistencën e kampeve të përdhunimit në Kosovë janë dhënë qysh gjatë ditëve të luftës nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria Britanike dhe NATO.(21)
Heshtet jo vetëm për dhunimin seksual të femrave shqipetare gjatë luftës, por nuk përmëndet as ay i meshkujve. Në një studim të Lara Stemple ( 2009). (“Male Rape and Human Rights”. Hastings Law Journal 60 (3): 605. URL consultato in data 17 luglio 2011.) dëshmohet se 80% e të burgosurve meshkuj në kampet e Sarajevës janë dhunuar apo torturuar seksualisht. Autorja shprehet se “mungesa e vëmëndjes kundrejt abuzimeve seksuale të meshkujve gjatë konflikteve, është veçanërisht shqetësuese, për një dukuri shumë të përhapur” (22) Pra nuk kish si të ishin kursyer as meshkujt shqipetarë, nga një ushtri që kishte humbur çdo tipar njerëzor. Është akt burrëror dhe në nderin e çdo shqipetari (femër apo mashkull), të dëshmojë aktet kriminale që përjetuan mbi trupin e tyre apo si dëshimtarë të këtyre akteve, për të bërë të mundur dënimin e autorëve, në emër edhe të atyre që sot nuk janë më gjallë apo të zhdukur pa lënë gjurmë.
Si pasojë e mosangazhimit nga ana e Institucioneve shtetërore të Kosovës, e sidomos të Republikës së Shqipërisë, anëtare e OKB-së dhe nënshkruese e Konventave për të drejtat e minoriteteve dhe mbi Krimet e Luftës, Organizmat ndërkombëtare nuk e njohin si Genocid (ku përfshihet edhe dhuna seksuale), krimet mbi popullsinë shqipetare në Kosove. Ky genocid mbi shqipetarët është ushtruar jo vetëm gjatë luftës së fundit të përgjakshme të shovenizmit serb (1989-1999), por gjatë të gjithë shekullit 20, në hapsirën e pesë shteteve ballkanike. Sot në planin juridik, nga organizmat ndërkombetare të OKB-së, janë pranuar si genocide të shk.20 vetëm:
– masakrimi i popullsisë armeniane nga Perandoria Otomane(1915-1916),
– spastrimi etnik i çeçenëve urdhëruar nga Stalini (1944) i çifutëve nga nazistët (1945),
– i popullsisë tutsis në Ruanda 1994,
– i popullsisë myslimane në Serbrenicë, nga shteti Jugosllav (2004) (Génocide-Wikipedia).
Ja përse nuk duhet heshtur, gjaku i derdhur gjatë shk.20-të, akti i fundit i të cilit u zhvillua në Kosovë DUHET TË NJIHET nga opinioni botëror.
Një femër e dhunuar gjatë luftës në Kosovë është martire e forcave të errëta dhe kriminale, që vijojnë të kërcënojnë dhe të rrezikojnë ardhmërinë paqësore të Ballkanit. Që të mos përsëriten krimet e shkuara dhe të sigurohet jetesa paqësore ndërmjet popujve, duhen dënuar ideatorët, hartuesit dhe zbatuesit e strategjisë së çfarosjes dhe racizmit. Këtë “pushtet të Zeusit” e ka në dorë Gjykata.
Krimet e Luftës në Kosovë dhe Gjykata Ndërkombëtare
Them “Gjykata Ndërkombëtare” sepse faktikisht në biografinë 14 vjeçare të Shtetit të Kosovës, për mirë apo për keq, vulën e kanë ndërkombëtarët. Nuk besoj se ka një popull aq mirënjohës, për ndihmën e dhënë nga forcat ushtarake të huaja, se sa shqipetarët. Kjo mirënjohje sipas traditës, do të përcillet brez pas brezi dhe do të zerë një vend të shënuar në historinë e Kombit tonë, për faktin, se ishte hera e parë, gjatë dy shekujve që kaluan, që në përpjekjet e tij kundër pushtuesve pati ndihmën e Fuqive të Mëdha. Besoj gjithashtu, se nuk ka shprehje më domethënëse, se deri ku i kishte vajtur «thika në kockë» këtij populli, se sa kur pranoi edhe sakrifikimin e bashkëkombësve civil gjatë bombardimeve të NATO-s. Siç është nënvizuar në një raport të Human Rights Watch të shkurtit të vitit 2000, të titulluar “Vdekjet e Civilëve gjatë Fushatës Ajrore të NATO-s”, bombardimi i NATO-s shkaktoi në të gjithë Jugosllavinë rreth 500 viktima civile. 55-60% e këtyre viktimave ishin kosovarë (23)
Të gjitha sakrificat, shqipetarët i kanë pranuar me krenari, vetëm e vetëm për të patur po ato të drejta dhe po atë liri që i gëzojnë popujt e tjerë europianë. Në emër të këtyre «Të Drejtave të Njeriut» shqipetarët kërkojnë dënimin e autorëve, si për çdo vepër kriminale kundër jetës së njeriut (ku përfshihet edhe krimi i dhunës seksuale), një kërkesë që qëndron në themel të çdo Kushtetute të vendeve të BE-së. Sot, si populli edhe viktimat shqipetare që i mbijetuan luftës së përgjakshme, ashtu edhe analistët ndërkombëtare, pranojnë se në këtë drejtim, sistemi gjyqësor në shtetin e Kosovës ka dështuar. Njerëzit e ligjit dhe analistë të ndryshëm rradhisin një serë shkaqesh administrative, politike dhe të rrethanave të kohës.
Me qenëse tema që po trajtoj, lidhet me dukurinë më të rendë në Europë, që pas Luftës së Dytë Botërore, pa u zgjatur po përqëndrohem tek Raporti «Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë» (Dok. 12462, 7 janar 2011) i prokurorit Dik Marty, në emër të Komitetit të Çështjeve Juridike dhe i të Drejtave të Njeriut.
Përse ky raport përfaqëson dështimin e drejtësisë në Kosovë dhe rrjedhimisht mos dënimin (ndërmjet krimeve të tjera) të dhunës seksuale mbi femrat shqipetare, duke patur parasysh përmasat dhe pasojat e këtij krimi? Sepse ky dokument ligjor i një Institucioni Ndërkombëtar, pasqyron disa tendenca në qëndrimin, veprimtarinë dhe ideollogjinë europiane ndaj “Çështjes shqipetare”, që udhëhoqi veprimtarinë e gjyqësorit në Kosovë, nëpërmjet UMNIK-ut dhe sot EULEX-it.
Nuk e di, se si një sallë e mbushur me politikanë dhe përfaqësues shtetërorë të vendeve më të zhvilluara europiane, kanë pranuar të dëgjojnë një raport të bazuar mbi një platformë ideollogjike raciste për shtetin e Kosovës, Ushtrinë e saj çlirimtare dhe panoramën e ngjarjeve gjatë luftës. Siç dëshmon edhe vetë prokurori Dik Marty, nisma e tij morri shkas nga botimi i “kujtimeve” të ish Kryeprokurores së Gjykatës Ndërombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi (GJPNIJ), Carla del Ponte (“La caccia – Io e i criminali di guerra”, prill 2008) mbi “trafikun e organeve” të robërve serbë.
Mbasi vë në dukje “gabimin” e bombardimeve te NATOS, akuzon se: “përpjekjet për të nxjerrë në dukje faktet dhe për të ndëshkuar krimet e luftës ishin përqendruar sidomos në një drejtim, duke u mbështetur në prezumimin e nënkuptuar se njëra palë ishte viktimat, dhe pala tjetër, xhelatët”.
Sipas kësaj llogjike të prokurorit ndërkombëtar edhe Gjykata e Nurembergut, që gjykoi krimet e nazizmit, paska punuar padrejtësisht “vetëm në një drejtim” në dënimin e krimeve të nazistëve. Sepse nuk duket asnjë ndryshim në mes të këtyre dy agresioneve, si për nga qëllimi, mjetet e përdorura dhe rrjedhojave të tyre, përveç hapsirës gjeografike dhe konfliktit brënda një bashkësie politike shtetesh, nën emrin “Jugosllavi”.
Ku janë shkeljet e zotit Dik Marty?
Së pari: Sipas prokurorit: “GJPNIJ kishte kompetencë për ndjekje e gjykim të krimeve të kryera deri në qershor 1999. Veprimet me të cilat po merremi sot, pretendohet të kenë ndodhur sidomos duke filluar nga vera e vitit 1999”. Pra pjesa më e madhe e “akuzave” të përfshira në Raport, nuk mund të përcaktohen si “krime lufte” por “krime në kohë paqje”, të një organizmi shtetëror shqipetar nën mbikqyrjen e ndërkombëtarëve. Kjo “ngatëresë” në dallimin e periudhave kohore të kryerjes së “krimimeve” nga prokurori, i hap rrugën për ta fryrë raportin e tij me të gjitha aktet e kriminalitetit që sundojnë edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në vëndet ballkanike, por edhe në ato europiane edhe më gjerë si, korupsioni, trafiku i njerëzve dhe punëtoreve të seksit, pasurimi kriminal, aktiviteti mafjoz, vrasjet politike, etj.
Në Raportin special paraqitur në Këshillin e Europës (17.05.2013) «Mbi kriminalitetin e organizuar, korupsionin dhe riciklimin e parave” (A7-0175/2013 – Salvatore Iacolino) vërehet se 74% të qytetarëve (të BE-së) e quajnë korupsionin problemin themelor të vendit të tyre, po kështu edhe në nivel ndërkombëtar dhe se dukuri të korupsionit vërehen në të gjithë sektorët e shoqërisë… (24) Veprimet e një grupi individësh (qofshin edhe me biografi luftarake) nuk mund të kriminalizojnë një luftë heroike, të një populli të skllavëruar.
Ironija, disinformimi dhe përbuzja e prokurorit D.Marty, ndihen gjatë të gjthë “historikut” mbi luftën e UÇK-së, ku luftëtarët, si “ushtarë për kauzën e një atdheu nuk përbënin detyrimisht shumicën”, Adem Jashari “komandanti fshatar i UÇK-së”, “Shumë rekrutë që përbënin një ushtri fshatare… kanë kaluar në Kosovë armë kontrabandë”, “kjo formë fillestare e UÇKsë mori fund përfundimisht dhe hyri në folklor si një shprehje romantike për çlirimin e Kosovës”, “se strukturat e njësive të UÇK-së i ishin përshtatur… një tërësi rregullash të njohura nën emrin kanun”, etj…
Dallimi midis popujve “të zhvilluar, të qytetruar dhe të fortë ushtarakisht” dhe popujve “të pazhvilluar-fshatar ” qëndron në themel të tezave raciste.
Së dyti: Përse për të gjithë të zhdukurit e etnisë sërbe fajësohet UÇK-ja? Në Dosjen “Pandora” dëshmohen emrat e personave që kanë urdhëruar komandot (kriminale) për eliminimin e kundërshtarëve (shqipetarë) por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre serbë… (25)
Së treti: Përse zoti D.Marty nuk ka marrë mundimin të interesohet për vijimin e genocidit sërb edhe mbas luftës në Kosovë, me qënëse pretendon një drejtësi ndërkombëtare “për të gjithë kriminelët”, por ka preferuar ta mbajë drejtimin e “rrufeve ndëshkuese të Zeusit” nga ana shqipetare, mbi të cilën vijon edhe sot genocidi i luftës?
Në Kosovën e pasluftës, ka dokumentacion të bollshëm për fakte të kësaj natyre. Dosja “Pandora”, që mban datën 14 mars të vitit 2006 përshkruan skemën e funksionimit të policisë serbe (MUP) që vepron sot në Kosovë, e cila përbëhet dhe udhëhiqet nga të njëjtit persona, të cilëve dokumentet konfidenciale të NATO-s iu referohen si kriminelë, kapo të bandave dhe të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, në vitin 1999. Menjëherë mbas luftës, ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës. (26) Për këto vrasje dhe spastrim etnik, nuk është bërë asnjë proçes gjyqësor vendor apo ndërkombëtar. Habija më e madhe qëndron në faktin se – siç pohon Halit Barani, shefi i KDMLNJ (Këshillit të së Drejtave dhe Mbrojtjes së Lirisë së Njeriut) në Mitrovicë – të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare. “Prej kujt mund të presim që t’i kryejnë hetimet, kur ata vetë nuk bëjnë asgjë që t’i parandalonin këto vrasje ?” pyet Barani. (po aty).
Së katërti: Përse prokurori për hir të “drejtësisë për të dënuar krimin” nuk përfshin në raportin e tij, genocidin e shtetit të ish Jugosllavisë të viteve 1981- 1989? Lufta e përgjakshme e 1989-99 që vetëm akti final i veprimtarisë shtetërore sërbe kundër popullsisë shqipetare. A nuk u bë helmimi i mijëra fëmijëve shqipetarë me gaz helmues luftarak, pa përmendur aktet e tjera të dhunës dhe genocidit?
Së pesti: Për akuzën e “gjuetisë ndaj tradhëtarëve” dua t’i kujtoj prokurorit ndërkombëtar, një shprehje të Krishtit në Testamentin e Ri. Kur turma donte ta vriste me gurë, një grua të akuzuar për shkelje të nderit, ai ju drejtua me këto fjalë: “Kush nga ju nuk ka asnjë mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj” (Giovanni 8,7) (27)
Le të na bind prokurori me fakte, se gjatë Luftës së II Botërore dhe pas mbarimit të saj, partizanët dhe populli francez, italian, rusë dhe të vendeve të tjera, nuk kanë vrarë dhe nuk janë hakmarrë ndaj agresorëve që i kishin lyer duart me gjak dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendës.
Nuk po zgjatem më tej, sepse nuk është qëllimi i këtij shkrimi analiza e plotë e Raportit të Prokurorit ndërkombetar Dik Marty dhe as e “analizave” të pseudo-intelektualëve shqipetarë dhe shkrimeve në median e huaj, që zhurmojnë (qëllimisht) në mbështetje të tezave të tij.
Duket sikur i jam larguar temës, por në fakt, ky Raport i Prokurorit Ndërkombëtar, dëshmon se një ideollogji raciste që ju imponohet organeve të drejtësisë, nuk mund të dënonte autorët serbë për krimet çnjerëzore të dhunës seksuale.
Luljeta Selimit në librin e saj ”Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë” pohon: “Unë i kuptoj kosovarët pse nuk flasin, nuk shkruajnë dhe nuk bëjnë gati asgjë për ti zbuluar dhunimet! Por nuk i kuptoj ndërkombëtarët që veprojnë në Kosovë dhe e di se marrin donacione të majme për këtë punë dhe nuk bëjnë asgjë as për ti zbuluar dhunuesit e as për ti ndihmuar femrat e dhunuara… Arsyeja tjetër që më shtyri ta botoj këtë libër me rrefime tronditëse të disa femrave të dhunuara është sjellja e palejueshme e ayre që janë të thirrur të bëjnë diçka në këtë drejtim! Ata sillen sikur këtu nuk kanë ndodhur as luftë, as vrasje, as djegie e plackitje as dhunime, as asgjë prej gjëje. Ose edhe më keq, sillen sikur dhunimet kanë ndodhur diku tjetër, e jo këtu, para syve tanë dhe të botës!!! (28)
Fatbardha Demi – 23.07.2013
(Shkrimi i pjerët në tekst u përket pjesëve të marra nga Raporti i D.Marty)
________________________
Literatura e shfrytëzuar:
1- Anne-Marie de Brouwer, Supranational Criminal Prosecution of Sexual Violence, Intersentia, 2005, 5–7. ISBN 9050955339, it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
2- Simons, Marlise -giugno 1996. “For first time, Court Defines Rape as War Crime” it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
3- Prevent Genocide International [email protected]
4- “Tratto da The world’s women 2000. Trends and statistics”, a cura dell’Ufficio statistico delle Nazioni Unite, New York 2000. Versione italiana a cura della Commissione nazionale per la parità e le pari opportunità.
5- it.wikipedia.org/wiki/Genocidio
6- “Tratto da The world’s women 2000. Trends and statistics”, a cura dell’Ufficio statistico delle Nazioni Unite, New York 2000.
7- www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=139
8- “Në kerkim…”Episodi 16″ TV Kosova
9- [PDF] Michael S. Miller – Human Rights Watch www.hrw.org/sites/default/files/reports/Under_Orders_Al_Combined.pdf)
10- 22. 05. 2013 pashtriku – krimet – fetntete ramosaj: pËrdhunimet si krime lufte www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630)
11- Angela Minzoni – Deroche. Rape as a tactic of war – Advocacy Paper (PDF). Caritas France, novembre 2005
12- Laura Smith-Spark, How did rape become a weapon of war?, BBC News, 8 dicembre 2004. URL consultato in data 28 luglio 2008, it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
13- Human Rights News Bosnia: Landmark Verdicts for Rape, Torture, and Sexual Enslavement: Criminal Tribunal Convicts Bosnian Serbs for Crimes Against Humanity 02/22/01
14- [PDF] Michael S. Miller – Human Rights Watch
www.hrw.org/sites/default/files/reports/Under_Orders_Al_Combined.pdf
15- it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
16- “Ne kerkim…”Episodi 16 TV Kosova
17- “E drejta penale ne Kanunin e Leke Dukagjinit” Zef Ahmeti ,Univ St.Gallen, Zvicer -www.forumishqiptar.com/threads/88484…i…/page9
18- 22. 05. 2013 www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630
19- “Ne kerkim…”emisioni 16 TV Kosova
20- « Tribuna :Krimet e heshtura te Serbise » e organizuar nga levizja Vetvendosja me rastin e 8 marsit. http://www.youtube.com/watch?v=1FUhKHNHpzk
21- 22. 05. 2013 pashtriku – krimet – fetntete ramosaj: Perdhunimet si krime lufte www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630
22- Stemple, p. 612. dhe Will Storr, The rape of men, 17 luglio 2011. it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
23- sq.wikibooks.org/wiki/NËN_PUSHTETIN_E…/13
24- www.europarl.europa.eu/sides/getDoc.do?type=CRE&reference=20130611&…
25- dosja Pandora pashtriku.org
26- Dokumenti sekret i NATO’s që inkriminon Oliver Ivanoviçit http://www.lajmeshqip.com/
27- La pena di morte www.raffaellosanzio.ct.it/progettolegalita/2M.pdf • Fichier PDF
28- Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë – video web.kosovalbaner.com ›Hyrje› Lajmet› Reportazhe)
__________________________
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
Një foto që flet më shumë se 10 000 fjalë!
Një femër e dhunuar dhe e masakruar nga njësitë kriminale serbe!
Një femër e dhunuar dhe e masakruar nga njësitë kriminale serbe!
Rrobat e një femre të dhunar nga kriminelët e pandëshkuar!
Një nga bunarët e mbushur me kufoma të femrave të dhunuara!
………………………………………..
(Shtojcën e përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)