SHERADIN BERISHA: MASAKRA E REÇAKUT KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Pashtriku.org, 15. 01. 2013 – (Në 14 vjetorin e masakrës së Reçakut) – „Nga ajo që pash nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit ! …kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time…“ – kështu ka deklaruar para gazetarëve ambasadori amerikan William Woker, ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, më 16 janar 1999, vetëm një ditë pas ekzekutimit dhe masakrimit të 45 civilëve shqiptarë të paarmatosur në fshatin Reçak të Shtimjes.
Si ndodhi rrethimi i Reçakut – më 15 janar 1999
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak (comun e Shtimjes) u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“,„Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.
Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e fqiut të tij Rashit Rashiti. Këta barbarë të mesjetës, nuk e lënë me kaq, pas ekzekutimit Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit.


Shikoni kufomën e Banush Kamberit pa kokë!

………………………………………………

Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajn fshatarët) gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.
Dëshmitarët okular: Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë: “Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë.
Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:
– “Çka ka këtu brenda?“.
– Polici i përgjigjet: “Gra dhe fëmijë“.
– Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“.
Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum.
Ndërkaq dëshmitari Bilall Sadri Avdiu, i cili ka qenë i strehuar në ahurin e lopëve thotë:
– ”Dy tre policë e çelën derën e ahurit…dhe thanë: ”Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, he nënën ja u qivsha).
– Na urdhëruan të dalim përjashtë me duart përpjet, dhe kur dolëm përjashtë ata kishin qenë shumë – 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me maska e disa pa to”. I kanë tubuar në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera.
Në oborrin e Sadikut në këtë moment kritik ishin këta mashkuj:
1. Hakip Imer Hakipi,
2. Ahmet Izet Jakupi,
3. Esheref Halim Jakupi,
4. Lutfi Hasan Bilalli,
5. Sadik Xhemë Osmani,
6. Jashar Milaim Salihu,
7. Njazi Sherif Zymberi,
8. Shyqeri Ismajl Syla,
9. Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë,
10. Muhamet Faik Syla,
11. Fatmir Faik Ramadani,
12. Murtez Ramiz Imeri,
13. Mehmet Qerim Jakupi,
14. Muhamet Hafiz Mustafa,
15. Shukri Milaim Salihu,
16. Sheremet Shyqeri Syla,
17. Mufail Mehdi Hajrizi,
18. Bujar Hanafi Hajrizi,
19. Salih Faik Ramadani,
20. Nexhat Faik Ramadani,
21. Xheladin Ahmet Jakupi,
22. Raif Milaim Salihu,
23. Ragip Jahir Bajrami,
24. Bajrush Nesret Shabani,
25.Bilall Bilalli,
26. Ramë Nesret Shabani, dhe
27. Nesret Shabani.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.
Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të veprimit. Dëshmitarët gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kanë dëgjuar një komunikim me radiolidhje të drejtuesve të këtij oprecioni. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë nga oborri i Sadikut është biseduar në radiolidhje.
Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.
Kush u ekzekutua dhe u masakrua më 15 janar 1999 në Reçak?
Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.
1. Lute ASLLANI
2. Banush AZEMI
3. Ragip BAJRAMI
4. Halim BEQIRI
5. Rizah BEQIRI
6. Zenel BEQIRI
7. Lutfi BILALLI
8. Ajet EMINI
9. Bujar HAJRIZI
10. Myfail HAJRIZI
11. Skënder HALILI
12. Haqif HYSENAJ
13. Hajriz IBRAHIMI
14. Hakip IMERI
15. Murtez IMERI
16. Nazmi IMERI
17. Mehë ISMAJLI
18. Muhamet ISMAJI
19. Ahmet JAKUPI
20. Eshref JAKUPI
21. Hajriz JAKUPI
22. Mehmet JAKUPI
23. Xhelal JAKUPI
24. Jashar JASHARI
25. Raif JASHARI
26. Shukri JASHARI
27. Fatmir LIMANI
28. Nexhat LIMANI
29. Salif LIMANI
30. Bajram MEHMETI
31. Hanumshah MEHMETI
32.Arif METUSHI
33. Haki METUSHI
34. Ahmet MUSTAFA
35. Asllan MUSTAFA
36. Muhamet MUSTAFA
37. Sadik OSMANI
38. Jashar SALIHU
39. Shukri SALIHU
40. Bajrush SHABANI
41. Ahmet SMAJLAJ
42. Sheremet SYLA
43. Shyqëri SYLA
44. Bajram XHELADINI
45. Njazi ZYMERI

Woker: „Nga ajo që pash nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit“
Të nesërmen, më 16 janar aty rreth orës 13:30 minuta në Reçak do të shkojë ish-shefi i misionit të OSBE-së z. William Woker, për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme kriminale. z.Woker pasi vizitojë fshatin u ngjitë lartë te Gropa e Bebushit dhe derisa po i afrohej luginës së ngushtë u tmerruar kur i pa kufomat e tre mashkujve të moshuar dhe në këto momente deklaroi: “Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu.“
Më pastaj z. Woker vazhdoi rrugën drejt luginës së vdekjes, ku po qëndronin të shtrirë me duar të shtangur e trupa të sakatosura kufomat tjera të civilëve të ekezekutuar barbarisht. „T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them“, pohoi z.Woker. Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai do të deklarojë: “ Nga ajo që pash nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit (!) …kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time…“.

…………………………………….

MASAKRA E REҪAKUT – 15 JANAR 1999

Betejat e përgjakshme të UÇK’së
Nga data 15 deri më 19 janar 1999 në Reçak dhe në rrethinë është zhvilluar një luftë e përgjakshme. Njësitë e UÇK-së gjatë këtyre ditëve zhvilluan disa beteja të përgjakshme me forcat kriminale serbe për ta mbrojtur popullatën e gjithë rajonit nga operacionet shfarosëse.
Dhe në këtë luftë të pabarabartë ranë dëshmorë këta luftëtarë të lirisë:
1. Ahmet Kaçiku ………..1964 – 1999
2. Ali Beqa ………………1973 – 1999
3. Ismail Luma ………….1975 – 1999
4. Mehmet Mustafa …….1938 – 1999
5. Sadik Mujota …………1939 – 1999
6. Shaqir Berisha ……….1969 – 1999
7. Kadri Syla …………….1967 – 1999
8. Nazim Kokollari …… 1974 – 1999
9. Vezir Jashari …………1975 – 1999
10. Skënder Qarri ………1975 – 1999
11. Enver Rashiti …….….1974 – 1999
12. Lutfi Bilalli …………..1957 – 1999
13. Sadik Osmani ……….1957 – 1999
14. Nexhat Ramadani ….1978 – 1999
15. Ragip Bajrami ………1978 – 1999

Kush mori pjesë në ekzekutimin dhe masakrimin e burrave të Reçakut?
Në masakrën e Reçakut morën pjesë njësitë speciale të policisë dhe forca të shumta paramilitare serbe, ku ishin të përfshirë edhe serbët lokalë, punëtorë të Kuvendit Komunal të Shtimjes, të postës, të pylltarisë etj. Më 10 qershor 2005 Lëvizja KAN tani „Vetëvendosje“, së bashku me familjarët e Reçakut kanë identifikuar shumë kriminelë serbë që morën pjesë në masakrimin e burrave të Reçakut dhe këtë fakt e kanë bërë publike përmes një çarçafi të vendosur pëpara selisë së UNMIK-ut, në të cilin ishin skalitur emrat e kriminelëve serbë.
Në këtë çarçaf ishin shkruar emrat e këtyre kriminelëve:
1. Bozhidar Marinkoviq
2. Çedomoir Aksiq
3. Zhivorad Stojçetoviq
4. Bogdan Nojiq
5. Jovica Stojkoviq
6. Momir Ristiq
7. Zvonko Ristiq
8. Ljubomir Nojiq
9. Nenad Marinkoviq
10. Pavle Marinkoviq
11. Zoran Nedelkoviq
12. Sllavisha Marinkoviq
13. Vojisllav Janiçijeviq
14. Milivoje Çanoviq
15. Jovica Jovanoviq
16. Stojan Aksiq
17. Milorad Kostiq
18. Dragisha Kostiq
19. Dragan Tasiq

(…)
Ndonëse janë publikuar emrat e këtyre kriminelëve, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia e EULEX’it, Policia e Kosovës as KFOR-i, as institucionet tjera ndërkombëtare: ICO, UNMIK-u, BE … por, as edhe lidershipi politik e institucional i Kosovës, duket qartë se nuk kanë shprehur interesim, për më tepër janë treguar skajshmërisht neglizhent dhe të papërgjegjshëm për këtë çështje. Por, këta kriminelë, nuk i ndjek, as EULEX’i, as KFOR-i, as Policia e Kosovës, as ajo ndërkombëtare, nuk i ndjek as gjykata, as institucionet e Kosovës…, pra, ata s’i ndjek askush, askush i gjallë në Kosovë !!
Si përfundim
Tashmë një gjë është e sigurt, bota e di se në Reçak dhe gjithandej nëpër Kosovë janë bërë krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve, prandaj pa arrestimin e kriminelëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë, si dhe pa realizimin e aspiratës sonë historike kombëtare, s´ka dhe s´mund të ketë paqe të qëndrueshme në Kosovë, as në Ballkan…

—————————————————-

MASAKRA E REÇAKUT QË TMERROI BOTËN!

(Luten të rinjtë nën moshën 18 vjeç, të mos i shikojnë këto foto,

sepse janë të pa përballueshme për moshën e tryre!)

Një foto që flet sa 10 000 fjalë!

 

==========================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura