FERIZ GURI – KOMANDANT SHPATA, URAGANI I UÇK’së

Pashtriku.org, 29. 04. 2015 – Më 22 prill 2015, në 16 vjetorin e rënies së dëshmorit, Feriz Gurit, i njohur si komandat “Shpata” nga fshati Nikaj i Kaçanikut, në Shkup u promovua libri “Feriz Guri, uragani i UÇK-së” i autorit, Nusret Pllana. Për të përkujtuar figurën dhe veprimtarinë e tij kombëtare, në tubim morën pjesë shumë personalitete të skenës politike nga Kosova dhe nga Maqedonia. Me këtë rast u lexuan dy kumtesa nga: Dr.sc. Fati Iseni dhe Dr. Sevdail Demiri.
***
ING.FERIZ GURI – KOMANDANT SHPATA, SHEMBULL I RRALLË I PATRIOTIZMIT DHE ATDHEDASHURISË

Është nder dhe privilegj i veçantë që sot në Shkupin e vjetër Dardan ku dikur ndalohej fjala shqipe dhe gjithçka shqiptare, të promovojmë një Monografi me aq vlerë kombëtare për dëshmorin, Feriz Guri, i cili ra heroikisht, që fjala shqipe sot në këtë pjesë të kombit të flitet lirshëm dhe gjithçka të frymoj shqip. Përpara nesh të dashur bashkëkombas kemi një libër që padiskutim ka vlerë te veçantë si në aspektin shkencor, publicistik dhe përmbajtësor, për të cilat cilësi nuk dyshojmë kur e kemi para sysh se të njëjtat rreshta i hodhi në letër pena e profesor Pllanës, i cili do të depërtoj sot me këtë monografi edhe në çdo familje shqiptare, ashtu siç depërtoi dikur me zërin e tij nga valët e Radio ”Kosova e Lirë”, të cilën ngjarje asnjëherë nuk do ta harrojmë. Mjeshtëria e autorit qëndron në atë se ka arritur nëpërmjet monografisë së dëshmorit Feriz Guri të bëjë një retrospektivë kronologjike dhe analitike të historisë më të re të shqiptarëve, duke filluar nga fillimi i shek XX deri te lufta çlirimtare, nëpërmjet të cilës ka arritur që të lidh momentet më krenare të historisë së lavdishme kombëtare, duke çmuar lart luftën për liri që bënë shqiptarët nëpër të gjithë etapat e kohës, rezistencën, gjakun, mundin dhe sakrificën në tërësi për të sjellë fitoren përfundimtare kundër armiqëve të caktuar. Nuk do mend se autori është njohës i mirë i rrethanave dhe proceseve politike dhe ushtarake në dekadën e fundit të të gjitha ngjarjeve në Kosovë dhe si i tillë është një ndër kompetentët e paktë që me përgjegjësi shkruan çdo fjalë, dhe pa diskutim është i mbështetur në çdo aspekt që të jetë shkrim i palëkundur ndër shekuj. Këtë e bën të qëndrueshëm fakti se autori Z. Pllana ishte pjesë e lëvizjeve dhe proceseve që zhvilloheshin në hapësirat shqiptare në rrafshin e luftës për liri. Formësimi intelektual e bënë edhe më të fortë që nëpërmjet penës së tij t’u bëjë ballë të gjitha sfidave shkencore dhe publicistike që tani kanë marrë përmasa të mëdha dhe është vështirë që të gjesh një artikull të shkruar bukur, mirë në drejtshkrim, me strukturë të mirë, shkencore etj., pasi pseudo shkencëtarët dhe shumë pseudë të tjerë synojnë të pushtojnë hapësirën dhe si të tillë na nxjerrin në dritë shkrime që janë jo vetëm të pavlerë por edhe janë ofendime për lexuesin që i marrin kohën gjatë leximit. Në rastin konkret dëshmori Feriz Guri dhe familja e tij duhet të ndihen të sigurtë dhe të qetë se, monografia e dëshmorit është ndër më të mirat që ne kemi në duart tona, dhe sigurisht që më së miri e përshkruan situatën dhe ecurinë e ngjarjeve që i kanë paraprirë luftës çlirimtare, jetës dhe veprës së Ferizit, shkollimit të tij, luftës që ai bëri, që ne sot të jemi të lirë, rënies heroike dhe amanetit të pashkruar që ai la. Duke mos dashur që të përsëritem me autorin në atë që ai ka shkruar dhe pasqyruar për jetën dhe luftën e Ferizit, meqë më së miri autori e ka thurrur tekstin dhe sigurisht që vetëm mund të zbeh dhe ulë vlerën nëse interpretojmë tani atë që autori me mendje dhe zemër e ka shkruar për dëshmorin. Por, përshtypja e veçantë që duhet të theksojmë është ajo që e bën më të veçantë Ferizin, respektivisht niveli arsimor i tij dhe guximi që ai mori të sakrifikoj jetën për një Kosovë të lirë. Si zakonisht, ne jemi mësuar që të shohim rreziqet të merren nga njerëz jo të pasur dhe jointelektualë, duke menduar se ata s’kanë çfarë të humbin, por Ing.Feriz Guri e dëshmoi të kundërtën, se pikërisht intelektualët janë ata që duhet të jenë në vijë të parë dhe se ata duhet të jenë lokomotiva e lëvizjeve qoftë politike dhe ushtarake. Përgëzojmë autorin dhe të gjithë ata që e mbështetën atë dhe familjen e dëshmorit, që të hartojnë një monografi të këtij karakteri, meqë ndjejmë obligim moral dhe kombëtar për të përcjellur te brezat e ardhshëm vuajtjet, sakrificën, gjakun dhe amanetin e të parëve tanë të cilët ranë në altarin e lirisë, që ne sot të shijojmë lirinë. Poashtu, monografitë dhe studimet e ngjashme janë në interes të përgjithshëm, jo vetëm për të kujtuar të kaluarën dhe gjendjen e rëndë që kishin shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe në tërësi, por njëherit edhe për të pasur mundësi që të bëhet një krahasim me gjendjen e tanishme në këto hapësira. Gjeneratat e reja sigurisht që nuk pajtohen më të arriturat që tani ne i shijojmë, meqë sipas tyre, kjo që po prekim ne tani nuk është amaneti i Ferizit dhe të tjerëve që u flijuan për komb, por ne duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se progresi është evident dhe nuk mund të mohohen të arriturat që shënoi lëvizja e armatosur qoftë në Kosovë apo Maqedoni.

– Dr.sc. Fati Iseni – 

Sot, Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran, i pranuar ndërkombëtarisht nga fuqitë kryesore të botës dhe me të gjitha pengesat që i dalin asaj në shtet-ndërtim, sërish ajo shënon zhvillim të konsiderueshëm në do sferë, mbi të gjitha duke u bazuar në principe demokratike, nga organizimi i zgjedhjeve të lira deri te qeverisja demokratike që e kishte ëndërruar heroi ynë Feriz Guri, dëshmorët dhe invalidët tjerë, si dhe gjithë popullata. Pa dyshim që gjithë këtë ndryshim e kishin bartur mbi supe një përqindje e vogël e popullatës sonë, që ne i quajmë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asaj të UÇPMB-së, dhe asaj kombëtare. Bashkëluftëtarët e Ferizit ishin rreth 15.000, të cilët dhanë betimin dhe rrokën armët që ta dëbojnë përfundimisht okupatorin serb nga Kosova, që ishte instaluar nga fundi i vitit 1912, ashtu siç e përshkruan autori i librit prof. Pllana. Në përqindje këta djem të Kosovës në raport me popullatën ishin vetëm rreth 1.5 %, të cilët morën një barrë të jashtëzakonshme dhe përgjegjësi historike për të bindur në radhë të parë politikën vendore dhe më pas edhe atë ndërkombëtare, se lufta e tyre ishte e domosdoshme dhe e drejtë, meqë ishin harxhuar të gjitha mundësitë paqësore dhe se komunikimi i vetëm me armikun për Feriz Gurin dhe bashkëluftëtarët e tjerë ishte vetëm nëpërmjet tytës së pushkës. Nga vrasja e mësuesit Gecaj dhe dalja e UÇK-së në skenë publikisht gjatë ceremonisë së varrimit të tij me 28 nëntor 1997, deri te rezistenca e fuqishme dhe e pashembullt e Jasharajve në Drenicën heroike, më 5, 6, dhe 7 mars 1998, një pjesë e konsiderueshme e elitës politike në rrafsh kombëtar ishin skeptik dhe nuk bindeshin se këta djem trima e kanë vendosur që ta ndjekin çdo ushtar serb, në çdo pëllëmbë të Kosovës deri në çlirimin përfundimtar. Jo vetëm që Ferizi dhe shokët e tij siç na rrëfen prof. Pllana, u rreshtuan nën emblemën e UÇK-së, por edhe arritën të mobilizojnë dhe të krijojnë simpatinë e të gjithë shqiptarëve, dhe vetëm gjatë verës 1998 UÇK kishte nën kontrollë 1/3 e territorit të Kosovës. Nuk kishte krenari më të madhe që të dëgjosh se pushka e Ferizit dhe zëri i veçantë i gazetarit të Kosovës së Lirë- Nusret Pllanës, të jehonte gjithë andej ku kishte vendbanime shqiptare dhe sa më shumë që Serbia shtonte zullumin aq më shumë përhapej flaka e luftës për liri. Burrëria, guximi, vendosmëria e Ferizit dhe shokëve të tij nëpër istikamet e përgjakura detyruan faktorin ndërkombëtar që për herë të parë në histori të unifikohet dhe alenca politiko-ushtarake NATO, të ndërmerr sulme ushtarake ndaj Serbisë, për të ndihmuar luftën tonë të drejtë, deri në fitore përfundimtare. Të nderuar pjesëmarrës, ne sot së bashku në këtë prezencë kemi rastin që të respektojmë në radhë të parë sakrificën e jashtëzakonshme të dëshmorit Feriz Guri dhe të familjes së tij që dhanë kontributin maksimal për luftën çlirimtare, dhe dhanë më të shtrenjtin, djalin e tyre për Kosovën e Lirë, por nuk duhet të lëmë pa falënderuar edhe kontributin e prof. Nusret Pllanës, i cili sikurse në luftë, edhe tani, vazhdon që të jep kontributin e tij maksimal duke ndriçuar mjaft momente të rëndësishme të hisorisë sonë të lavdishme, e cila pa dyshim do të ndikoj fuqishëm te gjeneratat e reja, të cilat në libraritë e tyre do të kenë një literaturë që do të mbajë gjallë ndjenjën e patriotizmit, atdhedashurisë dhe respektin për ata që sakrifikuan për të sjellur lirinë. E dashur familja Guri, qëndroni gjithmonë krenar për dhuratën më të madhe që i dhatë kombit, djalin tuaj. Ky akt është njëherit edhe privilegj, meqë shumë prindër dhe familje do të kishin dëshirë të quheshin “familje dëshmori”, por Zoti ka dashur që këtë mundësi t’ua jep juve, që të ndjeheni krenarë në këtë botë, por edhe të privilegjuar edhe në botën tjetër, meqë atje ai do të ju pret dhe do të jeni nën mbrojtjen e tij. Ndërsa autorit të librit, përveç përgëzimit dhe mbështetjes morale që ne ia japim, i dëshirojmë shëndet dhe sigurisht e inkurajojmë që të vazhdoj të na pasuroj libraritë tona me publikime të pafundme.
Me respekt,

Dr.sc. Fati Iseni, Shkup, 22. 04. 2015

***
SAKRIFICA SUBLIME E ING.FERIZ GURIT – AKT HEROIK I LUFTËTARIT TE LIRISË

Përjetësimi i dëshmorëve të kombit në libra, dokumentarë, këngë, e kujtesë historike, është vetëm një pjesë e vogël e atij obligimi të madh që kemi të gjithë ne të gjallët e vdekur të kësaj bote. Përmasa e pamatshme e gjakut të dëshmorëve, tejkalon të gjithë kufijtë e mundshëm të paramenduar të orientimit njerëzor në kohë e hapësirë. Sakrifica sublime e tyre është obligim i përjetshëm për çdo lëvizje të qelizës sonë fizike deri në amshim, dhe si e tillë meriton respekt dhe mirënjohje të thellë nga të gjithë ne dhe gjeneratat që vijnë pas nesh.
Një mirënjohje e tillë për një dëshmor të atdheut, është edhe libri monografik “Uragani i UÇK-së, Feriz Guri”, i autorit të nderuar, Nusret Pllana.
Ky libër, i punuar me një përkushtim të madh profesional e kombëtar, nxjerr në pah portretin shumëdimensional të ushtarit të lirisë së Kosovës – dëshmorit të kombit Feriz Guri, i njohur në luftë si Komandant Shpata.
Libri në fjalë ka një narracion të shkëlqyeshëm të subjektit monografik, një thurrje pasionante të figurave ideo-artistike, dhe një gërshetim tejet profesional të rrethanave historike me jetën reale të personazhit kryesor.
Rrëfimi për jetën dhe veprën e heroit, shkon në sinkroni me ngjarjet e mëdha historike nëpër të cilat kishte kaluar kombi ynë, e përmes të cilave, heroi ndërton identitetin e vet personal, veshur me petkun e bukur kombëtar.

– Dr.Sevdail Demiri –

Që nga çasti kur kishte dhënë betimin para flamurit kuq e zi, se do të luftojë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, ai nuk kishte ndaluar për asnjë çast së vepruari konform atij betimi. Me atë betim ai kalon kufirin e pandershëm administrativ shqiptaro-shqipar, me atë betim merr pjesë nëpër betejat e përgjakshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Jezerc e Kaçanik, me atë betim bie dëshmor për të fituar përjetësinë.
Libri monografik “Uragani i UÇK-së, Feriz Guri”, i autorit Nusret Pllana, duket sikur të jetë shkruar me një frymë, dhe me një frymë edhe duhet të lexohet, i pafragmentarizuar, për të kuptuar në përmasa reale, kontributin, mundin, djersën dhe gjakun e dëshmorit.
Subjekti kryesor i veprës duket të jetë më tepër i nivelit letrar-artistik, dhe një ndërthurrje mes ngjarjeve reale dhe zhvillimeve historike të kombit tonë, kurse pjesa e poshtëshënimeve (fusnotave), argumenton dhe përforcon pjesën kryesore, përmes literaturës shkencore-historike, dhe sidomos përmes intervistave dhe kujtimeve të gjalla të protagonistëve kryesor, që ndërlidhen me jetën dhe veprën e heroit, siç janë familjarët dhe bashkëluftëtarët e tij të ngushtë.
Duke marrë parasysh edhe pjesën e fundit të librit “Gjurmë lufte dhe heroizmi”, ku në kolor janë radhitur dhjetëra fotografi luftarake dhe familjare të heroit Feriz Guri, na le të kuptojmë se ky libër monografik ka plotninë e tij me të gjitha tiparet e nevojshme për portretizimin e një figure të tillë kombëtare.
Për këtë punë të ndershme dhe kombëtare, përgëzojmë autorin e veprës dhe dokumentarit në fjalë, prof.Nusret Pllana, emri i të cilit asociacion të parë e ka Radio Kosovën e Lirë, e cila në këtë libër figuron edhe si botues. Kjo radio, si një lloj pasardhëse e Radio Zërit të Kumanovës, përmes zërit të Nusret Pllanës dhe UÇK-së, u bë një zë i fuqishëm i lirisë së Kosovës.
Prandaj, përgëzime për gjithë punën dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së luftës, dhe tani në liri, për zbardhjen e të vërtetave të luftës së lavdishme të UÇK-së.
Ju faleminderit.

Dr. Sevdail Demiri, Shkup, 22. 04. 2015

………………………………………

Shikoni:
Dokumentarin kushtuar dëshmorit të kombit Feriz Guri (Komandant SHPATA)


Ilir Shaqiri – Komandant SHPATA (Feriz Guri)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura