FOTOGRAFIA QË PREKU ZEMRAT E NJERËZVE!
Pashtriku, 19 shtator 2021
Fotografia e një burri nga qyteti i Mitrovicës që tregon fotografitë e dy fëmijëve të tij që mendonte se ishin vrarë nga serbët, është njëra nga pamjet më të njohura dhe më dramatike të luftës në Kosovë. Këtë fotografi e ka realizuar fotografi amerikan Peter Turnley.
Ai është një fotograf i njohur amerikan, i cili realizoi shumë prej fotografive të rëndësishme të pamjeve nga lufta në Kosovë. Por fotoja më lart preku zemrat e shumë njerëzve.
Një pikëllim i tillë duket ka lënë gjurmë të thella edhe mbi autorin e fotos, të cilin dëshpërimi i këtij babai e ka përndjekur për një kohë të gjatë.
“Mustafai më kishte thënë se këta ishin fëmijët e tij, dhe ndoshta ia kishin vrarë në luftë serbët”, kishte komentuar fotogrfi ngjarjen.
Në një artikull të ‘Newsweek’, Turnley tregoi se i ishte afruar Mustafait, pasi i kishte rënë në sy si një burrë i madh dhe i fortë, por që fshihte brenda vetes shumë pikëllim.
“Ai duke qarë nxori kuletën dhe më tregoi dy fotografi të vogla të një djaloshi dhe një vajze të mrekullueshme”, ka qenë komenti i fotografit.
Mustafa Xaja është personazhi kryesor i kësaj fotografie. Kjo megjithatë, ishte një histori me fund të lumtur. Pas kthimit në Kosovë, ai pa se familja e tij ishte gjallë dhe e sigurt. Përpara dy dekadash, kjo foto qëndroi në kopertinën e ‘Newsweek International’ dhe vazhdon të mbetet po aq e fuqishme akoma edhe sot.