ABDULLA MEHMETI: SI U LIND UNIVERSITETI I TETOVËS

Tetovë, 28. 02. 2014 – (“Të mos presim vetëm nga qeveria, por edhe vetë të mundohemi, se një qeveri që nuk na ka bërë zgjidhje deri sot, edhe tani e tutje mund të na lerë të shkretë dhe të shkojmë kot.” – Rexhep VOKA)
Njëra ndër fitoret më të mëdha që arriti populli shqiptar në Maqedoni gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit njëzet, padyshim është themelimi i Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, si tempull i dijes, i arsimit dhe i shkencës, për shqiptarët e Maqedonisë, trevat tjera shqiptare dhe për kombin shqiptar në përgjithësi. Prandaj, si iniciator për themelimin, ngritjen dhe zhvillimin e këtij Universiteti, përmes këtij shkrimi dëshiroj që të nxjerr në dritë të vërtetën rreth nismës për themelimin e Universitetit të Tetovës, dhe t’ua bëj me dije opinionit dhe sidomos gjeneratave të reja, se iniciativa për themelimin e Universitetit të Tetovës (atëherë Universiteti Shqiptar në Maqedoni) është ngritur që nga fundi i vitit 1993, jo siç kanë deklaruar udhëheqësit e atëhershëm të Universitetit të Tetovës, nga 14 maji i vitit 1994, gjashtë muaj më vonë. Me publikimin e këtyre dëshmive opinioni do të ketë një pasqyrë reale rreth themelimit të këtij Universitetit, por mbetet shqetësues fakti se pse dikush ka dashur me vite të tëra ta fsheh nismën për themelimin e këtij Universiteti?!

Këtë po e bëj me publikimin e dëshmive, dokumenteve dhe fakteve, të cilat nuk janë publikuar deri më sot, si dhe të vë në pah kontributin e shumë intelektualëve shqiptarë për themelimin e këtij Universiteti, rrugën e vështirë të ngritjes dhe mbijetesën e këtij tempulli me histori të veçantë të arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare.
Shqiptarët e Maqedonisë, me fillimin e proceseve demokratike bënë përpjekje të vazhdueshme për ta dëshmuar pjekurinë e tyre, se dinë dhe mundin t’i dalin zot vetvetes për realizimin e të drejtave kombëtare, të mohuara dhe nëpërkëmbura nga regjimi i mëparshëm komunist, dhe në mënyrë të veçantë, për realizimin e të drejtave të natyrshme njerëzore dhe kombëtare, për zhvillim normal ekonomik, politik dhe kulturor të tyre.
Kurorë e të gjitha përpjekjeve dhe sakrificave për barabarësi, liri kombëtare, shkolla në gjuhën shqipe dhe gjuhë amtare, ishte themelimi i Universitetit të Tetovës. Me themelimin e këtij Universiteti, shqiptarët e Maqedonisë e realizuan ëndrrën e tyre shekullore, aspiratën e qindra pishtarëve të arsimit, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare deri në ditët e sotme, që ta kenë për herë të parë në historinë e tyre fatin në duart e veta, duke e realizuar të drejtën për arsimim në gjuhën amtare edhe në nivel universitar dhe pasuniversitar. Ky Universitet do t’u jep shtytje edhe proceseve të tjera politike dhe kulturore, jo vetëm të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe më gjerë, duke e zgjuar ndërgjegjen e fjetur të institucioneve ndërkombëtare që ta kthejnë seriozisht shikimin nga popujt e robëruar dhe të shtypur, për shkeljen e të drejtave dhe lirive elementare të njeriut, në shtetet që sapo kishin dalë nga humnera e regjimit komunist.
Republika e Maqedonisë, edhe pas pavarësimit të saj, në vitin 1991, nuk bëri asnjë përpjekje për garantimin e këtyre të drejtave për shqiptarët, të mohuara nga regjimi i mëparshëm, edhe përkundër deklarimit të saj si shtet demokratik, i cili u garanton të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare, të garantuara edhe me kushtetutën e këtij vendi.
Në vitet e para të pluralizmit, lindën shumë parti politike, organizata dhe shoqata të shqiptarëve të Maqedonisë, ndër të cilat ishte edhe themelimi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, më 19 gusht 1990, që ishte shpresa më e madhe dhe më e sigurt për këtë popullatë, e cila ndërmori hapa të rëndësishëm për tejkalimin e kësaj gjendje, dhe siç u dëshmua më vonë, mu nga gjiri i kësaj organizate u lind edhe iniciativa për themelimin e një Universiteti shqiptar në Maqedoni, më vonë i emëruar sipas selisë së tij, Universiteti i Tetovës, i cili do t’ia hap rrugën e zhvillimit dhe të përparimit popullit të shumëvuajtur shqiptar në Maqedoni.
Duke pasur parasysh rrethanat e reja, në vend dhe më gjerë në regjionin e trazuar të Ballkanit, rruga e vetme për zgjidhjen e çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe ishte krijimi i Universitetit të shqiptarëve në Maqedoni, prandaj, ngritja e kësaj iniciative nga Bashkësia Kulturore Shqiptare nuk ishte thjeshtë vetëm realizim i përcaktimeve programore të saj, por një hap historik që do ta ndryshojë njëherë e përgjithmonë pozitën e shqiptarëve në këtë shtet.
Në fund të vitit 1993 dhe në fillim të vitit 1994, si kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, më takoi mua detyra historike të jem në ballë të këtyre përpjekjeve, bashkë me shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, që ta realizojmë aspiratën tonë shekullore për arsimim të lartë dhe sipëror në gjuhën amtare, me hapjen e Universitetit të Tetovës.
Asgjë në lidhje me këtë çështje nuk ishte e rastësishme, por gjithçka ishte e planifikuar mirë, me një strategji dhe platformë afatgjate. Pa platformë dhe pa i analizuar rrethanat dhe kohën më të përshtatshme për ta vënë në rend dite këtë çështje sigurisht që rezultatet nuk do të ishin ato që i kemi tanimë të njohura të gjithë ne. Dy fakte që duhet të përmenden me këtë rast, e që nuk janë përmendur deri më sot, as nga drejtuesit e parë dhe as nga ata të mëvonshmit të Universitetit të Tetovës dhe, as nga studiuesit që janë marrë me këtë çështje, se:
Ideja për themelimin e Universitetit të Tetovës është AUTOKTONE, se kjo iniciativë nuk është nxituar nga jashtë dhe nuk është frymëzuar nga qarqet intelektuale dhe politike jashtë Maqedonisë, por është projekt kombëtar i hartuar nga vetë inteligjencia shqiptare e këtushme, ku nismën e kishte nga Bashkësia Kulturore Shqiptare. Dhe e dyta, se nga analizat tona të hollësishme u desh të gjendet momenti më i përshtatshëm dhe të krijohen kushtet optimale për ngritjen e kësaj iniciative. Sipas vlerësimit tonë analitik, ky ishte fillimi i vitit 1994, gjatë të cilit Republikës së Maqedonisë i ishin imponuar tri detyra të rënda në nivel shtetëror:
1. Regjistrimi i popullsisë me mbikëqyrje ndërkombëtare
2. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, në vjeshtë të këtij viti, dhe
3. Përballja me gjendjen e vështirë ekonomike, pas vendosjes së embargos së njëanshme nga fqinji jugor i saj, Republika e Greqisë.
Në këto rrethana, konsideruam se organet e pushtetit të këtij vendi nuk kanë mundësi të ndërmarrin masa represive kundër kësaj iniciative dhe themelimit të Universiteti të shqiptarëve në Maqedoni. Ne kemi qenë të vetëdijshëm se për momentin nuk ekziston kornizë e mjaftueshme ligjore për themelimin e këtij Universiteti, por na inkurajonte fakti se Kushtetuta e këtij vendi krijoi një kornizë solide, që pritej të rregullohet me Ligj të veçantë në të ardhmen. Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe organet tjera të pushtetit aktual, deri në këtë kohë nuk kishin ndërmarrë masa të nevojshme në bazë të Kushtetutës së vitit 1991, neni 44, 45 dhe 46, në lidhje me Ligjin kushtetues për zbatimin e Kushtetutës, për sigurimin e rregullativës ligjore për arsimin e lartë universitar.
Në muajin mars të po këtij viti, në mbështetje në nenit 6 të Ligjit kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Ministria për Arsim dhe Kulturë Fizike e përgatiti dhe ia propozoi Qeverisë dhe Parlamentit të atëhershëm Projektligjin për universitet (shih: foto nr.1.), i cili krijonte një kornizë të përshtatshme për themelimin e universiteteve, por i njëjti u tërhoq nga procedura për miratim menjëherë pas themelimit të Universitetit të Tetovës, për ta pamundësuar ngritjen e tij dhe njohjen zyrtare nga organet përkatëse të Republikës së Maqedonisë.

Ballina e Projektligjit për universitet, mars 1994.

*  *  *

Me shpalosjen e këtyre dëshmive, fakteve dhe dokumenteve të papublikuara deri më tani, njëherësh dua të vë në pah mundin dhe sakrificën e shumë intelektualëve shqiptarë për themelimin, ngritjen dhe zhvillimin e këtij institucioni që shqiptarëve të Maqedonisë ua hapi rrugën e ardhmërisë, të popullatës shqiptare që shtëpitë e veta i shndërroi në mësonjëtore, të mësimdhënësve të parë që ligjëruan në kushte tejet të vështira dhe pa pagesë, si dhe të gjeneratës së parë të studentëve të këtij Universiteti. Shumica e këtyre intelektualëve dhe kontribuuesve, jo vetëm që janë lënë në harresë, por as që është përmendur sa duhet kontributi dhe sakrificat e tyre nga strukturat drejtuese të Universitetit, duke filluar që nga koha e themelimit e deri më sot.
Me iniciativën time, Kryesia e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, gjatë muajit dhjetor të vitit 1993, pas një analize të hollësishme të gjendjes së arsimit në gjuhën shqipe në Maqedoni, dhe sidomos të arsimit të lartë e sipëror, përgatiti një plan operativ dhe ndërmori disa aktivitete, siç do t’i paraqesim në vazhdim sipas kronologjisë së zhvillimit të tyre:
Mbledhja e parë me grupin e intelektualëve në Komisionin Amë për hapjen e Fakultetin Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe
Takimi i parë me grupin e intelektualëve në Komisionin Amë për hapjen Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe u mbajt në Shkup, më 9.11.1993 (shih: foto nr. 2.). Këtë takim e organizoi grupi i intelektualëve shqiptarë që angazhohej për hapjen e këtij Fakulteti në kuadër të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit. Ky takim u mbajt me fillim në orën 15:00, në zyrat e ndërmarrjes së z. Nevaip Ramadani, në një ndërtesë në afërsi të Urës së gurit. Ky ishte takimi im i parë në lidhje me bartësit e kësaj iniciative dhe u realizua me kërkesë të tyre, me ndërmjetësimin e dr.Murtezan Ismailit, në përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje për jetësimin e kësaj ideje që kishin ngritur këta intelektualë në kuadër të Unionit të Inteligjencies Shqiptare në Maqedoni, të cilën atë kohë e udhëhiqte dr. Xhevat Gega. Pas shumë bisedave që kishim zhvilluar më herët me dr. Murtezan Ismailin në lidhje me iniciativën e Bashkësisë Kulturore Shqiptare për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, së bashku me dr. Murtezan Ismailin dhe Mr. Ramadan Sinanin, atë ditë shkuam nga Tetova në Shkup për t’u njoftuar me rezultatet e bisedimeve të bartësve të iniciativës për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe që kishin zhvilluar me krerët e shtetit, si dhe me qëndrimet e organeve më të larta të pushtetit në Maqedoni në lidhje me pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e çështjes së arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
Në fillim të kësaj mbledhje, për bisedimet e zhvilluara dhe për qëndrimin e organeve të pushtetit na informoi deputeti Sejfedin Haruni, i cili me mandat të deputetit (nga radhët e Partisë për Prosperitet Demokratik, e cila atë kohë ishte në Qeveri), ishte ngarkuar me detyrë, së bashku me një grup intelektualësh, që t’i udhëheq këto bisedime me krerët e shtetit, kryetarin e Maqedonisë, z. Kiro Gligorov, kryetarin e Parlamentit, z. Stojan Andov, kryetarin e Qeverisë, z. Nikolla Klusev, Ministrin e Arsimit dhe Kulturës Fizike, z. Dimtar Bajallxhiev dhe me organet drejtuese të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit.
Në vazhdim të këtij takimi, fjalën e mori dr. Masar Kodra, i cili shprehu mendimin se, duhet të mblidhen të gjitha subjektet shqiptare në Maqedoni për pleqnimin e kësaj çështje. Meqë ndërkohë kishim shumë aktivitete, (në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare dhe të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë, të cilën atë kohë e udhëhiqte dr. Masar Kodra, bënim përgatitjet e fundit për shënimin e 85 vjetorit të Kongresit të Manastirit. Shënimi im), ai ishte i mendimit të shtyhen këto biseda për një kohë, pas përfundimit të këtyre manifestimeve.
Pas tij, fjalën e mori dr. Xhavat Gega, i cili mes tjerash tha se nuk guxojmë t’i përjashtojmë subjektet tona politike nga bisedimet e mëtejshme, pasi të merren qëndrimet me shkrim nga drejtuesit e Universitetit të Shkupit.
Në vazhdim diskutoi edhe dr. Tahir Zajazi, i cili ishte i mendimit se duhet të takohemi, jo vetëm për të biseduar, por për të vendosur, sepse kemi përgjegjësi ndaj popullit. Me këtë rast, ai shprehu mendimin se duhet të hapen disa grupe studimore të këtij Fakulteti, krahas zhvillimit të bisedimeve me organet e pushtetit, që të mos humbim kohë me bisedimet që nuk i dhanë rezultatet e pritura.
Në bisedë u inkuadrua edhe dr. Remzi Nesimi, i cili ishte i mendimit, meqë nuk kishte rezultate konkrete nga bisedimet e deritashme, t’i bashkojmë të gjitha forcat për tejkalimin e kësaj gjendje.
Anëtari tjetër i këtij Komisioni, dr. Murat Murati, tha se duhet mblidhemi sa më shpejtë, në vendin dhe kohën e caktuar. Ne vazhdimisht kemi punë, u shpreh ai, prandaj duhet të ngutemi e të mos humbim kohë. Ai ishte i prerë në qëndrimin se organet e pushtetit nuk kanë disponim për zgjidhjen e kësaj çështje.
Pastaj fjalën e mori dr. Murtezan Ismaili dhe, pasi i bëri një rezyme të hollësishme angazhimit të këtij Komisioni deri në ditën e sotme, i informoi të pranishmit me qëllimin e pjesëmarrjes sime në këtë takim, në cilësi të Kryetarit të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, dhe të anëtarit të Kryesisë, mr. Ramadan Sinanit, duke i njoftuar ata me iniciativën e BKSH-së për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, me seli në Tetovë, dhe shprehu bindjen se ky asociacion e kishte dëshmuar veten se ka potencial të mjaftueshëm për t’i zgjidhur këto çështje. Në lidhje me këtë çështje, të pranishmit për herë të parë i njoftova edhe unë, dhe sa për dijeninë e tyre, u sugjerova që këtë çështje nuk duhej ta diskutonin me organet e pushtetit deri në momentin kur të krijohen kushtet e përshtatshme për bërjen publike të kësaj iniciative dhe njoftimin e opinionit me hollësi të tjera në lidhje me aktivitetet për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni.
Në vazhdim, edhe njëherë u inkuadrua në bisedë deputeti Sejfedin Haruni, i cili ishte i mendimit se duhet të mblidhemi së shpejti, sërish për ta diskutuar çështjen e hapjes së Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe, por në përbërje më të zgjeruar dhe me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të subjekteve të tjera politike dhe jopolitike të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe paraqiti propozim konkret, që mbledhja të mbahet në Gjimnazin ,,Zef Lush Marku, më 18.11.1993, në orën 16:00, për ta shqyrtuar mundësinë e hapjes së Fakultetit Pedagogjik, dhe në këtë takim të ftohen nga tre përfaqësues nga të gjitha asociacionet shqiptare në Maqedoni.
Në këtë takim morën pjesë: dr. Remzi Nsimi, dr. Masar Kodra, dr. Xhevat Gega, dr. Tahir Zajazi, dr. Murat Murati, dr. Abdurauf Pruthi, dr. Murtezan Ismaili, ndërsa nga BKSH, merrnin pjesë, Abdulla Mehmeti, në cilësi të Kryetarit të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni dhe Mr. Ramadan Sinani, anëtar i Kryesisë. Në takim ishte i pranishëm edhe nikoqiri, drejtori i ndërmarrjes që na e kishte ofruan mundësinë e mbajtjes së këtij takimi, z. Nevaip Ramadani.

Shënime nga mbledhja e parë me grupin e intelektualëve në Komisionin Amë, e mbajtur në Shkup, më 9. 11. 1993.

*  *  *

Mbledhja e dytë me grupin e intelektualëve në Komisionin Amë për hapjen e Fakultetin Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe
Takimi i dytë me karakter pune, me grupin e intelektualëve në Komisionin Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik, u mbajt në Shkup, më 21.01.1994 (dita e premte). Ky ishte takimi i 8-të (tetë) i Komisionit, siç u informuam nga vetë organizatorët (shih: foto nr. 3.).
Në këtë takim, si edhe herën e parë, kam marrë pjesë në cilësinë e mysafirit, në emër të BKSH’së, për t’u njoftuar me zhvillimin e aktiviteteve në lidhje me iniciativën për hapjen e Fakultetit Pedagogjik, për ecurinë e bisedimeve të tyre me krerët e shtetit, si dhe për t’i njoftuar ata me qëndrimet e Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e cila veç kishte filluar të ndërmerr hapa konkret për zgjidhjen e çështjes së arsimit të lartë dhe sipëror në gjuhën shqipe në Maqedoni.
I pari në këtë takim e morri fjalën dr. Masar Kodra, i cili tha se duhet t’i heqim shpresat se me pushtetin mund të arrijmë marrëveshje për themelimin e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe. Jam i mendimit që ta fillojmë iniciativën në mënyrë të pavarur, me krijimin e kushteve elementare dhe të bazës financiare. Mund të mbështetemi financiarisht nga Liga e Shteteve Islamike, me kusht që të jenë krijuar këto kushte, siç përmendi ai:
1. Leja nga Qeveria,
2. Programi zhvillimor,
3. Zgjedhja e Këshillit të dekanatit, dhe
4. Plani financiar.
Për çështjen e lokalit duhet të kërkojmë zgjidhje; me blerje, me qira, ose ndonjë zgjidhje tjetër. Jam i mendimit të shpallim hua popullore, që i përgjigjet natyrës së organizimit, tha në fund të diskutimit të tij dr. Masar Kodra.
Ndërsa, dr. Adurauf Pruthi ishte i mendimit se kërkimi i formave të financimit nga faktori i jashtëm, si dhe mbështetja me pajisje për laboratorët, si dhe me kuadro, ishte real dhe i pranueshëm. Mundësitë janë reale nga financimi prej Bankës Islamike për Zhvillim, por të gjithë financuesit kërkojnë leje nga Qeveria. Unë jam skeptik edhe për ndihmën nga diaspora, sepse ky aktivitet kërkon financim permanent, ndërsa turbulencat e brendshme aktuale në Bashkësinë Islame nuk janë të favorshme për aktivitetin tonë të mëtejmë, shtoi ai.
Ndërkaq, dr. Murtezan Ismaili tha se, mjetet financiare nga Banka Islamike për Zhvillim, si dhe nga fondacionet Amerikane dhe Evropiane nuk janë shumë me rëndësi. Pse frikohemi nga koncepti i Universitetit? – e parashtroi pyetjen ai përpara të pranishmëve, duke shtuar se duhet t’i kërkojmë mundësitë e zgjedhjes së kësaj çështje edhe me faktorin ndërkombëtar.
Në vazhdim, dr. Remzi Nesimi e pranoi hapur se deri më tani ky Komision nuk e kishte arritur qëllimin dhe se kjo nuk mund të zhagitet deri në pakufi. Ne duhet të bëjmë presion dhe të marrim përsipër edhe çdo rrezik eventual, u shpreh ai në fund të diskutimit.
Nevaip Ramadani, i cili u inkuadrua në këto diskutime, tha se gatishmëria në Bashkësinë Islame për ndihmë ekziston. Ai ishte i mendimit që të formohet një komision i përbashkët me ministrat shqiptarë që të hynë në dialog serioz me pushtetin.
Diskutuesi i radhës, dr. Tahir Zajazi tha se kanë biseduar më herët që të zhvillojnë negociata për këtë aktivitet me subjektet shqiptare jopolitike dhe këshillat gjegjëse të partive politike. Sigurimi i lejes nuk mund të pritet asnjëherë, shtoi ai dhe tha se është i sigurt se pa filluar me punë të mos kemi iluzione se mund të merret leja për fillimin e punës së këtij Fakulteti. Jam i mendimit ta zgjerojmë Këshillin me subjekte të tjera, përfundoi ai.
Avni Zllatku tha se, duhet të nisemi nga puna konkrete dhe të bëjmë një deklaratë. Nuk gabohet të shkohet në Universitet, (ishte deklarim i hapur në mbështetje të iniciativës sonë për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, siç e përkrahu këtë ide më parë në këtë mbledhje edhe dr. Murtezan Ismaili. Shënimi im). Ai, më tej tha se duhet të caktohet fizionomia me zhvillimin në etapa. Për planin financiar të merren modele. Të shfrytëzohet një teknologji arsimore super moderne. Duhet të mendojmë se zhvillohemi në epokën e kompjuterit, që na e lehtëson punën. Të shpallet në mjetet e informimit edhe konkursi nga dekanati i Fakultetit për pranimin e studentëve, tha në fund ai.
Në fund të diskutimeve, dr. Murat Murati u shpreh: ,,Ne i kemi ngatërruar punët. U desh që krahas kërkesës për regjistrim të fillojmë me punën”. Ndërsa, dr. Masar Kodra përfundoi se, duhet të formohet një komision për përgatitjen e dokumentacionit dhe parashtrimin e kërkesës në organet përkatëse për hapjen e Fakultetit Pedagogjik.
Në këtë mbledhje merrte pjesë edhe Nazif Zejnullahu, nga gazeta ,,Flaka”, të cilit iu sugjerua të mos shkruaj për këto çështje në gazetë, për rrjedhat e kësaj mbledhje dhe për ngecjen e bisedimeve me organet e pushtetit në lidhje me iniciativën për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe, me pretekst se nuk duhet të dekurajohet popullata shqiptare, e cila priste me padurim të gjendet një zgjidhje për çështjen e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni.

 

Shënime nga mbledhja e dytë me grupin e intelektualëve në Komisionin Amë, e mbajtur në Shkup, më 21. 01. 1994.

*  *  *

Ky ishte takimi im i dytë dhe i fundit me grupin e intelektualëve nga Komisioni Amë për hapjen Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe. Për të qenë më të qartë në lidhje me pikëpamjet tona, të përgatitura në formë të shkruar ua dorëzova shkresën me Përfundimet për qëndrimin e Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, ndërsa Komisioni Amë vazhdoi edhe më tej me aktivitetin për zgjidhjen e kësaj çështje, të cilin në Komunikatën e Kryesisë së BKSH, e cila u botua më 2 mars 1994 në gazetën ,,Rilindja” dhe ,,Flaka”, e kemi vlerësuar si më poshtë:
,,E çmojmë angazhimin e sinqertë të deritashëm të disa intelektualëve shqiptarë në Komisionin Amë, i cili vepron në kuadër të Unionit të Inteligjencies Shqiptare në Maqedoni, që më shumë se dy vjet është angazhuar për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Matodi” të Shkupit. Konstatojmë se angazhimi i Komisionit të lartpërmendur mund të kuptohet si formë e mendimit të lirë dhe veprimit në jetën pluraliste. Mendojmë se angazhimi për krijimin e filialeve në gjuhën shqipe, në kuadër të institucioneve arsimore, shkencore, artistike dhe informative maqedonase, të cilat nuk kanë as sot e gjithë ditën tendencë të përshtatjes me realitetin shumënacinal, shumëkulturor dhe shumë gjuhësor në Maqedoni, mund të jetë vetëm shkurtpamësi me pasoja të ngulfatjes së statusit të pakicës kombëtare për popullin shqiptar në Maqedoni.”
Konkluzionet për qëndrimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së Universitetit Shqiptar në Maqedoni
Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni, përmes shkresës nr. 0301-4/1, të datës 20.01.1994 (shih: foto nr. 4.), Komisionin amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe e njoftoi me Përfundimet e Kryesisë në lidhje me qëndrimin në lidhje me zgjidhjen e çështjes së arsimit të lartë në gjuhën amtare në Republikën e Maqedonisë, në të cilën thuhet:
,,Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni, krahas angazhimeve të tjera programore, kohëve të fundit është e preokupuar edhe me çështjen shumë të rëndësishme arsimore-shkencore lidhur me idenë për themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni. Duke qenë të njoftuar pjesërisht për këtë çështje të cilën është duke e trajtuar një kohë grupi Juaj punues, i përbërë nga përfaqësues të disa asociacioneve tona, ne si Bashkësi Kulturore e Shqiptarëve në Maqedoni, KONSTATOJMË që kjo çështje kaq e rëndësishme mund të rrumbullakohet si tërësi, së pari, me përcaktimin tonë analitik se jemi për themelim Universiteti, duke e ndërtuar atë strukturalisht me fakultete për të cilët aktualisht disponojmë me kuadër këtu, e pastaj duke e pasuruar me fakultete të tjerë, sipas analizave dhe elaborimeve të grupeve të ekspertëve përkatës që do ta bëjnë këtë. Së dyti, në organizim të BKSH, me seli në Tetovë, të organizohet në pjesën e parë të muajit shkurt një Konsultë ekspertësh nga të gjitha strukturat e subjekteve shqiptare këtu në Maqedoni dhe më gjerë. Së treti, zgjidhet Komisioni financiar, i përbërë nga njerëz me cilësi të larta etike-morale, njerëzore dhe kombëtare, të cilët e kanë mandatin e popullit për të siguruar bazën materiale të Fondacionit për kulturë, arsim, shkencë dhe art. Dhe, së katërti, të formohet grupi koordinues i punëve fillestare për zgjidhjen definitive të të gjitha çështjeve në vijim, e që deri në shtator të bëhen përgatitjet përfundimtare për fillimin e punëve të Universitetit tonë të ri.”
Shkresa me këto Përfundime, në emër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni është nënshkruar nga kryetari i saj, Abdulla Mehmeti.

 


Konkluzionet e BKSH’së, nr. 0301-4/1, të datës 20. 01. 1994.

*  *  *

Sipas vlerësimit tonë, kërkesa e grupit të intelektualëve shqiptarë të angazhuar në iniciativën fisnike për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, jo vetëm që ishte injoruar nga organet më të lata të pushtetit të atëhershëm në Maqedoni, nga Kryetari i shtetit, Kryetari i Parlamentit, Kryetari i Qeverisës dhe organet drejtuese të Universitetit të Shkupit, por ishte shantazhuar edhe nga vetë strukturat udhëheqëse të partisë shqiptare në pushtet, e cila merrte pjesë aktive në organet më të larta vendimmarrëse dhe ekzekutive të Republikës së Maqedonisë, duke e penguar kështu edhe nismën tonë dhe të intelektualëve shqiptarë për hapjen e Universitetit të Tetovës. Disa vite më vonë, disa nga këta udhëheqës të atëhershëm të Maqedonisë, si Kiro Gligorov, Stojan Andov dhe Branko Cërvenkovski, në një farë mënyre do të japin sqarime dhe do të kërkojnë falje publike.
Në interes të opinionit, me bindje se shumica e të interesuarve nuk kanë informacione të mjaftueshme në lidhje me aktivitetet për këtë çështje, ju paraqesim disa të dhëna kryesore në lidhje me iniciativën për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe, të cilat janë përfshirë në një botim të veçantë, si përmbledhje e dokumenteve për hapjen e këtij Fakulteti, të cilat i botoi Shtypshkronja ,,Luma” në Tetovë, në vitin 1994, nën përkujdesjen e dr. Mutezan Ismailit dhe me ndërmjetësimin dhe përkrahjen time (shih: foto nr. 5).
Të dhëna në lidhje me Iniciativën për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe:
Mungesa e kuadrit arsimor, parashkollor, fillor e të mesëm dhe shterja e burimeve për kualifikim permanent të këtij kuadri të domosdoshëm në Republikën e Maqedonisë, e nxiti Unionin e Inteligjencies Shqiptare në Maqedoni, të gjitha asociacionet dhe subjektet legjitime politike shqiptare, për zgjidhjen e këtij problemi përmes themelimit të një fakulteti, i cili do të ishte vazhdimësi e natyrshme e Akademisë së dikurshme Pedagogjike me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni (më 08.10.1987, Këshilli Arsimor i Akademisë, me Dekret të nënshkruar nga ministri i Arsimit të asaj kohe, u morr vendim që të jetësohet neni 11-të famëkeq i Ligjit për Arsim të Orientuar të Maqedonisë, i cili parasheh që mësimi në institucione të Universitetit të zhvillohet në gjuhën maqedonase, kuptohet që më parë strategji e përgatitur e më pastaj të lansohet në rastin e volitshëm. (shih: Tahir Zajazi, Jehona, nr. 1-2/1999, f. 81.).
Kësaj iniciative, për t’i dhënë edhe peshë të merituar profesionale e shkencore, u angazhua një grup pune (Avni Zlatku, Murat Isaku, Hysen Ramadani, Ramë Haskaj, dr. Xhevat Gega, dr. Remzi Nesimi, dr. Tahir Zajazi, dr. Murat Murati dhe mr. Nexhat Abazi), me detyrë që të hartojnë Elaborat për themelimin e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe në Maqedoni. Krahas elaboratit, drejtuar organeve kompetente të Republikës, përmes një grupi koordinues u realizuan edhe negociata të shumta me Presidentin e Republikës, Kryetarin e Parlamentit, të Qeverisë, me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës Fizike, si dhe me Rektorin e Universitetit të Shkupit. Megjithatë, përveç premtimeve verbale, me asgjë materiale nuk u konkretizua kjo kërkesë e justifikuar shoqërore e popullatës shqiptare në Maqedoni.
Të bindur për peshën e kësaj kërkese të arsyeshme e fisnike, Unioni, asociacionet, subjektet politike dhe intelektualët e pavarur shqiptarë të Maqedonisë, më 20 gusht 1993 e formuan Komisionin Amë (dr. Masar Kodra, dr. Remzi Nesimi, dr. Tahir Zajazi, dr. Murat Murati, dr. Mutezan Ismaili, dr. Abdurauf Pruthi dhe mr. Sejfedin Haruni), me detyrë të kërkojnë zgjidhje të mundshme për të vënë Fakultetin Pedagogjik në veprim me fillimin e vitit akademik 1994/95.
Me themelimin e Komisionit Amë u bë kthesë cilësore në rrjedhën e procesit për themelimin e fakultetit. Kështu, kërkesa gjithëpopullore u koncentrua në këtë organ me kompetencë legjitime shkencore. Ky komision i analizoi të gjitha alternativat e mundshme, koordinoi punët dhe duke pasur në konsideratë domosdoshmërinë e pakontestueshme për përgatitjen e kuadrit arsimor shqiptar, angazhoi një grup punues (Avni Zatku, dr. Tahir Zajazi, dr. Murat Murati), për hartimin e Projektit për hapjen e këtij fakulteti.
Në mbledhjen e datës 20 shkurt 1994 (shih: foto nr. 6), në të cilën morën pjesë asociacionet, subjektet politike dhe intelektualët e pavarur shqiptarë, Komisioni Amë e prezantoi Projektin për themelimin e Fakultetit Pedagogjik, të cilin tubimi e aprovoi.

Përmbledhje e dokumenteve për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe.

*  *  *

Pra, vlerësojmë se, ky përcaktim i popullatës shqiptare të Maqedonisë, i sendërtuar nga Komisioni Amë, është jo vetëm i kapshëm, por edhe civilizues dhe i frytshëm për çdo qytetar të Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, konfesionale e sociale.


Ftesa për mbledhjen e Komisionit Amë për aprovimin e Kërkesës dhe Projektit.

*  *  *

Kërkesën për themelimin e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, popullata shqiptare e kësaj Republike e mbështet përmes: 1. Partisë për Prosperitet Demokratik, 2. Partisë Demokratike Popullore, 3. Lidhjes Demokratike Shqiptare-Partia Liberale, 4. Unionit të Inteligjencies Shqiptare në Maqedoni, 5. Lidhjes së Shoqatave të Arsimtarëve Shqiptarë, 6. Meshihatit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, 7. Lidhjes së Shoqatave të Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare, 8. Lidhjes së Historianëve Shqiptarë, 9. Lidhjes së Gruas Shqiptare në Maqedoni, 10. Forumit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni, 11. Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, 12. Shoqatës Humanitare ,,El Hilal” të Maqedonisë, 13. Shoqatës Humanitare ,,Kalliri i Mirësisë” në Maqedoni, 14. Shoqatës Humanitare ,,Nënë Tereza” në Maqedoni. (Të dhënat janë marrë nga parathënia e Përmbledhjes së dokumenteve, e cituar më lartë. Shënimi im).
PËRFUNDIM
Siç shihet nga dëshmitë e shkruara, iniciativa për themelimin e Universitetit të Tetovës (atëherë Universiteti Shqiptar në Maqedoni) është ngritur që nga fundi i vitit 1993, jo siç kanë deklaruar udhëheqësit e atëhershëm të Universitetit të Tetovës, nga 14 maji i vitit 1994, gjashtë muaj më vonë. Ndërsa, në fillim të vitit 1994 këto aktivitete do të intensifikohen edhe më tepër, në formë legale dhe institucionale, duke pasur mbështetje në Bashkësinë Kulturore Shqiptare, e cila solli Vendimin nr. 0201-7/1, të datës 01.02.1994, për zbatimin e Platformës për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (ky fakt nuk bëhet publik për herë të parë këtu, por është përmendur edhe më parë, sidomos në Deklaratën e Bashkësisë Kulturore Shqiptare për zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, të botuar edhe në gazetën ,,Flaka”, më 27-28 qershor 1998. Shënimi im). Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni e ka përgatitur Abdulla Mehmeti, gjatë muajit dhjetor të vitit 1993, të cilën e miratoi Kryesia e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, në mbledhjen e saj të rregullt, më 1 shkurt të vitit 1994, e cila si dokument strategjik na ka shërbyer gjatë gjithë kohës, për t’u përballur me sfidat në rrugëtimin e mundimshëm gjatë aktiviteteve përgatitore, për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, përgatitjet e nevojshme për fillimin me punë të Universitetit, internacionalizimin e tij dhe sigurimin e përkrahjes nga shumë faktorë ndërkombëtarë, për njohjen zyrtare me status dhe financim shtetëror të këtij institucioni, si dhe në periudhën e mëvonshme.
Në pyetjen që mund ta parashtrojnë shumë kureshtarë dhe studiuesit e ardhshëm të kësaj çështje, se pse u kam kushtuar shumë rëndësi takimeve, aktiviteteve dhe qasjes ndaj çështjes së arsimit të lartë në gjuhën shqipe nga intelektualët dhe Komisioni Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe, me seli në Shkup, përgjigja ime do të ishte se, nga këto aktivitete janë mbajtur shënime në formë të shkruar dhe në lidhje me këtë iniciativë janë miratuar dokumente të cilat dëshmojnë se kemi bërë përpjekje ta ,,thyejmë” konceptin për krijimin e filialeve në gjuhën shqipe në kuadër të institucioneve ekzistuese të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë, ide e cila do të qëndrojë si gogol në mendjet e shumë politikanëve shqiptarë edhe gjatë procesit për miratimin e Ligjit përkatës për njohjen zyrtare të Universitetin Shtetëror të Tetovës, në vitin 2004, dhjetë vjet pas themelimit dhe funksionimit të tij. Ndërsa, për aktivitetet tjera, punën tonë të mundimshme dhe sakrificat, për analizat e nevojshme të rrethanave dhe mundësive, shqyrtimin e ligjeve dhe rregullativës ligjore për themelimin e universitetit, shfletimin e literaturës përkatëse dhe studimin e përvojave nga të tjerët për themelimin e universiteteve, si në Maqedoni dhe në vendet tjera të botës, për harxhimet e pakursyera gjatë zhvillimit të këtyre aktivitete, me muaj të tërë përpara mbajtjes së Kuvendit për themelim dhe gjatë themelimit të Universitetit të Tetovës e më vonë, vetëm Zoti mund të jetë dëshmitar! Ndërsa, njerëzit që kanë bashkëjetuar me themelimin, rritën dhe zhvillimin e këtij Universiteti, si dhe gjeneratat e reja që do të vinë më pas, vetëm le ta mësojnë se cila ka qenë rruga e mundimshme për lindjen e Universitetit të Tetovës, e cila mund t’u shërbejë gjatë jetës së tyre.

____________
1. Materialet janë marrë nga Arkivi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, me seli në Tetovë.

*****************************************

– LEXONI SHKRIMIN E KALUAR –

ABDULLA MEHMETI: RËNDËSIA HISTORIKE E MBLEDHJES SË 14 MAJIT 1994

PËR THEMELIMIN E UNIVERSITETIT TË TETOVËS
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=2233

++++++++++++++++++

BASHKËSIA KULTURORE SHQIPTARE NË MAQEDONI
K O M U N I K A T Ë

Me rastin e 15 vjetorit të mbajtjes së Kuvendit për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor të vitit 1994, Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni:
– duke marrë parasysh rëndësinë historike të kësaj date për shqiptarët e Maqedonisë dhe për kombin shqiptar në përgjithësi;
– duke konsideruar se ky Kuvend i hapi rrugë arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, me themelimin e Universitetit të Tetovës;
– duke konsideruar se ky hap i madh historik, nxiti dhe iniciativa të tjera për hapjen e institucioneve të arsimit sipëror, si: Fakulteti Pedagogjik, me mësim edhe në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit të Shkupit, Fakulteti i Shkencave Islame, i hapur një vit më vonë nga Qeveria e Maqedonisë, i cili ishte njëri nga 7 fakultetet e parapara në përbërje të UT-së, Universiteti i Evropës Juglindore, i hapur me iniciativën e komisionarit të posaçëm të OBSE, Van Der Shtul, në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, si dhe iniciativave të tjera, në interes të avancimit të së drejtës për arsimim në gjuhën amtare;
– duke i pasur në konsideratë të gjitha sakrificat e popullatës shqiptare, rënien e dëshmorit Abdilselam Emini dhe të studentëve të këtij universiteti, të cilët në vitin 2001, u flijuan në altarin e lirisë, me idealin e madh të barazisë dhe sigurimin e të drejtave kombëtare, për flamur, gjuhë amtare dhe shkollë shqipe;
– duke i çmuar lartë sakrificat e profesorëve, sidomos nga qendrat universitare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të cilët nuk e kursyen potencialin intelektual dhe fizik për arsimimin e brezit të ri;
– duke e vlerësuar lartë sakrificën dhe përgjegjësinë e studentëve, për sigurimin e ardhmërisë së tyre dhe të perspektivës për gjeneratat e reja, me vite të tëra e mbrojtën Universitetit nga kthetrat e injorancës politike, shovinizmit dhe barbarisë antidemokratike;
– duke qenë të bindur se hapja e Universitetit, sigurimi i të drejtës së secilit për arsimim në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, pa dalim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare, i kontribuon zhvillimit të përgjithshëm, avancimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, paqes ndërkombëtare dhe progresit:
Datën 4 QERSHOR, si ditë më të ndritur nga historia e re e popullit shqiptar në Maqedoni propozon të shënohet si festë – DITA E STUDENTIT.
Abdulla Mehmeti
Kryetari i BKSH në Maqedoni
Tetovë, 4 qershor 2009

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura