Tiranë, 14 maj 2017: Rilindasit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. – Ismail Kadare.
Nuk është fakt i panjohur se historiografia europiane ka shkruar mbi Kombin Arbër, e ndikuar nga botkuptimi politik dhe fetar i shk.19. Kjo Histori (dhe jo ajo e autorëve që e kanë njohur nga afër popullin tonë dhe na kanë lënë dokumente të çmuara) vijon të gëzojë besueshmërinë e botës akademike edhe në shekullin e 21.
Dy nga këto fakte na i dëshmon studiuesi Kolë Kamsi (1886-1960): «Në nji nder mbledhjet e Kuvëndit të Berlinit, Princ Bismarku, pat mbrritje me thâne se ai s’dinte që ekziston në Ballkan nji popull shqiptar. Që prej asaj kohe edhe mbrapa , me gjithë luftrat e kryengritjet që bâne Shqipetaret për me mbrojte me gjak tokët e tyne nga lakmit e fqinjvet e për me u dalë zot të drejtavet kombtare, u gjetën të tjerë burra shteti, shkrimtarë e gazetarë të huej, që patën guximin t’i shpallin botës se Shqipnia âsht nji shprehje gjeografike, se nuk ekziston nji komb Shqiptar në kuptimin e vërtetë të fjalës e se Shqiptarët, gjithmonë shkaktarë ngatrresash e trazimesh në Ballkan, janë nji grumbull fisesh e bajrakesh të ndryshëm pa ndergjegje kombtare. N’anën tjetër edhe Turqit, si të Vjetrit si të Rijt, patën sy e faqe të na quejnë Qitabsyza, nji popull pa libra, pa nji letërsi, a thue se gjëndja e mjerë në të cilën lëngojshim edhe për kahë kultura e lëvrimi i gjuhës amtare nuk mvarej prej sundimit të keq e mizuer që mbajtën për sa shekuj në vend t’onë…» (1)
Për t`i qëndruar besnik titullit të materialit, nuk po ndalem për aresyet e mashtrimit të thënies që ju vesh Bismarkut, i cili në të vërtetë, u la dorë të lirë zbatimit të ëndrave të mbretërive të sapokrijuara ortodokse. Gjithashtu, u hapi rrugën historianëve, për fshirjen pothuaj totale, në studimet akademike europiane, të rolit të rëndësishëm dhe ngjarjeve historike të Kombit arbër. Në këtë material do të ndalem tek teza e «popullit të prapambetur kulturor» i krahasuar me vëndet fqinje, që ka zënë vend edhe në studimet shqipetare.
Për të përcaktuar nivelin e zhvillimit kulturor të një populli, zakonisht flitet për veprimtarë të shquar të elitës së tij, si: strategë ushtarak apo mbretër të fuqishëm, krijues të rrymave të reja të mendimit filozofik, shkencor, artistik, etj. Në lidhje me Kombin tonë, sot për sot, historiografia e kohëve moderne, vlerëson shekullin e 15-të, kur në kufirin europian të vëndit të arbërve, të udhëhequr nga gjenia luftarake, dipllomatike dhe administrative e Skënderbeut, u ndal hovi i fiseve aziatike të osmanëve që synonin gllabërimin e të gjithë Kontinentit. Këtë shekull, mund ta quajmë pamëdyshje “shekulli i heroizmit të arbërve”, siç na e dëshmon edhe letra dërguar Papës në vitin 1572: « Shqipetarët ndoshta janë luftëtarët më të zotë në botë (…) është ai, që u rezistoi romakëve më tepër se të tjerët, i sulmuar para grekëve, ai u thye më vonë se këta. Asnjëherë ai nuk u fut plotësisht nën zgjedhën e Sulltanëve (…) në fushën e betejës ai u bë shumë herë tmerri i Lindjes dhe i Perëndimit. (Cyprien ,Robert Les slaves de Turquie, 1852) (2)
Por arbërit në atë kohë (dhe më vonë ), nuk i dhanë shkëlqim vetëm fushave të betejave të vëndit të tyre apo atyre europiane, por edhe mendimit filozofik, besimtar, administrativ, në shkencë, art dhe kulturë. Ky material u kushtohet dy figurave madhore arbërore të periudhës së Rilindjes europiane, i pari në Perëndim, ku njohu veç adhurimin e njerzve më të shquar të Humanizmit italian dhe i dyti në Lindje, i burgosur pabesisht dhe i dënuar deri në ditët e fundit të jetës në internim (do të trajtohet më vonë).
I. Gjergj Xhemisto – i quajtur Pletone
Është hera e parë, që Gjergj Xhemisto (Giorgio Gemisto Pletone,1355 – 1452) përmendet me origjinë arbërore. Në shkrimet që i kushtohen kësaj figure, nuk flitet për përkatsinë e tij etnike dhe kjo është një arësye, për të besuar se është anashkaluar qëllimisht origjina e tij e vërtetë. Në Oxford Dictionary of National Biography, ay emërtohet “shkollar grek i filozofisë Neoplatonike” (Greek scholar of Neoplatonic philosophy) (3) Në materialet e tjera është emërtuar “filozof bizantin” (4) Por Fjalorët e kohëve të sotme në vëndlindjen e Rilindjes europiane (Italisë), si: Enciclopedia Italiana (1932), Dizionario di filosofia (2009), mjaftohen duke pohuar qytetin e lindjes Kostandinopolin. Ndërsa Enciklopedia e Lire -Wikipedia e përcakton me origjinë “bizantine” (5)
Giorgio Gemisto Pletone,1355 – 1452.
I MISTERI DI GIORGIO GEMISTO PLETONE
http://www.ritosimbolico.net/studi2/studi2_10.html
Le t`i analizojmë me rradhë të gjitha këto emërtime. Siç pohon Romilly Jenkins (Bizanti dhe bizantizmi ) dhe studiues të tjerë, Perandoria mesjetare e Lindjes, asnjëherë nuk është quajtur “bizantine” (6). “Nëpërmjet një abuzimi- shkruan Pashko Vasa “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”- pjesa e fundit (e periudhës së Perandorisë Romake të Lindjes-shën im) u quajt Perandoria Bizantine ose Perandoria Greke. Këto janë gjëra që i njeh çdokush ” (7) Për herë të parë ky emërtim u përdor në librin e historianit gjerman Jérôme Wolf (Corpus Byzantinae Historiae) në vitin 1557, afro një shekull pas rënies së Kostandinopolit, dhe u riçfaq në kohën moderne më 1857 në botimin e George Finlay (Histoire de l’Empire byzantin de 716 à 1057). Historikisht, emri “byzant” i përket një qyteti të lashtë i cili u ndërtua, sipas miteve pellazge, nga mbreti Byzas, bir i Zotit të ujrave – Posejdonit.(8) Qyteti shtrihej në dy anët e fillimit të ngushticës së Dardaneleve. Emri i mbretit mitik- Byzas-(y/u) të kujton (shprehur gjuhësisht në shqip) pikërisht grykën e kësaj ngushtice, si të dy buzëve të hapura, nga rrjedhin ujrat e Detit të Zi drejt Detit Egje.
Një tjetër mbret iliro-dardan, Kostandini i Madh, në vitin 330 vendosi aty kryeqytetin e tij (Romën e Re) duke e emërtuar, sipas zakonit të lashtë, me emrin e tij-Kostandinopol. Këtë emërtim qyteti e ruajti gjatë njëmijë viteve, deri në vitin 1453, kur u pushtua nga Muhameti i II-të. Shkëlqimi i Romës antike kishte shekuj që ishte shuar dhe Kostandinopoli tashme ishte i përgjynjur para Islamit, megjithatë banorët vazhduan të ruanin emrin administrativ “romei”, (nënshtetas romak) të cilin turqit e shqiptonin “rum” dhe sulltanin e tyre e mbiquajtën, sipas titujve romak: “qaysar-ı Rum”, (Cesare dei Romei) (9).
Në këtë munges të të dhënave mbi origjinën e Gjergj Xhemisto – Pletones, në fjalorët historik, fatmirsisht është ruajtur një letër e tij dërguar Perandorit Manuelit të II-të, ku shkruhej: “Ne mbi të cilët ju sundoni dhe keni pushtet, jemi helenë nga raca, siç është dëshmuar nga gjuha jonë dhe shkollimi ynë stërgjyshor (…) Sepse në këtë tokë del, që vetë këta helenë kanë jetuar gjithmonë, aq sa mund të kujtojë kujtesa njerzore; asnjeri nuk ka jetuar para tyre (…) duket se gjithmonë kanë qenë zotëruesit e saj dhe nuk e kanë braktisur kurrë. (10).
Studiuesit e lashtësisë e njohin faktin, se fiset e kësaj periudhe e dallonin njeri-tjetrin nga gjuha, traditat dhe besimi që kishin, dhe për këte qëllim përdornin në veshjen e tyre simbolet e tij. Sipas Aristotelit (Meteor.I,14) Epiri ishte Hellada e parë dhe Ellinët apo Sellinët ishin dodonas, fise të Kaonisë (Stefan. Eustat, Hahn I,231,255) që sot i njohim me emrin Molossë (në shqip dmth malësorë). Edhe Ptolemeu (Claudio Tolomeo) në veprën e tij (Geographica,3, 15) e quan Epirin – Hellasi i lashtë.(11) Sipas këtyre të dhënave, “hellenët”, ishin fiset Iperiote (epirote), dhe tempulli i vetëm i Pellazgëve, banorëve të parë të Gadishullit, i kushtuhej perëndeshës hënore Sellena nga e ka origjinën edhe emërtimi “sellë” i priftërinjve dhe “sellenizëm” (hellenizëm) i besimit. Këtë fakt e dëshmon edhe Moreno Neri, autori i studimit më të plotë mbi Gjergj Xhemisto Pletonen (Pletone, Trattato delle Virtù), duke pohuar se termi “ellen” përdorej jo për të përcaktuar një “grek”, por një pagan, kundrejt një kristiani (12)
Fakti se në hartat e mbritura sot nga lashtësia dhe mesjeta e herëshme, nuk gjendet ndonje fis me emrin “helene” dhe shumë vonë e gjejmë të shënuar si vënd “Greqi”, dëshmon se të dy emërtimet, nuk kanë treguar historikisht kombësinë apo ndonjë hapësirë gjeografike, por u përdorën nga shkruesit europian, të cilët nuk kishin dijeni mbi lashtësinë e Gadishullit dhe të popujve që kanë banuar aty. Sipas dokumentave, në fund të shekullit të 19-të, me gjithë kundërshtimet e “babait të historisë greke” Constantino Paparregopulo dhe të banorëve, emri“ grek” fitoi qytetarinë në shkrimet historike dhe u përdor gjerësisht, vetëm në mesin e dytë të shekullit të 20-të. Studiuesi francez Robert de Anzhely (Enigma) që kaloi një pjesë të jetës së tij, në shërbim të Perandorisë osmane, pohon se emri grek u përdor vetëm pas pavarsisë – 1821-shit. (13). Hartuesi i gjuhës moderne greke, Adamántios Koraïs (gjithashtu me origjinë arbërore) në shkrimin e tij “Dialogo tra due Greci”, pohon se : “Kam zgjedhur (emrin) “Greqi” sepse është mënyra, me të cilën e emërtojnë shtetet më të ndritura të Europës”. Ishin historianët francez që këmbëngulën për këtë emërtim. (14) Me emërtimin “grek”, përgjithsisht përcaktoheshin ata që flisnin gjuhën greke, siç e pohon edhe M.Neri: “Për Pletonen, sikurse për shumë bizantinë «greqizmi» nuk ishte një çështje gjaku apo prejardhje, por më së shumti e rrjedhur nga gjuha dhe kultura stërgjyshore” (15)
Për sa më sipër,Gjergj Xhemisto nuk e quante veten me origjinë “bizantine” apo “greke”, emërtime që nuk përdoreshin në kohën e tij, por e shikonte përkatsinë “helene” sipas BESIMIT të fiseve të racës së tij, i përdorur edhe në shekullin e19-të, krahas emrit kombëtar Iperiot (epiriot), Arbër/Arbëresh dhe Shqipetar.
U desh të zgjatemi mbi origjinën e filozofit, jo vetëm për ta renditur këtë figurë të shquar të Rilindjes europiane, në Historinë e shqipetarëve, por edhe për të treguar lajthitjet e studiuesve të shekullit 18-19 dhe të ditëve të sotme, për emërtimet e popujve dhe pasqyrimin e Lashtësisë. Kjo gjëndje ka ardhur si pasojë (ndërmjet shkaqeve të tjera) edhe nga mosnjohja e besimit hënor të fiseve Pellazge – Sellenizmit (helenizmit) – i emërtuar ”pagan” nga etërit kristian të shekullit të IV.
Gjergj Xhemisto – reformator i dy Pushteteve
Gjatë jetës së tij, afro njëqind vjeçare, ay la një trashëgimi të pasur me shkrime mbi: besimin, ekonominë, mbrojtjen, mjekësinë, psikollogjinë, gjuhësinë, gjeografinë, filozofinë, muzikën, etj.,duke u quajtur, si një nga njerëzit më të ditur në kohën e tij. Për jetën dhe filozofinë e Gjergj Xhemisto Pletones është shkruar në gjuhën angleze, franceze, gjermane,greke, polake, skandinave, ruse, por fatkeqsisht, asnjëherë në gjuhën e bashkëkombasve të tij.
Humanistët europianë, u njohën me këtë pasuri kulturore dhe shkencore, në një ngjarje të rëndësishme për historinë e kristianizmit, në Kuvëndin e bashkimit të Kishës ortodokse me atë katolike (Ferrara-Firence, 1438-1439) qëllimi i së cilës ishte sheshimi i mosmarrveshjeve teollogjike të dy kishave dhe organizimin e një kryqëzate ushtarake kundër-osmane, në ndihmë të mbretërive ballkanike. Dërgatës prej 700 shoqëruesve të perandorit, Giovanni VIII Paleologut (1425-1448) ju bashkua, në rolin e këshilltarit edhe Gjergj Xhemisto.
Dekreti origjinal, shkruar në latinisht dhe greqisht, i bashkimit të dy kishave në Kuvëndin e Firences (6 korrik 1439) me firmën e Papa Eugenio IV dhe Giovanni VIII Paleologut. (16)
Bregu perëndimor i Adriatikut, përveç faktit që nuk ndodhej direkt përball sulmit osman, nuk kishte shumë dallim nga vëndi që la Xhemisto kur hypi në anije. Italia e Mesjetës së vonë, ishte një bashkësi mbretërish dhe principatash që luftonin për të pushtuar pronat e njëri-tjetrit, duke zbrazur arkat e qeverisë, shkatëruar fshatrat e qytetet, pakësuar popullsinë dhe dëmtuar ekonominë e nënshtetasve të vet.
Në këtë arenë luftrash mernin pjesë edhe mbretëritë fqinje të saj. Kisha nga ana tjetër, me synimin për një sundim shpirtëror “pa kufij” ,por me përfitime të mëdha “tokësore”, sidomos me institucionin e saj të inkuzicionit (një nga detyrat e të cilit ishte ndarja e pasurisë së viktimave, me mbretin) e ktheu popullsinë në një shtresë të skllavëruar prej dogmatizmit fetar, të zhytur në padituri dhe të privuar nga çdo liri dhe kënaqsi shpirtërore. Në emër të kristianizmit, në shekullin e 15-të, nisi një masakër e paparë me emrin “gjyetia e shtrigave”.
Historikisht, ndeshja e parë e dhunshme midis “pushtit mbretëror” dhe “pushtetit fetar”, i përket faraonit Ikhnaton (1370-1354 PK). Ai – vëren Fan S.Noli- donte të dinte se kush ishte faraoni i vërtetë i Egjiptit dhe vendosi të ishte ay, faraoni i vetëm e i vërtetë dhe jo kryeprifti. Kështu ,me një të goditur, e rrëzoi nga froni kryepriftin e Amonit së bashku me të gjithë priftërinjtë e kulteve të tjera dhe u hoqi të gjitha pronat.(17) Ky rivalitet vijoi edhe në shekujt e më vonshëm.
Në Italinë e asaj kohe,të dy pushtetet, ay i Mbretit dhe i Kishës, (rivale dhe aleate për sundim), ndodheshin përpara një ngërçi ekonomik, politik dhe institucional, i cili e ktheu këtë “pajtim” në një “vrimë në ujë”, siç shprehet populli ynë, duke shuar çdo shpresë të Delegacionit, për të mbrojtur mbretërinë e Paleologëve nga rreziku osman. Por Xhemisto Pletone, kur pranoi pjesëmarrjen në Kuvëndin fetar, kishte në mëndje një plan të fshehtë: të përhapte në Perëndim shkencën dhe filozofinë (besimin) e autorëve të lashtë si Porfirio, Plotino, Plutarku, Appiani, Aristoteli, Straboni, Teofrastos, Senofoni dhe veçanrisht Platonin, të pakuptuar nga lexuesit perëndimorë për shkak të gjuhës esoterike të përdorur në shkrimet e tij.
Në kohën kur shkeli tokën e përtej Adriatikut, i gjithë Gadishulli ishte përfshirë nga lëvizja kulturore e Humanizmit e kryesuar nga gjuhëtari dhe kritiku i hapur i praktikave të Kishës, Lorenzo Valla (1405 – 1457). Në shkrimet e tij si De voluptate, De libero arbitrio, De professione religiosorum (Profesioni i fetarëve), etj., ay shprehej kundër praktikimit të asketizmit (largimit nga çdo kënaqësi të ndjenjave njerzore), jetës në manastire dhe faktonte fallcifikimet e bëra në dokumentet fetare, duke i ngritur hymn njeriut të lirë, që shijon gëzimet e jetës tokësore. Përgjithësisht, lëvizja e humanistëve të shekullit 14-të , siç e vë në dukje gjuhëtari dhe kritiku i letërsisë, Francesco De Sanctis (1817 ‒ 1883) në veprën e tij (Storia della letteratura italiana ) ishte me karakter “thellësisht letrar”. Tek bota e lashtë shikohej vetëm forma dhe kritika vërtitej rreth gramatikës dhe retorikës, që i dha shtysë studimeve gjuhësore dhe sidomos mbështetësve të gjuhës së popullit, kundër përdorimit të latinishtes. (18)
Por Gjergj Xhemisto, “nuk veproi si të gjithë të krishterët, që studiojnë librat ellene për qëllime gjuhësore – siç ankohej Skolario (Giórgio Scolario, patriarku i Kostandinopolit me emrin Gennadio II), në letrën e tij dërguar Teodora Asenine ,gruas së mbretit Dhimitër Paleologut – ai lexoi dhe mësoi së pari poetët (shkruesit e lashtë -shën im) dhe më vonë filozofët, për t’i ndjekur”. (19) Në shkollën e tij esoterike në Mistra (More, Peloponez) , ay u mësonte nxënësve se filozofia (ku vëndin kryesor e zinte besimi-shën im) dhe shkenca e lashtë, duheshin shfrytëzuar për problemet e ditës, veçanrisht për ndërtimin e një shteti të fortë ushtarak me ekonomi të lulëzuar, ku Pushteti i Kishës duhej t`i nënshtrohej Pushtetit të Mbretit.
Në atë kohë, filozofi i shquar akoma nuk e kishte parashikuar lindjen e “Pushtetit të tretë”: atë financiaro/politik,të tregëtarëve, bankierëve dhe prodhuesve, i cili ishte çfaqur ndërkohë në qytetet kryesore italiane. Përfaqësuesi më i shquar i kësaj shtrese ishte politikani dhe bankieri Kozimo di Mediçi (Cosimo de’ Medici,1389 – 1464) në Firence, i cili e kishte shtrirë aktivitetin e tij në qytetet tregëtare të Italisë, Francës dhe në Londër të Anglisë. Fuqinë e oligarkisë financiare të kësaj mbretërije e dëshmon, fiorinti prej ari, monedha më e qëndrueshme në Europë, e cila u prodhua për herë te parë në Firence (1252) dhe u përhap menjëherë në Mesdheun perëndimor. Veprimtaria e tregëtarëve të Gadishullit italik, shtrihej në hapësira të largëta gjeografike, duke sjellë fitime të mëdha shtresës së re të borgjezisë. Tregëtarët venecian, që shpesh ishin edhe prodhues të mallrave, pas shk.11-të gëzonin heqjen e taksave për të gjitha portet e Perandorisë bizantine, duke u favorizuar në tregëtinë me Lindjen e afërt dhe Kinën, kurse ata në jug, me veriun e Afrikës. Ky shekull hapi një epokë të re me zbulimin e Amerikës, që ashpërsoi luftën për rrugët tregëtare ujore dhe kolonitë. (20) Për rrjedhojë, tek elita tregëtare dhe financiare, e mbërthyer në darën e konkurencës ndërkombëtare, korupsionit, diktatit dhe injorancës së Mbretërive të shumta të Gadishullit dhe dogmatizmit kishtar, ishte pjekur idea për domosdoshmërinë e një reformimi të thellë të dy Pushteteve (atij mbretëror dhe kishtar) : Drejtimi i shtetit, duhej t`iu lihej në dorë njerëzve, të pasur financiarisht dhe të paisur me njohuri për çështjet e drejtimit ekonomik dhe të mbrojtjes. Programin e kësaj Reforme, ata e gjetën tek platonizmi i Xhemisto Pletone.
Firenze në këtë kohë ishte bërë djepi i mendimit humanist. Me nxitjen e Kozimo de Mediçi dhe miqve të tij, në dallim nga tematika gjuhësore dhe të natyrës njerëzore, që mbisundoi në shekullin e 14-të (me Dante Alighieri, Francesco Petrarco e Giovanni Boccaccio), në qëndër të vëmëndjes u vunë veprat e Platonit dhe ndjekësve të tij (21). Elita financiare dhe politike ishte e interesuar për filozofinë e lashtë të “Pushtetit të shtetit”, bazuar tek përvoja historike e qytet-shtetit të Spartës dhe idetë e Platonit, Pitagorës, Plotinos,etj .
a-Fragment nga piktura e Rafaelit “Shkolla e Athinës”, me figurën e Platonit dhe të Aristotelit. b- Gjergj Xhemisto (në mes) me pjesëmarrësit e Kuvëndit, të udhëhequr nga Lorenco di Mediçi, i jati Piero dhe gjyshi Kozimo i Vjetri . Vepër e Benozzo Gozzolit (1459) (22)
Vetë Kozimo di Mediçi, mori pjesë në bisedat e filozofit arbër dhe vendosi të përhape idetë e Platonit dhe platonizmit, duke themeluar Akademinë, në pronat e tij në Firence (1459/60) nën drejtimin e Marsilio Ficinos(1433 -1499) që u ndoq edhe nga hapja e simotrave të saj, në qytete dhe vendet e tjera. Shteti që propozonte Xhemisto, bazohej tek idetë e Platonit, por të pasuruara me filozofinë dhe kushtet historike të shekullit të 15-të dhe përvojës së tij në shërbim të dinastisë së perandorëve Paleologë (Giovanni i VIII Paleologu, Manuele II dhe djemt e tij Teodori dhe Demetrio Paleologu, Giovanni VI Cantacuzeni Paleologu).
Pushteti i Mbretit, sipas tij, duhej të bazohej tek LIGJET dhe tek VIRTYTET e njerëzve, (shumicën e të cilave, po i humbim sot pa u vënë re). Sipas filozofit, dështimi politik i Bizantit ishte rrjedhojë i deshtimit shpirtëror, meqënëse një Shtet i pa mbështetur mbi principe të forta, herët a vonë do të përmbyset . (23) Për të aritur sukses në misionin e tij, ay zbatoi i pari praktikën e debatit dhe të analizës kritike mbi rymat fillozofike të lashtësisë. Pa ulur vlerat (shkencore) të Aristotelit, filozofinë e të cilit e kishte përqafuar Kisha dhe elita kulturore italiane, i kundërvuri filozofinë e Platonit, duke treguar mangësitë e të parit dhe përparsinë e të dytit (Delle differenze fra Platone e Aristotele).
– VIJON –
_______________________________
FATBARDHA DEMI:ARBËRIT E SHEKULLIT TË XV’të QË NDRIҪUAN EUROPËN (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=6480
***
FATBARDHA DEMI:ARBËRIT E SHEKULLIT TË XV’të QË NDRIҪUAN EUROPËN (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=6481