GAZETA – FORMA MË E LARTË E KOMUNIKIMIT TË ORGANIZATAVE TË FSHEHTA POLITIKE SHQIPTARE GJATË MONIZMIT JUGOSLLAV

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Nga Rudina Zeqiri

Sqarim

Në këtë hulumtim jam detyruar t’i përmbledh të dhënat në mënyrë sa më koncize, për shkak të pamundësisë së zgjerimit në kuadër të këtij simpoziumi. Për të dhëna më të detajuara mund të shfletoni veprën e botuar “Format e komunikimit të organizatave të fshehta shqiptare gjatë monizmit jugosllav”, me autore Rudina Zeqiri, ku mes tjerash në këtë libër gjenden të botuara edhe intervistat e plota të veprimtarëve, nga të cilët janë të dhënat e nevojshme për sqarimin e rrethanave të organizimit të veprimtarisë së fshehtë dhe shtypit klandestin.

 Hyrje

Shumëllojshmëria e gazetave, që sot i ofrohen lexuesit në gjuhën shqipe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në shtete të ndryshme të botës, ku kanë emigruar shqiptarët në periudha të ndryshme kohore, nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se kjo laramani ka ardhur si rezultat i ndryshimeve të mëdha politike që ndodhën gjatë dekadës së fundit të shekullit XX.

Tri dekada më parë bota ishte e polarizuar në aspektin politik dhe ishte e ndarë në atë që quhej “Blloku i shteteve të Lindjes” dhe “Blloku i shteteve të Perëndimit”.

Pjesa dërmuese e shqiptarëve, përveç atyre që kishin emigruar në shtetet demokratike perëndimore, jetonin në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Dihet botërisht, se sistemet politike njëpartiake synonin kontrollin e çdo gjëje në shoqëritë përkatëse, prandaj të gjitha shtresat shoqërore ballafaqoheshin me propagandën e partisë në pushtet.

Pa përjashtim, në të gjitha regjimet totalitare kudo qoftë në botë, forca që ka përqendruar pushtetin në duart e veta nuk lejon funksionimin e asnjë strukture tjetër politike, që do të rivalizonte me të. Rrjedhimisht, nuk lejohej as përhapja e mendimeve apo e ideve që binin ndesh me mendimet dhe idetë mbizotëruese që shpërndante pushteti, si dhe as organizimet, që mund të cenonin monopolin mbi pushtetin. Në këto kontekste shoqërore dhe historike, ku mendimi ndryshe nuk mund të shprehej haptas, të gjithë atyre që nuk pranonin legjitimitetin e pushtetit totalitar dhe që dëshironin të shprehnin kundërshtitë dhe pakënaqësitë e tyre, nuk u mbetej rrugë tjetër, pos organizimeve në forma të fshehta.

Jam e bindur plotësisht, se studimi i funksionimit të organizatave patriotike shqiptare gjatë periudhës së monizmit jugosllav jep një shembull shumë të mirë, që ilustron faktin se edhe në situatat më të vështira të represionit ndaj shprehjes së mendimit ndryshe, njerëzit gjejnë rrugë për të përhapur idetë dhe mendimet e tyre. Shtypja dhe shpërndarja fshehurazi e gazetave të organizatave patriotike shqiptare në territoret shqiptare në Jugosllavi gjatë viteve ‘70-‘80 e bën shumë të rëndësishëm hulumtimin e mësipërm.

Për ta kuptuar më mirë kontekstin shoqëror dhe historik të krijimit të organizatave patriotike shqiptare në klandestinitet, do të duhej të analizohen periudhat historike që konfiguruan territoret shqiptare, që nga shpërbërja e Perandorisë Osmane e deri në krijimin e shteteve të reja në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, për shkak të kufizimit të mundësisë për t’u zgjeruar në këtë punim, del si domosdoshmëri, së paku, përmendja e tyre.

Marrëveshjet ndërkombëtare që përcaktuan kufijtë e Shqipërisë, duke lënë më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare jashtë shtetit shqiptar, patën ndikim vendimtar për dekada të tëra.

Kur kemi të bëjmë me periudhën historike të shqiptarëve ndërmjet dy luftërave botërore, një vëmendje të veçantë kërkon studimi i disa segmenteve të historisë së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, që janë:

–     themelimi i Partisë Komuniste të Jugosllavisë;

–     krijimi i shteteve të pavarura të Kroacisë, të Sllovenisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe Shqipërisë;

–     realiteti i ri historik i krijuar pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimi i Jugosllavisë në vitin 1941;

–     agjitacioni që komunistët jugosllavë, me në krye Josif Broz Titon, bënë në përvetësimin e besimit të shqiptarëve për t’i mbështetur në luftën nacionalçlirimtare;

–     nënshkrimi i konferencës së Bujanit dhe tradhtia që iu bë shqiptarëve pas luftës me nazistët dhe ndarja e padrejtë e territoreve shqiptare ndërmjet tri republikave Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi.

Në dallim nga periudha e konferencave ndërkombëtare, kur aneksimin e këtyre territoreve të banuara me shumicë shqiptare e kërkonin Serbia dhe Mali i Zi, në Jugosllavinë socialiste rindarjes së territoreve shqiptare iu shtua edhe Republika e Maqedonisë, si krijesë e re e PKJ-së. Dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve, diskriminimi social, politik etj., ishin indikatorët kryesorë, që sollën në mobilizimin e shqiptarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Në RSFJ, PKJ e që më vonë e ndërroi emrin në LKJ, pushteti ishte i përqendruar në duart e krerëve të lartë dhe nuk lejohej funksionimi i asnjë strukture tjetër politike, që do ta kundërshtonte atë. Ishte e ndaluar përhapja e mendimeve apo e ideve që binin ndesh me mendimet dhe idetë dominante që shpërndante pushteti .

Për këtë arsye, shfaqja e organizatave të ndryshme shqiptare, që vepronin fshehurazi në vitet e ‘70-’80 në Jugosllavi, ishte rezultat i kontekstit historik, ku e drejta për organizim politik konsiderohej si kundërrevolucionare dhe ndëshkohej me ligj, ndërsa liria e shtypit as që ekzistonte.

Për këtë çështje, si hipoteza iniciale kam përcaktuar përgjigjen e përkohshme, që vë theksin në atë se “botimi dhe shpërndarja fshehurazi e gazetave të shumta në gjuhën shqipe në Jugosllavinë socialiste ishte pasojë e pamundësisë së organizimit politik në regjimin monist”.

Njëra nga çështjet që shtrohet për t’u sqaruar, ka të bëjë me shtypjen e shumë gazetave, si “Zëri i Kosovës” i GRK-së, “Pararoja”, “Bashkimi”, “Lajmëtari i Lirisë”, “Liria”, buletini “Kushtrimi i Lirisë” dhe “Zëri i Kosovës” i LPK-së.

Në këtë hipotezë definohen qartë tre variablat:

– “Botimi i gazetave”,

– “Shpërndarja fshehurazi” dhe

– “Shumësia e gazetave”.

Ajo që kam kuptuar kur kam analizuar programet e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës, Frontit të Kuq Popullor, Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës, Kushtrimit të Lirisë, është se këto organizata të lartpërmendura nuk  dallonin as në aspektin ideologjik e as sa u përket qëllimeve politike. E vetmja arsye pse ishin krijuar struktura të ndryshme organizative nga ato që ishin politikisht të njëjta, qëndron në pamundësinë që të njiheshin mes tyre në një sistem politik totalitar.

Vetëm duke pasur parasysh funksionimin e sistemit politik monist, ne mund të kuptojmë drejt arsyet pse bisedat me njerëz të rretheve që njihen mes tyre përbën formën e parë të komunikimit të veprimtarëve, që nuk pranonin legjitimitetin e pushtetit. Kjo formë e komunikimit qëndron në themelet e krijimit të organizatave të fshehta politike shqiptare në Jugosllavi, sepse mundësonte që të identifikoheshin njerëzit e vendosur për të rezistuar kundër pushtetit.

Të ballafaquar me pamundësinë për të krijuar të gjitha mjetet e komunikimit që t’i kundërviheshin propagandës jugosllave, bisedat me njerëz të rretheve që njihen mes tyre shfrytëzohen nga veprimtarët e organizatave të fshehta shqiptare për të orientuar bashkëbiseduesit drejt Shqipërisë.

Për të ndriçuar këtë aspekt të objektit të hulumtimit tim, më është dashur të ndalem në rrethanat politike, që nxjerrin në shesh rolin dhe ndikimin e Shqipërisë. Vendosja e gjërave në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur ngjarjet, më ka mundësuar të hedh dritë mbi vlerën që ka pasur për veprimtarët e organizatave të fshehta politike incizimi dhe shpërndarja e fjalimeve, e këngëve patriotike dhe e emisione të zgjedhura të “Radio Tiranës”, të “Radio Kukësit”, të “Radio Korçës” dhe literatura e botuar në Shqipëri. Për këtë arsye, në tipologjinë e formave të komunikimit që kanë përdorur, shpërndarjen e literaturës dhe të materialeve të incizuara të stacioneve radiofonike të Shqipërisë e shoh si formë të dytë të komunikimit të këtyre organizatave. Në mungesë të teknikës për shtypjen e materialeve, gjatë hulumtimit tim kam ardhur në konstatimin, se shkrimi i parullave nëpër muret e shtëpive, institucioneve shtetërore dhe objekteve që binin në sy përbën formën e tretë të komunikimit të organizatave të fshehta shqiptare në Jugosllavi.

Nëpërmjet kontrollit mbi mjetet e teknikës së shumëfishimit, pushteti jugosllav përpiqej të ndalonte dhe bënte të pamundur përhapjen e mendimit ndryshe. Megjithatë, vendosmëria e veprimtarëve të organizatave të fshehta politike, që t’i kundërviheshin pushtetit dhe të shpërndanin pikëpamjet e tyre politike, bëri që këto organizata të gjenin mënyrën e shtypjes fshehurazi të materialeve të tyre, duke shfrytëzuar teknikën ekzistuese në institucionet shtetërore. Përveç kësaj mënyre veprimi, këto organizata arritën të krijonin mjete artizanale të shumëfishimit ose t’i siguronin ato duke i “rrëmbyer” nga institucionet shtetërore.

Sigurimi i mjeteve teknike të shumëfishimit mundësoi shtypjen dhe shpërndarjen e trakteve, që përbënte formën e katërt të komunikimit të organizatave të fshehta.

Zgjerimi i radhëve të organizatave të fshehta dhe shtrirja e strukturave të tyre ngriti edhe nivelin e komunikimit: filloi shtypja dhe shpërndarja fshehurazi e gazetave, si formë e pestë e komunikimit.

1.   Organizatat e fshehta shqiptare dhe shtypi klandestin

Nga ajo që u tha më lart, del se shkrimi i gazetave ishte shkalla më e lartë e përgatitjes së organizatave të fshehta për të përhapur synimet e veta politike. Ajo që vlen të theksohet dhe të kemi parasysh sa herë i qasemi shtypjes së gazetave fshehurazi në sistemet moniste, ka të bëjë me faktin se kjo çështje nuk mund të shihet e shkëputur nga veprimtaria e organizatave të caktuara. Madje është e lidhur kryekëput me shkallën e organizimit, që arrin një strukturë organizative të caktuar.

Siç pohon Mehmet Hajrizi në intervistën e zhvilluar me të, “fill pas konsolidimit të Grupit Revolucionar të Kosovës dhe Komitetit Drejtues, si organ qendror udhëheqës i organizatës, ndër vendimet e para ishte ai për themelimin e shtypit klandestin. Kjo ndërmarrje serioze dhe e rëndë për një organizatë ende të brishtë, po hapte rrugën e një përvoje të re për tërë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e cila që nga mbarimi i LDB-së nuk kishte pasur shtyp klandestin. Ky shtyp nisi me trakte politike, që shpërndaheshin ndër qytetarë; me organin “Zëri i Kosovës”, numri i parë i të cilit doli më 1 shkurt të vitit 1974”.

Siç faktohet përmes dëshmive të veprimtarëve të Kushtrimit të Lirisë dhe të Grupit Revolucionar të Kosovës, sigurimi i mjeteve teknike haste vështirësi të mëdha, për shkak se pushteti kishte një kontroll të veçantë për këto gjëra. Krahas problemeve që lidheshin me sigurimin e teknikës së shtypjes dhe bazës ku do të fshiheshin këto mjete, Mehmet Hajrizi nxjerr në pah edhe përgatitjen profesionale të veprimtarëve. Ai thotë në mënyrë të qartë, se “shtypi klandestin kërkonte veprimtarë të penës, të përgatitur profesionalisht dhe të qartë në dijet teorike, politike e shoqërore”.

Nga të gjithë veprimtarët që kanë vepruar në kuadër të Grupit Revolucionar të Kosovës, Mehmet Hajrizi veçon emrat e tre veprimtarëve, që në të njëjtën kohë kishin qenë gazetarë: Kadri Zekën, student i Fakultetit Juridik në Prishtinë, dega e gazetarisë dhe “punonte si gazetar në Radio Prishtina”, ndërsa Hydajet Hyseni dhe Berat Luzha në atë kohë ishin gazetarë të “Rilindjes”.

Përmes botimit të gazetës “Zëri i Kosovës”, Grupi Revolucionar i Kosovës kishte për qëllim që të “përhapte programin politik e kombëtar të saj dhe të propagandonte mjetet dhe rrugët për realizimin e tij”.

Në kuadër të përparësive që kishte caktuar kjo organizatë, detyra e parë me të cilën ngarkohej “Zëri i Kosovës” ishte “të sqaronte popullin shqiptar për statusin e tij prej skllavi, ta bindte se për t’i këputur prangat e robërisë, duheshin forma dhe mjete të luftës, që kërkonin sakrifica vetëmohuese. Liria nuk mund të kërkohej me të butë dhe me lutje, por me vendosmëri dhe me forcën e popullit të organizuar”.

Krahas artikujve të ndryshëm, ku trajtoheshin tema të caktuara për të vënë në thumb të kritikës padrejtësitë që bëheshin ndaj popullit shqiptar, në gazetën “Zëri i Kosovës” botoheshin edhe “tregime, skica, poezi etj. Aty pasqyrohej gjendja e rëndë e Kosovës dhe tregoheshin rrugët e çlirimit nga pushtuesi”.

Ndërsa për edukimin ideopolitik të anëtarëve dhe simpatizantëve të organizatës, sqaroheshin edhe çështje që kishin të bënin me aspekte të organizimit, “sepse nevoja e propagandimit të parimeve dhe e metodave të organizimit, të disiplinës dhe të teknikës konspirative del në plan të parë, kur organet policore vihen me të gjitha forcat e tyre për të na ndjekur dhe persekutuar”.

Edhe Gani Sylaj, një nga redaktorët e “Zërit të Kosovës”, thekson se shtypja e gazetës ka shënuar një hap përpara në shkallën e organizimit dhe se, fillimisht, gazeta shërbente “vetëm për anëtarët e organizatës”, me qëllim që të ndikonte “në edukimin e anëtarëve me frymë atdhetare dhe revolucionare. Më vonë janë shtypur edhe “Pararoja” dhe “Liria”, të cilat janë shpërndarë edhe te masat e gjera, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e rinisë, që të arrijë një nivel edukimi atdhetar shumë të lartë. Pjesë nga këto gazeta janë shkruar me dorë dhe janë shpërndarë në mesin e studentëve, madje edhe janë mësuar përmendsh. Si përgatitja, ashtu edhe shpërndarja e trakteve, gazetave dhe e materialeve të tjera të shkruara të organizatës janë bërë me shumë kujdes natën, në aksionet e organizuara mirë nga anëtarët e organizatës”.

Me rritjen e aktivitetit rritej edhe ndikimi i Grupit Revolucionar të Kosovës. Mirëpo kjo rritje sillte edhe rreziqe për strukturat organizative. Organet ndjekëse të pushtetit jugosllav kishin rënë në gjurmë të veprimtarëve. Një ditë pranvere “të vitit 1974, ndërsa po përgatitej një nga numrat e“Zërit të Kosovës”, policia zbuloi dhe kapi pothuajse të gjithë udhëheqjen e grupit dhe, bashkë me të, edhe materialet e revistës, bashkë me teknikën. U arrestuan Kadri Osmani e Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Jashar Alia e Metë Shatri”.

Sipas rrëfimit të Mehmet Hajrizit, nga të gjithë anëtarët e udhëheqjes së Grupit Revolucionar të Kosovës, vetëm ai kishte shpëtuar pa u arrestuar dhe kjo kishte ndodhur rastësisht, meqenëse ai kishte shkuar me vonesë në vendin e ngjarjes “për të punuar për përgatitjen e numrit të ri të “Zërit të Kosovës”, pasi policia kishte arrestuar të tjerët”.

Siç pohon edhe Mehmet Hajrizi, që ka pasur detyrën e sekretarit organizativ, “me këto arrestime grupi u dëmtua rëndë, por jo për vdekje. Pas disa muajsh hetime, këta veprimtarë u nxorën në gjyq dhe u dënuan me burg të rëndë (Kadri Osmani me nëntë vjet, Xhafer Shatri me tetë, Binak Ulaj me pesë, Jashar Alia me pesë dhe Metë Shatri me tre vjet burg)”.

Pavarësisht arrestimeve të pjesës dërmuese të udhëheqjes së Grupit Revolucionar të Kosovës, aktiviteti i veprimtarëve që kishin mbetur pa u arrestuar nuk u ndal. Krahas aspekteve të riorganizimit të strukturave, nuk mungoi as aktiviteti në terren.

Nga “Zëri i Kosovës” te “Pararoja”

Për shkak të aktiviteteve të shumta të kësaj natyre, erdhi edhe arrestimi i Rexhep Malës dhe Ilmi Ramadanit.

Edhe pse Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj përgatitën numrin e radhës të gazetës “Zëri i Kosovës”, vigjilenca që impononte situata e krijuar pas arrestimeve kushtëzoi marrjen e vendimeve të reja.

Për të shmangur faktin që hetuesia mund të binte në gjurmët e strukturave që vazhduan veprimtarinë, “u vendos të ndërrohej emri i organizatës nga Grupi Revolucionar, në Grupi Marksist-Leninist i Kosovës dhe të ndërrohej emri i organit të shtypit, nga “Zëri i Kosovës” në “Pararoja”.

Këtë gjë e bënë me qëllim që, në rast se ndonjë numër i gazetës binte në duart e pushtetit, atëherë të krijohej përshtypja se bëhej fjalë për një organizatë të re. Përndryshe, nëse mbante të njëjtin emër, kjo do të shërbente si dëshmi që hetuesia të fillonte përsëri hetimet me anëtarët që ishin arrestuar dhe dënuar më parë.

Këtë e pohon edhe Hydajet Hyseni: “Pas burgosjes së Grupit Revolucionar, praktikohej që të ndërronte edhe emrin dhe të ndryshohej edhe emërtimi i gazetës, si dhe për të shmangur mundësitë që të konkludohet se është vazhdimësi dhe për të lehtësuar pastaj zbulimin ose edhe për t’i dëmtuar shokët tanë në burgje, sepse atëherë do të kërkohej se kush ishin të tjerët”.

Me zgjerimin e radhëve, Grupi Marksist-Leninist i Kosovës u shndërrua në Organizatë Marksiste-Leniniste të Kosovës dhe, e vetëdijshme për ekzistencën e organizatave të tjera të fshehta që kishin të njëjtin qëllim politik, përcaktoi si qëllim strategjik “vënien e bazave të bashkëpunimit, me qëllim bashkimin me organizatat simotra dhe përgatitjen intensive për demonstrata masive”.

5. Fronti i Kuq Popullor dhe gazeta “Bashkimi”

Para se të flasim për qëllimin e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës, që të vendoste kontakte me organizatat e tjera që vepronin fshehtas, po përqendrohemi pak te themelimi i organizatës Fronti i Kuq Popullor.

Në intervistën që zhvillova me Ibrahim Kelmendin, themeluesin e Frontit të Kuq Popullor, ai përmend një aspekt tjetër të çështjes shqiptare në Jugosllavi: çështjen e emigracionit për motive ekonomike. “Për shkak të papunësisë së madhe që mbretëronte në Jugosllavi, shtetet e Aleancës së NATO-s i ofruan RSFJ-së mundësinë për punësimin e qytetarëve të saj, si emigrantë ekonomikë”. Sipas të dhënave që kishte arritur të siguronte, Ibrahim Kelmendi pohon se vetëm në Gjermani në atë kohë kishte “75 mijë emigrantë nga Kosova dhe 20 mijë nga Makedonia”.

Si student i gjermanistikës dhe i filozofisë në Universitetin e Bohumit të Gjermanisë dhe nën ndikimin e atmosferës “euforike me rastin e manifestimeve të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit”, Ibrahim Kelmendi rrëfen se, së bashku me tre punëtorë shqiptarë, kishin vendosur të themelonin Frontin e Kuq Popullor, sepse ndiheshin “të obliguar që të angazhoheshin në formë të organizuar, me qëllim që të bënin veprimtari, e cila do të ndërgjegjësonte emigracionin shqiptar dhe, përmes tyre, të kishte ndikim edhe në vendlindje” .

Në funksion të kësaj, ata vendosën të krijonin edhe gazetën e tyre me emrin “Bashkimi”, por rreth kësaj çështjeje Ibrahim Kelmendi është shumë modest. Ndër të tjera ai thotë: “Gazeta nuk kishte nivelin e duhur, sepse nuk kishim kapacitete për të bërë gazetë. Filloi të publikohej në vjeshtën e vitit 1978. Numrat e parë ishin kryesisht me shkrime të huazuara, kryesisht nga shtypi i Shqipërisë, meqë nuk kishim specialistë, që të na përgatisnin shkrime origjinale”.

Edhe pse në Gjemani kushtet e përgatitjes së gazetës nuk ishin ato që duhej për shtypjen e një gazete,Ibrahim Kelmendi rrëfen se, për të arritur qëllimin, ai “shfrytëzonte teknikën e shtypjes që kishte Lidhja e Studentëve në Universitetin e Bohumit, ndërsa palosjen e “Bashkimit” e bënim kryesisht në banesën e Samedin Iljazit, nga Përca e Tetovës, banesa e të cilit shfrytëzohej edhe për takime me bashkatdhetarë”.

6. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi dhe gazeta “Lajmëtari i lirisë”

Në të njëjtën periudhë kohore ishte themeluar edhe struktura e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe e Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi, e udhëhequr nga gazetari, poeti dhe këngëtari i njohur i asaj kohe, Jusuf Gërvalla. Megjithëse në krye të kësaj organizate ishte një gazetar i njohur i Kosovës, vështirësitë e sigurimit të mjeteve teknike që përmendëm më lart, kishin bërë që kjo organizatë të mos kishte ende gazetën e saj.

Mirëpo për shkak të bindjeve të njëjta politike, gazetat që qarkullonin në atë kohë shpërndaheshin dorë më dorë edhe nga anëtarët e të gjitha grupeve dhe organizatave që vepronin fshehurazi.

7. Shtypja e gazetave në Zvicër dhe Gjermani

Me emigrimin e Kadri Zekës në Zvicër dhe të Jusuf Gërvallës në Gjermani u krijua një situatë e re. Emigrimi për motive politike i këtyre dy veprimtarëve krijoi parakushte për një punë më intensive me bashkatdhetarët në këto shtete. Për këtë çështje dëshmon Ibrahim Kelmendi, i cili thotë se, “ardhjes së Jusuf Gërvallës në Gjermani, në dhjetor 1979, iu gëzuam shumë, sidomos për shkak se shpresonim që aty e tutje ai do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së “Bashkimit” (…). Prandaj qysh në janar 1980 e patëm lutur Jusufin të merrte përsipër redaktimin e “Bashkimit”. Fatmirësisht, ai pranoi. Dhe aty e tutje, deri në janar 1981, mundëm të botonim tre numra”.

Krahas ndihmës që i kishte dhënë Frontit të Kuq Popullor për të redaktuar gazetën “Bashkimi”, Jusuf Gërvalla punonte në dy drejtime: riorganizimin e strukturave të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi dhe nxjerrjes së një gazete të re, që do të luante rolin e organit të kësaj organizate.

Veprimtaria e dytë e Jusuf Gërvallës ishte përqendruar në krijimin e një reviste, që do të dilte çdo dy muaj. Nëse kemi për bazë faktin, se numri i parë i revistës “Lajmëtari i lirisë” doli në muajin gusht të vitit 1980, atëherë mund të krijojmë një ide të përafërt për angazhimin e madh, që ky veprimtar kishte bërë për një periudhë kohore që shtrihet nga fundi i dhjetorit të vitit 1979, kur u largua nga vendlindja, deri në muajin gusht të vitit 1980: riorganizimi i komiteteve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe e Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi në disa qytete të Kosovës, shkrimin e artikujve dhe redaktimin e gazetës “Bashkimi” dhe nxjerrja e një reviste!

Qëllimi i nxjerrjes së një reviste të tillë sqarohet në shkrimin lidhur me daljen e numrit të parë të “Lajmëtarit të lirisë”. Në shkrimin e titulluar “Dy fjalë për numrin e parë të “Lajmëtarit të lirisë” thuhet:“Shpresojmë që, nëpërmjet këtij organi, t’ia dalim me sukses të bëhemi zëdhënës të aspiratave revolucionare të djalërisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk e ndal dot luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për bashkimin me vendin amë, Shqipërinë.Kështu shpresojmë të plotësojmë edhe një detyrë, një dimension të luftës sonë të përgjithshme: të demaskojmë botërisht armikun tonë shekullor, qeverinë shoviniste të Beogradit, dhe t’u bëjmë jehonë ideve dhe veprimeve të lëvizjes së përgjithshme nacionalçlirimtare në pjesën e robëruar të atdheut tonë, në tokat shqiptare të robëruara nga Jugosllavia” .

Një qëllim i tillë del si domosdoshmëri edhe për arsye të propagandës, që mediat e kontrolluara nga pushteti komunist jugosllav ishte shumë e fuqishme. Një konstatim i tillë mund të nxirret nga shkrimi i titulluar “Viktima që glorifikon xhelatin”, në të cilën kritikohet përmbajtja e gazetës “Rilindja”, gazetar i së cilës kishte qenë para se të arratisej në Gjermani.

Në këtë shkrim thuhet: “Ti e ke ditur që “Rilindja” është organ i LSPP-së së Kosovës; LSPP-ja e Kosovës, degë e LSPP-së së Jugosllavisë; LSPP-ja e Jugosllavisë, shpikje e pakripë e klikës titiste; klika titiste, mashë e shovinizmit dhe e hegjemonizmit të lig serb… e kështu me radhë deri te Kau i Zi, përkatësisht deri te pansllavizmi i mykur. Prandaj duke ia bërë me kohë vendin në mesin e “të drejtave” më formale që “gëzon” populli ynë në skëterrën jugosllave, ti i ke dhënë vetes të drejtë morale që të mos e lexosh fare “Rilindjen”. A çohet jeta me rrena bajate dhe me poshtërsi, së cilave më së paku u besojnë ata që i pjellin vetë?! Ja, për shembull, ty të prezantonfakti se “Rilindja” jonë, që 35 vjet ta ka nxjerrë me përunjësinë më të skllavëruar e më poshtëruese së paku 12 775 herë në faqen e parë fotografinë e xhelatit më të madh të popullit shqiptar, J. B. Tito, dhe gati po aq herë atë e ka quajtur ndërsy teje: “Tito, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jonë e vetme” (Mos qoftë thënë prej gojës së shqiptarit kjo hata!).

Më duket e rëndësishme të përmend faktin, se në ballinën e gazetës, ndër thënien: “Me penë dhe me pushkë për liri dhe bashkim me vendin amë, Shqipërinë socialiste!”, që ishte motoja e organizatës, citohet një pasus i juristit dhe politologut  të njohur shqiptar, Arben Puto, në të cilën thuhet: “Në kundërshtim të hapur me parimin e kombësisë dhe të vullnetit të popullsive vendëse, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahina të tëra, si Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni. Më tepër se gjysma e popullsisë së vendit dënohej të ndërronte zgjedhën e vjetër turke me një zgjedhë të re, atë të Serbisë dhe të Malit të Zi”.

E njëjta moto e organizatës dhe i njëjti citat i Arben Putos u përsëritën edhe në numrat e tjerë të revistës.

8. Botimi i gazetës “Liria” dhe hapat e parë drejt unifikimit të shtypit klandestin

Në muajin prill të vitit 1979, Kadri Zeka u detyrua të largohej nga Kosova për t’i shpëtuar arrestimit. Vendosja e tij në Zvicër i dha mundësi që të vepronte me mërgimtarët në organizimin e tyre.

Duke u nisur nga fakti se në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare kushtet materiale për botimin e gazetës ishin shumë të vështira dhe kishte rrezikshmëri të madhe që të identifikoheshin nga pushteti, Zvicra u pa si një mundësi e mirë që të botohej gazeta e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës.

Një nga vendimet e reja që kishte marrë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës për të fshehur gjurmët e veta, ishte ndërrimi i emrit të gazetës, që shërbente si organ teorik i organizatës, nga “Pararoja” në “Liria”.

“Organi “Liria” përgatitej dhe redaktohej në Kosovë, por nën përkujdesjen e Kadri Zekës botohej jashtë, me teknikë moderne dhe shpërndahej në Kosovë e në mërgatë”. Vlen të përmendet se, përveç Kadri Zekës që u vendos në Zvicër, edhe Hydajet Hyseni qëndroi në këtë shtet për një kohë të caktuar. Kadri Zeka, Hydajet Hyseni dhe veprimtarë të tjerë, si Hasan Malaj, Kadri Abdullahu e Jakup Halimi kishin marrë mbi supet e veta përgjegjësinë që të bënin shtypjen dhe shpërndarjen e gazetës “Liria”. Numri i parë i kësaj gazete u shtyp në tetor 1980 dhe krahas shpërndarjes mes mërgimtarëve në Perëndim, organizata gjeti rrugët e futjes së gazetës edhe në Kosovë. Për këtë aspekt do të flasim më poshtë.

Mjafton të krahasohen ekzemplarët e botimeve të mëparshme të “Zërit të Kosovës” dhe të “Pararojës”, që bëhej me teknikën e siguruar brenda vendit, me ekzemplarët e gazetës “Liria” që shtypej në Zvicër, për të konstatuar menjëherë dallimin në cilësi. Kjo cilësi sa vinte e rritej.

Përveç aspekteve teknike, me kontributin e Jusuf Gërvallës gazetës “Liria” iu bë një ndryshim cilësor.

Edhe pse në atë kohë botonte revistën “Lajmëtari i lirisë”, Jusuf Gërvalla, si në rastin kur ndihmoi Frontin e Kuq Popullor për redaktimin e gazetës së tyre “Bashkimi”, sapo ra në kontakt me Kadri Zekën, vendosi të ndihmonte në përgatitjen e gazetës “Liria”, qoftë nëpërmjet shkrimit të artikujve, qoftë nëpërmjet përkujdesjes teknike të botimit të gazetës.

Përveç asaj, që lexuesve të revistës së tij, “Lajmëtari i lirisë”, u rekomandonte që “të gjejnë e të lexojnë me kujdes “Lirinë’”, Jusuf Gërvalla e ndërpreu botimin e “Lajmëtarit të lirisë” dhe kontributin e vet ia përkushtoi botimit të gazetës “Liria”.

Botimi i gazetave në shtetet e Evropës Perëndimore dhe shpërndarja e tyre te mërgimtarët shqiptarë kishte përparësi të mëdha teknike. Kjo mundësoi të shpërndahej një numër shumë madh ekzemplarësh. Si ilustrim këtu përmendim faktin, se vetëm gazeta e Frontit të Kuq Popullor “Bashkimi” arriti “tirazhin deri në 10 mijë ekzemplarë, pasi kishte interesim të madh për të në emigracion, por edhe për ta çuar në vendlindje”.

Shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 krijoi një situatë të re, ku udhëheqësit e këtyre tri organizatave u vunë në lëvizje për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar lidhur me dhunën që pushteti jugosllav ushtronte kundër shqiptarëve. Një nga detyrat urgjente ishte shprehja e revoltës së mërgimtarëve përmes demonstratave nëpër qendrat kryesore të shteteve demokratike në botë.

Përveç Ibrahim Kelmendit, që kishte ndërprerë botimin e gazetës “Bashkimi” dhe kishte ngrirë aktivitetin e Frontit të Kuq Popullor, me qëllim që të krijoheshin mundësitë e bashkimit të organizatave në luftë për realizimin e kërkesave politike, dy organizatat e tjera që u trajtuan gjatë këtij studimi vazhduan me botimin e gazetave të tyre.

Kështu, në funksion të informimit të mërgimtarëve me realitetin e ngjarjeve në Kosovë, në muajin prill të vitit 1981 redaksia e gazetës “Liria” botoi 2 000 ekzemplarë, me një përmbledhje të artikujve të ndryshëm të titulluar “Jehona e ngjarjeve në Kosovë”, ndërsa nëpërmjet gazetës, redaksia e “Lirisë” shprehte qëndrimin se vala e terrorit dhe e dhunës që kishin shpërthyer në Kosovë nuk mund ta frikësonin popullin shqiptar dhe ftonte që të mobilizoheshin të gjitha energjitë, për të vazhduar rezistencën deri në fitoren përfundimtare.

Në nëntor të vitit 1981, Jusuf Gërvalla ndërroi emrin e organit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi nga “Lajmëtari i lirisë” në “Zëri i Kosovës”.

Pas numrit të nëntorit të vitit 1981 të gazetës “Zëri i Kosovës”, Jusuf Gërvalla publikoi edhe numrin e janarit të vitit 1982.

Përkundër publikimit të gazetave të tyre, udhëheqësit e tri organizatave që ishin vendosur në Gjermani dhe në Zvicër koordinonin aktivitetet e tyre. Krahas veprimtarisë së përbashkët për organizimin e mërgimtarëve, që të protestojnë para ambasadave dhe konsullatave të shtetit jugosllav, ose para Selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, personalitetet kyç të organizatave të lartpërmendura filluan edhe bisedimet për krijimin e një fronti të përbashkët.

Ibrahim Kelmendi sqaron se, për shkak të rrethanave të vështira që ishin krijuar në Kosovë dhe në Maqedoni, në verën e vitit 1981 Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla kishin filluar bisedimet për bashkimin e organizatave. Sapo u morën vesh që të bëhej bashkimi i Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës, Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi dhe e Frontit të Kuq Popullor, ndërhyri Shërbimi Sekret Jugosllav nëpërmjet atentatit të 17 janarit të vitit 1982 në Gjermani.

Për kontekstin e kësaj ngjarjeje Ibrahim Kelmendi thotë: “Më 16 janar 1982, Jusufi ftoi Kadriun dhe mua të shkonim tek ai, që të bisedonim se si duhej ta koordinonim veprimtarinë në të ardhmen. Në mëngjesin e hershëm të 17 janarit 1982 vendosëm bashkimin e organizatave tona në Lëvizjen për Republikën e Kosovës (LRK). Fatkeqësisht, në mbrëmjen e asaj dite, duke qenë në vlugun e punës për të konkretizuar protokollin dhe platformën e LRK-së të sapoformuar, ndodhi vrasja e Jusufit, Kadriut dhe e Bardhoshit”.

Prapa hekurave të burgjeve ishte një pjesë e madhe e udhëheqësve dhe e anëtarëve të organizatave të lartpërmendura.

Bashkimi i organizatave të fshehta në një front të përbashkët

Më 17 shkurt 1982 del në skenë Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, e cila, në kontekste të ndryshme, e ndërroi emrin disa herë dhe në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të vitit 1991, kjo organizatë u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës.

Ndërsa për emrin e gazetës së organizatës u vendos të ishte “Zëri i Kosovës”, emër që ishte përzgjedhur edhe në vitet ‘70-të nga Grupi Revolucionar i Kosovës dhe në nëntor të vitit 1981 nga Jusuf Gërvalla si organ i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi.

Dinamika që u imponua pas demonstratave të vitit 1981 krijoi mundësitë e formimit të një organizate, që kombinonte format e fshehta të veprimtarisë në vendlindje, ndërsa në shtetet e Evropës Perëndimore vepronte haptazi. Orientimi strategjik për të mobilizuar të gjithë shqiptarët e territoreve që ishin nën Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi “pa dallim ideologjie, orientimi politik, krahine, moshe, gjinie, përcaktimi fetar a klasor, u dëshmua si strategji e qëlluar”.

Përveç faktit se në udhëheqjen e kësaj organizate ishin edhe veprimtarë të njohur politikë, që vinin nga territoret shqiptare në Maqedoni, si Ali Ahmeti, Bardhyl Mahmuti, Fazli Veliu, Avni Dehari apo nga Lugina e Preshevës, si Halil Selimi dhe Adnan Asllani, për temën time është me rëndësi të përmend, se Avni Dehari dhe Adnan Asllani kanë qenë redaktorë të gazetës “Zëri i Kosovës” në periudha të ndryshme kohore. Intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me këta dy redaktorë të “Zërit të Kosovës” japin të dhëna shumë të rëndësishme dhe ndriçojnë periudhën e viteve ‘80-të dhe ‘90-të, të cilat do t’i integroj në studimin që do të bëj si vazhdim të këtij hulumtimi.

Kur trajtova kushtet e vështira me të cilat ballafaqoheshin veprimtarët e organizatave për të botuar një gazetë fshehurazi në kohën e monizmit në Jugosllavi, u ndala edhe në rrethanat e tjera, të cilat ndikuan që gazeta “Liria” të botohej në Zvicër.

Botimi i gazetave në shtetet e Evropës Perëndimore dhe shpërndarja e tyre te mërgimtarët shqiptarë kishte përparësi të mëdha teknike. Kjo mundësoi të shpërndahej një numër shumë madh ekzemplarësh dhe si shembull po përmend faktin, se vetëm gazeta e Frontit të Kuq Popullor, “Bashkimi” arrinte “tirazhin deri në 10 mijë ekzemplarë, meqë kishte interesim të madh për të në emigracion, por edhe për ta dërguar në vendlindje”. Mirëpo ajo që ishte e vështirë në këtë rast, lidhej me futjen e këtyre gazetave në territoret shqiptare nën Jugosllavi.

Nevoja për të futur në viset shqiptare në Jugosllavi shtypin dhe literaturën që ishte e ndaluar nga pushteti jugosllav, bëri që veprimtarët e organizatave të fshehta të hulumtojnë forma të ndryshme për të realizuar një qëllim të tillë. Futja e literaturës fshehurazi përmes mërgimtarëve ishte një nga format kryesore të këtij aktiviteti. Në intervistën e lartpërmendur, Ibrahim Kelmendit thekson se “merita u takonte bashkëveprimtarëve, që guxonin dhe kishin shumë fantazi si ta futnin fshehurazi në RSFJ, për t’ua dhënë familjarëve e shoqërisë së tyre”. Në këtë kontekst ai veçon Hysen Gegën, veprimtar nga Sallagrazhdi i Suharekës, i cili kishte arritur të fuste shumë ekzemplarë të gazetës “Bashkimi”, si dhe programin dhe statutin e Frontit të Kuq Popullor. Kur bëhet fjalë për gazetën “Bashkimi”, Ibrahim Kelmendi mendon se “në Kosovë duhet të kenë hyrë rreth 2 000 ekzemplarë”. Ndërsa Mehmet Hajrizi, duke u mbështetur në dëshmitë e Xhafer Durmishit, të botuara në gazetën “Epoka e re”, shkruan se Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla kishin ngarkuar Haxhi Berishën dhe Hasan Malajn, të cilët kishin sjellë fshehurazi në Kosovës mijëra ekzemplarë të gazetës “Liria”.

Kjo veprimtari ishte shumë e rëndë. Në intervistën që zhvillova me Mehmet Hajrizin, ai vë theksin në vështirësitë që e karakterizonin këtë formë të veprimtarisë. “Dërgimi i materialeve për gazetën “Liria” nga Kosova në Zvicër për shtyp dhe sjellja e mijëra ekzemplarëve të saj përsëri në Kosovë, paraqiste rreziqe dhe mundime të mëdha për veprimtarët që bënin këtë punë, prandaj një pjesë e asaj teknike u soll në Kosovë”.

Për të krijuar një pasqyrë për rrezikun me të cilin mund të ballafaqohej çdo njeri që merrte përsipër të fuste në Jugosllavi literaturën e ndaluar nga komunistët jugosllavë, mund të përmendim rastin e Zijah Shemsiut dhe Sami Kurteshit.

Në këtë fazë të studimit tim, jam përpjekur të hedh dritë në disa aspekte të fushës mediatike të regjimeve moniste. Përmbysja e sistemeve politike njëpartiake krijoi një kontekst të ri historik, që imponoi rishikimin e formave të organizimit dhe të komunikimit. Hulumtimi i rolit të “Zërit të Kosovës” në kuadër të luftës politike që zhvilloi kjo organizatë, është me interes të madh shkencor, sepse mundëson të shihet hapësira mediatike në territoret shqiptare pas shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura