Pashtriku.org, 02. 02. 2015 -(Fjalë në promovim të librit “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”) – Të ndruar të pranishëm, Më lejoni t’ju falenderoj për kohën që ndatë sot për të përuruar së bashku këto dokumente dhe materiale, botuar në një libër të vetëm “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”. Këto materiale u shkruan në kushte tejet të vështira, në kohën e pushtimit të egër jugosllavë. Disa prej tyre u ruajtën nën tokën e Kosovës, disa në arkiva, disa në bazat e anëtarëve të Organizatës. Të tjerat konsiderohen të humbura dhe vetëm rastësia mund t’i nxjerr ato në dritë. Ato që u gjetën, sot i sjellim para jush në një libër të vetëm. Ky libër, në dukje ngjan si të gjitha librat tjerë të këtij formati, por ndryshon për nga pesha dhe ndikimi që patën shkrimet brenda tij, të cilat i frymëzonin shqiptarët e pushtuar dhe i tmerronin pushtuesit jugosllavë. Një trakt, që kap vetëm një faqe të këtij libri, alarmonte gjithë strukturat politike e policore jugosllave, deri te kreu i saj, Titua, i cili i trazuar nga këto shkrime vinte në Kosovë enkas për t’iu dhënë instruksione politikanëve dhe udëbësë që të kapeshin e të dënohesin autorët e tyre. Si në një front lufte, këto shkrime u ballafaquan me gazetat, librat, emisionet e radiove e televizioneve jugosllave dhe triumfuan mbi to.
Prishtinë, 29. 01. 2015: Gani Sylaj – Pamje nga promovimi i librit “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës.
Lind pyetja: Ku qëndronte forca e këtyre shkrimeve? Përgjigjja është e theshtë. Brenda tyre ishte e vërteta për Kosovën. Ato ishin zëri i saj. Ishin kushtrimi për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Ky libër nuk ka ngjyrë të kuqe, por shkrimet që ka brenda u lanë me gjakun e dëshmorëve të Organizatës, (sot dëshmor të kombit) dhe për to u shqiptuan dënime të rënda ndaj autorëve dhe shpërndarësve të tyre…
Ju faleminderit.
Prishtinë, më 29 janar 2015
***
(Libri i autorëve Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj: “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, u promovua më 29 janar 2015 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.)