FATOS BAXHAKU: TIRANA E VITEVE TË PAVARËSISË, NË KUJTIMET E PATRIOTIT IBRAHIM DALLIU

(Tiranë, 27. 09. 2012) – Ka qenë një mendim i përhapur deri vonë, madje deri në ditët tona se tiranasit e vjetër, njerëzit që jetuan në qytetin e lashtë ende pa u bërë kryeqytet, nuk kanë qenë ndër njerëzit aktivë në betejën e ashpër për shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë. Një lloj mallkimi dashakeqës, i frymëzuar nga padija, nga ndasitë fetare e krahinore, i pat rreshtuar “tironsit” në anën tjetër të barrikadës, në atë që është përfaqësuar jetë e mot nga Haxhi Qamili famëkeq, nga njeriu që udhëhoqi turmat injorante e plaçkitëse nën parullën ogurzezë “Dum babën, dum babën”, porse dëshmi jo edhe aq të njohura thonë të kundërtën. Pjesa më e zhvilluar e “tironsve” jo vetëm që ka qenë në krah të përpjekjeve patriotike, por edhe është persekutuar me të gjitha mjetet nga regjimi i kohës. Një dëshmi e tillë është broshura e vogël “Patriotizmi në Tiranë” e botuar, fillimisht në 1930 dhe e ribotuar, nën kujdesin e Shoqatës “Tirana” në 1995. Autori i saj është Hafiz Ibrahim Dalliu, “tirons” i vjetër, një ndër të paktët hoxhë patriot i kohës.
Hoxha poet e patriot
Ibrahim Dalliu leu në Tiranë, në vitin e largët 1878. U shkollua ndër shkolla fetare në Turqi dhe punoi më së shumti si hoxhë, sikurse quheshin asokohe si hafiz. Ishte ithtar i vendosur i gjuhës shqipe. Që në 1901 jepte mësim në gjuhën shqipe. Më vonë, ishte mësuesi i nxënëseve të para të Tiranës. Shumë prej këtyre nxënëseve u bënë mësueset e para në Tiranë. Në kohën e “Hyrijetit”, në 1908, ishte anëtar i organizatës “Bashkimi”. Ishte pjesëmarrës i Kongresit Arsimor të Elbasanit dhe, për pak kohë, edhe mësues në Normale. U dënua me burgim të përjetshëm, e më vonë me dhjetë vjet burg, në kohën e ekspeditës ndëshkimore ogurzezë të Shefqet Turgut Pashës. Doli nga burgu vetëm me ndërhyrjen energjike të Hasan Prishtinës, asokohe deputet në Parlamentin turk. Pas kësaj mori pjesë me armë në dorë në çetën patriotike të Krujës. Pas Luftës së Dytë Botërore u dënua me burgim. Mbylli sytë në Tiranë në 1951. Ishte 73 vjeç. Në një nga poezitë që ka lënë pas, pak para se të vdiste, ka shkrojtur: Po kërkove bukën, të japin urinë/ Po kërkove jetën, të japin patërdinë/ Po kërkove gjumin, të japin llaftarinë/ Po kërkove nderin, të japin poshtërsinë/ Po kërkove shokun të japin pabesinë/ Po kërkove besën, të japin tradhëtinë/ Po kërkove mëshirën, të japin gjakësinë/ Po kërkove njeriun, të japin kafshërinë/ Po të jesh shenjtor, të bashkojnë me qenërinë/ Po kërkove dritën, të japin errësirën…

Hafiz Ibrahim Dalliu (1878 – 1951)

……………………………………..

Tirana e 15 mijë banorëve
Libri i Hafiz Ibrahimit hapet me një paraqitje të shkurtër të Tiranës. Shikojeni se si ishte ajo në pragun e Pavarësisë: “Sikurse dihet, Tirana e athershme ka qenë një nënprefekturë e lidhme me prefekturën e Durrsit dhe me vilajetin e Shkodrës. Kishte pesëmëdhjetë mijë frymë dhe njëqind e tre katunde e me njëzet e sa mijë frymë. Përpos njëqind e sa shtëpive ortodokse, të isntalueme brenda në qytet, dhe pesë a gjashtë shtëpish katolikësh, populli ishte krejt mysliman shqiptar, ehli synet. Ka pasë këtu dymbëdhjetë teqe kaderish e halvetish, dhe nja tri a katër shtëpi bektashish, por këta s’kishin ndonjë randësi, sepse populli ishte krejt i lidhun me medrese, ku mësonin tre myderrriza. Në Tiranë ka pasë të mëdha e të vogla nandëmbëdhjetë faltore (xhamija) e tri kisha. Tiranasit kanë qenë gjithnji të bindshëm ndaj qeverisë tyrke, jepshnin rregullisht ushtarë, vergji, xhelep, taksë rruge e të tjera; kurse Shkodra, Mati, Dibra, ishin të përjashtuem nga pagesat e sipërtregueme dhe nga asqerllëku. Tirana ka qenë qendra e nji batalioni ushtarak dhe e oficerit të një divizioni të redifijes. Qeveria e Hamidit, me gjithë që kishte një influencë, asnjëherë nuk ka mundë me formue këtu një qetësi të plotë, sepse populli ishte i armatosun dhe se vrasësit e grabitësit, o ikshin në Mirditë e në Mat, ose përkraheshin prej bejlerësh e disa shtëpive të para. Në qarkun e Tiranës, vit për vit, vriteshin njëqind deri njëqind e njëzet shpirt, por vrasësit rrallë u shtishin në dorë. Vjedhja, grabitja, martesë gocash përdhunisht vazhdonte, por guximtarët e atyne punëve, me përjashtim të ndonjanit, që s’ishte as i beut e as i agait, nuk u burgosshin dhe nuk shifshin ndonji dënim. Shtëpitë e bejlerëve, përpos shtëpisë së Abdi beut e të Refik beut, ishin të tana qurna kaçakësh e katilash. Çdo be mbante mbas vetes një tufë njerëz të armatosun e ashtu kishin një influencë të madhe në popull. Gjithashtu kishin influencë të madhe edhe katër a pesë shtëpi agallarësh… Mbi popull rëndonin ma tepër asqerllëku dhe të dhjetat… Asqerllëku ishte gjashtë vjet, por nganjiherë qëllonte luftë e rrinin deri në tetëmbëdhjetë vjet pa ardhë në shtëpi të vet. Shpesh shkonin redifë në Jemen me mija njerzish e ktheheshin me qindra; të tjerët o ishin vra, o kishin vdekë. Prandaj, për të shpëtue prej shërbimit ushtarak banin çmos… Jepnin rryshfet, martoheshin me jetime, vazhdonin në medrese si talebe (nxënës) disa vjet me radhë, e prej kësaj myderrizat kishin nji influencë në popull, për shkak se shpëtimi nga detyra ushtarake varej nga vërtetimi i myderrizit…”.

Tirana e vjetër.

……………………………..

Hafizi na jep një shpjegim shumë interesant në lidhje me ndarjen e popullsisë në fillim të shekullit XX. Sipas tij një pjesë e “tironsve” ishin mbështetës të thekur të Sulltan Abdyl Hamitit. Një grup i dytë, fort i madh, ishin krejt indiferentë. Vetëm “një pakicë ishtë që donin ndryshimin e formës së qeverisë dhe mundoheshin me përhapë idenë kombëtare, të cilët quheshin shqiptarë”. Këta, “shqiptarët”, shumë shpejt do ta shihnin veten pisk. Hoxhallarët anadollakë e patën të lehtë të përhapin fjalë se ata ishin “të shitur te nemcja”. Një nga të parët ishte vetë Hafiz Ibrahimi, i cili kishte dhënë mësim në gjuhën shqipe në një shkollë të financuar nga Austro-Hungaria. Patriotët me mbiemra të njohur, Toptani, Ndroqi, Kukaleshi, Dalliu, Mehmeti, Dalliu, Qosja, Llagami, Beshiri, Karapici, Hidi, Elezi, Fortuzi, Këlliçi, Petrela, Arbana, Stërmasi, Maçi, Luga, Qorraliu, Kondi, Jasa, Bakiu, Tafaj, Hallulli, Harasani, Dauti, Myderrizi, Duka, Skënderi, Vathi, Bogdani, Sauku, Bali, Jahja, Kruja, Kolli, Disha, Çali, Kafexhiu, Pazari, Zela, Vogli, Skapati, Huta, Mema, Bodinaku, Xhepa, Kasa, Çela e plot të tjerë vunë jetët e tyre seriozisht në rrezik përballë mërisë së injorancës. Kjo gjendje vazhdoi deri kur në verën e 1910 mbërriti në Tiranë ekspedita ndëshkimore e Shefet Turgut Pashës. Ushtria osmane u vendos atje ku sot është ish-Kombinati “Misto Mame”. Për herë të parë në historinë e Tiranës u vendos shtetrrethimi. Vetë Hafiz Ibrahimi u arrestua bashkë me “shqiptarë” të tjerë. “Trishtimin dhe idhnimin që hoqën ato ditë shtëpitë e shqiptarëve – shkruan ai – s’ka penë në botë që ta përshkruajë, sepse nuk ishte pa e dëgjue kurrë ajo farë barbarizme…”.
Pavarësia në Tiranë
“Aventura” patriotike e Hafiz Ibrahimit vazhdon gjatë, nga burgjet osmane e deri në Selanik e Elbasan, ku rikthehet sapo rihapet Normalja, pastaj në Tiranë. Ndërsa Ismail Qemali udhëtonte drejt Vlorës, ndërsa trupat serbe i ishin afruar Krujës, ja se çfarë ndodhte në Tiranë, në kryeqytetin e ardhshëm: “… Më 26 të Nandorit, duel tellali në mëngjes e u mblodh populli në fushë të nënprefekturës ku zoti Refik Toptani mbajti këtë fjalim të mallëngjyeshëm: O vllazën! Me hidhërim të madh po ju them se e pru puna me u nda prej vllazënve tanë tyrq dhe me zbritë bajrakun e atyne që ka value ktu me qindra vjetsh edhe me e ngref qeverinë kombëtare e me ngrejtë flamurin e Shqipnisë. Dhantë Zoti e u puqshim kështu si sot, gojë ndër gojë, që ashtu të mundemi me e ruejtë atdheun tonë nga të shkelunit e anmikut. Rroftë Shqipnia në vete, rroftë vllaznimi, rroftë flamuri kombëtar! Shqiptarët e duartrokitën me lot gëzimi dhe halldupët, me vaj në buzë, gërthitën: Rroftë!”. Vetë Hafizi në fund të faqes ka sqaruar: Refiku ishte i shtrënguem me e fillue fjalën në atë mënyrë për shkak që të mos dilte aty ndonjë konflikt me halldupët… “Shqiptarët”, më në fund, kishin korrur një fitore të madhe, porse ajo ishte vetëm e para. Serbët shumë shpejt hynë në Tiranë dhe Pavarësia e humbi thuajse krejt kuptimin. Pas kësaj vijuan ngjarjet me Princ Vidin, Esat Pashën, Haxhi Qamilin dhe të tjerët dhe “shqiptarët” u strukën sërish. Por kjo është një histori tjetër. Flamuri me dy krerë, më në fund ishte valëvitur në Tiranë.

………………………………………

Dasma Shqiptare (Tirana e vjetër)

——————————————————

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

E PAMPOSHTURA

E PAMPOSHTURA Nga Margarita Syziu, Pashtriku 08 Tetor 2022 Për veprimtaren e shquar në çështjen e lirisë së…