GJOKË DABAJ: DITA E FLAMURIT – DUHET TË BËHET FESTË FAMILJARE PËR SHQIPTARËT

Durrës, 14. 11. 2012 – (Ribotim – Ky shkrim për herë të parë është botuar më 21 nëntor 2011) – Po jua dërgojmë këtë shkrim disa ditë më parë, në mënyrë që problemi të mund të diskutohet me kohë dhe jo të lihet për ditën e fundit. Po e ngrejmë këtë problem 1 vit para 100-vjetorit, në mënyrë që deri vitin tjetër të kemi mundësi të përgatitemi jo me ngut e dosido, por ashtu si duhet dhe si i ka hije një jubileu kaq të rëndësishëm për ne.
Dita e Flamurit është festë e krejt kombit shqiptar. Ajo është festa më e rëndësishme e shqiptarëvet. Në atë ditë, në Ditën e Madhe të 28 Nëntorit, është promovuar në Vlorë, institucionalisht, shteti i pavarur i shqiptarëvet. Të mos ish një e atillë Ditë, në Vlorë a kudo tjetër, askush nuk mund ta përfytyrojë se në ç’gjendje do t’ish sot kombi ynë. Por gjithkush mund ta dijë që ne sot nuk do të kishim as edhe 1 shtet, le më 2, siç i kemi fatmirësisht në këtë fillim shekulli të ri. Kjo është lumturi e madhe. Sa e madhe është kjo lumturi, e dinë më së miri ata që nuk e kanë pasur fatin të përfshihen brenda këtyre 2 shteteve. Psh. ata të Tuzit, ata të Filatit, ata të Kumanovës, ose ata të Medvegjës. Kjo ditë është burim i madh frymëzimi. Prandaj dhe po themi që kjo festë duhet të festohet jo vetëm shtetërisht, në 2 qendrat e 2 shteteve tanë dhe në qytetet e tjerë, në bashki e në komuna, por edhe nëpër familje.

Flamuri Kombëtar i Aladro Kastriotit, i njohur dhe qarkulluar në trojet shqiptare 

nga viti 1906, një kopje të të cilit e kishte Eqerem bej Vlora.
…………………………………………………

Çdo familje shqiptare duhet ta ndiejë veten krenare që i përket një kombi kaq të moçëm, rrëzikuar kaq herë për zhdukje, por që, falë evenimentevet të tillë si ai i 28 Nëntorit 1912, ka arritur të mbijetojë dhe të ketë shpresa për të përparuar edhe më shumë në kohët që vijnë. Çdo familje shqiptare duhet që në këtë datë ta nxjerrë një flamur të kombit tonë në ballkonin e shtëpisë së vet ose në ndonjë shtyllë përpara shtëpisë. Çdo familje shqiptarre duhet ta bëjë tashmë traditë që mëngjesin e kësaj Dite ta fillojë me qerasje e me urime: Gëzuar Ditën e Flamurit! Të gjithë shqiptarët duhet t’i çojnë a t’i bëjnë urime njëri-tjetrit me SMS, me mesazhe apo gojarisht, kur t’i takojnë në rrugë: Gëzuar Festa!.. Gëzuar e mot më mirë! Të gjithë të vishen diç më bukur, si për ditë feste, dhe të gjithë të përgatisin për drekë apo për darkë ndonjë ushqim më të dallueshëm se ditësh të tjera.
Nuk po duam të përdorim këtu ironira e sarkazma, ndonëse ka vend për mjaft të tilla. Po duam vetëm të tërheqim vëmendjen e bashkëkombësvet tanë kudo që ata ndodhen, brenda Atdheut dhe jashtë Atdheut. Vitin e Ri e festojnë shqiptarët me shpenzime dhe me bujë të madhe dhe bëjnë mirë që e festojnë. Por Viti i Ri është festë e të gjithë popujve. Dita e Flamurit është e veçantë për shqiptarët. Shqiptarët e festojnë edhe Ditën e Shën Valentinit. Shpenzojnë shumë. Dyqanet e suvenirëvet në atë ditë bëjnë xhiro të jashtzakonshme. Por Dita e Flamurit, për një shqiptar serioz, është pa dyshim më e rëndësishme se dita kur një individ mund të përkujtojë kontaktin e vet me një… partner. Një pjesë e shqiptarëvet i festojnë Krishtlindjet dhe Pashkët dhe bëjnë mirë që i festojnë. Por Krishtlindjet dhe Pashkët janë edhe të popujvet të tjerë dhe, veç kësaj, ato nuk festohen prej të gjithë shqiptarëve. Një pjesë tjetër e shqiptarëvet festojnë Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin dhe mirë bëjë që i festojnë. Por edhe Bajrami është festë e shumë popujve.

……………………………………

Dita e Flamurit është festë vetëm e jona dhe kjo ka shumë rëndësi, që njeriu i ynë ta ndiejë veten jo vetëm njësoj si të tjerët, por edhe të dallueshëm. Dita e Flamurit është një e atillë festë që i bashkon shqiptarët rrreth të njëjtit ideal, pa dallim religjioni, shteti a vendbanimi. Ajo duhet të jetë Ditë me një rëndësi të veçantë për të gjithë ne. Një pjesë e shqiptarëvet e feston edhe 29 Nëntorin. Por atë festë mund ta festojnë vetëm banorët e Republikës së Shqipërisë, madje as ata jo të gjithë. Shqiptarët që më 29 Nëntor 1944 janë ndodhur dhe ndodhen edhe sot jashtë Republikës së Shqipërisë, psh. në Ulqin, në Prishtinë, në Preshevë, në Shkup, në Prevezë dhe në shumicën e diasporës, nuk kanë arsye ta festojnë 29 Nëntorin. Shqiptarët po e festojnë, sidomos vitetet e fundit, edhe Ditën e Verës. Ajo është një festë, e cila, me mjaft ndryshime, na vjen prej paramonoteizmit. S’është keq ta kemi edhe atë festë. Por festa e festavet, festë mbi të gjitha festat, është dhe duhet të mbetet për të gjithë shqiptarët vetëm Dita e Flamurit.
Botojeni, Ju lutemi, këtë skrim dhe, mundësisht, le të bëhet kjo çështje objekt i diskutimevet dhe i propagandës në të gjitha mediat! Nuk besojmë të jetë me rëndësi kush bëhet nismëtar i këtij diskutimi. Me rëndësi është që shqiptarët duhet ta kuptojnë që e kanë një festë të vetën, TËRËSISHT TË VETËN, dhe që ajo festë meriton të festohet në secilën FAMILJE.
GJOKË DABAJ – DURRËS, 21 NËNTOR 2011

………………………………………….

Gjergj Fishta – 28 Nentor 1913 (Reshat Arbana)

………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura