DR.MOIKOM ZEQO: POETI NOBELIST ITALIAN SALVATORE QUASIMODO NË FOTOGRAFI ME POETIN SHQIPTAR DINO KALENJA, HERO I POPULLIT

Tiranë, 20. 02. 2014 – Në vitet 80’të të shekullit të kaluar përkëtheva dhe botova në revistën letrare “Nëntori“ një cikël kryesor nga krijimtaria poetike e Salvatore Quasimodos. Prej vitesh imagjinata ime ishte e magnetizuar nga mjeshtëria e pazakontë dhe e kërthnesët e Quasimodo-s. Ai ka shkruar me një delikatesë meditative dhe persiatje të holla si askush në poezinë moderne italiane. Salvatore Quasimodo ka lindur në 20 gusht 1901 në Modica në Sicili, Mësimet fillestare i bëri në Gela – e famshme dhe tronditëse është poezia e tij për Gelan ku thuhet se ka vdekur vetë Eskili – ky imazh e ka ndjekur Quasimodo-n tërë jetën si ato Erenitë e mitologjisë antike. Në 1916 nis studimet në Institutin “Të Teknikës, Matematikë dhe Fizikës“ në Palermo, pastaj vazhdon në Institutin “A.M.Jaci“ ku diplomohet si gjeometër – punë që e bëri për ca kohë. Më pas me ftesë të Elio Vittorinit shkon në Romë ku njihet edhe me Eugenio Montale-n. Njihet me monsinjor Mariano Rampolla del Tindario prej të cilit mëson greqishten e vjetër dhe latinishten, Vitet 1930-1940 konsiderohen si etapa hermetike e poezisë së tij. Mbas 1940-tës etapa e poezisë së angazhuar – cilësim ky – për mendimin tim – tejet konvencional. U quajt kështu për shkak të antifashizmit të tij të spikatur dhe të paepur.
Në 1941 nominohet si professor i letërsisë pranë Konsevatorit muzikor “Giuseppe Verdi“ deri në 1968 kur vdiq. Është varrosur në Cimiterio Monumentale në Milano. Në 1959 ju dha Cmimi Nobël për letërsi.
Fama e tij u bë ndërkaq e përbotshme. Të papërsëritshme janë përkthimet e tij nga poetët antkë grekë por edhe romakë – këto përkthime mua më palqejnë edhe më skajshëm dhe më intimisht. Quasimodo institutocionalizoi një shkollë të tërë poetike me rrezatim në Itali dhe në Europë.
Mund të them se njohja e poezisë së Quasimodo-s në rininë time ka ndikuar – kur u kritikova për hermetizëm në poezinë time në 1974 e kam menduar më me vetëdije të thukët pse më ka pëlqyer – dhe më pëlqen akoma dhe tani – ky poet i çuditshëm.

Salvatore Quasimodo-s me Dino Kalenjën, në një Kartolinë,

që poeti italina ia kishte dërguar Dino’s.

*   *   *

Çfarë lidhje të padukshme janë ende të pashkëputura?
Kur miku im nga Fieri Zenel Duraj gjatë një bisede të rastësishme më tha se kishte disa dokumenta që lidheshin me Dino Kalenjën, Hero i Popullit, vrarë në mars 1944 në përpjekje me nazistët, mes të cilave ishte dhe një kartolinë që vetë Salvatore Quasimodo ja kish dërguar Dinos u shtanga dhe u dëlirësova si nga një vizion i papritur por gjithësesi i pabesueshem. Një lloj kumti si nga Mbretëria e së Panjohurës! I pashë dokumentat. Dhe po i bëj publike për të gjithë për herë të parë.
Kartolina me foton e Salvatore Quasimodo-s me Dino Kalenjën i paraqet ata si dy miq shumë të afërt, të ngushtë, të njohur prej kohësh, me respekt ndaj njëri-tjetrit në një park, pranë një skulpture. Nga pas kartolina ka të stampuar adresën e studios, firmës foografike “DE ZARDO-BUCC. FRESCURA-OTTIKA-FOTO- TREVISO“. Ajo më e rëndësishmja është autografi me shkrim dore i vetë poetit të madh italian “Salvatore Quasimodo- Dino Bektashit, 29-9-1940-XIX“
Është Quasimodo që ja ka dërguar Dinos i cili mbante si mbiemër edhe Bektashi, (atë të babait). Kjo do të thotë se midis Quasimodo’s dhe Dinos ka patur komunikim dhe letërkëmbim postar edhe më parë – nuk ka se si të jetë ndryshe dhe e rastësishme. Ata janë njohur bashkë në Itali, ku Dino ka studiuar në akademi ushtarake – janë takuar në qytetin Treviso pranë Venedikut – ku është realizuar mrekullia e fiksimit të çastit në fotografinë e paharrueshme, gati si një farë monumeti memorial për të dy, por sidomos për Dinon, shqiptarin. Dino është shqiptari i vetëm në botë që ka fotografi me nobelistin Quasimodo – kjo tingëllon si “Radecky marsh” i Shtrausit në finale.
Po çfarë e ka lidhur Dinon me Quasimodon?
Ka vetëm një përgjigje mbushamendëse: Poezia.
Dino ishte një poet shumë i talentuar, – kjo duket qartë kur lexon një përmbledhje të tij – shumë të mangët – por gjithësesi përndritëse të poezive të pabotuara. Dino ka një stil të kultivuar, një estetikë figurative të veçantë. Ka mjeshtëri të hollë. Poezitë e tij janë lirike, afrohen me ato të Lasgushit, – ja disa vargje:
“vyshken zemrat, mdryshken lulekuqet“,
“çahet krahërori si shegë e kuqe“,
“Malli thonjtë ngul mbi dallgë“,
”Sot të pres tek guva e Hënës/
se të nesërmes s’i dihet“,
”Pikë e lotit lot me zjarre”,
“vështrimet ndër sy ciflosen“,
“Si dy zogj në pafajësi ulur rrimë në korije/
në xhepin e shpirtit tënd bluhen afshe dashurie“,
“Eh, në sytë e lagur/
e mësuam notin“.

Dino Kalenja si udhëheqës i lartë ushtarak i batalionit partizan të Mallakastrës “Ismail Klosi“ bashkë me Mustafa Matohitin – edhe ky Hero i Popullit – u vranë në një ditë – është i njohur për heroizmin epik – e pra delikatesa lirike e vargjeve kërkon të tregojë diçka më përtej, më shumë, më universalisht.
Ai u kthye në Shqipëri mbas pushtimit nga Italia fashiste musoliniane, u lidh që herët me lëvizjen komuniste dhe qe figurë kryesore e saj në rezistencën e armatosur.
Nga koha e studimeve ushtarake në Itali kanë mbetur disa fotografi të Dinos me uniforme – ta pabotura kurrë më parë.

Loletta – e dashura e Dino Kalenjës.

– Dino Kalenja me Lolettën –

Po mbi të gjitha është edhe fotografia e vajzës italiane Loletta, që ai e deshi pakufishëm, që i kushtoi edhe disa nga poezitë më të frymëzuara. Një fotografi e dytë i tregon edhe bashkë. Njëra ka edhe mbishkrimin në italisht “A Dinucio Roma” dhe “Come pegno d ‘amore – LOLETTA”. E dashura e thërriste duke e italianizuar emrin e Dinos ne Dinucio.
Dino u vra në Shqipëri.
Ku vdiq Loletta?
Kush mund ta rindërtojë sekretin e kësaj dashurie vallë?
***
Fotografitë janë metafora të rënda, sfiksore dhe memece. Heshtja është e pazhbërëshme më – në jetë të jetëve. Për Dinon janë bërë monumete dhe skultura bronxi. Por vargjet janë më të forta dhe kumbuese se sa bronxi.
Ai kishte mik një Italian antifashist, partizan në batalionin partizan – quhej Borgomazh. Kur u vra Dinoja i kushtoi një poezi:
Të mori plumbi në Qafë të Kiçokut.
Tani tek koka, atje majë malit
Nuk ke asnjë emër, por veç një pejsazh
Dhe pllakën e Hënës – ku është gdhëndur
“Borgomazh“!

Metafora e mësipërme flet për një prirje moderne poetike të Dinos.
Dhe ja një tjetër poezi e mrekullueshme: “Pushka“:
Harruam një çast të dashurojmë –
Lulet vyshken ende pa çelur.
Pushka na u bë dorë
Për t’i përkëdhelur!

***
Një tjetër pyetje torturuese më mundon.
A ka shkruar poezi në italisht Dinoja?
Ka mundësi, përderisa kishte miqësi me kryepoetin Quasimodo.
A ka botuar ndonjë nga këto poezi në revistat e kohës. Nuk e dimë. Ndoshta nuk do ta dimë kurrë.
Por nuk harrojmë dot çastin e fiksuar (pa kufij në kohë dhe në hapësirë) të Dinos martir me poetin antifashist italian Salvatore Quasimodo.
Poezia e plotëpushtetshme, ndritëse, mbijetuese është midis tyre si ajri, vdekja dhe amëshimi i pakapërcyeshëm dot.
Amen!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

100 VJET …

100 VJET … 100-Vjet të ekzistimit dhe veprimtarisë së Klubit Futbollistik Prishtina së shpejti do t’i gjejmë të…