FRANCEZI LOUIS ARNAUD: SHQIPËRIA ËSHTË MË E LASHTË NGA VETË EUROPA (DHJETOR 1912)

Shqipëria është më e lashtë nga vetë Europa

Një letër nga Athina e francezit Louis Arnaud për kufijtë e Shqipërisë (më 19 dhjetor 1912)

Është një letër e shkruar për gazetën franceze “La Croix”‘ (“Kryqi”), nga i dërguari i posaçëm i saj në Athinë jo më larg se tre ditë pas fillimit të mbledhjes së Konferencës të Ambasadorëve në Londër më 16 dhjetor 1912, kur Shqipëria e Ismail Qemalit kishte shpallur tashmë pavarësinë e saj de facto et de jure që prej një muaji, duke i shpëtuar mrekullisht vorbullës përpirëse greko-serbe-malazeze për ta gllabëritur. Megjithëse ishte nënshkruar armëpushimi i luftës së parë ballkanike, përsëri, përplajsa e interesave të fuqive të kohës në Ballkan, si dhe shovinizmi greko-serb gjithnjë e më agresiv po paralajmëronin tashmë tallazet dhe furtunat e Luftës së parë botërore. Sakaq, vitale për Shqipërinë, si shtet i ri i pavarur, ishte përcaktimi i kufijëve të saj gjeografikë, për t’i dhënë fund copëtimit të trojeve historike e etnike shqiptare, filluar që me traktatin e Shën Stefanit dhe pasuar me Kongresin e Berlinit, kur Shqipëria etnike u masakrua.

Nuk kemi gjer më sot të dhëna se kush është gazetari Louis Arnaud (ndoshta është dhe pseudonim), por nga sa shkruan, ka njohuri disi të sakta për kombin historik iliro-shqiptar, megjithëse brenda optikës së tij të kufizuar, pa i shpëtuar paragjykimeve të kohës, interesave politike të caktuara dhe qëndrimeve gjoja diplomatike në dy karrige, po ku, për fat të keq, të shkon skiç prapanica. Thotë ca të vërteta, thotë dhe ca të pavërteta. Dhe në fakt, nuk i zë në gojë pashalliqet e mëdha historike shqiptare nga Janina në Shkodër, me vezirët e tyre që ishin mbretër e shkuar mbretëve në tokat shqiptare, ndonëse këta nuk “e menduan” hollë e gjatë të bashkonin Shqipërinë gege e toske në katër vilajetet shqiptare të Turqisë europiane (vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës) që përmbanin kufijtë e Shqipërisë së vërtetë etnike dhe jo Shqipërinë e Madhe, sikundër shpallet ende edhe sot nga propaganda sllavo-greke.

Po ashtu, duke dashur të kundërshtojmë pretendimin e Louis Arnaud se shqipja e kohës së tij nuk është ende një gjuhë e shkruar, po kufizohemi në faktin e thjeshtë se shqipja e shkruar me germa latine është përuruar me “Formulën e pagëzimit të Pal Engjëllit më 1462” (në periudhën e epopesë kastriotase), ndërkohë që murgu frëng Guillaume Adam fakton se që më 1332 (në Directrium ad passagium…) “Albanienët (shqiptarët) në librat e tyre përdorin shkronjën latine”, pikërisht në po atë periudhë të Mesjetës së hershme kur po fillonte të shkruhej edhe vetë gjuha frënge. Nuk po zëmë këtu në gojë “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe veprat e Budit, Bogdanit, Kristoforidhit me shokë. Sa për çështjen e alfabetit dhe të librit shqip, i qenësishëm ky me pikatore para pavarësisë, ai ka të drejtë, duke patur këtu parasysh rolin e madh të librit në zhvillimin historik të kombeve të zhvilluara.

Një tjetër ide e autorit në atë mbarim fatlum e rilindës të 1912-ës shqiptare tërheq vëmendjen: Shkupin, ai e quan trevë shqiptare dhe kurrfarë dyshimi po ashtu për Himarën shqiptare, ndonëse aty flitet edhe greqishtja kur, në fakt, më shpirtërorja e vetë atij populli, kënga e famshme himariote, vallja, veshja, vetë historia e dokumentuar flasin për etnogjenezë të mirëfilltë shqiptare të gjithë asaj treve të famshme të Bregut, aq shumë e lakmuar historikisht me “Malet e Shqipërisë” të tablove të famshme të Lear parë që nga Korfuzi.

Sot, në Europën e Bashkuar dhe drejt saj, kufijtë e Shqipërisë, kufijtë e Kosovës as që vihen më në dyshim, tokë e det bashkë. Në dyshim përgjues vazhdojnë të mbeten lakmitë, lëpirjet dhe jargavitjet nostalgjike greko-serbe mbi trevat e lashta shqiptare, si dhe krejt bagazhi i rëndë i paragjykimeve historike që ato mbartin me vete. / Fotaq Andrea.

LETËR NGA ATHINA E LOUIS ARNAUD

Athinë, 19 dhjetor [1912].

Shqiptarët që lexojnë Shekspirin – njoh nja katër a pesë -, prej disa javësh e kanë patur të pamundur për të mos sjellë e risjellë në mendje monologun e famshëm të Hamletit To be or not to be, that is the question. Për ta çështja që shtrohej ishte: A do të jetë Shqipëria një mbretëri e pavarur, apo serbi a greku, pavarësisht nga përpjekjet e Vienës apo Konsultës [Italisë] do të vërsulen për të copëtuar territorin e saj?

Por, së pari, ç’është në të vërtetë Shqipëria?

Pyetje e çuditshme, të themi. Por jo dhe aq sepse, megjithëqë hasen shqiptarë kudo në Ballkan, nga perëndimi i Vardarit gjer në rrethinat e Athinës dhe në pjesën veriore të Peloponezit drejt Kanalit të Korinthit, Megarës dhe ishujve, ku që prej tre shekujsh ata përbëjnë bazën e popullsisë, prapë është tepër e vështirë të përcaktohen teorikisht kufijtë e një vendi që do të mbante emrin Shqipëri. Me përjashtim të kohës së Skënderbeut, shqiptarit Gjergj Kastrioti i Krujës, që luftoi si hero epopesh kundër turqve të Muratit, nuk ka patur kurrë mbretëri shqiptare. Dy a tre vjet pas vdekjes së tij, që ndodhi në Lezhë më 1466 [1468], trupat turke rinisën pushtimet e tyre.

Po ashtu, sa më thellë të futemi në histori, do hasim shqiptarët. Janë banorët më të hershëm të gadishullit dhe dorët, që pushtuan Greqinë në shekullin XII [p.e.s.] duke i dhënë fund qytetërimit kretë me themelimin e fuqisë së Spartës, ishin, brenda të gjitha gjasave, një fis shqiptar zbarkuar nga Epiri drejt Jugut. Mbreti Pirro ishte shqiptar. Dijetari Momsen i përafron me pellazgët dhe me fiset italoste. Në atë kohë të largët, ata mbushnin krejt Maqedoninë.

Dhe maqedonët, që shtinë në dorë, me Aleksandrin në krye, Greqinë e Jugut, Egjiptin dhe Azinë, për aq sa njihej kjo e fundit, ishin pasardhësit e tyre. Por, mjaft t’i thuash një heleni, as më shumë e as më pak që “Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë”, e veç kur do ta shohësh të iki nga mendja apo të arrijë kulmin e shovinizmit.

Një mbrëmje, kur isha në Apirantos për ekskursion, i lodhur pas një marshimi tërë ditën nën diell dhe nëpër dhiare, apo në shtigje mushkash, me potinat që m’u bënë copë, pyeta një naksiot: “Ishulli juaj është i banuar që prej tremijë e pesëqind vjetësh, apo jo? – Oh, ma ktheu, shumë më tepër! Naksiotët janë bij të pellazgëve, të atyre pellazgëve hyjnorë, siç thotë Homeri. – Bukur, thashë, po si shpjegohet atëhere që, pas kaq e kaq shekujsh, ju ende nuk keni ndërtuar në ishull as edhe një rrugë të vetme?” Më nguli ca sy të çuditshëm, por jo gjatë, për të më thënë: “Po ne këtu s’jemi në Europë dhe s’kemi nevojë për rrugë!”

Kurse tek shqiptarët, ca më keq akoma. Që prej katër mijë vjetësh a më shumë, ata flasin gjuhën e tyre dhe ende nuk e shkruajnë atë. Shqiptari kurrë nuk ka shkruar dhe kurrë nuk ka patur një libër të tij, si fshatari grek apo muzhiku sllav. Nuk po flas për libra modernë botuar nga propaganda italiane, greke, madje edhe turke me synim politik.

Folkloristë të Athinës dhe Epirit kanë botuar me germa greke këngë shqipe dhe rrëfenja popullore. Por alfabeti grek i përdorur në shqip është i pamjaftueshëm sepse i mungojnë dy a tre germa, j dhe v, për shembull. E njëjta vërejtje vlen edhe për turqit në përpjekjet e tyre. Po e njëjta vërejtje dhe për librat shqip të shtypur me germa latine. Shqiptarë të greqizuar, që flisnin me lehtësi pothuaj të barabartë frëngjisht, greqisht e shqip, si lexuan një faqe të një broshure shtypur në Siçili, më thanë: “E kuptojmë si gjuhë, si të kuptonim greqisht me germa franceze. Për ne është një ortografi artificiale dhe shumë nuanca të shqiptimit shqip nuk jepen. Por librat shqipe që përdorin germat greke janë shumë më të vështira për t’u kuptuar”.

Dhe kësaj mungese të një alfabeti praktik shqip i duhet shtuar dëmtimi i kësaj gjuhe gjatë tridhjetë shekujsh nga ndërhyrje dukurish të tilla që e ndryshojnë pa kuptuar fonetikën, si dhe nga prurja e vazhdueshme e fjalëve greke, turke, serbe, italiane apo nga të gjithë popujt me të cilët shqiptarët kanë qenë në lidhje. Nga Shkodra në Himarë, gjuha vjen e ndryshon, ose të paktën në drejtim të prapashtesave dhe të shqiptimit, sepse Himara pothuaj është greqizuar. Po kush do të jetë gjuha e vërtetë? Ja pra vështirësitë për ortografinë. Dhe vetë kjo fjalë, “ortografi”, a është shqip? Shohim kështu të kapen pas njëri-tjetrit filologë, gjuhëtarë dhe gramatikanë.

E megjithatë, gjuha shqipe ekziston, e pasur me poezi shpërthyese, me përralla gjithë fantazi, me këngë djepi gjithë ngrohtësi, me këngë vaji, satirike a humoristike, si në llojin e pastishit të famshëm të Prosper Merimesë, apo me këngë dashurie e luftarake, që kujtimet e çmuara i kanë regjistruar prej shekujsh të paprekura në kujtesën e këtyre fshatarëve dhe malësorëve kaçakë që kurrë nuk kanë shkruar a lexuar një rresht të gjuhës së tyre. Ja pse ekziston një Shqipëri.

Por këtë, nuk duhet t’ua kërkosh as grekëve që, ashtu si serbët e reduktojnë në një shirit toke midis liqenit të Ohrit dhe detit Adriatik, as diplomatëve të Romës apo të Vienës, që kanë arsyet e tyre për ta zgjeruar sa më shumë. Më treguan një hartë austriake ku fjala “albanien” fillon në zemër të Malit të Zi, kur ky vetë aq i ngushtuar, dhe përfundon në det, më poshtë se ishulli i Korfuzit. Me një fjalë, krejt bregu nga gjiri i Kotorrit në gjirin e Artës. Ç’përfitim për Austrinë sikur sulltani të kishte njohur me një marrëveshje të fshehtë protektoratin e saj në tërë këtë breg mbi treqind kilometra të gjatë!

Shqiptarët e idesë së madhe, sepse ka gjithashtu një ide të madhe shqiptare nuk do të guxonin të pretendonin aq shumë. Shqipëria e madhe për ta është një territor i kufizuar nga një vijë shumë e çrregullt, me pikënisje Artën e Epirit, për t’u ngjitur në drejtim të Manastirit, pastaj drejt Shkupit, Gjakovës, dhe që andej drejt Shkodrës, kryeqyteti i tyre i vërtetë. Dhe pretendimet e tyre mbështeten mbi një arsyetim shumë të habitshëm: “Gjithë vendi ku flitet shqip, është i yni, më thotë G., një shqiptar himariot. Në fakt, gjuha jonë, si më e vjetra, përherë e më shumë është prapsur nga gjuhët e reja, duke i lënë vendin greqishtes ose serbishtes. Nuk po flas për turqishten, ndaj së cilës është e kollajtë për t’u mbrojtur. E megjithatë, në Artë e në Janinë, madje edhe në perëndim të Manastirit e në Shkup flitet në radhë të parë shqip…”, thotë G., dhe këtu kuptohet përfundimi.

Nisur nga ky arsyetim, unë mund edhe t’i përgjigjesha: “Dafni, dhjetë kilometra larg Athinës, Menidhi, Eleusias [Elefsina] dhe ishujt më grekë nga vetë Athina, Salamina, Egineja dhe Porosi, ku vdiq Demosteni, qenkan ahere shqiptare”. Po a ia vlente? Më mirë të dëgjoja. Sepse të paktën, kështu mëson diçka.

Një tjetër, me mendim më të moderuar, që kërkon thjesht Shqipërinë, dhe jo Shqipërinë e madhe, përshkon me gisht një vijë mbi hartë. “Shqipëria, thotë ai, kufizohet nga një vijë që do duhej të nisej nga pika më veriore e liqenit të Shkodrës, drejt Prizrenit, dhe që andej drejt Shkupit, dhe nga Shkupi shqiptar, duke lënë në të djathtë Manastirin, do t’i binte qark nga Jugu dy liqeneve të Ohrit e të Prespës gjer në jug të Haxhii-Sarandës përmbi detin Adriatik [Jon]. “

Po mua nuk më takonte në këtë mes të flisja, për më tepër që, për mendimin tim të ndrojtur, vetë Shqipëria nuk e di ku ndodhet me saktësi brenda kufijëve të saj, ndonëse ekzistenca e saj është mëse e sigurt.

Veçse është për të ardhur keq për paqen europiane dhe për zhvillimin industrial e tregtar të popujve të vegjël ballkanikë që Austria, e mbështetur nga ambiciet e pashpallura të aleates së saj, megalomanes Itali, dhe nga bajonetat gjermane mbron dhe nxit pretendime të tilla.

Që pas sukseseve të tyre të para dhe para se Austria ta shpallte tabu bregdetin adriatik, aleatët, për fat të keq, zunë e hallakateshin përherë e më shumë. Dhe, së bashku me ta, edhe ne.  Malazezët merrnin vijën Alesio [Lezhë] – Skutari – Gjakovë, serbët vijën Shkup – Prilep – Durrës dhe grekët vijën Manastir – Vlorë. Shqipëria vazhdonte të ekzistonte me Elbasanin dhe fushën e tij të pasur vaditur nga Genusosi [Shkumbini], me Beratin, apo me Beogradin e arnautëve, aq shumë e tkurrur. Dhe ja ku Shqipëria shpall sot pavarësinë e saj dhe Austria ua ndalon serbëve dorën mbi Durrësin, dhe Italia, nga ana tjetër, grekëve mbi Vlorën. Të plotëfuqishmit e Londrës do kenë kështu një problem të koklavitur për t’u zgjidhur.

Si përfundim, Shqipëria ekziston në perëndim të Ballkanit. Është më e lashtë nga vetë Europa dhe prapë s’ka histori të vetën [si Shqipëri me kufij të përcaktuar]; ka gjuhë, po s’ka alfabet; ka kufij gjeografikë që e shfaqin territorin e saj sipas oreksit të palëve: ose sa një Mal i Zi, ose sa një Greqi. Dhe prapë, në disfavorin e saj. Po me vete, ajo ka Austrinë e fuqishme që e lakmon për të mbajtur Adriatikun, dhe Italinë që e dëshiron me të madhe për të mbajtur nën kontroll edhe flotën austriake. Sigurisht që është shumë nga ana e tyre.

Ne francezët, për qetësinë e Europës, për përparimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të gadishullit, dhe në interesin e vetë katolicizmit – dhe këtu e kam fjalën për Serbinë – ne duhet të urojmë një Shqipëri të vogël, por zotëruese të vetvetes, të mbrojtur dhe të siguruar ndaj tekave të politikës midis një Serbie tepër të zgjeruar dhe një Hellade të fortë e të lulëzuar.

(Përktheu nga frëngjishtja dhe përgatiti për botim Fotaq Andrea)

______________

KUSH ËSHTË FOTAQ ANDREA

Fotaq Andrea (Delvinë, 1953) është diplomat, publicist dhe përkthyes i shumë veprave, kryesisht prej letërsisë frënge.[1]

Ai ka sjellë në shqip Kamynë me esetë “Para gijotinës” dhe “Martesa, pasuruar nga vera”, si dhe me skicat letrare “E prapmja dhe e përparmja”. Ka sjellë në shqip dhe Hygonë me “Klod fukarai” apo Lehon Kahu me “Hasan jeniçeri, historia e një shqiptari në vitin 1516”, një roman historik brilant dhe i rrallë në llojin e vet. Ka përkthyer përralla arabe dhe një sërë veprash për fëmijë, ndërsa në vitin 2000, sjell për lexuesin shqiptar antologjinë “Libri i artë i prozës franceze” me 150 autorë. Por vepra e tij “Pena të arta franceze për shqiptarët”, përbën kulmin e tij në lëmin e zbulimit dhe publikimit të muzave dhe temave me substrat shqiptar tek krijuesit francezë. Është një vepër e vlerësuar nga një radhë akademikësh vendas ndër më të njohurit dhe mbi të gjitha, një vepër e formatit akademik, që mund të ishte tipik produkt i një institucioni shkencor e jo thjesht i një individi. Është një vepër me përmasa kombëtare, që hap një portë deri dje gjysmë të hapur në raportet shqiptaro-franceze në fushën e krijimtarisë letrare dhe të historisë dokumentare.

Më gjerësisht lexoni këtu:

Fotaq Andrea, frankofoni shumëdimensional në gjurmët e mentorit Jusuf Vrioni

https://shqiptarja.com/lajm/fotaq-andrea-frankofoni-shumedimensional-br-ne-gjurmet-e-mentorit-jusuf-vrioni

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura