FATOS ALIU: REAGIM, LIDHUR ME DISKUTIMET E DJESHME NË KUVEND PËR ENERGJITIKËN!

Prishtinë, 27 prill 2018: Në seancën e djeshme të Kuvendit, të 26 prillit, lidhur me gjendjen dhe çështjen enegjetike në vend, u fol shumë, por fare pak konkretisht, esencialisht e me kompetencë profesionale. Kryesisht ishte një debat fjalamanësh të zakonshëm, me shumë fajësime të ndërsjellë, por pa rezultat e pa efekt pozitiv, duke lënë shumë pyetje të hapura. Mes tjerash, më shumë u fajësuan më kompetentët, pa përjashtim, kryesisht ata që punojnë drejtëpërdrejtë në sektor, që kanë menaxhuar e menaxhojnë drejtëpërdrejt me sektorin e energjetikës, duke mos dalluar e theksuar periudhat e ndryshme të menaxhimit, që nga paslufta (pikërisht ata që do të duhej të ishin të ftuar në seancë) – përgjegjësit kompetentë të fushës së energjetikës, që nga paslufta e deri më sot. Në mungesë të kompetentëve të fushës, disa deputetëve (fatkeqësisht si Albin Kurti e Milaim Zeka, apo edhe dikush tjetër, sa kam arritur të përcjell seancën), ju dha mundësi të etiketojnë e përgjithësojnë të gjithë menaxherët e sektorit të energjetikës, gjithnjë në kontekst negativ, pa dallim e pa asnjë fjalë mirënjohëse për angazhimet e kontributin e punëtorëve dhe kuadrit drejtues, që nga paslufta, kur KEK-u, i sapo themeluar e i sapo ndarë nga Elektroprivreda e Serbisë (EPS), vuante tmerrin e një gjendje katastrofike, të trashëguar nga shkatërrimi mbi dhjetëveçar i sektorit në të gjitha aspektet.
Kurrë dhe asnjëherë, nuk u inicua apo organizua një debat serioz për zhvillimet që nga paslufta e deri më sot, as edhe pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës! Tani, me një vonesë 18 vjeçare, me pasoja të rënda për ekonominë e Kosovës, deputetë e qeveritarë sikur janë gjendur në befasi nga gjumi pothuaj dy dekadash!

Konsideroj të paktën si thuhet, më mirë vonë se kurrë, do të duhej të organizohej debat serioz gjithpërfshirës, për zhvillimet nga viti 1999 e deri më sot, me të gjithë akterët përgjegjës, e jo në mënyrë paragjykuese e të shkëputur periudhash.
Megjithëse si kryetar apo drejtues i parë i KEK-ut, në kohën më të vështirë 1999-2000, kur ky sektor i tjetërsuar nga regjimi i Millosheviqit, duhej ndarë nga dominimi i EPS – Serbisë, duke e ri-themeluar si Korporatë – KEK, nuk kam pasur asnjë interes a përfitim personal (përkundrazi vetëm sa kam humbur nga intrigat e qarqeve të UNMIK-ut dhe argatëve të tyre menaxherialë e politikë!). Vazhdimisht më pas kam qenë prezent në media të shkruara, për gjendjen e sektorit, për rëndësinë e hapjes së debatit, me sqarime e dërgesa drejtuar përfaqësuesve partiakë e institucionalë të kohës e mëpastaj. Asnjëherë nuk kam qëndruar duarkryq, si për çështjet e interesit nacional e shtetëror, edhe për sektorin e energjetikës të cilit i takoj edhe profesionalisht. Por, nuk e kam të njohur që ndonjëherë është bërë lëvizje pozitive institucionale për hapjen e debatit politik e profesional për zhvillimet dhe problemet ndër vite, jo vetëm menaxheriale por zhvillimore të sektorit, për tejkalimin e barrierave, të shkaktuara nga ndërhyrjet e shumëta nga të gjitha anët, fillimisht nga qarqet e UNMIK-ut, të angazhuar për kontroll me Sektorin, e nga klane e individë, elementë destruktivë brenda sektorit apo jashtë tij, për ta shndërrruar KEK-un në plaçkë tregu.
Fatos Aliu,
Kryetari i parë i KEK-ut, pasluftës 1999.
Prishtinë, 27.04.2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura