Pashtriku.org, 24. 11. 2015: (Tek Zoti pash vëndin tim – Dhimitër Kamarda) – Besimi dhe Atdheu, ka qënë zanafilla e lëvizjes më të fuqishme ideore dhe kulturore e elitës shqipetare të shekullit 17-19, që në historinë botërore njihet me emrin e përgjithshëm RILINDJE. Ajo që e bashkonte lëvizjen shqipetare me atë europiane ishte fakti se:
– Frymëzuesit dhe veprimtarët e saj, kanë qenë nga rradha e figurave të shquara intelektuale.
– Synimi për të zbuluar dhe mbledhur pasurinë e traditës (folklorike-besimtare) dhe historike të Kombit shqipetar, e cila do të dëshmonte karakterin e ndryshëm etnik me popujt e tjerë dhe origjinën e lashtë.
– Përkushtimi ndaj çështjes kombëtare.
Por, kjo lëvizje kulturore në fillim, dhe çlirimtare më vonë (shk.19-20), tek shqiptaro-arbërit kishte shumë dallime nga lëvizja europiane, si për shkaqet e lindjes, ashtu edhe rrugën e ndjekur dhe autorët kryesor të saj. Një prej këtyre dallimeve ka qenë fakti, se zuri fill në shk.17 në «shtëpinë e Zotit» në gjirin e eruditëve kishtar, jashtë truallit të saj natyror, e pafinancuar dmth vullnetare dhe shkaku, ishte i natyrës fetare. Siç dihet mbas vdekjes së Skënderbeut (1468) dhe pushtimit Osman, së bashku me familjet shqipetare, u larguan drejt Gadishullit italik edhe përfaqsuesit e besimit të krishter lindor(bizantin) të shqipetarëve. Përveç vështirsive që gjetën në tokën e Papatit katolik për pranimin dhe ushtrimin e riteve të besimit të tyre ortodoks bizantin, një problem i madh shpirtëror ishte trajtimi i tyre, si etni dhe besimtar të Kishës Greke. U pa e domosdoshme të dëshmohej në «atdheun e dytë» karakteristikat etnike dhe Historia e vërtetë e Kombit shqipetar. At Nikoll Keta ju mësonte nxënësve të tij se: «Studimi i historisë së paraardhësve, buronte nga një kureshtje e ligjshme vetjake, si kërkesë e vetë natyrës njerëzore, meqënëse ky veprim ishte shprehje e vullnetit dhe dashurisë Hyjnore».(1)
Siç pohon studiuesi Matteo Mandala, At Gjergj Guxeta dhe veçanrisht bashkëpuntori i tij, At Pal M. Parrino e kuptuan se për të treguar dallimin midis besimeve të etnisë greke dhe asaj arbërore (shqipetare), do të ishte më e frytshme të rindërtohej identiteti historik, kulturor dhe besimtar i shqipetarëve, se sa ajo e debateve shterpe teologjike. Të dëshmohej origjina dmth se shqipetarët formojnë një etni autoktone që zë një trevë të caktuar ballkanike, duke zhvilluar nje qytetrim dhe kulturë të vetën, si besimtare dhe shoqërore, që flisnin një gjuhë të ndryshme nga ajo e popujve fqinj, me të cilët nuk i bashkonte asnjë tipar i përbashkët (…) Për këtë qëllim, përveç filozofisë dhe teollogjisë duhej të përfshihesh edhe historia (…) Vetëm në këtë mënyrë bëhej e mundur të hidheshin poshtë shpifjet «dhe të korrigjohej gabimi i madh popullor që i njësonte Shqipetarët me Grekët» (2) Kjo ishte edhe arsyja, shkruante At V. Dorsa, që më detyroi t’i rikthehem të famshmes Lashtësi , (…) për ta ndarë historinë e grekëve, nga historia e popujve (….) që nga autorët e lashtë përcaktohen Pellazgë, Epirotë, Maqedonë e nganjëherë Ilirë dhe nga autorët modernë, Kombi Shqipetar. (3)
Do të përqëndrohem tek përfaqsuesit e ritit ortodoks bizantin, (pa mohuar kontributin edhe të etërve të besimeve të tjera) për faktin se puna e tyre shkencore formoi SHKOLLËN E PARË të studimeve Albanologjike, pothuaj në të njejtën kohë me ato europiane. Përpjekjet e Gj.Guxetës, P.M.Parrinit, V.Dorsës dhe Xh.Krispit, në krahasimin e gjuhës shqipe me greqishten, latinishten dhe gjuhët e tjera të lashta, ishin disa dhjetvjeçar më të hershme së ato të gjermanit Franz Bopp (1791-1867) (« Das Albanesische in seinen Verwandschaftlichen Beziechungen»,1855) themeluesit të gjuhësisë krahasuese nga lindi edhe shkenca e gjuhësisë. Duhet theksuar se studiuesit e huaj për t’u njohur me gjuhën shqipe, rruga e parë që shkelën ishte ajo drejt «burimit» arbëresh në Itali, ku u njohën me shkrimet mbi folklorin dhe traditat zakonore, të mbledhura nga etërit fetar dhe intelektualët.
Kështu psh monografia e parë për gjuhën shqipe e Conrad Malte-Brun (1775 – 1826) tek Gjeografia Universale (L.119) ka të përfshirë studimin e priftit Angelo Masci, «Mbi origjinën dhe zakonet e Shqipetarëve» shtypur në Napoli më 1807.(4) Gjithashtu, shumë studiues janë mbështetur tek veprat e De Radës si:
– Hyjni pellazge (1840),
– Identiteti i pellazgëve me shqiptarët (1846),
– Lashtësia e kombit shqiptar dhe afria e tij me helenët dhe latinët (1864),
– Pellazgët dhe helenët (1885),
– Konferenca mbi lashtësinë e gjuhës shqipe (1893),
– Pellazgo-shqiptarët (1897),
– Tiparet e gjuhës shqipe dhe përmendoret e saj në periudhën parahistorike (1899), të panjohura edhe sot nga lexuesit shqip-folës.
Studiuesit e huaj si Niebhur, Gioberti gjuhëtarët e njohur Max-Müller, Schleicher, Curtins, Benlow dhe Graziadio Isaia Ascoli (1829-1907) pohon At Dhimitër Kamarda që kishin shkruar për origjinën e popullit dhe gjuhës së shqipetarëve «por, asnjëri prej tyre nuk e trajtoi me shëmbuj konkret, punë që në të vërtetë ishte bërë më përpara, sidomos për sa i përket emrave nga Z.Krispi dhe V.Dorsa. (5) Të huajt që merreshin me temën shqipëtare, e kuptonin rëndësinë e madhe të njohurive që studiuesit arbëresh kishin mbi gjuhën, historinë dhe traditat e tyre. Kjo i shtynte t’iu bënin thirrje “që në ndihmë të shkencës, ata duhet të afroheshin për të zhvilluar një bashkbisedim të hapur mbi natyrën e gjuhës së tyre”. (Pr Domenico Comparetti « Notizie ed osservazioni in proposito degli Studii Critici del Pr. Ascoli (estratto dalla Revista Italiana n. 126, 134,140, 1863) Pisa1865). (6)
Gjuhtarët arbëresh me veprat e tyre të shkruara në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht, dhanë ndihmesën e tyre gjuhtarëve të huaj në përcaktimin e gjuhës shqipe si pjesë e familjes indo-europianë. Pra “Shkolla Albanologjike” e arbëreshve, jo si një Institucion arsimor, por si një veprimtari e bashkuar e një elite autodidakte, kishte kohë që e kishte nisur rrugëtimin e saj. Në rradhët e kësaj shkolle rënditen shumë eruditë priftërinj të ritit bizantin arbër të shekullit 17-19, si Nilo Katalano (1637-1694), Josif Nikollë Brankati (1675-1741), Gjergj Guxeta (Giorgio Guzzetta 1682-1756), Pal M. Parrino (Paolo Maria Parrino 1710 – 1765), Jul Variboba (1727 – 1788). Nikolla Keta (1741 – 1803), Ëngjëll Mashi (1758 – 1821), Mikel Skutari (1762 – 1830), Zef Krispi (1781-1859), Vinçenco Dorsa (1823-1885), Zef Skiroi (1865 – 1927) etj.
Në këtë shkrim, do të trajtoj disa teza të rëndësishme, gjuhësore dhe historike, të dy veprave të priftit arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), «Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese », (Livorno 1864); «Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese», (Livorno, 1866) duke ju bashkangjitur edhe mendimet e pararendësve, bashkohësve të tij dhe studiuesve të më vonshëm, të cilat (tezat) janë vënë në dyshim apo nuk janë shtruar fare nga Albanologjia e shk.21. Gjuhëtari gjerman Gustav Meyer (1850-1900) shkruante («Etymologische Wòrterbuch der albanesischen Sprache» Strassburg, 1891) se, emri i Dh.Kamardës, meriton të kujtohet dhe të vlersohet në historinë e shkencës (gjuhësisë historike) sepse «për herë të parë» në veprën e tij (Saggio di Grammatologia…) është bërë «një trajtim i plotë krahasues i gjuhës shqipe».(7)
Lexoni librin:
Saggio di grammatologia comparata sulla lingua Albanese. [1]
Text: Camarda, Demetrio (Livorno : a spese dell’autore, (1864))
Bayerische Staatsbibliothek
http://reader.digitale-sammlungen.de/resolve/display/bsb10589076.html
***
Demetrio Camarda: Saggio di Grammatologia Comparata sulla lingua albanese
http://www.unibesa.it/benvenuto-it/2-non-categorizzato/122-demetrio-camarda-saggio-di-grammatologia-comparata-sulla-lingua-albanese-livorno-1864-r-a-1989
* * *
I shpreh mirënjohjen time Bibliotekës së ShBA, e cila e ruante librin e gjuhëtarit të famshëm arbëresh, «Saggio di Grammatologia comparata sulla lingua Albanese» (ribotim i vitit 1923) në koleksionin e veprave të rëndësishme të kulturës botërore dhe me ndërmjetsinë e librarisë Amazon në Itali, u bë e mundur ta kisha në dorë. Vepra tjetër « Apendice… »(1866), që në fakt është një shtesë e së parës, është shfrytëzuar nga Interneti.
TEZA E PARË: SA ËSHTË MOSHA E GJUHËS SHQIPE?
Siç na dëshmon Herodoti, mbreti Psametiku (Egjipt) për të njohur se cili popull është më i vjetër, vendosi të mësojë se cilën fjalë të parë do ta shqiptonin dy fëmijët e rritur nga dy gra të cilave ju ishte prerë gjuha. Cilit popull do t’i përkiste fjala, ay do të pranohej si më i lashti. Ky tregim duhet të ketë qenë një provë e vërtetë historike, sepse na ka ardhur deri në kohët tona fjala e parë që shqiptuan fëmijët «bek», të cilën e kishin dëgjur nga udhëtarët e një karvani të ndalur pranë banesës së tyre. Nga kërkimet e njerzve të mbretit midis gjuhëve të asaj kohe, doli se në gjuhën frigjiane kjo fjalë përcaktonte bukën. (8) Pavarësisht vendimit të shpallur nga mbreti, na intereson fakti se këtë fjalë e ruan edhe sot, vetëm gjuha shqipe: «buk». Pra shumë kohë para Herodotit, lashtësia e popujve shikohej në vartësi të lashtësisë së gjuhës që flisnin. Deri sa gjuha shqipe do të merrte denjësisht, në shekullin e 19, kurorën e GJUHËS SË PARË, «Shkollës albanologjike arbëreshe» ju desh një rrugë e gjatë kërkimesh, sa gjuhësore aq edhe historike, folklorike dhe fetare.
Pothuaj një shekull para se Kamarda t’i futej kësaj pune, ishin rrahur mendime të ndryshme për zbulimin e lashtësisë dhe origjinës së gjuhës shqipe. Nisur nga pohimi i autorit të parë të Historisë së Skënderbeut, Marin Barletit (…) se gjuha shqipe rridhte nga latinishtja, Gjergj Guxeta mendonte se ajo duhet të ishte një përzierje e latinishtes dhe gjuhës së vjetër maqedonase. Ndërkohë bashkëpuntori i tij P. Parrino, mbronte idenë se gjuha shqipe, sidomos ajo e arbëreshve të Italisë, ishte e njejtë me gjuhën maqedone (të lashtë-shën im). (9) Por që të gjithë mohonin ndonjë afërsi apo lidhje me gjuhen greke.
Në vijim të bindjes së albanologëve nismëtarë G.Guxetës , P.M.Parrinos, edhe V.Dorsa pohon se Shqipetarët çfaqen qartësisht me një origjinë, përkatësi dhe lidhje shpirtërore të përbashkët, duke formuar kështu një familje, ku gjuha e zakonet, i dallojnë qartësisht nga grekët. (10) Pra rruga e vetme për të dëshmuar lashtësinë e gjuhës shqipe dhe rrjedhimisht e Kombit që e fliste atë, mbetej të vërtetohej lidhja apo trashëgimia e saj nga gjuha e maqedonëve të lashtë. Por siç dihet, nga kjo gjuhë nuk ka mbetur ndonjë dokument i shkruar me maqedonishten e Aleksandrit të Madh. Lindi kështu nevoja të krahasohej gjuha shqipe me një gjuhë tjetër të lashtë, nga e cila kishin mbritur vepra të shkruara. Me qënëse në rrethet filologjike europiane të shk. 18-19, greqishtja mbahej më e lashtë se latinishtja, priftërinjt eruditë arbëresh, si zotërues të saj dhe profesorë të kësaj gjuhe në shkollat fetare dhe Univërsitetet e kohës, ju futën punës për krahasimin leksikor dhe gramatikor të shqipes me të. Sipas Dh.Kamardës, gjatë krahasimit u vërejt se «shqipja përmban shumë elemente nga më të lashtat e të folurës greke, të cilave ne as nuk ua dimë shqiptimin e vërtetë (…) dhe kjo më shtyn të pranoj, lidhjen e shqipes me sanskritishten, te pohuar nga Franz Bopp». (11)
Pothuaj 30 vjet para Kamardës, Z.Krispi i habitur, kish pohuar se «duke gjurmuar origjinën e gjuhës greke, është një gjë e bukur të shohësh se si ajo të kthen, në pjesën e saj më të madhe, tek gjuha shqipe» duke hedhur i pari idenë se ajo «mbase është më e lashtë se greqishtja dhe në thelb, gjuha me të cilën flitej në shekujt para Homerit» (Malte-Brun libr.199, f243)(12) Kjo tezë do të trajtohet në fund të shk.19 nga Sami Frashëri: “Ka shumë fjalë që vërtetojnë se format e tyre shqipe janë bazë, ndërsa format në gjuhët e vjetra greke e latine janë derivate të tyre. Kjo tregon se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja ose latinishtja e moçme dhe se populli shqiptar është shumë i vjetër”. (13) At Dh. Kamarda pohon se «shumë fjalë shqipe, përputhen me ato të gjuhës së lashtë të grekëve» duke shtuar se ato «janë unaza, (të ndërmjetme lidhëse-shën im) midis gjuhës së lashtë aziatike (sanskritishtes) me gjuhën e re hellene, asaj gjuhe të humbur, nga buroi gjuha e klasikëve grekë e mbritur tek ne, përmes librave të tyre të pavdekshëm» . (14)
Duket sikur këto përfundime hedhin poshtë studimet e gjuhëtarëve nismëtar, që u shprehën për dallimin rrënjësor midis këtyrë dy popujve kufitarë ballkanikë të shekullit 19. Por duhet të kemi parasysh, se si lëndë studimi, nga gjuhëtarët u mor fjalori i greqishtes së lashtë e shkruesve të parë dhe, siç shprehej francezi Robert DeAngely, “Po të mos kishin qënë shkronjat e njejta (të «greqishtes së lashtë» dhe asaj të shk.19-shën. im), pashmangërisht do të ishte deklaruar se gjëndemi para dy gjuhëve të ndryshme” (15) Mjafton të shkruajmë një listë të vogël fjalësh shqipe, greke dhe hellene të lashta dhe nga krahasimi i tyre i drejtpërdrejt, vërtetohet se shqipja është krejtësisht e njejtë me greqishten homerike, gjë që nuk ndodh me greqishten e re, do të shkruante më vonë studiuesi i miteve pellazge, arvanitasi Aristidh Kola (16)
Merita e Kamardës në studimin e gjuhës shqipe ishte edhe fakti se shfrytëzoi arritjet e shkencës së porsa-lindur në Europë, Fonologjisë (Studimi i tingujve të gjuhës). Duke përdorur metodën krahasuese me gjuhët europiane, ai pohon se gjuha shqipe është shumë e pasur në tinguj dhe «përmban jo vetëm të gjithë tingujt e greqishtes dhe latinishtes, siç shqiptohen sot në Greqi dhe Itali, por do të shtojmë edhe të frëngjishtes e gjermanishtes». (17)
Në shekullin e 18 etërit arbëresh si P.Parrino e sidomos Nikoll Keta (“Tesoro di notizie su de’ Macedoni”1777), duke shfrytëzuar të dhënat historike mbi fiset e lashta shqipetare dhe maqedonase të shumë autorëve, të lashtë dhe modern, hebrej, egjiptian, grekë, latinë, italianë, francezë, metodë që Eqerem Çabej do ta quante “moderne dhe globale, e cila edhe sot është thellësisht e drejtë”, aritën në përfundimin se gjuha maqedone e lashtë dhe ajo shqipe, i përkisnin trungut gjuhësor “feniko-pellazg”.(18) Duke ndjekur gjurmët e At V.Dorsës i cili pohonte se gjuha shqipe ishte “e thjeshtë, shprehëse, imituese dhe poetike, cilësi që nevoiten për të vërtetuar origjinën e saj të lashtë” (19) dhe të At Z.Krispit: ”Se tingujt, në gjuhën shqipe, duke qënë të shumtë dhe të papërcaktuar, na qartësojnë natyrën origjinale të saj, siç është pa dyshim, vetë gjuha që Zoti i dha njëriut të parë”.(20) Dh.Kamarda i kushtoi një rëndësi të veçantë vetë formimit të fjalëve të saj.
Gjuha shqipe, vëren autori, është e varfër me fjalë të përbëra (nga bashkimi i dy fjalëve me kuptim të plotë si dhe më parashtesa e mbrapashtesa-shën im) me të cilat është e pasur greqishtja dhe gjermanishtja. Në gjuhën shqipe, si emrat edhe foljet ndodhen me shumicë në gjëndjen e rrënjëve të pastra. Këto fjalë/rrënja (të përbëra vetëm nga dy/tre gërma si: ha, pi, ri, shi, re, vë, di, pa/me pa, mal, gur, lis, etj-shën im) janë trashëguar nga gjuha-mëmë. (f21)
Kamarda e përcaktonte si një formë zanafillore e krijimit të fjalëve si tek çdo gjuhë tjetër, por e mbetur deri më sot tek shqip-folësit nga «mungesa e kulturës», ku nënkuptonte mungesën e arsimimit dhe shkrimit të librave. Studiuesi arbëresh do të mbetej i habitur, sikur të shikonte se edhe pas tre shekujve, në kohën e internetit, në fjalorin e shqipetarëve fjalët/rrënja para-historike janë në përdorim të pa ndryshuara, dhe padyshim ky fakt ka shpjegimin e vet. Intuita prej shkencëtari, e shtynte të parashikonte se në formën një rrokëshe të fjalëve «fshihet» kyçi i lashtësisë së gjuhës shqipe dhe « studimi i tyre kërkon një vëmëndje të veçantë ». Koha tregoi se kishte të drejtë.
Njohësi i veprës së Dh.Kamardës, francezi Eduard Shnaider (Pellazgët dhe pasardhësit e tyre) mbasi bëri një përllogaritje të fjalëve-rrënja, pohon se « gjuha shqipe ka 785 të tilla, që e tejkalon tepër shumën e fjalëve rrënja të të gjithë gjuhëve të tjera, të vdekura dhe të gjalla. Dhe ky numër nuk është përfundimtar (…) Me 75 tinguj zanore, dhe 31 bashktingllore të forta dhe 785 fjalë-rrënja, një gjuhë mund të arrijë në një shkallë përsosmërije të paparë ». (22) Përfaqsuesi i madh i “Shkollës Albanologjike arbëreshe” Jeronim De Rada (1814-1903), do të shprehej: “Gjuha Shqipe, në analizë të fundit është ajo Gjuhë e Parë (Lingua Primeva) ose Mëmë (Muttersprache) ose së paku e afërmja e saj e ngushtë e më përfaqësuese, nga copëzimi i së cilës, si Ai (Zoti-shën im) në Sakrificën e Madhe Kozmogonike të një Qënie Hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera erdhën e u ndërtuan mënjanë” (23)
Kamarda na sjell edhe mendimet e figurave të shquara europiane, që janë shprehur mbi lashtësinë e gjuhës sonë si Theodor Stier i cili pohon se kohën e origjinës së gjuhës shqipe, duhet ta vendosim, në periudhën kur nuk flitej as greqishtja, qoftë moderne apo antike, as latinishtja, as ndonjë nga të folurat që njohim sot apo që janë zhdukur. Ndërsa figura më e rëndësishme e Rilindjes italiane Vincenzo Gioberti (1801-1852) në librin e tij « Primato » Bruselles1844, T.II p.133 , këmbëngul se gjuha shqipe, përmban gjurmë të gjuhëve që kanë qarkulluar në Greqi para pushtimeve deukaliane dmth para se të formohej popullsia e emërtuar Ellenike (24)
Sot, studimet mbi origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe e kanë tejkaluar shumë nivelin e studimeve europiane. Studiuesi Petro Zhei, duke shfrytëzuar ligjet e fizikës moderne, shkrimet fetare, fondin dialektor e historik të fjalëve shqipe, duke i krahasuar ato me fjalorin e sanskritishtes, hebraishtes dhe të gjuhëve moderne, vërteton se fjalët shqipe kanë natyrë simbolike dhe mitike, tipare të gjuhës se krijuar nga njeriu i parë. Ai sjell shembuj të shumtë se si rrënjët e gjuhës shqipe zbërthejnë kuptimin e rrënjëve të sanskritishtes, gjë që nuk e ben dot ajo vetë për fjalët e saj dhe të gjuhës shqipe. Kjo dëshmon se shqipja e lashtë ka qene gjuha MËMË e gjuhëve të «vdekura» dhe me kalimin e kohës, prej burimit të saj rrodhën gjuhët e tjera. Kjo, vëren P.Zhei, shpjegon edhe faktin se: «Në gjuhën shqipe ndeshen gllosa të të gjitha gjuhëve të botës, gjë që, krahas cilësish të tjera të spikatura, e bën shqipen një gjuhë SIMBOLIKE» (25)
Për sa më sipër, gjuha shqipe/arbërishte është i vetmi monument “i gjallë” para-historik europian (i pa vlersuar akoma nga UNESCO për faj të institucioneve Albanologjike) që dëshmon se si njeriu i parë, duke ndjekur tingujt e botës që e rrethonte dhe duke besuar në forcat e mbinatyrshme, nisi të shprehej. Gjurmët e kësaj gjuhe të njeriut primitiv, që i ra kryq e tërthorë një hapësire jashtzakonisht të gjerë të Europës, Afrikës dhe Azisë, gjuha shqipe i ruan edhe sot, të shprehura në të gjithë treguesit e saj: në pasurinë e fondit themelor të fjalëve, strukturën e tyre dhe sistemin gramatikor.
TEZA E DYTË: A JANË ILIRËT PARAARDHËSIT E TË GJITHË KOMBIT SHQIPETAR?
Në rrugën që duhej ndjekur për të përcaktuar origjinën e Shqipetarëve, sipas V.Dorsës, një mjet i domosdoshëm, krahas historisë shërben edhe gjuha. (26) Edhe ne, për t’i dhënë përgjigje tezës së dytë, fillimisht do të ndjekim rrugën gjuhësore. Në shtesën që i bën Librit të parë (Saggio…), Dh.Kamarda, thekson se, për një studim të thelluar mbi natyrën e gjuhës së Shqipetarëve, i cili nuk ishte bërë deri në atë kohë, duhej të përfshihej e gjithë e folura popullore dmth jo e një, por e dialekteve kryesore (27) dhe këtu kishte parasysh, jo vetëm të folurën e shqipetarëve në trevat e tyre natyrale (Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Sërbi, Greqi), por edhe të arbëreshëve të Italisë dhe të ishujve Jonian.
Në botimin e Akademisë së Shkencave “Historia e Popullit Shqipetar”, (vëll.I, Toena, 2002), duke folur për gjuhën e Kombit tonë është përdorur emërtimi “gjuha shqipe” për periudhën e historisë moderne, “gjuha arbëreshe” për të folurën e arbëreshëve të Italisë dhe Greqisë dhe “gjuha ilire”për gjuhën e lashtë të shqipetarëve. Natyrshëm lind pyetja: A mund të thuhet psh se në Jugun e lashtë dhe mesjetar, gjuha që përdorej emërtohej “ ilire” dhe populli që e fliste e quante veten “ilirë”?
Sipas studimeve Albanologjike, gjuha shqipe përbëhet nga dy dialektet kryesore, Geg dhe Tosk, pranuar nga të gjithë gjuhëtarët, shqipetarë dhe të huaj. Kamarda duke folur për këto dialekte sqaron edhe shtrirjen e tyre gjeografike. Sipas tij e folura e Gegëve fillon nga lumi Shkumbin, i cili rrjedh në mes të Epirit të ri (Iliri) dhe të vjetër dhe e ka burimin nga malet e Kandavisë në këmbë të liqenit të Ohrit dhe e folur deri në Mal të Zi, në kufi të Bosnjë-Hercegovinës dhe Sërbisë (së shk19). E folura Toske,mbisundon nga Shkumbini deri në Etoli, duke u përhapur në shumë zona të Greqisë dhe ishujve të saj. Pak më poshtë shton se, edhe gjuha e shqipetarëve të Italisë, sikurse ajo në Greqi, i përket dialektit tosk.(28) Kjo ndarje gjuhësore ka përcaktuar edhe dy ndarjet gjeografike të dy bashkësive më të mëdha fisnore të shqipetarëve të vjetër: Iliro-Maqedonëvet dhe Iperiotëve (Epiriotëve), të dokumentuara në librat e historianëve të parë si dhe hartat e mbritura deri në shk16-17. (foto poshtë)
Do të mjaftonte ky fakt, për të dëshmuar gabimin në përdorimin vetëm të emërtimit “Ilirë”për origjinën e shqipetarëve. Për të dhënë një panoramë të qartë të paraardhësve të Kombit tonë, Kamarda i kushton një vëmëndje të veçantë edhe fakteve historike. Duke mbështetur përfundimet e Johan G. Han (1811-1869) , i cili kishte bërë studim të thelluar për origjinën e shqipetarëve, Kamarda pohon se ata janë pasardhës të Iliro-Maqedonëve dhe Iperiotëve (Epirotëve) të lashtë. (29) Këta popuj, në kohë më të vjetra, sipas shkrimshkruesve të parë (Erodoto L.I.56,58.II.52-Tucidide L.I 3.-Strabone L.V.VII.- Dionigi Alicarnass. Ant.Rom.I.17.- Esiodo, etj.) së bashku me Hellenët, i përkisnin familjes Pellazgjike dhe Lelege. (30) Duke mos vënë në dyshim përfundimin e Hahnit që shqiptarët i emërtonte “Pellazgët e Rinj” dhe sidomos të thënieve të historianëve të sipërpërmëndur, dalim në përfundimin se “origjina ilirë” e shqipetarëve është një tezë historike e mangët, pra jo e saktë. Që fiset Ilire janë shqipetarët e lashtë, qëndron si fakt historik, por jo i plotë. Si i tillë, ay nuk mund të jetë një e VËRTETË HISTORIKE. Studiuesi arbëresh, për të qënë sa më besnik kësaj të vërtete, duke u mbështetur në shkrimet e Herodotit dhe të autorëve të tjerë, na sjell një list të gjatë me emrat e fiseve të lasha “që në atë kohë përbënin dy bashkësitë kryesorë, shumë pak të dallueshme me njera-tjetrën, që emërtoheshin Ilir dhe Epiriotë, dhe sot Gegë e Toskë.” (31)
Dh.Kamarda kur emërton Ilirët gjithmonë ja bashkangjit edhe fiset Maqedone. Që në shk.17, At Parrino dhe nxënësi i tij Nikolla Keta, të nisur gjithmonë nga shkrimet e historianëve të parë, por të pasuruara edhe me shëmbuj nga tradita kulturore dhe ajo besimtare e këtyre fiseve, pohonin se emrat “Ilir”(që nënkuptonte edhe fiset Albani të Shqiperisë së mesme), “maqedon” dhe “iperiot” ishin thjesht emra, me të cilat historikisht emërtohej i njëjti popull para-hellenik që banonte prej shekujsh në hapsirën ballkanike, me tipare etnike, gjuhësore, veshje dhe zakone të përbashkëta. (32)
Për sa më sipër, na lind e drejta të shpallim se, fatkeqsisht në botimet e sotme, teza e “origjinës ilire” ka fshirë gjysmën e historisë së lashtë të Kombit tonë. Faktet historike, gjuhësore, arkeologjike, mitet, kultura e traditës dhe sidomos BESIMI dhe RITET, dëshmojnë se shqiptaro-arbërit e kohëve moderne e kanë origjinën nga fiset ILIRO-IPERIOTE, (iliro-epiriote) që Kamarda shpesh e përdor në formën “Illirio-Epiroti o Schipetari” (33), historia e të cilëve lidhet me Pellazgët Hyjnorë. Shfrytëzimi vetëm i të dhënave të një shkence (gjuhësisë apo historisë) në metodën e përdorur për zbulimin e origjinës së popujve dhe gjuhës së tyre, ka sjellë pengesa të mëdha për studiuesit dhe shpesh me përfundime të gabuara. Shëmbull janë mëdyshjet, gjatë dy shekujve, të gjuhëtarëve të huaj për origjinën e gjuhës dhe të vetë shqipetarëve: Është ilire apo trake? Kështu ilirologu i njohur Radoslav Katičići pohon me bindje se “Asgjë në natyrën e provës nuk është paraqitur deri tash për prejardhjen trakase të gjuhës shqipe… E vetmja gjë që mund të bëjmë tash është të jemi mendjehapur duke mbajtur mend në këtë kontraverzë se barra e provës u bie atyre që mohojnë prejadhjen ilire të shqipes.” (Katičić 1976: 187-8). (34)
Po përse duhet kërkuar origjina, “ilire apo trake?”, kur shqipetaro-arbërit e sotëm janë pasardhësit e bashkësive fisnore, edhe të Ilireve edhe të Iperiotëve, Maqedonëve dhe të Thrakëve të lashtë. A nuk është dëshmuar se këto fise i përkisnin një etnije, u janë drejtuar të njejtëve orakuj dhe Perëndive, kanë folur një gjuhë, por në dialekte të ndryshme dhe kanë lënë toponime në të gjithë Ballkanin që kanë kuptim vetëm në shqip?
(VIJON…)
_______________________
FATBARDHA DEMI: LASHTËSIA DHE ORIGJINA E GJUHËS SHQIPE /1/
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4667
***
FATBARDHA DEMI: LASHTËSIA DHE ORIGJINA E GJUHËS SHQIPE /2/
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4668