Prishtinë, 14 nëntor 2017: (Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe” – Hasan Prishtina (1873-1933) – Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare veproi si atdhetar e ideolog i shquar. Roli dhe kontributi i tij u theksua edhe në fushën e zhvillimit të arsimit kombëtar gjatë periudhës sa ishte deputet në parlamentin osman (1908-1912). Ai bëri vazhdimisht përpjekje që të hapeshin shkolla në Shqipëri dhe në to të zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe në mënyrë që nxënësit të edukoheshin e arsimoheshin në frymën kombëtare. Ai preferonte ndarjen e arsimit profesional, laik dhe fetar. Në tërë këto përpjekje të tij, Hasan Prishtina vendosi të ndante 5% të të ardhurave vjetore, të cilat do t`i shpenzonte në dobi të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve në Shqipëri. Dha kontribut të theksuar në hapjen e shkollave në Vilajetin e Kosovës, ndërsa në shkollën Normale të Elbasanit dërgoi djem nga vise të këtij Vilajeti, shkollimin e të cilëve e financoi me mjete të tij. Kontributi i Hasan Prishtinës në këtë aspekt është një tablo realiste e ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane.
Turqit e Rinj, me të ardhur në pushtet, vazhduan rrugën antishqiptare që ndoqi regjimi i mëparshëm absolutist i sulltan Abdyl Hamitit II, duke penguar me të gjitha mënyrat zhvillimin e arsimit kombëtar dhe duke lejuar shtetet e huaja të ruanin dhe përhapnin më tej ideologjinë e kulturën e tyre nëpërmjet shkollave e njerëzve të posaçëm. Mirëpo, përkundër reaksionit të hapur ose të fshehur të regjimit xhonturk dhe përkrahësve të tij, arsimi kombëtar vazhdoi të zhvillohej, ndonëse me hapa shumë të ngadalshëm e të vështirë. Në këtë rrugë, një kontribut të theksuar kishte dhënë edhe Hasan Prishtina, ndër patriotët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912), është mjaft i madh dhe i rëndësishëm. Përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe gjatë viteve 1908-1912, sa ishte deputet në parlamentin osman, përbënin një pjesë kulmore të luftës së përgjithshme për liri dhe pavarësi kombëtare të shqiptarëve. Në këtë rrugëtim ai mëtonte për libra në gjuhën shqipe, për funksionimin dhe zbatimin e alfabetit latin dhe për hapjen e shkollave fillore, të mesme dhe të larta në gjuhën shqipe.
Hasan Prishtina (1873-1933)
Në kohën kur kishin filluar të formoheshin klubet shqiptare, të cilat në platformën e tyre përfshinin edhe çështjen e arsimimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, me shkollën shqipe në Vilajetin e Kosovës u mor Klubi Shqiptar i Shkupit, i formuar në gusht të vitit 1908 me kërkesën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës, Bedri Pejanit etj. Ndër aksionet e mëdha të këtij Klubi ishte edhe inicimi i Kongresit të Alfabetit Kombëtar. Kështu, më 14-22 nëntor 1908, në Manastir, u mbajt Kongresi i Alfabetit. Mirëpo, me gjithë vështirësitë e pengesat me të cilat u përball ky Kongres, veprimtaria për realizimin e synimeve kombëtare nuk u ndal, por u shtua edhe më tej.
Në Kongresin e Elbasanit, më 2-8 shtator 1909, u vendos për hapjen e një shkolle normale të mesme kombëtare. Kështu, me hapjen e Normales së Elbasanit, më 1 dhjetor të vitit 1909, Hasan Prishtina po përgatiste djem nga Vilajeti i Kosovës që t`i dërgonte atje për shkollim. Kjo ngjarje u ndoq me interes të posaçëm nga shtypi shqiptar dhe përparimtar i kohës. Ato ditë, gazeta “Dielli” e Bostonit (26 nëntor 1909) me këtë rast shkruante ndër të tjerash shkruante se: “…lëvizja kombëtare ka nisë m`u ngjallë shumë në Kosov… ndër këto ditë, me të përpjekurat e Hasan Beut, deputetit Prishtinës, u hap një mësonjtore shqipe në një fshat afër Vuçitërnës… pritet për së shpejti qi Hasan Beu të çelin edhe një mësonjëtore tjatër (shqipe) brenda në Vuçiternë, ku ka shpin`e vet. Prej këti atdhetari të nderçëm priten shumë punë të dobishme për kombin, se asht tuj na dhanë provë për dit e ma tepër qi asht një atdhetar i flaktë e i vërtetë, e qi përpiqet me mish e me shpirt për shndritjen e kombit të vet”. Në bazë të këtyre informacioneve mësohet se shkollat shqipe kishin filluar të hapeshin në vise shqiptare edhe para çeljes së Shkollës Normale të Elbasanit.
Në rrugën e përpjekjeve të tij për arsimin kombëtar, si veprimtar përparimtar dhe me orientim properëndimor, Hasan Prishtina këmbëngulte për funksionimin dhe zbatimin e alfabetit latin, si më të përshtatshëm dhe praktik për shkrimin e gjuhës shqipe.
Hasan Prishtina e konsideronte Shkollën Normale të Elbasanit si çerdhe për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare dhe si qendër e rëndësishme politike, në të cilën edukoheshin, arsimoheshin e kaliteshin në frymën atdhetare patriotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë arsye ai e quajti Elbasanin si “Qendra e parë e vëllazërimit të rinisë shqiptare”.
Meqenëse hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk gjeti mbështetjen financiare të qeverisë xhonturke, atëherë Hasan Prishtina i bënte thirrje shqiptarëve të pasur anembanë, që me të ardhurat e tyre, ta ndihmonin financiarisht qëndrueshmërinë e tyre infrastrukturore, në inventar, kuadro e nxënës, gjë e cila ishte e rëndësishme për përhapjen e diturisë në Shqipëri. Për këtë çështje ai kishte vendosur të jepte 5% të të ardhurave vjetore në dobi të zhvillimit të arsimit kombëtar. Ai këshilloi që shembullin e tij ta ndiqnin edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë që kishin pasuri të mjaftueshme e që mund të mbulonin shpenzimet e nevojshme për nevojat e këtyre shkollave. Kjo shumë që caktoi Hasan Prishtina nuk ishte e vogël, por që kontribuonte dukshëm në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve shqiptarë në frymën kombëtare, nevojë kjo e cila ishte urgjent për të nxjerrë popullin nga gjendja e mjerë e analfabetizmit. Me këto mjete materiale që ndau enkas, ai mbante hapur rreth dhjetë shkolla shqipe në Vilajetin e Kosovës dhe shkollonte në Normale të Elbasanit më shumë se 60 nxënës.
Ato ditë, gazeta “Dielli”, me konsideratë të thellë dhe duke besuar se gjurmëve të tij do të ecnin edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, shkruante: “Sido që na mban një frikë, se mbase disa prej syresh sillen rrotull vetëm për nonjë memurjetllëk, ose të bëhen ministorë, po prap nuk munt të mbetemi pa krisur duart, kur dëgjojmë burra me vleftë si Hasan be Prishtina, i cili të lëçitnjë çiltazi se << që sot e tutje pesë për qint nga gjë e tij e përvitëshme, si dhe nga muaj që merr e do të marrë qeveria, do ta përdorjë vetëm për mësimin e gjuhës shqip>>. I lumtë këti zotnijë dhe shprehim që dhe mjaft nga e ndermja parësi do të ecëjnë pas gjurmëvet për të mirë të kombit e të vendit tonë”. Po me këtë përmbajtje konsiston edhe një letër tjetër e nxjerrë nga Lidhja Orthodokse e Korçës, e cila kërkon nga patriotë të tjerë që të ndjekin shembullin e Hasan Prishtinës. Aty, ndër të tjerash, thuhet: “Lini, pra, o vëllezër të dashur, të gjitha armiqësitë me një anë, hapëni kuletat tuaja, dyke marrë për shëmbëll të nder, deputet te Prishtinës z. Hasan bej, i cili pasjen e tij e përdor për lulëzim të kombit, e kështu një herë pas që keni vdekur, emri i juaj do të rojë i pavdekur, gjersa të rojë Shqipëria”.
Me nismën e Hasan Prishtinës u hapën shkolla edhe në kazanë e Gjilanit, si në Pozheran, në Gjilan e në Moravë. Përveç këtyre, Hasan Prishtina kishte gjetur edhe 5 djem të varfër nga këto anë, të cilët i dërgoi në Normalen e Elbasanit me shpenzimet e tij. Hasan Prishtina kërkonte 10 mësues për mësonjëtoret shqipe në Vilajetin e Kosovës, të cilët do t`i mbante vetë, me mjetet e tij. Në një fjalim që ai mbajti në Klubin Dituria të Selanikut vuri në theks dhe u zotua se “Sado që kundërshtimet për shkronja të shenjta janë shumë të rrebta, dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin. Unë sa të rrojë do të përpiqem për diturinë edhe për atdheun e për mbrothësinë e vendit tonë”.
Ai nuk u ndal me kaq, por vazhdoi veprimtarinë e tij me realizimin e betimit që kishte dhënë për përparimin edukativo-arsimor në gjuhën amtare të popullit shqiptar. Nga mesi i shkurtit të vitit 1910, Hasan Prishtina e njoftoi telegrafisht Shkollën Normale të Elbasanit se do të niste 16 nxënës nga kryeqendra e Vilajetit të Kosovës, Shkupi. Ky njoftim ishte pritur me ngazëllim të madh në gjitha anët e Elbasanit, ndërsa nxënësve u ishte organizuar një pritje e ndershme me fjalime nga nxënësit dhe drejtori i shkollës, Luigj Gurakuqi. “Këjo lajme u përhap si një shkendijë elektrike më të gjithë anët e Elbasanit dhe një gaz i madh pushtoi zemrat e të gjithë shqiptarëve”, shkruante gazeta “Bashkim`i Kombit” në Manastir, më 25 shkurt 1910. Pas arritjes së këtij grupi nxënësish, erdhi në Elbasan edhe grupi tjetër prej 19 nxënësish nga Gjakova, Prishtina, Vuçitërna, Mitrovica, Peja, Struga etj. Me këtë rast, Luigj Gurakuqi, drejtor i kësaj shkolle, me vlerësim dhe mirënjohje të thellë, deklaronte: “Nuk asht nevoja t`jua thom me gojë, pse as nuk mundem t`jua rrëfenj me fjalë haren e madhe që na dëgjon zembëra në ditë të sotshme: ju vet mund ta këndoni ma mirë ndë syt e fytyrat tona, munt ta kuptoni nga kjo shumicë njerëzish, prej ma të parëvet e ma të mirëvet të Elbasanit që ju kan dalë përpara me ju pritun! Rroftë atdhetari i shkëlqyer Hasan Prishtina. Po! Rroftë përjetë ky atdhetar i lartë, ky engjëll i Shqipnis së mjerë”.
Pas Kongresit të Dytë të Manastirit (2-3 prill 1910), Hasan Prishtina i dërgoi edhe 17 nxënës të tjerë në Normale të Elbasanit, të cilët u pritën nga Luigj Gurakuqi. Mirëpo, qeveria xhonturke nuk e shikonte me sy të mirë përparimin e shqiptarëve dhe vendosi të ndërmerrte masa reaksioni kundër alfabetit, gjuhës, shkollave, klubeve e shoqërive kombëtare shqiptare. Me mision osmanizmin dhe pengimin e arsimit kombëtar të shqiptarëve, ajo vendosi se do të hapeshin 200 shkolla të reja, me ç`rast Hasan Prishtina kishte reaguar që mësues në ato shkolla të ishin njerëzit përkatës e të përgatitur profesionalisht dhe që do të njihnin gjuhën shqipe. Mirëpo, politika demagogjike që po ndiqte qeveria xhonturke, ishte vërtetuar edhe në këtë rast kur Hasan Prishtina e demantonte atë në parlamentin osman se asnjë shkollë nuk ishte ndërtuar në Vilajetin e Kosovës dhe denonconte aktet e prishjes së shkollave ekzistuese nga autoritetet shtetërore, për gjoja mosplotësimin e kushteve higjienike. Qeveria xhonturke shkoi edhe më larg duke vendosur përfundimisht mbylljen e mësonjëtoreve në Shqipëri.
Përkundër represionit dhe pengesave që nxirrte ajo, Hasan Prishtina nuk u ndal, por e shfrytëzoi foltoren si deputet në parlamentin osman, që aty të ngrite zërin mbi padrejtësitë dhe mohimin e lirive e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Në fokus të shqetësimeve të tij qëndronte vazhdimisht çështja e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe dhe zhvillimi i arsimit në frymën kombëtare. Nga procesverbalet e mbajtura gjatë seancave parlamentare dhe diskutimeve që zhvilloheshin aty, Hasan Prishtina, më 2 maj 1911, propozonte ndarjen e një kredie për hapjen e një shkolle praktike bujqësore në Vilajetin e Kosovës, me arsyetimin se ky territor përbëhej nga toka pjellore, duke vlerësuar pozitën e tij si mjaft të rëndësishme për zhvillimin bujqësor dhe ekonomik të vendit.
Gjatë kohës kur Hasan Prishtina vazhdimisht po bënte luftë diplomatike në sensibilizimin e çështjes kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare, në mars 1912 u rihap Normalja e Elbasanit, për të cilën ai kishte destinuar pasurinë e tij për zhvillimin normal të saj dhe shkollimin e nxënësve nga të gjitha viset shqiptare.
Në kohën kur po zhvillohej Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912 (maj-gusht), nismëtar i së cilës ishte Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë, ishte korrur një sukses i dukshëm i kryengritësve, të cilët kishin arritur në Ferizaj (5 gusht 1912), ku në po këtë ditë kishte dalë edhe dekreti perandorak për shpërndarjen e parlamentit, por njëkohësisht në Ferizaj u thirr një kuvend me nismën e Hasan Prishtinës. Ai i paraqiti këtij Kuvendi 14 kërkesa që ndryshe njihen edhe si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, brenda të cilave i kushtoi rëndësi të veçantë çështjes së arsimit dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, duke e ndarë arsimin laik nga ai fetar (pika 5, 6, 7 dhe 8).
Në artikullin me titull “Shqipëria e Re” të botuar në gazetën “Liri e Shqipërisë” në Sofje, më 22 tetor të vitit 1912, vlerësohej lart veprimtaria patriotike e Hasan Prishtinës në luftën e vazhdueshme të tij për liri dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Sipas këtij artikulli, ai kishte dërguar në shkollën Normale të Elbasanit aq djem nga Vilajeti i Kosovës, duke i dhënë epitetin e “një nga më të mëdhenj atdhetar…” të Shqipërisë.
Përfundimisht, kontributi i Hasan Prishtinës në emancipimin kombëtar të shkollës shqipe dha rezultate konkrete dhe të pazëvendësueshme.
HASAN PRISHTINA – NORMALJA E ELBASANIT (1909)