FATMIR GRAIҪEVCI: MESAZHE TË RREZIKSHME DHE PËRҪARËSE TË SALI BERISHËS DHE ATIFETE JAHJAGËS NË 100 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

(Prishtinë, 23. 11. 2012) – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, realizoi edhe një qëllim të tij që ia kishte caktuar kaherë vetes. Nderoi me nderimet më të larta, Ahmet Zogun, i cili paraqet mishërimi më të mirë të politikanit të zhveshur plotësisht nga morali, atdhedashuria e nacionalizmi… Çdokush që e ka dëgjuar fjalimin e kryetares, Atifete Jahjaga, dhe që ka njohuri nga historia sa një nxënës i shkollës fillore, natyrisht se ka pyetur veten se a ka ndonjë informatë kryetarja jonë për jetën dhe veprën heroike të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Azem Bejtës, Fan Nolit e shumë liridashësve të dëshmuar të Shqipërisë e kombit shqiptar, të vrarë e të dënuar me vdekje nga Ahmet Zogu?!
Vështirë se do të gjejë njeriu ndonjë vend me klasë “intelektuale” si në Shqipëri e Kosovë, që për 24 orë rresht shesin nacionalizëm e patriotizëm ani pse më parë dekada me radhë kanë përhapur me dashuri të pashembullt idetë e internacionales socialiste. Frojdi do të thoshte po përdorin mekanizmin e kompensimit, intelektualë që gati sa shkyejnë gurmazin për humanizëm ndonëse asnjëherë nuk ngritën zërin, e për të bërë një gjë të tillë patën rast me qindra mijëra herë, kur duhej ndaj përbuzjes dhe keqtrajtimit të skajshëm që ju bëhej njerëzve që dëshironin të qëndronin vertikalisht e jo si pa kurrizorët, “intelektual” që përbetohen në demokraci ani pse dekada me radhë janë çjerrë duke lartësuar e hyjnizuar komunizmin, frytet e të cilit i kanë shijuar si qentë kockat. Kjo klasë e njerëzve të neveritshëm, të pa karakter, të pavlerë dhe që janë të gatshëm që atë që e shajnë paradite ta hyjnizojnë pas dite dhe anasjelltas, duket se e kanë jetën të gjatë në karrierën politike mbase karriera është alfa dhe omega e jetës së tyre. Për të tillët vlerat më të larta njerëzore nuk janë qëllim i tyre por vetëm mjete për të qëndruar në pushtet e për të gllabëruar pasuritë e vendit dhe për të bërë tutje në karrierën politike. Ky soj i njerëzve nuk kanë ditur, nuk dinë dhe as që do të dinë ndonjëherë çka janë idealet më të larta njerëzore. Por kjo nuk është më e keqja! E keqja është mosreagimi dhe indiferenca e shumicës së shoqërisë ndaj këtyre gjallesave të cilave do të duhej treguar me kohë se ku e kanë vendin fundërrinat.

Tiranë, 17. 11. 2012: Berisha dhe bashkëshortja Liri Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Zëvendëskryeministri i Hungarisë Zsolt Semjen, gjatë kortezhit të përcjelljes dhe vendosjes së eshtrave të Mbretit Zog në mauzoleumin e familjes mbretërore.

…………………………………………….

Vështirë se mund të ndërtoj të ardhme të ndritshme dhe përparimtare një shoqëri e ndikuar dhe drejtuar nga ky lloj i ‘intelektualëve’ të cilët shfaqin respekt ndaj atyre që do të duhej manifestuar përbuzje e neveri dhe shfaqin indiferencë e mëri ndaj atyre që meritojnë të lartësohen. Nuk duhet pasur shumë imagjinatë e vizion për të ditur se çfarë të ardhme e pret një vend kur i pari apo e para e tij, gjatë stinës së verës fletë me pietet për atdhetar dhe nacionalist të përkushtuar ndërsa në vjeshtë lartëson sa s’ka më vrasësin e tyre! Por kjo nuk është më e keqja. E keqja mbase do të na godas shumë vite më vonë nëse nuk ngremë zërin njëherë e mirë kundër këtyre dukurive negative të cilat i ngjajnë topit të borës, i cili nëse nuk ndalet me kohë shndërrohet në ortekë i cili do të fashisë për tokë çdo gjë që gjen përpara. 
Ka kohë që pjatë lëpirësit e të gjitha regjimeve nuk ndalen së mbajturi ligjërata nëpër medie të ndryshme për lirinë, pavarësinë, demokracinë, humanizmin, patriotizmin, nacionalizimin e tema të tjera. Aq liridashës janë këta sa që sa herë ju jepet rasti, ata flasin me respektin më të madh për Ahmet Zogun, alfa dhe omega e të cilit ishte të sundojë shqiptarët dhe për këtë ishte i gatshëm të bashkëpunoj edhe me djaj, komunistin, Fadil Hoxha, i cili nga kolltuku që i kishte siguruar në Prishtinë regjimi i Jugosllavisë së Titos, iu dërgonte fjalë forcave liridashëse shqiptare që po luftonin me vetëmohim kundër rikthimit të Kosovës nën sundimin e Serbisë, se do të luftojë kundër tyre derisa të mos ju lë vend në Kosovë. Është e famshme thënia e tij: Vrima e miut 300 grosh. Fatkeqësisht, ai ia doli mbanë dhe me ndihmën e regjimit të Serbisë dhe shqiptarëve shpirtshitur, pjesëtarët e forcave liridashëse i vranë, pushkatuan, burgosën dhe detyruan të arratisen nga Kosova. Janë të shumta familjet që as sot e kësaj dite nuk kanë asnjë informatë se ku u varrosën trupat e më të dashurve të tyre të pushkatuar anekënd Kosovës nga regjimi jugosllavë i drejtuar nga Tito, të cilit i shërbyen me besnikërinë e qenit një numër i konsiderueshëm i klasës së atëhershme “intelektuale” shqiptare. Ky soj i “intelektualëve” që defilojnë nëpër medie të shumta dhe krye paqedashësi, Ibrahim Rugova, duke u nisur nga humanizmi i tyre dhe zemërgjerësia e pashembullt, vite më parë ia falën të gjitha mëkatet Fadil Hoxhës, i cili asnjëherë në jetën e tij nuk e pa të arsyeshme të ju kërkoj falje mijëra familjeve shqiptare të cilat kishin pësuar si mos më keq, për shkak se pjesëtarët e tyre ishin angazhuar me vetëmohim për lirinë e Kosovës dhe popullit shqiptar dhe për realizimin e të drejtës së ligjshme të popullit të garantuar me konventat ndërkombëtare, për të jetuar në një shtet të vetëm ashtu sikur jetonin kombet ane kënd botës.
Mos reagimi i duhur ndaj këtij procesi anti human ka pasur dhe do të ketë pasoja të hidhura në të ardhmen. Duke marrë parasysh procesin e deritashëm të pandalshëm të faljes dhe lartësimit të disa figurave të cilat paraqesin prototipin e politikanëve që nuk qajnë kokën për moralin, nuk duhet habitur që një ditë të dal ndonjë paqedashës dhe “humanist” tjetër që duke u mbështetur dhe hyjnizuar nga klasa “intelektuale”, ai apo ajo, në emër të zemërgjerësisë së pashembullt, humanizmit dhe paqes, t’ia falë të gjitha krimet Serbisë që ka bërë kundër popullit shqiptar. Nuk duhet harruar se lehtë është të falen plagët e të tjerëve, sidomos të atyre për të cilët nuk ke asnjë grim respekt.

Atifete Jahjaga nderon veprën e Ahmet Zogut

…………………………………………………

Shikoni një përmbledhje të fjalimeve të Sali Berishës, Bujar Nishanit dhe Atifete Jahjagës

……………………………………………..

Nëse arsyetojmë më esëll duke gërmuar thellë në qenien e njeriut, krimi asnjëherë nuk bënë të falet dhe kjo për dy arsye sepse kur njeriu vret njeriun, ai ka poshtëruar dy herë qenien njerëzore.
Së pari, ai e ka poshtëruar qenien njerëzore duke dhënë shembull se njeriu nuk është asgjë tjetër përpos që është një qenie vrastare,
Së dyti, njeriu është një qenie që nuk meriton aspak respekt por meriton të poshtërohet, vritet e masakrohet si gjëja më e pavlerë.
Fadil Hoxha e Ahmet Zogu me kompanitë e tyre dje dhe filizat e tyre sot, me qindra mijëra herë poshtëruan qenien njerëzore dhe nuk qajnë kokën për moralin dhe vlerat më të larta humaniste.
Por sikur të mos mjaftonte ky amoralitet i skajshëm, ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, realizoi edhe një qëllim të tij që ia kishte caktuar kaherë vetes. Nderoi me nderimet më të larta, Ahmet Zogun, i cili paraqet mishërimi më të mirë të politikanit të zhveshur plotësisht nga morali, atdhedashuria e nacionalizmi. Përveç tjerash, ai shquhet për vënien e vetes në shërbim të regjimit shqiptar vrasës të Serbisë, me të vetmin qëllim për të sunduar mbi popullin shqiptar si dhe me angazhimin e tij të përkushtuar për vrasjen dhe likuidimin e atdhetarëve dhe nacionalistëve të përkushtuar, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi, Azem Bejta, Fan Noli e shumë patriot të tjerë. Pavarësisht trajtimit të tij në superlativ nga kryeministri Sali Berisha, dhe kryetarja, Atifete Jahjaga, Ahmet Zogu, përveç tjerash do të mbahet mend edhe për ikjen qyqare nga Shqipëria kur asaj filloi t’i kanosej rreziku nga Italia fashiste dhe në vend se të angazhohet për mbrojtjen e saj ai u angazhua për plaçkitjen e pasurisë së saj dhe shpenzimit të saj duke gjezdisur anekënd vendeve të botës në përpjekje për të gjetur mbështetje për t’u kthyer dhe sunduar në Shqipërinë e çliruar nga atdhetar të përkushtuar, për të cilët kryeministri, Sali Berisha fletë me mëri.
Çdokush që e ka dëgjuar fjalimin e kryetares, Atifete Jahjaga, dhe që ka njohuri nga historia sa një nxënës i shkollës fillore, natyrisht se ka pyetur veten se a ka ndonjë informatë kryetarja jonë për jetën dhe veprën heroike të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Azem Bejtës, Fan Nolit e shumë liridashësve të dëshmuar të Shqipërisë e kombit shqiptar, të vrarë e të dënuar me vdekje nga Ahmet Zogu?! Por jo vetëm kaq. Sipas kritereve, moralit dhe njohurive të kryetares Atifete Jahjaga dhe suitës së këshilltarëve e këshilltareve të saj, Ahmet Zogu paska ndikuar në mëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë! A thua ka lexuar ajo ndonjëherë ndonjë rresht të prozës apo poezisë së Migjenit i cili me letërsinë realiste ka pasqyruar më së mirë gjendjen ekonomike të Shqipërisë së sunduar nga Ahmet Zogu? Do përkujtuar se pas leximit të veprës së Migjenit, studiuesi rumun, Nikollaj Moraru shkruan: Qava kur e lexova Migjenin. Nuk më vije turp të them se qava por më vije turp nga vetja ime sepse vetëm në moshën time 40 vjeçare arrita ta njohë këtë shkrimtar të madh të viteve të ’30! Atij i vije turp të tregoj që nuk arriti ta njohë Migjenin para moshës 40 vjeçare ndërsa te ne ka ‘intelektual’ që edhe po të iu jep Zoti 400 vite jetë, ata nuk do ta lexojnë asnjë rresht të këtij poeti që të bënë të ndjehesh krenar që je bashkëkombës i tij dhe ta duash njeriun dhe njerëzoren. Po ta kishte lexuar kryetarja Atifete Jahjaga ndonjë rresht të tij, vështirë se do të bënte ato vlerësime për Ahmet Zogun, i cili sipas njohurive saj dhe suitës që e rrethon na e paska bërë rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura